OpEd

Dialogu për krijimin e iluzioneve

Dialogu kishte nisur, është zhvilluar dhe po vazhdon duke krijuar iluzione. Iluzione te serbët se pavarësia e Kosovës nuk është çështje e kryer. Iluzione te shqiptarët se çështjet e brendshme nuk diskutohen më me Serbinë. Iluzionet në BE se Serbia do të ndihmojë që pavarësia e Kosovës të dëshmohet si një shembull suksesi dhe se, pasi ta njohë Serbia Kosovën, do ta njohin edhe 5 vendet e BE-së. Kësaj i është shtuar iluzioni se dialogu ka ndihmuar në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit dhe së fundi iluzioni se Kosova dhe Serbia tash e kanë arritur një marrëveshje për normalizim. Gjithçka rreth dialogut është iluzion, nga ajo se BE-ja e konsideron prioritet normalizimin dhe zbatimin e marrëveshjes e deri te sjellja konstruktive e palëve në përpjekje për të gjetur zgjidhje për çështjet jetike të qytetarëve. Edhe “rrugëtimi evropian“ është iluzion

Kur ishte nisur dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, si një nismë që kishte për qëllim t’i ndihmonte Serbisë që të përballet me realitetin se Kosova është shtet, e në këtë mënyrë të dyja vendet me raporte normale të ecnin drejt integrimit në BE, ishte parashtruar pyetja; a është pengesë për BE-në në rolin e lehtësuesit fakti se 5 vende të saj anëtare nuk e kanë njohur Kosovën?. Këtë pyetje e kemi shtruar vazhdimisht, sepse është pyetja më logjike e mundur. Sepse për vite në BE gjithmonë kanë thënë se suksesi në politikën e jashtme sigurohet vetëm kur BE të flasë me një zë. Sepse në politikën e jashtme, BE-ja vendos dhe vepron në bazë të parimit të konsensusit. Dhe në këtë rast gjithmonë fitojnë ata që janë kundër, pa marrë parasysh se sa pak janë krahasuar me shumicën që janë në favor. Pasi 5 vendet e BE-së nuk e njihnin Kosovën, BE-ja kishte qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës. Dhe pyetja ishte logjike se si mund të ndërmjetësojë BE-ja në një proces që duhet bindur Serbinë të njohë Kosovën në kohën kur vetë BE-ja nuk e njeh. Pra në vend që BE ta njohë Kosovën, dhe në këtë mënyrë t’i ndihmojë Serbisë ta bëjë të njëjtën gjë, BE-ja mori një qasje ndryshe. Me besimin që Serbia do të pajtohet për normalizim raportesh me Kosovën, e ky normalizim nënkupton njohjen, e pastaj vendet e BE-së nuk mund të bëhen „Më katolikë sesa Papa“ dhe do ta bëjnë një gjë të tillë. Më shumë se 12 vjet kanë kaluar dhe situata në këtë drejtim nuk ka ndryshuar. Serbia nuk e njeh dhe nuk e ka ndërmend të njeh Kosovën. Vendet e BE-së që ishin kundër pavarësisë në vitin 2007, kur doli Propozimi i Ahtisaarit, dhe edhe kur Kosova shpalli pavarësinë, janë edhe sot kundër.  E mbajnë atë qëndrim sikur në fillim pa marrë parasysh dallimet në motive për të mos e njohur Kosovën, a ishin ato të lidhura me çështjet e brendshme të këtyre shteteve, me rolin e Kishës apo me raportet me Rusinë.

Duhet rikujtuar se dialogu nisi menjëherë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, duke u përgjigjur në pyetjen e Serbisë, dha mendimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe, për më tepër, nuk e ka shkelur as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Por as Serbia as vendet e BE-së që nuk e njihnin Kosovën, nuk ndryshuan qëndrimin e tyre. Dhe nuk pati asnjë “Tsunami njohjesh“ që paralajmëronte diplomacia e atëhershme Kosovës, pasi tash nuk vlente më argumenti se me njohje do të shkelej e drejta ndërkombëtare.

Përgjigjja në pyetje se “a është pengesë për rolin e BE-së si lehtësuese fakti se pesë vende nuk e njohin Kosovën“ ishte në fakt paralajmërimi i parë se dialogu do të krijojë shumë iluzione. Arkitekti kryesor i këtij dialogu, dhe bashkëpunëtorët e tij, kështu përgjigjeshin në këtë pyetje; “Jo kurrsesi. Është e kundërta. Në fakt, mosnjohja nga 5 vendet anëtare është një përparësi e madhe për BE-në. Sepse kosovarëve mund t’u themi se 22 vende, pra shumica e madhe ju kanë njohur, mes tyre edhe Gjermania, Franca, Italia dhe kjo tashmë është një çështje e kryer. Ndërsa Serbisë i themi se BE në këto çështje vepron me konsensus, dhe pasi kemi 5 vende që nuk e njohin Kosovën, BE-ja ka qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës. Dhe në këtë mënyrë ne jemi jo vetëm ndërmjetësuesi më i mirë i mundshëm, por edhe i vetmi i mundshëm. Sepse këtë rol nuk mund ta ketë as SHBA as Rusia“.

Për vite strukturat e BE-së që merreshin me dialog mbanin këtë qëndrim. Ndërsa në pyetjet tona se “a kanë presion apo kritika për shkak se nuk po e njohin Kosovën?“ diplomatët nga disa prej 5 vendeve të BE-së që nuk e njohin Kosovën thoshin se “jo vetëm se nuk kanë kritika, por kanë edhe lëvdata se me qëndrimin e tyre e kanë shpëtuar politikën e BE-së në rajon“. Sepse, mendonin në strukturat e BE-së, po ta njihte e tërë BE-ja Kosovën, do ta humbiste Serbinë dhe ajo nuk do të vinte në dialog.

Kështu Kosova u bë ndoshta edhe rasti i vetëm në politikën e jashtme të BE-së ku dallimi dhe mungesa e unitetit u paraqit jo si dobësi, por si fuqi e BE-së. Dhe nuk u pa si dobësi as fakti se disa vende të BE-së në argumentim kundër pavarësisë së Kosovës në Gjykatën kryesore në botë (GJND) dolën krah Rusisë kundër shumicës së vendeve anëtare të BE-së dhe NATO-s.

Të gjitha këto qëndrime të BE-së kanë qenë të njohura edhe për udhëheqësit e Kosovës, edhe për ata të shteteve kryesore që qëndronin prapa dialogut. Por këto nga BE ishin thënë “jozyrtarisht“, ndërsa zyrtarisht e publikisht gjithmonë thuhej se “njohja e pavarësisë së një vendi nuk është kompetencë e BE-së, por e secilit vend anëtar“. Kjo nga aspekti formal është edhe e vërtetë por nga ai politikë jo. Në rastin e pavarësisë së Sllovenisë dhe Kroacisë BE bashkërisht i njohu ato. Kur Mali i zi shpalli pavarësinë BE bëri thirrje për vendet anëtare që të vendosin raporte me Malin e zi si me një shtet sovran dhe të pavarur. Në rastin e Kosovë nuk ndodhi kështu. BE-ja vetëm e injoronte deklarimin rreth njohjes, duke mbajtur qëndrim neutral, as për as kundër. Por me ardhjen në postin e përfaqësuesit të lartë të BE-së të Josep Borrellit dhe me emërimin e Miroslav Lajçakut në rolin e të dërguarit të posaçëm për dialog BE doli për herë të parë edhe publikisht, përmes zëdhënësit, duke thënë se “njohja nuk është qëllimi i dialogut“. Kjo pasi disa shtete, por edhe Parlamenti Evropian insistonin në një zgjidhje që si bazë do ta ketë njohjen e ndërsjellë. Këtë e thoshte edhe SHBA, por në të njëjtën kohë edhe mbështeste BE-në, e cila nuk e thoshte një gjë të tillë.

Ky qëndrim i BE-së për vite ka krijuar iluzione edhe në serbi dhe ndër Serbët. Ata dialogun e konsiderojnë si “dialog për çështjen e Kosovës“ e jo dialog “për raportet mes Kosovës dhe Serbisë“. Pra dialogun e shohin si dëshmi se çështja e statusit të Kosovës nuk është kryer. Jo vetëm se kanë besuar vetë në këtë, por i kanë bindur edhe disa vende nëpër botë se statusin i Kosovës nuk është kryer, sepse po të ishte pse do të zhvillohej atëherë dialogu. Dhe BE, me apo pa qëllim në këtë drejtim e kishte ndihmuar Serbinë. Kjo kishte sjellë edhe ndaljen e njohjeve, por edhe tërheqjen e disa njohjeve të Kosovës.   

Pos që e ka penguar Kosovën Serbia nuk ka përfituar asgjë. Ajo nuk ka lëvizur shumë në procesin e integrimeve Evropiane. Pozita e Serbëve në Kosovë nuk është përmirësuar. Iluzionet se Serbia do ta “kthejë ushtrinë në Kosovë“ janë shndërruar në një rrezik, e pastaj edhe zhgënjim të madh për Serbët në veri të Kosovës. Edhe pohimet e Serbisë se “nuk do ta japin Kosovën për BE-në“ është një iluzion i madh. Sepse kjo do të nënkuptonte se, sikur të refuzojë BE-në, Serbia do ta marrë Kosovën. Dhe askush nuk ia ka dhënë një ofertë të tillë. Mbetet ajo thënia e një diplomati të lartë amerikan nga viti 2008 kur tha se “Mes Kosovës dhe BE-së Serbia duhet ta zgjedhë BE-në. Nëse zgjedh Kosovën do të mbetet pa të dyja“. Kur ka nisur me iluzione dialogu nuk ka mundur të sjellë ndonjë rezultat të kënaqshëm. Dhe tash dështimi i tij është evident pa marrë parasysh se sa me zë të fortë zyrtarë të lartë evropianë dhe amerikanë mundohen të na bindin se ai ka qenë i suksesshëm. Më dialogun nuk e merr seriozisht asnjëra parë. Kosova dhe Serbia marrin pjesë në të vetëm për të mos marrë përgjegjësinë se nuk duan dialog. BE-ja vetëm pretendon se e ka prioritet, sepse është çështje që ka të bëjë me stabilitetin dhe perspektivën evropiane të rajonit.

Dialogu kishte nisur, është zhvilluar dhe po vazhdon duke krijuar iluzione. Iluzione te serbët se pavarësia e Kosovës nuk është çështje e kryer. Iluzione te shqiptarët se çështjet e brendshme nuk diskutohen më me Serbinë. Iluzionet në BE se Serbia do të ndihmojë që pavarësia e Kosovës të dëshmohet si një shembull suksesi dhe se, pasi ta njohë Serbia Kosovën do ta njohin edhe 5 vendet e BE-së. Kësaj i është shtuar iluzioni se dialogu ka ndihmuar në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit dhe së fundi iluzioni se Kosova dhe Serbia tash e kanë arritur një marrëveshje për normalizim. Gjithçka rreth dialogut është iluzion, nga ajo se BE e konsideron prioritet normalizimin dhe zbatimin e marrëveshjes, e deri te sjellja konstruktive e palëve në përpjekje për të gjetur zgjidhje për çështjet jetike të qytetarëve. Edhe „rrugëtimi evropian“ është iluzion.

Sjellja e BE-së ndaj dialogut është bërë pothuajse një karikaturë. Kjo u pa javën e shkuar, kur BE-ja refuzoi së paku të deklarohet se Serbia, duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovën në Këshillin e Evropës, është duke e shkelur Marrëveshjen. Edhe pse kjo shkelje është evidente, dhe nuk ka nevojë dikush të jetë ekspert për ta kuptuar, pasi një nen i marrëveshjes thotë se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare“. Me këtë sjellje të BE-së Serbia është inkurajuar aq shumë, saqë ka krijuar një ekip të posaçëm për të luftuar “më shumë se kurrë më parë“ kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ndoshta nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës, por Serbia me këtë i ka dhënë fund asaj që BE vazhdimisht e ka quajtur “marrëveshje“. Dhe kështu BE si lehtësuese, na ka sjellë në një situatë kur iluzioni më i madh i krijuar në dialog është besimi se ekziston ajo që quhet “Marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të raporteve“ dhe se ajo madje na qenka akoma “ligjërisht obliguese për palët“. Përshtypja krijohet edhe në bazë të iluzioneve, ndërsa përshtypja shpesh në politikë është më e rëndësishme sesa realiteti. Prandaj, për vite të tëra na presin iluzione të reja në procesin e dialogut.