OpEd

Dialog nën tytat e gjata

Tytat e gjata të rishfaqura rishtas në veri, nuk janë thjesht armë me të cilat vazhdon të mbahet e cenuar siguria në këtë pjesë të Kosovës. Ato përbëjnë armën kryesore të Serbisë për ta nxjerrë maksimumin në finale të dialogut. E, e pakta që sot e synon, është që urën qendrore në Mitrovicë ta kthejë në pikë kufitare e lumin Ibër në kufi

Një pikë e përhershme vrojtimi me njerëz të uniformuar e të armatosur, ndodhej në skaj të urës së Ibrit në veri të Mitrovicës, kur në mars të 2011-s Kosova nisi një fazë të re dialogu me Serbinë. E ura që lidh qytetin e ndarë nga lumi, pothuajse prej pasluftës ngjasoi në pikë kufitare, jo veç për barrikadat e postblloqet që uniformat i mbanin mbi të, por edhe për shkak të realiteteve politike që hasen tek kalohet nga njëra, në anën tjetër të qytetit të ndarë edhe etnikisht.

Pika e vrojtimit i përkiste “Mbrojtjes Civile”, formacion ilegal i Serbisë në Kosovë. Nëpërmjet tri syresh, u kontrollua rruga nga Mitrovica për në pikën kufitare në Jarinje. Dhe, krahas kësaj, pjesëtarët e armatosur mbajtën 15 hapësira të vendosura në 7 lokacione, për të cilat ishin në dijeni autoritetet shtetërore të sigurisë e edhe ato ndërkombëtare, por nuk vepruan kurrë.

Kur u bënë katër muaj prej që në Bruksel mori start “dialogu teknik”, uniformat u aktivizuan. Policia jo pak herë u vu nën shënjestër të tyre, e gjatë një aksioni, u qëllua për vdekje polici i njësisë speciale, Enver Zymberi.

Ligji i Mbrojtjes së Serbisë, që edhe sot është në fuqi, në nenin 4 përcakton se “Mbrojtja Civile” është pjesë e “një sistemi të integruar të policisë, e organizuar për funksionimin e suksesshëm të organeve shtetërore, organeve të krahinës autonome dhe vetëqeverisjes lokale... dhe i përmbush nevojat e forcave të mbrojtjes gjatë emergjencave dhe në luftë”.

Në koloritin e uniformave bën pjesë edhe ajo e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP). Gjatë negociatave, vetë Beogradi pranoi se i mbante në Kosovë 337 pjesëtarë të MUP-it.

Hapësira e operimit të këtillë në veri u krijua menjëherë pas luftës. Njerëz me armë në mbrëmjen midis 3 dhe 4 shkurtit të 2000-s, vranë 10 shqiptarë që jetonin në këtë pjesë dhe plagosën rreth 80 të tjerë. Diku 1 mijë e 200 familje shqiptarësh braktisën shtëpitë e banesat më pas dhe dolën në jug, për ta lënë prej atëherë thuajse gjithë veriun të banuar vetëm nga serbët. Për këtë aksion spastrimi, dëshmitarët patën denoncuar “Rojet e Urës”, një formacion tjetër i armatosur.

***

Javën që shkoi u bënë nëntë vjet prej kur ka hyrë në fuqi Ligji për amnistinë. Bazuar në njërën prej marrëveshjeve të Brukselit, me ligj Kosova fali serbët që ia kishin luftuar shtetësinë nga brenda: dënimet potenciale u shlyhen, ndjekjet penale pushuan dhe nuk u ndoq kurrkush për veprat e kryera.

Kur ligji u hartua, autoritetet dhanë një arsyetim: po bëhej, me synimin për integrimin e serbëve, për konsolidimin e rendit juridik edhe në veri dhe për shtrirjen e autoritetit shtetëror në gjithë Republikën.

Në 30 vjetët e fundit, pas luftërave të përgjakshme amnisti ka shpallur Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut e edhe vetë Serbia. Në secilin prej shteteve qëllimet e amnistisë janë përmbushur, përpos aty ku të amnistuar kanë qenë serbët – në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë.

Pas faljes, policët e MUP-it ndërruan uniformat. U bënë pjesë e Policisë së Kosovës, por në fakt mbetën të Serbisë. Një dokument qeveritar e konfirmon këtë: “Sipas marrëveshjes, Serbia do të paguajë pensionet dhe do të vazhdojë të paguajë sigurime shëndetësore në një mënyrë transparente për policët serbë të integruar në sistemin e Kosovës”.

E, në 22 institucione e agjenci u rekrutuan 483 pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”. Sot në Kosovë nuk flitet për këtë strukturë, por ajo përpos që me ligjin serb njihet si strukturë aktive, ajo mbetet e tillë edhe nëse u referohemi kushteve nën të cilat është “shuar”. Serbia pati konfirmuar më 22 korrik 2015 se stafi i “Mbrojtjes Civile” “nuk do të veshë më uniformat/xhaketat me siglën e MC-së serbe, dhe posaçërisht do të ndërpresë përdorimin zyrtar të tyre”. Pra, Kosova e pranoi për integrim heqjen dorë të “Mbrojtjes Civile” nga ekspozimi i uniformave, por jo edhe nga misioni e mandati që kanë me ligjin serb.

***

Në tetor bëhen 17 vjet prej kur Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara i dha mbështetje propozimit për t’i nisur negociatat për statusin final të Kosovës, të zhvilluara në Vjenë. Në këtë proces, e edhe në dialogun e nisur në 2011-n në Bruksel, Serbia në masë mbërriti qëllimet nëpërmjet strukturave të armatosura që i mban në Kosovë.

Me to e spastroi etnikisht veriun, e në tavolinë realpolitika përbën premisë me peshë. Në negociatat e Vjenës, u imponuan shumë kompromise për serbët dhe veriun, mes të cilave ndarja e qytetit të Mitrovicës në dy komuna – ajo e veriut u kthye pastaj në qendrën e serbëve nga e cila shteti luftohet nga brenda. Krahas kësaj, enklavave në jug iu sigurua statusi i komunave. Disa prej komunave iu njohën autorizime të nivelit qendror, e në qendër serbëve iu sigurua veto në vendimmarrjen për çështjet më me rëndësi, përfshirë ndryshimet në Kushtetutë.

Në negociatat e Brukselit, Kosova pranoi një asociacion për komunat me shumicë serbe, arkitektura e së cilës trupë është e dizajnuar për të krijuar një pushtet të tretë. Procesi u siguroi serbëve një lloj “integrimi”, nëpërmjet të cilit ata ruajnë neutralitet në raport me shtetin e Kosovës, e lojalitet ndaj Serbisë.

***

Në një mëngjes gjatë këtij muaji, fare afër lokacionit tek ura e Ibrit ku dikur ndodhej pika vrojtuese e “Mbrojtjes Civile”, janë ekspozuar grafite me mbishkrimin në serbisht: “Mos u brengosni. Këtu jemi. Ju presim”. Secili grafit mban simbolin e uniformës më të re të shfaqur në pjesën ku luftohet shteti, prej se është formuar – “Brigada e Veriut”.

Ishte kjo përgjigje ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës, nëpërmjet të cilave nis zbatimi i dy marrëveshjeve me të cilat vetë Serbia ishte pajtuar, e më pas bërë pishman: reciprocitetit në letërnjoftime dhe konvertimit në RKS të targave ilegale të automjeteve që Serbia prej paslufte i ka lëshuar për Kosovën. Në kundërshtim të vendimeve të Qeverisë, serbë të armatosur e me uniforma e maska vunë barrikada dhe sulmuan policinë e edhe civilë. Edhe tash kur ka nisur të rrjedhë afati për targat, dogjën pasuritë e dy prej gjithsej pesë serbëve që i konvertuan ato në RKS.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, përmendi uniformat së fundmi, tek fliste në Kuvendin e Serbisë. E, këtë javë, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së tha se shteti që e drejton ka të drejtë ta luftojë pavarësinë e Kosovës, po aq sa Ukraina territoret e pushtuara nga Rusia.

Se një luftë të këtillë veçse e ka nisur nëpërmjet formacioneve paramilitare, flet edhe një video që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e publikoi këto ditë – në të shihen armë të gjata tek u shpërndahen serbëve në zonë urbane, në Mitrovicën Veriore.

Këto veprime e aktivitete shihen në kohën kur janë shpeshtuar vizitat e ndërkombëtarëve në rajon dhe është rritur trysnia e Perëndimit për një marrëveshje finale.

Tytat e gjata të rishfaqura rishtas në veri, nuk janë thjesht armë me të cilat vazhdon të mbahet e cenuar siguria në këtë pjesë të Kosovës. Ato përbëjnë armën kryesore të Serbisë për ta nxjerrë maksimumin në finale të dialogut. E, e pakta që sot e synon, është që urën qendrore në Mitrovicë ta kthejë në pikë kufitare e lumin Ibër në kufi.