OpEd

Dialogu ose ka përfunduar me marrëveshje ose ka dështuar tragjikisht

Edhe para sulmeve terroriste në Banjskë, në vetë BE u tha se “nuk ka më negociata në dialog”, sepse “ato kanë përfunduar me marrëveshjen në Bruksel dhe aneksin në Ohër”. Dhe se tash “diskutohet vetëm për implementimin”. Por ky sulm dëshmoi se duhet një përgjigje e shpejtë se a ka përfunduar dialogu me marrëveshje apo ka dështuar tragjikisht. Sepse kaosi në interpretime që kanë krijuar Borrelli dhe Lajçaku ka çuar në situatë ku Milan Radoiçiqi thotë se ai e bëri sulmin e armatosur “Për ta mbrojtur Marrëveshjen e Brukselit”.

E morëm vesh: “Krejt bota mbështet Lajçakun dhe askush nuk e mbështet Kurtin“. Ky është rezultat i angazhimit prioritar që i dërguari i posaçëm, Miroslav Lajçak, pati për dy javë që nga dështimi i rundit të fundit në dialogun e nivelit të lartë në Bruksel, pas të cilit kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e qortoi se ai nuk është më neutral dhe se po përfill interesat e Serbisë dhe po i injoron ato të Kosovës. Prej Washingtoni e New Yorku, Berlini e Parisi, e deri te takimet e përfaqësuesve të vendeve anëtare të BE-së çdo ditë i vinte shprehja e mbështetjes Lajçakut. Edhe kur u diskutua për herë të parë për sulmet terroriste, në të cilat u vra një polic i Kosovës, prapë nga ai takim erdhi si porosi e parë se “iu shpreh mbështetje të plotë Lajçakut“. Edhe kur Kosova e rajoni ishin në prag të shpërthimit të luftës, prioritet ishte shprehja e mbështetjes për të dërguarin e BE-së. Kjo mbështetje është e kuptueshme, sepse ai është përfaqësues i tyre. Nuk ka ndodhur kurrë që në ndonjë deklaratë të BE-së të thuhet se “nuk mbështesim përfaqësuesin tonë të posaçëm”.

Por në rregull. E kuptuam se këtë betejë personale të lojalitetit për t’i treguar Kurtit se Lajçaku ka mbështetjen e tërë botës e fitoi Lajçaku. E tash pas kësaj, ka ardhur koha që Lajçaku dhe shefi i tij të reflektojnë shumë, shumë me kujdes se sa i kanë kontribuar ata situatës së krijuar në dialog, e potencialisht edhe në terren. Sepse, nëse lihen anash sulmet personale ndaj Lajçakut, për të cilat Kurti motiv mund të ketë edhe për shkak se e ka mbrojtur shumë kur e kanë sulmuar të tjerët, me seriozitet duhet të analizohen edhe vërejtjet që i ka paraqitur Kosova. Për të parë se dialogu në këto 3 vjet e gjysmë prej kur me të merren Borrelli dhe Lajçaku nuk ka pasur sukses, nuk ka nevojë të krahasojmë rezultatet me pritjet e Kosovës, por me vetë mandatin dhe synimet e tyre dhe pritjet e BE-së dhe SHBA-së.

Vetë Lajçaku në fillim të mandatit thoshte se ai ka mandat për të siguruar një Marrëveshje ligjërisht obliguese për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë që i zgjidh të gjitha çështjet e hapura mes palëve “brenda disa muajsh e jo vitesh”. Tre vjet e gjysmë më vonë, apo plot 42 muaj, nuk e dimë çka kemi. Thuhet se ka “Marrëveshje” por edhe ajo, edhe po të besojmë se ekziston, nuk është as gjithëpërfshirëse, as ligjërisht obliguese e as që i zgjidh të gjitha çështjet e hapura.

Marrëveshja është dashur të nënshkruhej dhe këtë lehtësuesit ua kanë përcjellë disa herë vendeve anëtare. Por kur Serbia refuzoi ta nënshkruajë u tha se ajo “do të nënshkruhet së bashku me aneksin për implementim, sepse janë pjesë të pandara dhe njëra pa tjetrën nuk kanë kuptim”. Bile, përcjellin burimet diplomatike, lehtësuesit thoshin në atë kohë se “pa u nënshkruar teksti do të jetë vetëm një deklaratë politike“ me pak fuqi. Dhe kur Serbia refuzoi edhe ta nënshkruajë, Borrelli dhe Lajçaku filluan të improvizojnë në nivel të absurditetit. Më i çuditshmi është interpretimi se si ajo do të bëhet “ligjërisht obliguese“ duke u përfshirë në Kapitullin 35 të negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE. Kjo dëshmon më shumë situatën dëshpëruese në të cilën është gjetur BE-ja sesa fuqinë e saj si ndërmjetësuese. Të supozojmë se bëhet pjesë përbërëse e Kapitullit 35 (“by the way“ siç thonë në anglisht, nuk është bërë as kjo akoma nga BE), dhe si pasojë, bëhet “ligjërisht obliguese“ çfarë ndodh nëse Serbia fare nuk do anëtarësim në BE. Sepse anëtarësimi në BE është synim e jo obligim.

Një analizë e kujdesshme e rolit të BE-së në dialog dhe këtu duhet pranuar se nuk ka pasur ndryshim të madh as në të kaluarën krahasuar me periudhën e mandatit të Borrellit dhe Lajçakut, dëshmon se lehtësuesit nuk kanë hezituar të thonë publikisht kur Kosova ka refuzuar diçka, ndërsa asnjëherë nuk e kanë thënë këtë nëse Serbia e ka bërë një gjë të tillë. Pos kur kanë mundur të thonë se “të dyja palët“ kanë refuzuar diçka.

Me logjikën e njerëzve që besojnë se pavarësia e Kosovës ka qenë gabim, Lajçak dhe Borrell kanë refuzuar të gjitha propozimet e Kosovës si “joreale”, ndërsa i kanë kuptuar linjat e kuqe të Serbisë. Kjo është e kuptueshme nëse nisesh nga logjika e mosnjohjes së Kosovës si realitet. Por pse nuk kanë propozuar për shembull njohjen e ndërsjellë, siç kanë kërkuar SHBA-ja, Gjermania, Parlamenti Evropian dhe të tjerët, e pastaj, nëse Serbia refuzon të dalin e të thonë se “Serbia ka refuzuar“. Pse nuk kanë dalë ta fajësojnë Serbinë kur refuzoi ta nënshkruajë Marrëveshjen. Kur për më tepër, presidenti i Serbisë tha se ai “as nuk e ka pranuar marrëveshjen” dhe nuk ka marrë asnjë obligim për Serbinë që do të njihte në ndonjë mënyrë, as de facto as de jure, pavarësinë e Kosovës. Ka heshtur BE-ja edhe kur Serbia ka dëshmuar se nuk do ta respektojë marrëveshjen. Dhe me propozimin e fundit të Lajçakut detyrimet ndaj Serbisë shtyhen për një periudhë në të ardhmen, pasi Kosova e para t’i kryejë obligimet e saj kryesore, ato që kanë të bëjnë me Asociacionin dhe Statusin e Kishës Ortodokse Serbe.

As zemërimin ndaj palëve nuk e kanë të paanshëm në BE. Vuçiq i ka quajtur “gënjeshtarë”, “hipokritë” dhe “agresorë”, duke e krahasuar njohjen e Kosovës nga vendet e BE-së me agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës. Dhe BE ka heshtur. Por u ka mbetur shumë hatri kur Qeveria e Kosovës ka shprehur pakënaqësi për rolin e BE-së si lehtësuese që nuk është më neutrale.

Lehtësuesit e BE-së tentojnë ta lënë përshtypjen se ata “nuk duan të tregojnë gishtin ndaj njërës apo palës tjetër”, por disa herë kanë drejtuar gishtin nga Kosova, dhe e kanë bërë këtë edhe duke vendosur masa ndëshkuese, e asnjëherë nga Serbia. Së fundi e bënë këtë Borrelli dhe Lajçaku edhe pas takimit të fundit në Bruksel.

Kjo sjellje e tillë e ka inkurajuar shumë Serbinë. Ndoshta në këtë inkurajim, duke llogaritur se BE-ja dhe SHBA-ja tash janë të irrituara me Kosovën, Serbia e ka tepruar dhe ka besuar se mund të nisë një kryengritje të armatosur në Kosovë dhe pastaj në njërën anë të negociojë në Bruksel e në anën tjetër të shkrijë konfliktin në terren. Kur thonë se ajo që ndodhi në Banjskë “nuk i konvenon tash Serbisë“ është e vërtetë nëse gjykohet në bazë të ndryshimit dramatik të sjelljes së Borrellit, i cili ndër të parët e quajti këtë sulm terrorist. Por Serbisë nuk i konvenon epilogu i sulmit terrorist, sepse pësoi humbje, u zbulua dhe tash duhet të mbulohet disi roli i saj. Për fat të keq, Serbia ka akoma miq të fuqishëm që do të bëjnë çmos që roli i saj direkt në mbështetje të terrorizmit të mbulohet. Ndoshta Serbia e ka menduar ndryshe epilogun e këtij sulmi. E aty ka tash detyra të shumta për NATO-n dhe KFOR-in para se gjithash, e pastaj edhe për faktorët e tjerë, për ta zbuluar prapavijën e sulmeve. Sepse ekzistimi i një armatimi të tillë, me një organizatë të tillë, paraqet rrezik edhe për ushtarët e KFOR-it e jo vetëm për qytetarët. Për më tepër, pasi Radojçiq përdori automjete ku i kishin vendosur mbishkrimet e KFOR-it. Kjo dëshmon se sa respekt e sa frikë kanë pasur ata nga KFOR-i. Nga NATO-ja duhet një sqarim shumë më i madh sesa vetëm shprehje e shqetësimit për rritjen e tensioneve. Sepse edhe qytetarët në Kosovë tash mund të kenë dyshime kur shohin makineri të KFOR-it nëse ato janë apo jo vërtet të KFOR-it.

Serbia është inkurajuar edhe me heshtjen e BE-së ndaj retorikës nxitëse që ka ardhur nga Beogradi, nga mediat proqeveritare dhe në një masë edhe nga Kisha Ortodokse Serbe. Sipas një matrice të provuar edhe më herët në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë e Kosovë, kjo retorikë nis me terma “terror ndaj serbëve”, “Sulme ndaj objekteve të shenjta“ e deri te mobilizimi i qytetarëve. Nëse shikohet prapa shihet se termi “terrori i Kurtit” nisi të përdoret edhe para se qeveria Kurti ta merrte si duhet pushtetin. Pasuan përdorimi i termeve “Çizmja e Kurtit“, “Gaulajtnerët e Kurtit”, “Fashizmi i Kurtit“ e deri te “Terroristët e Kurtit”. Sikur dikur në Kroaci kur sulmet ndaj policisë kroate arsyetoheshin me “Fashizmin e Tugjmanit“, “terrorin e ustashëve“ etj. E sikur në Kroaci dhe Bosnjë, Beogradi tash edhe në rastin e terrorizmit në Kosovë mundohet të krijojë përshtypjen se “nuk ka lidhje me to” dhe se “këta janë serbë që mbrojnë pragun e tyre nga terrori”. Nuk bën të relativizohen sulmet ndaj serbëve, sepse nuk mund të thuhet se nuk ka pasur. Por është propagandë kur ato paraqiten sikur të kishin ndodhur me porosinë personale të kryeministrit apo se janë sulme sistematike me qëllim të dëbimit të plotë të serbëve nga Kosova.

Bashkimi Evropian ka ndikuar në krijimin e përshtypjes se “Policia e Kosovës nuk ka çfarë të kërkojë në veri“ me apo pa qëllim. Të heshtësh ndaj pohimeve se “Polici i vrarë nuk ka pasur çfarë të kërkojë në veri sipas marrëveshjes së Brukselit“ është një lloj legjitimimi i sulmeve.

Është e logjikshme dhe e dëshirueshme, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende të tjera, që patrullat e policisë në pjesë të caktuara të kenë edhe pjesëtarë të komunitetit që jeton atje. Edhe në lagjet e Brukselit, Roterdamit apo Londrës është e dëshirueshme që patrullat policore të kenë pjesëtarë të komunitetit me prejardhje nga janë, sepse ato e dinë ndjeshmërinë dhe ndihmojnë në rritjen e besimit. Por kur pjesëtarët e një komuniteti nuk duan dhe dalin kolektivisht nga policia, nuk mund të ketë vakum të plotë policor. E këtu BE-ja do të ndihmonte sikur të shprehej qartë dhe pa pikëpyetje se nuk ka asnjë obligim nga dialogu që Kosova të mos mund të dërgojë njësitë e saj policore në veri. Heshtja dhe ambiguiteti në këtë pikë vetëm sa nxit sulmet ndaj policisë.

Edhe në reagimet pas sulmeve në Banjskë është përmendur gjithmonë nevoja për kthim në dialog. Por këtu duhet të sqarohen disa gjëra. Së pari, pa u përfunduar hetimet e plota, transparente për sulmet dhe për rolin e Serbisë në to, nuk mund të ketë takime të reja në dialog. Dhe së dyti, kur të kthehen palët në dialog e në një moment duhet të kthehen, duhet sqaruar fati i dialogut dhe i asaj që BE-ja vazhdon ta quajë marrëveshje.

Edhe para sulmeve terroriste në Banjskë në vetë BE u tha se “nuk ka më negociata në dialog”, sepse “ato kanë përfunduar me marrëveshjen në Bruksel dhe aneksin në Ohër”. Dhe se tash “diskutohet vetëm për implementimin”. Por ky sulm dëshmoi se duhet një përgjigje e shpejtë se a ka përfunduar dialogu me marrëveshje apo ka dështuar tragjikisht. Sepse kaosi në interpretime që kanë krijuar Borrell dhe Lajçak ka çuar në situatë, ku Milan Radoiçiqi thotë se ai e bëri sulmin e armatosur “Për ta mbrojtur Marrëveshjen e Brukselit”. Nëse BE-ja e quan sulmin “terrorist“, siç e ka quajtur, atëherë nuk duhet të heshtë kur ai që mori përgjegjësinë porositë se e bëri sulmin për ta mbrojtur marrëveshjen e Brukselit. Sepse nëse mbetet kështu siç është, do të shënohet një dështim tragjik i eksperimenteve të BE-së me dialogun i cili ka nisur para 12 vjetësh. Dhe ata që thonë se “nuk mund të pritet njohja që në fillim të procesit”, duhet ta dinë se pas 12 vjetësh procesi mund të quhet me gjithfarë emërtime, por kurrsesi si fillim.