OpEd

Dialogu në Zonën e Golldillokut

Marrëveshja e Prespës ka pritur 30 vjet deri në akordimin e një numri tejet të madh të rrethanave të jashtëzakonshme që do të lejonin arritjen e saj. Në këtë sens, dialogu Kosovë – Serbi po hyn ngadalë në Zonën e Golldillokut, ku shumë rrethana të jashtëzakonshme po akordohen për të krijuar “moment unik” për arritjen e “marrëveshjes historike”

“Unë ju nxis ju dhe liderët e Kosovës që ta shfrytëzoni këtë moment unik... Unë pres që në Shtëpinë e Bardhë t'ju mirëpres ju dhe presidentin Aleksandar Vuçiq, për të festuar atë që do të jetë një marrëveshje historike”, i shkruante ish-presidenti Trump, ish-presidentit Thaçi në dhjetor të 2018-s. Ky momenti i “Rose Garden-it” - i zënë në mes grandiozitetit dhe kiçit - u vlerësua në atë kohë nga një pjesë e diskursit publik në Kosovë si moment më i rëndësishëm politik për përmbylljen e dialogut Kosovë-Serbi. Një pjesë e spektrit politik bënin ftesë për angazhim në dialogun me Serbinë, duke nënvizuar përkushtimin e vetë presidentit Trump, ndërsa një pjesë e shoqërisë civile dhe medias nënvizonin rëndësinë e respektimit të udhëzimeve amerikane për fatin e Kosovës. Përkundër pritjeve të larta të asaj kohe, iniciativa e presidentit Trump dështoi. Ajo nuk dëshmoi të jetë “moment unik” për arritjen e “marrëveshjes historike”.

Sidoqoftë, përkundër nadirit të shpejtë të iniciativës së administratës Trump në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, një zenit i ri po shfaqet kohëve të fundit në horizont. Në fakt, togfjalëshi “moment unik” duket sot shumë më i përshtatshëm për dialogun Kosovë-Serbi se në kohën e administratës Trump. Janë së paku pesë faktorë që e bëjnë momentumin e sotëm të dialogut “moment unik” për arritjen e “marrëveshjes historike”.

E para, personi përgjegjës në SHBA për dialogun Kosovë – Serbi nuk është konsulent i komunikimit, por diplomat i karrierës. Përveç se z. Escobar ka njohuri të pakrahasueshme diplomatike me z. Grenell, ai mbështetet nga diplomatë të shkëlqyeshëm në Beograd dhe Prishtinë. Po ashtu, ndihmon fakti se në Shtëpinë e Bardhë nuk është dikush që mendon se vendet e Ballkanit janë “shithole countries” apo që Departamenti i Shtetit është “Deep State Departament”, por dikush që kupton gjithë historinë, kompleksitetin dhe rëndësinë e rajonit.

E dyta, kemi një koordinim të plotë mes SHBA-së dhe BE-së. Pra, përderisa në kohën e Trumpit ishte krijuar një hendek i madh në mes të dy palëve, sot po shohim një sinkron të plotë në mes tyre – nga niveli i vendimmarrësve e deri në nivel teknik. Në sinkron me angazhimin e shtuar diplomatik amerikan, javën e kaluar kancelari Sholc dhe presidenti Macron përforcuan dyshen Lajçak-Escobar me angazhimin e këshilltarëve të tyre personalë në kuadër të dialogut. Ky ishte indikacion i përkushtimit dhe vëmendjes personale të kancelarit dhe presidentit për dialogun.

E treta, në Prishtinë dhe në Beograd për herë të parë që nga fillimi i dialogut kemi liderë politikë të cilët gëzojnë legjitimitet të nevojshëm politik për arritjen e “marrëveshjes historike”. Që nga fillimi i dialogut, përfaqësuesit e Kosovës kanë qenë në pozitë të pafavorshme pasi që ishin produkt i koalicioneve komplekse dhe të brishta politike, të cilat nuk ishin të afta për të bartur peshën e vendimmarrjes së dialogut. Kësisoj, derisa në anën e Serbisë, Vuçiqi ishte akter i vazhdueshëm politik, në anën e Kosovës stafeta u pasua nga Thaçi, tek Mustafa, tek Haradinaj e deri tek Hoti. Asnjëri nga këta me ide të qartë për përmbylljen e dialogut për interesa shtetërore dhe të gjithë këta improvizues të momentit për qëllime të interesave partiake. Asnjëri nga këta me legjitimitet të konsoliduar politik dhe të gjithë këta produkt i koalicioneve komplekse politike. Tani për herë të parë në Prishtinë dhe në Beograd janë vendimmarrësit që gëzojnë përkrahje të paprecedent qytetare për arritjen e “marrëveshjes historike”.

E katërta, pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Serbi, tani të dy liderët në Prishtinë dhe Beograd kanë komoditetin e qetësisë politike. Pra, as në Kosovë, as në Serbi nuk do të këtë zgjedhje deri në vitin 2025. Kjo periudhë e qetësisë politike u lejon komoditet palëve që të marrin barrën e dialogut pa u frikësuar nga pasojat e menjëhershme zgjedhore.

E pesta, pushtimi Rus i Ukrainës ka vendosur në lëvizje pllakat tektonike të cilat janë duke ndikuar në balancën e forcave nga ishujt e Paqësorit e deri tek brigjet e Brazilit. Gjunjëzimi i Rusisë në Ukrainë nënkupton kolapsimin e saj në Ballkan dhe në mbarë botën. Njëjtë sikur pas rënies së Murit të Berlinit, aleatët nuk po qëndrojnë duarkryq. Ata janë duke lëvizur me vendosmëri që të përshpejtojnë kolapsimin e ndikimit rus në rajonin tonë. Shumë shpejt Serbia do ta kuptojë se është më mirë të jesh me fituesin, se me humbësin. Më mirë është të jesh partner i Perëndimit se koloni e Rusisë. E gjithë kjo do ta motivojë Serbinë për arritjen e “marrëveshjes historike”.

***

Ajo çfarë po shohim sot në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi është krijimi i rrethanave politike të cilat kanë karakterizuar mjedisin politik para arritjes së Marrëveshjes së Prespës. Pra, kemi dy liderët politikë në kryeqytetet respektive që gëzojnë legjitimitetin e nevojshëm publik për arritjen e marrëveshjes historike, të përkrahur nga një administratë e vendosur amerikane, në koordinim të afërt me Bashkimin Evropian. Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë u janë dashur 30 vjet të arrijë në këtë momentum. Kosovës dhe Serbisë kjo mundësi po u lind pas 10 vjetësh dialog. Në këtë sens është me rëndësi të kuptojmë unikalitetin e momentumit të sotëm.

Duke shikuar mbrapa në kohë në historikun e dialogut Maqedoni e Veriut – Greqi shumë vëzhgues e kanë të vështirë të kuptojnë përse u deshën 30 vjet për të arritur një marrëveshje kaq të “thjeshtë”. Shpjegimi më i mirë vjen nga fusha e astronomisë. Jeta në Tokë është e mundur vetëm sepse Toka ka fatin e jashtëzakonshëm të gjendet në atë që në astronomi quhet Zona e Golldillokut. Zona e Golldillokut është një hapësirë shumë e veçantë kimike dhe fizike brenda së cilës mund të fillojë jeta në planetët falë akordimit të rastësishëm të një numri tejet të madh të rrethanave të jashtëzakonshme – nga pozicionimi ekzakt i Tokës karshi Diellit, e deri tek graviteti, formimi e elementeve kimike dhe qelizave biologjike. Nëse cilado nga këto mijëra rrethana do ishte vetëm 0.0000001% ndryshe jeta në Tokë, do të ishte e pamundur. Kësisoj, edhe Marrëveshja e Prespës ka pritur 30 vjet deri në akordimin e një numri tejet të madh të rrethanave të jashtëzakonshme që do të lejonin arritjen e Marrëveshjes. Në këtë sens, dialogu Kosovë – Serbi po hyn ngadalë në Zonën e Golldillokut, ku shumë rrethana të jashtëzakonshme po akordohen për të krijuar “moment unik” për arritjen e “marrëveshjes historike”.