OpEd

Dialogu në kthetrat e çrregullimit të ri botëror

Kur në mbrëmjen e së hënës së shkuar, më 15 qershor, Richard Grenell, i dërguari special i presidentit amerikan Trump, përmes Twitterit, paralajmëroi si nga qielli takimin e delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, e vetmja gjë që ishte e qartë për këtë takim ishte se bëhet fjalë për kapitullin deri më tani më të hapur të provokimit të Grenellit ndaj Bashkimit Evropian, minimin e hapur të rolit udhëheqës të BE-së në dialogun politik.

Grenelli njoftoi për takimin, rreth përgatitjes të të cilit administrata e Trumpit, njëjtë si në lëvizjet e mëparshme, nuk i kishte njoftuar zyrtarët e BE-së e as përfaqësuesit e shteteve anëtare, e lëre më t’i përfshinte ato, mu në momentin kur përfaqësuesi i ri i BE-së për negociatat Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ishte në rrugë për vizitën e parë në Prishtinë, për përgatitjen e rinisjes serioze të negociatave. E as ministri i Punëve të Jashtme, Mike Pompeo, nuk i kishte njoftuar kolegët e tij nga BE-ja se diçka po përgatitej, gjatë video-takimit që kishin mbajtur po të njëjtën ditë. Me këtë Grenelli vazhdon rrugëtimin e tij të tentim-rrëmbimit të udhëheqjes së dialogut nga BE-ja, të cilin e kishte nisur me negocimin e tri letrave të qëllimeve për vendosjen e lidhjeve ajrore, hekurudhore dhe të auto-udhëve ndërmjet dy vendeve të Ballkanit dhe me presion ndaj aktorëve politikë në Kosovë, të cilin e udhëhoqi deri në rënien e Qeverisë Kurti në mars të këtij viti.

Në esencë, asgjë nuk dihet për këtë takim në Washington dhe për përgatitjen e tij, respektivisht negociatat që do të zhvillohen atje. Në këtë konfuzion të përgjithshëm krijohet përshtypja se parimet kryesore janë mungesa e çfarëdo lloj transparence, mjegullimi i realitetit dhe hipokrizia. Përderisa Grenelli – përsëri – insiston se para së gjithash do të flitet për tema ekonomike dhe se me takim nuk synohet ndonjë marrëveshje gjithëpërfshirëse, presidenti Thaçi, megjithatë, paralajmëron marrëveshje të madhe. Kjo kundërthënie nxit frikë në Kosovë dhe në Evrope se mos po fshihet pas nismës një tentim i ri i shtyrjes së shkëmbimit të territoreve.

Grenell ka paralajmëruar se Beogradi është pajtuar me kushtin e mëhershëm të BE-së dhe SHBA-së për rinisjen e negociatave – për të ndalur fushën e çnjohjeve të Kosovës. Kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti, u lavdërua se bashkëpunimi i Qeverisë së tij me SHBA-në ka sjellë këtë rezultat. Megjithatë, kishte heshtur faktin se kancelarja gjermane, Angela Merkel, në mars të këtij viti, gjatë një video-takimi me presidentin e Serbisë, Vuçiq, kishte fituar këtë kompromis nga Beogradi – porse ky përparim pastaj ishte anuluar, respektivisht ishte zhvendosur në plan të dytë me rënien e Qeverisë së Albin Kurtit. Për më tej, Grenell shpalosi se Prishtina ishte pajtuar që Kosova përkohësisht të pezullojë tentimet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Kjo paraqet në tërheqje drastike nga konsensusi i mëparshëm transatlantik për parakushtet për rinisjen e negociatave – tërheqjen e taksave doganore nga ana e Prishtinës, suspendimin e fushatës kundër njohjeve nga ana e Beogradit – dhe me këtë Kosovës i shtohet një kusht shtesë, e me këtë e vendos vendin në pozitë nënshtruese. Veç kësaj, kryeministri i Kosovës vetëm më pastaj ka deklaruar se janë pajtuar me këtë kusht, respektivisht se Qeveria kishte marrë vendim të duhur, por mbetet krejtësisht e paqartë kur dhe në çfarë mënyre formale është marrë vendimi pasi ky vendim nuk u publikua.

Presidenti Thaçi dhe avokuesit e tjerë të udhëheqjes së re të negociatave, të vetëproklamuar, nga Amerika në Qeverinë e re në kritikën për ndjekje të verbër të SHBA-së gjithnjë përgjigjen me dy argumente.

I pari është se ishte Bashkimi Evropian, e jo SHBA-ja, respektivisht ish- përfaqësuesja e lartë dhe kryenegociatorja, Federica Mogherini, ajo që e para kishte mbështetur dhe promovuar idenë e shkëmbimit të territoreve, për shkak të së cilës kanë humbur besimin në udhëheqjen e Evropës, respektivisht SHBA-ja është garantuese tradicionale e ekzistencës së shtetit të Kosovës. Është e saktë se ishte e para mu Mogherini, respektivisht nga fillimi i të ashtuquajturës fazë e re të dialogut në verën e vitit 2017, dhe se jo vetëm se u kishte sinjalizuar supernegociatorëve Thaçi dhe Vuçiq se do ta pranonte çdo marrëveshje, por madje i ka motivuar drejtpërdrejt që të negociojnë për shkëmbim territoresh. Ajo dhe ekipi i saj me këtë krejtësisht kishin rrëmbyer negociatat nga pjesa e mbetur e BE-së dhe i kishin privatizuar ato, po aq sa këtë e kishin bërë presidentët e Kosovës dhe Serbisë.

Me këtë kanë tradhtuar vlerat evropiane dhe parimet e synimet fillestare të dialogut politik të iniciuar në vitin 2011 nën udhëheqjen e kancelares gjermane, Merkel: se koha për ndryshimin e kufijve në Ballkan ka kaluar dhe se Serbia, në shkëmbim për perspektivë evropiane duhet të pranojë realitetin e humbjes së Kosovës, si bazë për normalizim të plotë të marrëdhënieve të shteteve Kosovë dhe Serbi. Administrata e Trumpit vetëm në maj të vitit 2018 bëri ndryshimin politik nga kundërshtari më i zëshëm perëndimor për shkëmbimin e territoreve deri te hapja për një ide kaq të rrezikshme (përafërsisht kur edhe Parisi filloi të tregonte hapje ndaj kësaj ideje). Por sot, pas largimit të Mogherinit, BE-ja për herë të parë në tre vjetët e fundit është pak a shumë e unifikuar në synimin e risetimit të negociatave për marrëveshje përfundimtare mbi parimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Ndërsa elitat politike në Kosovë në gjashtë muajt e fundit kanë marrë sinjale të qarta nga disa shtete anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, se ato do të ndryshojnë pozitën e tyre pas nënshkrimit të marrëveshjes përfundimtare. Përderisa në anën tjetër, i dërguari i Trumpit, Grenell, ka trashëguar “filozofinë” negociuese të Mogherinit, respektivisht privatizimin e tërësishëm të negociatave sekrete për arsye personale, të karrierës dhe pa parime dhe vija të kuqe. Në të njëjtën kohë Grenelli dhe shefi i tij çdo ditë po tregojnë se nuk qëndrojnë prapa vlerave tradicionale perëndimore, liberal-demokrate, e as pas idesë së rendit liberal botëror – që ishin bazë për mbështetjen e Perëndimit për pavarësinë e Kosovës, si të vetmes zgjidhje reale të mbetur të kontestit për statusin me Serbinë (për shkak të qasjes së saj instrumentale politike ndaj Kosovës në tri dekada). Me këtë, nga perspektiva e mbrojtjes së interesave shtetërore aspak nuk është e logjikshme që Prishtina të zgjedhë SHBA-në në vend të BE-së, e aq më pak të pranojë të instrumentalizohet për provokimin e Brukselit, Berlinit dhe Parisit. Në veçanti kur është në duar të Prishtinës të kushtëzojë pjesëmarrjen në negociatat e Grenellit me bashkëpunimin e administratës së Trumpit me BE-në.

Presidenti Thaçi dhe ekipi i tij, si dhe përfaqësuesit e shumicës së re në pushtet, kësaj i përgjigjen me argumentin e dytë se Kosova nuk mund t’i kundërvihet këshilltarit tradicional, SHBA-së, respektivisht se politika e Kosovës duhet “t’iu përshtatet rrethanave të reja” të rendit të ri botëror dhe krizës së Perëndimit.

Përderisa as ky argument në parim nuk mund të refuzohet, megjithatë ka të bëjë me ndërrim tezash, sepse presidenti Thaçi në vend se të përshtatë politikën e jmbrojtjes së interesave shtetërore të Kosovës në dialog politik me rrethanat e reja, ai që nga fillimi i negociatave për marrëveshje përfundimtare, në fakt mundohej ta shfrytëzonte krizën e Perëndimit për realizimin e interesave personale, në kundërshtim me interesat shtetërore. Ai paraprakisht ka dobësuar pozitën negociuese të Kosovës duke sinjalizuar që në fillim se do të pranonte edhe më pak sesa njohje formale të Republikës së Kosovës nga Serbia. Në vend se të kërkonte aleanca me ata aktorë perëndimorë që fuqimisht qëndrojnë prapa sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës dhe parimeve fillestare dhe synimeve të dialogut politik, pra para së gjithash të Gjermanisë (dhe Britanisë së Madhe), ai me intensitet ka lobuar për administratën e Trumpit dhe presidentin Macron për idenë e shkëmbimit të territoreve (autori personalisht ka qenë dëshmitar i angazhimit të njerëzve të Thaçit në korin diplomatik në Washington dhe Paris për këtë qellim).

Në këtë kontekst, në veprimin e Grenellit ka shumë më shumë [sh.p. prezencë] të Thaçit se të Trumpit, sesa mendohet në përgjithësi. Ndërsa presidenti Vuçiq, nga ana e tij luan në letrën milosheviqiane të shfrytëzimit të dobësive të Perëndimit në bazë të politikës tradicionale nacionaliste të Serbisë, të politikës taktike pa strategji. Përderisa interesi i tij personal për Kosovën dhe fatin e serbëve të Kosovës, për aq sa ishte në fillim të dialogut politik (dhe ngritjes së tij politike), kur atij dhe elitave serbe Berlini, Londra dhe Washingtoni i ofronin dalje nga politika e paqëndrueshme nacionaliste ndaj Kosovës – është i barabartë me zero. Nuk ka qenë rastësi kur përfaqësuesve të serbeve të Kosovës nga jugu me dyer të mbyllura ua kishte sqaruar se fati i tyre nuk e intereson – sepse është plotësisht i vetëdijshëm se nënshkrimi për shkëmbimin e territoreve do të nënkuptonte eksod të serbëve të jugut (derisa as ata të veriut nuk do ta kishin më mirë në Serbinë e re).

Pra, çka mund të jetë rezultati i takimit më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë? Në variantin më të mirë, Grenell megjithatë thotë të vërteten dhe me të vërtetë do të negociohet kryesisht për tema ekonomike, të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja e nënshkruar eventuale do t’i shërbente, para së gjithash Grenellit dhe Trumpit për – promovim afatshkurtër të interesave personale (politike), ndërsa implementimi është i dyshimtë pasi dialogu politik ka dëshmuar se çështjet ekonomike në esencë nuk mund të zgjidhen pa zgjidhjen e kontestit të statusit.

Sidoqoftë, rezultati i këtillë do të minonte orvatjet e BE-së për risetim serioz të negociatave dhe marrëveshjen gjithëpërfshirëse të bazuar mbi parime dhe synime të qarta. Në variantin më të keq, në Washington megjithatë do të negociohet dhe nënshkruhet marrëveshja për shkëmbim territoresh. Ky lloj i marrëveshjes nuk do të jetë i zbatueshëm, por në masë të madhe do të minonte sigurinë, stabilitetin dhe demokracinë në Kosovë, Serbi dhe rajon të gjerë. Presidenti Tramp dhe i dërguari i tij Grenell me siguri nuk do të jenë ata që do të sanojnë dëmin e shkaktuar, e në veçanti jo nëse Tramp humb zgjedhjet presidenciale në nëntor. Por ky rol do t’i binte Bashkimit Evropian dhe qytetarëve të Kosovës.

(Autori është analist pranë Këshillit për Politikën e Demokratizimit - DPC)