Dështimi i BE-së në dialog mes Kosovës dhe Serbisë ka ndodhur edhe për shkak se nuk e kanë ndërtuar si proces që nuk do të varej gjithmonë aq shumë nga ciklet zgjedhore. Kështu, dialogu është bërë garë mes politikanëve të Kosovës dhe Serbisë se kush po fiton e kush po humb në të. Dhe pos zgjedhjeve në Kosovë e Serbi, procesi gjithmonë ka qenë edhe peng i zgjedhjeve në BE, në vendet e saj anëtare e tash edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Nuk e dimë se kush do të merret me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në të ardhmen, sepse për këtë duhet të vendosin strukturat e reja udhëheqëse. Por ata që merren tash pajtohen se do të ishte mirë që edhe në Kosovë të ketë sa më shpejt zgjedhje, sepse edhe kjo, sipas tyre, do t’i hynte në shërbim dialogut. Termi “do t’i hynte në shërbim dialogut” përshkruan më së miri qasjen e palogjikshme që BE-ja prej fillimit të këtij procesi e ka pasur. Në vend që dialogu të ishte në shërbim të Kosovës, qasja ishte që Kosova të jetë në shërbim të dialogut. Pra, në vend që dialogu të ishte një rrugë për të arritur qëllimin, ai u bë qëllimi. Dhe natyrisht se në kushtet e tilla, ku në mënyrë egoiste zyrtarët e BE-së që merren me dialog interesohen vetëm për mandatin e tyre dhe ndikimet që në punën e tyre kanë zhvillimet e tjera, dialogu nuk ka mundur të ketë më shumë sukses.
Pse tash mendohet se zgjedhjet në Kosovë do të ishin në shërbim të dialogut? Sepse në BE ka pasur zgjedhje dhe tash po formohet komisioni i ri evropian, është zgjedhur presidenti i ri i Këshillit Evropian dhe është caktuar përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri për mandatin e ardhshëm pesëvjeçar. Kaja Kallas, e cila do të jetë pasardhëse e Josep Borrellit në këtë post, do të caktojë edhe pasardhësin e Miroslav Lajçakut për t’u marrë me dialog, ose do të vlerësojë se nuk ka fare nevojë për një të tillë. Përvoja me Lajçakun është aq e keqe, saqë mund të ndodhë që fare të mos ketë më të dërguar të posaçëm për dialog, por këtë ta bëjnë strukturat e rregullta të BE-së. Edhe në Serbi ka pasur zgjedhje në të cilat Aleksandar Vuçiq ka forcuar pushtetin e tij, çka është pritur si lehtësim edhe në BE, sepse e konsiderojnë si partner të preferuar. Para fundit të vitit do të dihet edhe kush do të jetë president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pra, sipas disa diplomatëve dhe zyrtarëve të BE-së, prej janarit të vitit që vjen do të ketë struktura të reja, apo të vjetra me mandat të ri, edhe në BE, edhe në Amerikë, edhe në Serbi, të gatshme për një “fillim të ri”. Dhe në këtë kontekst do të ishte mirë që edhe Kosova ta ketë përmbyllur procesin zgjedhor dhe të ketë në fillim të vitit një qeveri e cila do të vazhdojë me mandat të qartë edhe procesin e dialogut. Sepse, mendojnë këta diplomatë, nëse në Kosovë zgjedhjet nuk mbahen deri në shkurt, atëherë derisa të përfundojë numërimi, ankesat, formimi i qeverisë do të kalojë një kohë dhe kjo do të kishte ndikim në dialog ku “të gjithë pos Kosovës do të ishin të gatshëm”. E kur thonë se Kosova duhet të jetë “e gatshme”, mendojnë në gatishmëri për përmbushjen e obligimeve që dalin nga dialogu e të cilin Kosova nuk do ta zbatojë përderisa të jetë në pritje të zhvillimit të zgjedhjeve. Fjala është natyrisht për obligimin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe që BE-ja dhe SHBA-ja e shohin si prioritetin numër një.
Kjo varësi e dialogut nga proceset zgjedhore nuk ka qenë e shëndoshë deri tash dhe këtë e ka dëshmuar përvoja. BE-ja nuk i është qasur dialogut në mënyrë demokratike. Por ka preferuar që të merret me persona politikë me ndikim dhe me ta të tentojë të arrijë marrëveshjen. Kur u nis dialogu në Kosovë, Hashim Thaçi ishte lideri kryesor i pakontestuar me ndikim jo vetëm në partinë e tij, por edhe në partitë e tjera, sidomos LDK-në. Në Serbi në pushtet ishte Boris Tadiq që po ashtu kishte një shumicë të mirë në Kuvend. “Me Thaçin e fuqishëm në Kosovë dhe Tadiqin e fuqishëm në Serbi mund të arrijmë marrëveshje”, thoshin atëherë në Bruksel. Pastaj të njëjtën fjali e përdornin edhe kur në Serbi kryeministër u bë Ivica Daçiq, i njohur si një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Slobodan Milosheviqit. Por në BE nuk shqetësoheshin për të kaluarën e Daçiqit. “Me Daçiqin e fortë në Beograd dhe Thaçin e fortë në Prishtinë mund të arrijmë shumë në dialog” thoshin në Bruksel. Kjo vazhdoi edhe kur në pushtet erdhi Aleksandar Vuçiq, i cili, qoftë në cilësinë e kryeministrit apo të presidentit vendos gjithçka në emër të Serbisë edhe në procesin e dialogut. Ishte radha për thënien “me Vuçiqin e fortë në Beograd dhe Thaçin e fortë në Prishtinë mund të arrihet kompromisi i dhimbshëm”. Për më tepër, ata diplomatë të cilët sot janë në fushat e tjera të jetës apo karrierës, ishin të bindur se Thaçi dhe Vuçiq kishin rastin më të mirë për të arritur “kompromisin e dhimbshëm”. Dhe këtë e argumentonin me një mendim tepër të thjeshtëzuar, sikur të kishte ardhur nga ndonjë kafehane e Ballkanit e jo nga kabinetet ku përpunohet politika serioze, se “ata që kanë luftuar janë në pozitën më të mirë për të bërë kompromise të dhimbshme”. Sepse, mendonin dhe mendojnë akoma ata, liderët që kanë imazhin nacionalistë “askush nuk mund t’i akuzojë për tradhti”.
Pas fitores së madhe të Vetëvendosjes në Kosovë, ja cila ishte fjalia më e shpeshtë e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak: “Edhe në Serbi, edhe në Kosovë kemi liderë me mandat të fuqishëm dhe kjo mundëson të kemi sukses në dialog”. Pra, në asnjë rast BE-ja nuk bëri përpjekje që ta shtensionojë dialogun, ta shohë si proces mes dy shteteve, mes komuniteteve etnike, mes shoqërive dhe strukturave të shtetit që do të bartnin mbi vete edhe përgjegjësitë për dialog, pa marrë parasysh se kush në momentin e caktuar do të ishte në pushtet në Kosovë apo në Serbi. Sepse, fundi i fundit, siç po e përjeton në lëkurën e vet qeveria e udhëhequr nga Vetëvendosje, kushdo që në emër të Kosovës merr përgjegjësi ata që vijnë pas tyre duhet t’i respektojnë.
Dështimi i BE-së në dialog mes Kosovës dhe Serbisë ka ndodhur edhe për shkak se nuk e kanë ndërtuar si proces që nuk do të varej gjithmonë aq shumë nga ciklet zgjedhore. Kështu, dialogu është bërë garë mes politikanëve të Kosovës dhe Serbisë se kush po fiton e kush po humb në të. Dhe pos zgjedhjeve në Kosovë e Serbi procesi gjithmonë ka qenë edhe peng i zgjedhjeve në BE, në vendet e saj anëtare e tash edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në bazë të kësaj logjike mund të themi se duhet pritur pastaj edhe zgjedhjet në Gjermani dhe Francë, njëri lider pritet të largohet, sepse nuk mund të zgjidhet më president i Francës e tjetri do t’i humbë zgjedhjet në Gjermani. E kjo mund të ketë ndikim të madh në dialog sipas kësaj logjike, sepse presidenti i Francës dhe kancelari i Gjermanisë u tha se ishin propozues të Marrëveshjes për të cilën duket se vetëm BE-ja vazhdon të insistojë se ekziston, ndërsa me të cilën Serbia hapur tallet dhe në të gjitha mënyrat, me shkrim, fjalë e vepra porosit se nuk e ka nënshkruar, nuk e ka pranuar e as nuk e ka ndërmend ta zbatojë. Pastaj mund të ketë zgjedhje edhe në vende të tjera të BE-së që mund të ketë ndikim në dialog. Sa ka qenë i suksesshëm dialogu më së miri e ilustrojnë thëniet që dëgjohen në Bruksel për një “fillim të ri të dialogut” apo fjala që vazhdimisht përsërit i dërguari i posaçëm Miroslav Lajlçak në postimet e tij pas takimeve se kanë diskutuar “rrugën përpara në dialog”. Pra, të flitet pas më shumë se 12 vjetësh për “rrugën përpara”, “ide të reja” apo “nisje të re” në dialog është vetvetiu pranim se ai deri tash ka dështuar. E, ka dështuar, sepse nuk është ndërtuar në premisa të shëndosha, me definime të qarta se për çfarë është e për çfarë nuk është dialogu dhe cili është qëllimi i tij. Prandaj ai është shndërruar në improvizime të cilat jo vetëm se nuk i kanë normalizuar në nivelin e pritur raportet mes Kosovës dhe Serbisë, por e kanë sjellë situatën afër shpërthimit të konfliktit.