Heroizmi është i rrallë dhe për këtë arsye i jepet një nder aq i madh. Nëse një shtet i tërë bëhet heroik, atëherë termi do ta humbiste kuptimin. E beteja e mundimshme e Kaczynskit dhe Morawieckit për ta lustruar reputacionin historik të Polonisë është një përpjekje e kotë.
Nuk mund t’i ikësh historisë në Poloni. Gjatë një seance të organizuar me nguti, nga fundi i qershorit, Sejmi polak (Dhoma e Ulët e Parlamentit) e kaloi një amendament të Ligjit mbi Institutin e Kujtimit Kombëtar, duke e shfuqizuar amendamentin e miratuar në janar të këtij viti. Duke hyrë në fuqi menjëherë, atribuimi i fajit tek Polonia për krimet naziste të periudhës së Luftës së Dytë Botërore nuk do të ndëshkohej më me tre vjet burgim.
Shfuqizimi i shpejtë i “ligjit të kujtimit” nga Partia pushtetare e Ligjit dhe Drejtësisë (PiS) nuk paraqet befasi. Ligji fillestar kishte shkaktuar zemërim të madh në botë, posaçërisht nga Izraeli. Madje edhe presidenti amerikan, Donald Trump – që në të vërtetë është mik i ngushtë i nacionalistëve polakë – kishte dhënë sinjale se nuk do të takohej me liderët polakë deri në tejkalimin e krizës.
Megjithatë, mënyra se si Qeveria polake iu qas ndryshimit të ligjit është e pakuptimtë. Në rend të parë, i tërë procesi u krye në mënyrë sekrete, deri në pikën që raportet izraelito-polake u menaxhuan nga agjencitë e inteligjencës së këtyre shteteve, në mënyrë që përkrahësi kryesor i ligjit, ministri polak i Drejtësisë, Zbigniew Ziboro, të mos e kuptojë se çfarë po ndodhte.
Ziboro është rivali kryesor i kryeministrit polak, Mateusz Morawiecki, në betejën për ndikim tek kryetari i PiS-ës, Jaroslaw Kaczynski. Prandaj kur u miratua amendamenti i ri, Morawiecki nuk hezitoi që t’i marrë meritat për shpëtimin e imazhit të Polonisë. Ai dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, nënshkruan një deklaratë të përbashkët, duke i dhënë fund kontestit midis shteteve të tyre; derisa Qeveria polake bleu faqe reklamash në gazetat më të mëdha në botë – përfshirë tri të përditshmet më të mëdha izraelite – për ta promovuar tekstin e deklaratës.
Sidoqoftë, pikërisht atëherë kur dukej se Qeveria polake i kishte tejkaluar telashet, qendra për kujtimin e Holokaustit në Izrael, “Yad Vashem”, ashtu si edhe ministri izraelit për Arsim dhe Diasporë, Naftali Bennett, dënuan ashpër deklaratën e përbashkët. Si ndodh zakonisht, nisma brenda Izraelit për ta dënuar ligjin e kujtimit në Poloni u lansua nga opozita izraelite dhe Netanyahu e kishte mbështetur atë vetëm shkaku që nuk kishte zgjidhje tjetër.
Në këtë rast, Netanyahu – populist – kishte dashur ta zgjidhte konfliktin me Qeverinë e PiS-ës, për shkak se nuk dëshironte ta kthente në armik aleatin më besnik të Izraelit brenda Bashkimit Evropian. Kjo e sqaron se përse deklarata e përbashkët është aq këmbëngulëse me pikën që fajësia për kampet naziste të vdekjes është vetëm e gjermanëve. Për më tepër, ajo madje duket se aludon që e liga e antipolonizmit disi është e krahasueshme me antisemitizmin.
Është interesante se përderisa versioni polak i deklaratës i pranon rastet individuale të “mizorisë ndaj hebrenjve” nga polakët, versioni hebraik deklaron se “ne e pranojmë dhe e dënojmë secilin incident të mizorisë”. Por të dyja versionet më pas kujtojnë “aktet heroike të polakëve të shumtë që rrezikuan jetën e tyre për shpëtimin e hebrenjve”.
Në pjesën tjetër ka një referencë diskrete për “szmalcownikët” që “pa marrë parasysh origjinën, fenë apo pikëvështrimin – shpërfaqën anën e tyre më të errët”. Nga ana tjetër, formulimi gjuhësor që ka të bëjë me heroizmin polak është tejet konkret dhe përthekon tërë popullin. “Shteti nëntokësor polak, i mbikëqyrur nga Qeveria polake në ekzil, krijoi një mekanizëm për ndihmë sistematike për popullin hebraik, derisa gjykatat e tij i dënuan polakët për bashkëpunim me autoritetet okupatore gjermane, përfshirë dhe denoncimin e hebrenjve”.
Kjo është një histori e shpikur. Siç thekson Bennett, ndonëse disa polakë i ndihmuan hebrenjtë, “këto rastet ishin të pakta dhe jo qendrore”. Rrjedhimisht, deklarata e përbashkët në mënyrë të gabuar trajton “rastet e rralla të mirësisë” si “fenomen i përgjithshëm”, derisa “ngjarjet e përhapura të dorëzimit të hebrenjve nga polakët” shpallen “raritete”.
Raporti i Bennettit mbështetet prej hulumtimeve të detajuara, e për më tepër nga “Nata pa fund: Fati i hebrenjve në qarqet e caktuara të Polonisë së okupuar”, një histori dyvëllimëshe e redaktuar nga Barbara Engelking dhe Jan Grabowski të Qendrës polake për Hulumtime rreth Holokaustit. Sipas librit, në nëntë qarqe polake të okupuara prej gjermanëve, dy të tretat e 250.000 hebrenjve që ikën gjatë “likuidimit nazist” të getove hebraike më 1942, u vranë deri më 1945, shumica nga polakët, apo me pjesëmarrje polake.
Natyrisht, përkrahësit e deklaratës së përbashkët do të theksonin se vetë Yad Vashëm ka njohur më shumë polakë (6.863) sesa pjesëtarë të kombësive të tjera si “të drejtit midis kombeve”, që ndihmuan hebrenjtë. Por kjo është një lojë e pastër me fjalë. Në Poloni jetuan më shumë se tre milion hebrenj para luftës dhe gjermanët ndërtuan kampet e tyre të vdekjes në territorin polak. Pra, prej nga do të vinin “të drejtit”, nëse jo nga Polonia?
Synimi nuk është të thuhet se polakët janë kolektivisht më të këqij apo më të mirë sesa ndonjë nacionalitet tjetër. Në të vërtetë, historiani i Universitetit Yale, Timothy D. Snyder, që zor se do të mundë të akuzohej për ndjesi antipolake, ka konkluduar se polakët u sollën pak e shumë njëjtë si çdo popull tjetër në rrethana të ngjashme.
Heroizmi është i rrallë dhe për këtë arsye i jepet një nder aq i madh. Nëse një shtet i tërë bëhet heroik, atëherë termi do ta humbiste kuptimin. Beteja e mundimshme e Kaczynskit dhe Morawieckit për ta lustruar reputacionin historik të Polonisë është një betejë e luftuar kot. Siç na e kujton Snyder, ishte lideri polak kundër regjimit, Wladyslaw Bartoszewski, ai që e tha më së miri: “Individët që punuan në emër të hebrenjve nuk e kërkuan lejen e popullit polak për ta bërë një gjë të tillë”.
(Autori, themelues i lëvizjes “Krytka Polityczna”, është drejtor i Institutit për Studime të Avancuara në Varshavë dhe bashkëpunëtor në akademinë “Robert Bosch” në Berlin. Vështrimi është shkruar për rrjetin e gazetarisë botërore, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)