Pyetja që shtrohet për Macronin është se si t’u japë votuesve të tij të raundit të dytë arsye të qëndrueshme që të besojnë se ai i ka dëgjuar. E vetmja gjë që ai nuk mund dhe nuk do të duhej që të bëjë është të ndalojë së çuari përpara të reformave ekonomike që mendon se do ta vënë Francën në shtegun e rigjallërimit ekonomik. Arsimi nuk mund të presë, raporti i shkallës së të punësuarve në mesin e popullatës është ende nëntë pikë përqindjeje më i ulët sesa në Gjermani, ndërsa shoqëri në mplakje nuk mund ta lërë reformën pensionale pa një mbikëqyrje
Presidenti francez, Emmanuel Macron, i rizgjedhur me 58 për qind të votave, mori 85 për qind të votave të parisienëve dhe tri të katërtat e votave të Seine-Saint-Denisit, zonë kjo e klasës punëtore në periferi të kryeqytetit, ku rreth 30 për qind e popullsisë është prej jashtë vendit. Mirëpo në distriktin Somme, ku u rrit Macroni, kundërshtarja e tij e ekstremit të djathtë, Marine le Pen, ishte përpara. Edhe në Pas-de-Calais, ku Macroni ka një shtëpi, ajo i mori 58 për qind.
Në këtë vend thellësisht të ndarë duket se nuk ka ndonjë parashikues më të mirë të votës sesa largësia nga qendrat metropolitane.
Edhe ndarjet profesionale e arsimore (më shumë sesa ato me të ardhura) kanë njashtu rëndësi. Dy të tretat votave të punëtorëve francezë shkuan për Le Penin dhe tri të katërtat e menaxherëve të tyre votuan për Macronin, sipas sondazhit të Ipsosit, përderisa tri të katërtat e të diplomuarve në universitete votuan për Macronin, kundrejt një të katërtës së tyre që votuan për Le Penin.
Përcaktuesit sociologjikë përbëhen prej lokacionit. Franca po bëhet vrullshëm një vendi ku njerëzit grumbullohen pranë bashkëmoshatarëve të tyre. Midis viteve 2008 dhe 2018, hisja e menaxherëve dhe punëtorëve me aftësi të larta në qytetet si Parisi, Bordeauxi apo Lyoni, është rritur për katër ose pesë pikë përqindjeje, gjersa banorët e klasës së mesme të ulët dhe të klasës punëtore janë shpërngulur.
Deri në një shkallë, niveli individual e kënaqja me jetën ishin një lloj përcaktuesi kyç për votën. Rreth 80 për qind e atyre që ishin të kënaqur me jetët e tyre votuan për Le Penin. Siç është dokumentuar nga Yann Algani i shkollës parisiene të Ekonomisë HEC dhe kolegët e tij, besimi shoqëror apo mungesa e tij ndikojnë theksueshëm në përzgjedhjet e votuesve.
Këto gjetja janë jashtëzakonisht familjare. Siç ka treguar rasti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, se sa shumë studion dhe ku jeton duket se e përcakton edhe faktin se për kë voton dhe mbështetja për kandidatët e ekstremit të djathtë ngulitet mes votuesve nga shtresa punëtore.
Por ndalja në këtë pikë do të ishte tepër e thjeshtë, shkaku që trandja më e madhe në këto zgjedhje nuk ishte balotazhi Macron-Le Pen, që edhe pritej, por shkatërrimi i partive tradicionale që ndodhi që në raundin e parë. Derisa kandidatët e tyre fituan bashkërisht 56 për qind të votave në vitin 2012, ata morën vetëm 6.5 përqindëshin e votave dhjetë vjet më vonë. Mes vendeve kryesore evropiane vetëm Italia ka përjetuar një ndryshimin të tillë të peizazhit politik gjatë vjetëve të fundit.
Fituesit ishin Macroni dhe Le Peni, porse edhe Jean- Luc Mélenchoni, ish-ministër socialist i cili u rishfaq si prijësi i së majtës radikale dhe e humbi kualifikimin për raundin e dytë për një fije floku. Politikani veteran, një soj francez i Bernie Sandersit, e mbajti votën e rinisë urbanë, duke bërë që shumica e atyre që mund të kishin votuar për të Gjelbrit apo Partinë Socialiste ta shihnin atë si të vetmen mundësi për ta bërë ndryshimin.
Votuesit e Mélenchonit ndihmuan që të sigurohet fitorja e Macronit pasi që 42 për qind e tyre vlerësohet të kenë votuar për të në raundin e dytë (41 për qind abstenuan dhe 17 për qind votuan për Le Penin). Por në vend që të përgatiten për formimin e koalicionit, sikurse në një sistem me përfaqësim proporcional, në të cilin partitë konkurruese duhet të gjejnë gjuhë të përbashkët për të qeverisur, partitë rivale të Francës veçse po bëhen gati tashmë për zgjedhjet parlamentare të qershorit.
Në fjalimin e tij të fitores, Macroni premtoi që t’i marrë për bazë pikëpamjet e të gjithë atyre që votuan për të, që të dëgjojë më shumë, dhe që të qeverisë ndryshe seç bëri në pesë vjetët e fundit. Çështja është se çfarë krejt kjo mund të nënkuptojë në praktikë. Nëse dëshiron që të qeverisë nga një bazë më e gjerë sesa 28-përqindëshi që e mori në raundin e parë, atëherë ai duhet që t’i marrë parasysh preferencat e atyre, përzgjedhja e parë e së cilëve ishte Mélenchoni.
Një aleancë eksplicite qartë se nuk është kartë e lojës, por edhe një de facto koalicion vullnetesh është zor e imagjinueshme. Macroni dhe Mélenchoni janë një pothuajse e kundërt pragmatike. Përderisa Macroni ka bërë fushatë me rritjen e moshës së pensionimit, Mélenchonii ka premtuar që ta ulë atë. Macroni dëshiron që t’i ulë taksat për bizneset, përderisa Mélenchoni dëshiron që t’i rrisë. Dhe teksa Macroni po planifikonte të ndante 50 miliardë euro (apo 2 për qind të GDP-së aktuale) për programet e reja të shpenzimeve publike, Mélenchoni bëri thirrje për një rritje pesëfish më të madhe.
E vetmja temë në të cilën ata mund të gjejnë gjuhë të përbashkët është transicioni i gjelbër, pasi që Macroni e ka mbështetur qartësisht konceptin e Mélenchonit për “planifikimit ekologjik” dhe ka premtuar që në krye të kësaj ta verë drejtpërsëdrejti kryeministrin. Mirëpo edhe në këtë pikë Macroni dëshiron që ta nisë një gjeneratë të re të reaktorëve bërthamorë, ndërkohë që Mélenchoni e favorizon kalimin 100 për qind në burime të ripërtërishme.
Në këtë aspekt Franca nuk është ndryshe prej SHBA-së, ku demokratët tradicionalë dhe mbështetësit e Sandersit e shohin si të pamundur dakordimin për ndonjë gjë thelbësore, teksa mosmarrëveshjet e tyre e shtrojnë terrenin për një disfatë dërrmuese në zgjedhjet e mesmandatit të këtij nëntori. Por një betejë e vazhdueshme trekahore midis të majtës, qendrës dhe të djathtës ekstreme nënkupton se, deri në njëfarë pike, Le Peni apo pasuesi i saj politik mund ta gjejë një mënyrë për të hyrë në Elysee.
Pyetja që shtrohet për Macronin është se si t’u japë votuesve të tij të raundit të dytë arsye të qëndrueshme që të besojnë se ai i ka dëgjuar. E vetmja gjë që ai nuk mund dhe nuk do të duhej që të bëjë është të ndalojë së çuari përpara të reformave ekonomike që mendon se do ta vënë Francën në shtegun e rigjallërimit ekonomik. Arsimi nuk mund të presë, raporti i shkallës së të punësuarve në mesin e popullatës është ende nëntë pikë përqindjeje më i ulët sesa në Gjermani, ndërsa shoqëri në mplakje nuk mund ta lërë reformën pensionale pa një mbikëqyrje.
Por ekziston potencial për hapje në tri çështje të ndërlidhura. E para, menaxhimi i transicionit të gjelbër është një ndërmarrje relativisht e re dhe gjithëpërfshirëse, dhe ndonëse nuk është një fushë e lehtë, qëndrimet janë më pak të vendosura sesa që janë për reformën e taksave dhe atë të mirëqenies sociale. E dyta, Macroni duhet ta bëjë më të mirën në identifikimin e nevojës për ndryshimin e qasjes së tij vertikale karshi qeverisjes. Nevojiten dy veta për tangon, porse dialogu shoqëror dhe demokracia më participuese ia vlejnë tentimin. Dhe e fundit, ndërmarrja identifikuese e Macronit për çështjet sociale ishte ajo që theksonte se barazia në mundësi ka më shumë rëndësi sesa rishpërndarja. Një qasje më e ekuilibruar, me vëmendje më të përqendruar kah çështjet e shpërndarjes, do t’i lehtësonte më shumë votuesit që e rizgjodhën.
(Jean Pisani-Ferry, bashkëpunëtor i lartë në institutin për matjen e opinionit publik Bruegel me seli në Bruksel dhe anëtar i lartë jorezident në Institutin Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare, e kryeson Tommaso Padoa-Schioppa në Institutin Universitar Evropian. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).