OpEd

Dialogu i munguar social i Kurtit me sindikalistët

Mbyllja hermetike ndaj dialogut social është e gabuar, përçmuese, aspak transformative e jo në linjë me politikat social-demokrate që Vetëvendosje vetë i ka proklamuar për më shumë se një dekadë. Ajo mund t’i kthehet si një bumerang secilës qeveri. E edhe më shumë qeverive të cilat kanë mbjellë shpresë për trajtim dinjitoz të punëtorëve

Termi dialog me shumë gjasë mund të ketë qenë më i përdoruri në diskursin publik e mediatik gjatë verës në Kosovë. Gjithnjë, siç mund ta paramendoni, ky term ka zënë vend në raport me dialogun mes Kosovës e Serbisë e zhvillimet jo të pakta rreth dialogut të Brukselit.

Fatkeqësisht, dialogimi me sindikatat dhe shqyrtimi i kërkesave të tyre ka munguar. Qeveria Kurti vendosi të jetë e mbyllur për debat me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Së pari një mbyllje hermetike gjatë përpilimit të Ligjit të Pagave, i cili nuk përfshiu propozimet, sugjerimet e kontributin e tyre, që para së gjithash do t’i prekë në mirëqenien e tyre. Pra, mungesë dialogu që në fillesë.

Duke qenë kështu, tërësisht të injoruar e pa komunikim nga ekzekutivi dhe duke qenë që vetë Ligji për Pagat ishte paralajmëruar nga zyrtarë të Qeverisë se do të ishte i gatshëm në muajin mars, BSPK-ja doli me një kërkesë që për shkak të rritjes së çmimeve, jo vetëm në produkte bazë, por edhe në pothuajse gjitha shërbime – deri te miratimi i ligjit të pagave të kishte një pagesë shtesë prej 100 eurove për ta përballuar sadopak inflacionin. Sipas Bankës Botërore, gjatë muajit qershor ka pasur 19.2 përqind inflacion, që sigurisht ka goditur sidomos grupet më të cenuara ekonomikisht.

Por, cila ishte përgjigjja e Qeverisë ndaj kësaj kërkese të BSPK-së? Në vend se të ulen e të shqyrtojnë mundësitë financiare e modalitetet për të realizuar kërkesat e sindikalistëve, kryeministri Kurti dhe kabineti i tij kanë vendosur të polemizojnë e të tallen në distancë, sidomos me SBASHK-un.

I pari i ekzekutivit si kundërpërgjigje ndaj paralajmërimit të veprimeve sindikale tha se “nuk është kohë grevash”. Tani, nuk ishte e qartë nëse ky ishte aludim në rritjen e tensioneve që ka pasur mes Kosovës e Serbisë apo se si e ka menduar Kurti, kjo mbetet e paqartë. Por, fatkeqësisht, shumëkush i ka lidhur pikërisht kërkesat e SBASHK-ut me presion në dialogun e Brukselit, për shkak të tensioneve të fundit për hyrje-daljet dhe çështjen e targave – ani pse kërkesa për 100 euro shtesë në paga ka qenë e kahershme dhe është ripërsëritur për muaj të tërë.

Për më shumë, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se “Pse Sindikalistët po kërkojnë 100 euro shtesë në pagë, e jo 80, 300 apo 500?”

Tani, kjo gjuhë tallëse e ministres Nagavci dhe ky trajtim aspak serioz nuk i ndihmon gjetjes së zgjidhjes së tejkalimit të grevave që natyrshëm që do të prodhojnë bllokada të shumëfishta në shtet e shoqëri.

Për më shumë, Ministria e Financave e ajo e Ekonomisë në përpjekje për t’i frikësuar sindikalistët që nënshkruheshin në listat e grevistëve, paralajmëruan ndaljen e pagesës për ditët kur punëtorët do të jenë në gjendje greve.

Kjo lloj sjelljeje kërcënuese shënon një precedent të pa parë në marrëdhëniet mes sindikatave në Kosovë dhe Qeveri. Një presion e politikë e tillë ndaj punëtorëve, sidomos duket përçudnuese kur vjen nga një Qeveri që thirret në program me orientim të majtë. Edhe qeveritë me orientim ideologjik të djathtë vështirë do ta mendonin përdorimin e një kërcënimi të tillë, ani pse ai do të ishte më pak befasues.

Në vend të gjuhës së tillë e tentimit për t’i denigruar personat e përfshirë në grevë, Qeveria Kurti do të bënte mire t’i ftonte përfaqësuesit e BSPK-së në një dialog të sinqertë në kërkim të një rrugëzgjidhjeje e jo ta thellonte hendekun edhe më tej me përfaqësuesit e BSPK-së.

Fundja, shteti e ka obligim të ulet e t’i diskutojë mundësitë financiare për realizmin apo (mos)realizimin e kërkesave të BSPK-së.

Argumenti që po përdoret gjerësisht jo vetëm nga qeveritarët, por edhe të tjerë kundër kërkesës për rritje pagash deri në 100 euro derisa të hyjë në fuqi Ligji i Pagave është cilësia e dobët në arsim.

Është një nga huqjet më të mëdha, por edhe më populiste që mund të përdoret kundër SBASHK-ut. Është një thjeshtëzim i skajshëm në të cilin karrem një pjesë e madhe e shoqërisë bie sepse: Po, ka një pajtueshmëri shoqërore që cilësia në arsim është e keqe. Por, si fillim: a nuk duhet trajtuar paralelisht këto si dy tema të ndara dhe a nuk është detyrë e Qeverisë që të dizejnojë politika që përmirësojnë cilësinë në arsim?

Kjo assesi nuk nënkupton se nuk duhet të kërkohet përgjegjësi për cilësinë e arsimit kosovar, por është thelbësisht e padrejtë që një kërkesë legjitime për rritje pagash të ngatërrohet me një çështje që ka një histori të gjatë e është dhe do të jetë temë e vazhdueshme e arsimit kosovar.

Duke përcjellë këtë logjikë, a është performansa në universitetet publike aq e mirë sa të ketë diskrepancë në paga mes mësimdhënësve dhe profesoratit të UP-së?
Prandaj cilësia në arsim dhe shtesa prej 100 eurove duhen shtruar si debate paralele. Në fund të fundit, mirëqenia e mësimdhënësve dhe pagat e tyre do të duhej të shiheshin brenda një vizioni afatgjatë për rritje të cilësisë.

Duke e pasur të qartë këtë ndarje, atëherë duhet t’i përgjigjemi pyetjes thelbësore: A është e drejtë kërkesa e mësimdhënësve e administratës publike për rritjen prej 100 eurove të pagës së tyre deri sa të kalojë Ligji i Pagave?

Sipas Bankës Botërore, në muajin qershor, inflacioni ka goditur ekonominë e Kosovës me 19.2 përqind, një shifër kjo e frikshme, që godet më së shumti të papunët por edhe punëtorët që kanë paga të ulëta.

Ta mendosh se infermierët që paguhen mes 350 eurove dhe 403 eurove, mësuesit pagat e të cilëve sillen rreth 500 euro e tutje (varësisht prej viteve që ke shërbyer në arsim), mijëra punëtorëve të administratës që paguhen mes 300 e 400 eurove, goditja e shportës së tyre nga kjo rritje e vazhdueshme e çmimeve e bën të papërballueshme jetesën për mijëra familje. Prandaj, të kesh moskokëqarje për kërkesat e këtyre kategorive shoqërore dhe me kokëfortësi të refuzosh komunikimin, më së buti thënë, tregon mungesë solidariteti.

Nuk duhet harruar se një pjesë e madhe e mësimdhënësve janë kryefamiljarë dhe me pagat që marrin mbajnë familjet e tyre, çka e shton edhe më tej rëndesën e tyre financiare.

Pra, shtesa prej 100 eurosh e zbut sadopak, sepse edhe ajo nuk i jep zgjidhje krizës sociale në vend, krizë kjo që është duke e zhdukur shtresën e mesme e duke e shndërruar atë në të varfër.

Në anën tjetër, brenda pak ditësh ne do të shohim pashmangshëm një rritje tjetër të tarifave të energjisë elektrike, siç ka paralajmëruar Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Mësimdhënësit, infermierët, doktorët, punonjësit e administratës publike e të gjithë punëtorët e sektorit publik e privat do të preken nga kjo rritje e ndjeshme që parashihet të shkojë deri ne 80 për qind ose edhe më shumë.

Pra, një pjesë e konsiderueshme e këtyre 100 eurove edhe nëse do të kishte ujdi mes qeverisë e BSPK-së do të shkonin për pagesat e faturave që priten të fryhen, në një dimër i cili veçse ka filluar në gusht me reduktime e tash edhe me një rritje tjetër të lartë të çmimit të energjisë.

Dhe po. Duhet thënë troç. Kryeministri Kurti në shumë raste është krenuar me një rritje ekonomike që ai e ka portretizuar si ‘të paprecendentë’ që ekonomia e vendit ka përjetuar nën udhëheqjen e tij, e cila ka arritur 10 përqind.

A nuk është koha për ta rimenduar një rishpërndarje të të mirave që do ta zbuste krizën ekonomike në të cilën janë futur një pjesë e këtyre kategorive.

Dhe, çfarë nënkupton rritja ekonomike nëse tkurrja ekonomike mundet së shpejti t’i shndërrojë një pjesë te klasës punëtore në raste sociale apo të vazhdojnë të ikin jashtë vendit punëtorët e kualifikuar. Siç e tha këtë javë Enlirat Duraku, nënkryetar i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësor: “Vetëm në shtatë mujorin e parë, mbi 400 infermierë kanë ikur nga Kosova”.

Të shfaqësh mungesë empatie për kërkesat e këtyre kategorive por edhe për të gjitha tjerat që paguhen mes 300 dhe 500 euro në muaj në këtë kohë të një inflacioni rraskapitës për mijëra familje të Kosovës, është vetëm tregues i mungesës së solidaritetit por edhe i një fragmetimi tjetër shoqëror mes të pasurve dhe të varfërve --me të parët që nuk i kuptojnë e as duan të dinë për rëndesën ekonomike që përjetojnë të dytët.

Por cilado të jetë e vërteta dhe nëse Qeveria në versionin se nuk do të kishte mundësi financiare ta përballonte që për disa muaj derisa të kalojë Ligji i Pagave të paguante shtesë 100 euro këtyre kategorive, ajo çfarë nuk tolerohet nga një qeveri social-demokrate është mungesa e komunikimit apo edhe përçmimi i punëtorëve.

Mbyllja hermetike ndaj dialogut social është e gabuar, përçmuese, aspak transformative e jo në linjë me politikat social-demokrate që Vetëvendosje vetë i ka proklamuar për më shumë se një dekadë. Ajo mund t’i kthehet si një bumerang secilës qeveri. E edhe më shumë qeverive të cilat kanë mbjellë shpresë për trajtim dinjitoz të punëtorëve.