OpEd

Diktimi i historisë

Si akterë të arsyeshëm liderët janë të vetëdijshëm se realiteti iu ofron një meny të opsioneve të kufizuara, të cilat nuk varen nga vullneti i tyre personal. Prandaj gjeopolitika nuk ka të bëjë me të drejtën ose të gabuarën, me të djathtën apo të majtën, por ka të bëjë me forcat impersonale, të cilat kufizojnë sjelljen e akterëve dhe të cilat i obligojnë të veprojnë në një formë të caktuar

Këtë javë Kongresi amerikan miratoi pakon e ndihmës ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 61 miliardë dollarësh. Vendimi erdhi pas shumë debatesh në skenën politike amerikane; debate të cilat ngritën pikëpyetje të shumta për lidershipin e sotëm amerikan në botë. Por përkundër zhurmës së debateve ditore, vendimi amerikan për vazhdimin e mbështetjes së Ukrainës ka qenë i paevitueshëm. Ka qenë i paevitueshëm për shkak të dinamikave impersonale gjeopolitike të cilat ndeshen, ndikohen dhe formësohen nga interesat kyçe nacionale amerikane.

Gjeopolitika nuk është vetëm një fjalë “cool” për të përshkruar marrëdhëniet ndërkombëtare. Është një metodë e të menduarit dhe parashikuarit se si faktorë strukturorë dhe impersonalë ndikojnë në interesat e shteteve kur ato veprojnë jashtë kufijve të tyre. Ndoshta shpjegimin më të mirë të gjeopolitikës mund ta gjejmë në kuadër të trashëgimisë së “babait të ekonomisë” Adam Smithit. Në thelb Smithi ka thënë se “dora e padukshme” e ekonomisë motivon individët e arsyeshëm që të ndjekin interesat e tyre afatshkurtra, të cilat marrë së bashku formësojnë pasurinë e një shteti. Kjo është pak a shumë edhe premisa e gjeopolitikës. Sikur individët, shtetet kanë interesa të arsyeshme. Në ndjekjen e atyre interesave dinamikat gjeopolitike veprojnë sikur “dora e padukshme” e cila motivon dhe dikton sjelljen e shteteve në skenën globale.

Gjeopolitika dhe ekonomia supozojnë se akterët janë qenie të arsyeshme – së paku në kuptimin e të njohurit se cilat janë interesat e tyre afatshkurtra. Liderët të cilët udhëheqin me shtetet e tyre janë zakonisht qenie të arsyeshme. Ngjitja në majën e shoqërisë dhe udhëheqja e një populli të tërë nuk është diçka që budallenjtë janë të aftë të bëjnë. Ndodh edhe kjo, por kjo është më shumë përjashtim se rregull. Kuptoj se është sport i preferuar nacional i çdo shoqërie që të tallen me liderët e tyre, por liderët janë liderët sepse kanë kaluar testin e aftësisë, i cili kërkohet për të udhëhequr një shoqëri. Nga ana tjetër nuk po them se liderët janë gjeni, ata patjetër bëjnë gabime, por kur analizoni gabimet e liderëve shpesh do të kuptoni se ato janë rrallë pasojë e paaftësisë së tyre dhe shpesh janë pasojë e rrethanave impersonale, të cilat ata nuk mund t’i kontrollojnë. Kjo është edhe arsyeja përse në gjeopolitikë liderët individualë nuk merren shumë seriozisht, njëjtë sikur në ekonomi një afarist biznesor nuk merret shumë seriozisht. Të dy ata janë akterë që dinë se si të menaxhojnë procese respektive, por që janë të kufizuar nga rrethanat impersonale të cilat imponohen mbi ta dhe rrethanat mbi të cilat ata nuk kanë kontroll.

Patjetër se nganjëherë vendi lind edhe një lider i cili thyen rregullat e lojës politike dhe i cili merr vendime politike totalisht të befasishme dhe unike, por në shumicën e rasteve qeverisja përbëhet nga marrja e vendimeve logjike dhe të arsyeshme politike të cilat ndikohen nga faktorë impersonal. Kur një lider vdes apo zëvendësohet, gjasat janë se pasardhësi i tij ose i saj do të vazhdojë në pika të trasha të njëjtin kurs të sjelljes politike.

Si akterë të arsyeshëm liderët janë të vetëdijshëm se realiteti iu ofron një meny të opsioneve të kufizuara të cilat nuk varen nga vullneti i tyre personal. Veprimet e tyre politike mund të kenë nuanca dallimi, por kryeministri më brilant i Kosovës asnjëherë nuk do ta shndërrojë Kosovën në fuqi globale. Dhe lideri më avdall i SHBA-së nuk mund ta rrënojë fuqinë amerikane në botë. Prandaj gjeopolitika nuk ka të bëjë me të aftën dhe të paaftën, me të drejtën ose të gabuarën, me të djathtën apo të majtën, por ka të bëjë me forcat impersonale të cilat kufizojnë sjelljen e akterëve dhe të cilat i obligojnë të veprojnë në një formë të caktuar.

Dhe kështu nuk është sot, kështu ka qenë gjithmonë. Presidenti Lincoln nuk ka pasur opsion tjetër, pos të luftojë për të ruajtur unionin amerikan. Presidentët Wilson dhe FDR nuk kanë pasur opsion tjetër, pos të sigurojnë fitoren e aleatëve në dy luftërat botërore. Politika amerikane ndaj Bashkimit Sovjetik nuk ka mundur të jetë ndryshe nga izolimi apo “containment”. Patjetër se me karakteret e tyre liderët amerikanë kanë pasuruar historinë me shumë detaje që ne njohim sot, por piktura e madhe dhe kursi i përgjithshëm i historisë ka qenë i paevitueshëm dhe i diktuar nga interesat kyçe nacionale amerikane.

Dhe kështu është edhe sot. Emrat kanë ndryshuar, por kursi i historisë ka ngelur i njëjtë. Kongresi amerikan ka miratuar pakon e fundit ushtarake për Ukrainën sepse fitorja eventuale e Rusisë është e papranueshme dhe përfaqëson rrezik thelbësor për interesat kyçe nacionale amerikane. Kolapsimi eventual i Ukrainës do të inkurajonte “lokomotivën ruse” të vazhdojë me pushtimin e vendeve të tjera evropiane duke përmbysur kështu gjithë rendin e sigurisë globale dhe duke shkaktuar kështu një efekt zinxhiror të ndezjes së konflikteve të reja në mbarë botën. Kjo është edhe arsyeja përse SHBA-ja historikisht nuk ka mundur të qëndrojë duarlidhur ndaj zhvillimeve sikur ky i sotmi. Dhe kjo është edhe arsyeja përse kjo pakoja ushtarake amerikane nuk është as e para, por nuk do të jetë as e fundit.