OpEd

“Dhurata e Babadimrit” s’është zgjidhja

Shpërndarja e afër 69 milionë eurove nga kuleta e shtetit përfundimisht do të krijojë qarkullim më të madh tregtar, por ato mjete do të shkojnë kryesisht në konsum. Dhe pas kësaj situata ekonomike nuk do të përmirësohet, sidomos për qytetarët që jetojnë në varfëri ekstreme ose janë në prag të saj

“Shtrenjtimi” është zgjedhur fjala e vitit 2023 në Japoninë që zë vendin e tretë në botë për nga zhvillimi ekonomik, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës.

Fjala e vitit është zgjedhur në një anketë online, ku janë përgjigjur rreth 147 mijë qytetarë të shtetit që me gjithë zhvillimin nuk i shpëtoi inflacionit global, të ndikuar fillimisht nga pandemia e COVID-19, e pastaj nga shpërthimi i luftës në Ukrainë.

Kur shtetasit e shtetit që është gati në majën e listës së shteteve për nga zhvillimi kanë folur kaq shumë për shtrenjtimin e jetesës, cila do të mund të ishte fjala që mbizotëroi debatet e kosovarëve, shtetasve të shtetit me pagën më të ulët mesatare në rajon.

Një pyetje e tillë, në një hulumtim të tillë, nuk u është shtruar kosovarëve, banorëve të shtetit që më 2023 ka shënuar 15- vjetorin e Pavarësisë dhe 24-vjetorin e çlirimit.

Pra në Kosovë nuk është zgjedhur fjala e vitit, por debati për shtrenjtimin ka qenë ndër temat më të diskutuara në Kosovë.

“A e pe sa ish ba X artikulli?” e “Hej ish rrit edhe çmimi i Y shërbimit”, janë frazat të cilat i kemi dëgjuar shpesh. Thuajse nuk ka produkt e shërbim që nuk do të mund të vendosej në vend të X-it e Y-së.

Rritja e çmimeve është vërejtur nga 99.5 për qind e qytetarëve që janë anketuar në një anketë të UNDP-së.

Shtrenjtimi ua ka ndryshuar zakonet e blerjes, i ka varfëruar e ka ndikuar edhe në shëndetin e tyre mendor.

Inflacioni që kulmoi në vitin 2022 me një vlerë prej 12 për qind, u rrit edhe për 3 për qind më 2023.

E pagat as në sektorin publik e as në atë privat nuk u rritën proporcionalisht me vlerën e inflacionit. Çmimet u rritën edhe në artikujt bazikë e krahasuar me periudhën para rritjes së çmimeve, qytetarët ose u detyruan të shpenzojnë më shumë, ose të blejnë më pak.

Shpenzimet e ekonomive familjare që harxhonin rreth 200 euro për gjëra ushqimore u rritën për 20 për qind.

Rritja e çmimeve sigurisht që më së keqi ndikoi te shtresat më të varfra të shoqërisë, tek ato 24 mijë familje që janë pjesë e skemave sociale e tek ajo përqindje e qytetarëve që jetojnë në kufirin e varfërisë.

Një raport i Komisionit Evropian tregon se 18 për qind e kosovarëve jetojnë në varfëri ekstreme, me vetëm, 45 euro në muaj. Ndërkohë që sipas një raporti të UNDP-së 10% e ekonomive familjare ishin dukshëm më të varfra në mes të viteve 2023 dhe 2021.

Raporti i UNDP-së tregon se rritja e çmimeve rriti edhe borxhin e një përqindjeje të konsiderueshme të ekonomive familjare, të cilat u detyruan ose të përdorin kartela krediti, ose të marrin borxh për të kryer pagesa të ndryshme.

Varfërimi rëndoi edhe gjendjen mendore të qytetarëve. Anketa e UNDP-së tregoi se rreth 46 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se stresi dhe ankthi i tyre u rritën si rezultat i rritjes së çmimeve, ndërsa 23 për qind janë deklaruar se janë të shqetësuar për mirëqenien e tyre mendore për shkak të inflacionit.

Sigurisht që në këtë situatë sytë nga shteti i kthyen të gjithë, sidomos qytetarët më në nevojë. Por ai nuk është se bëri shumë.

Në shumë raste tregtarët i rritën çmimet pa arsyetim.

Derivatet e naftës ishin një shembull i tillë. Për këtë, me legjislacionin që është në fuqi, pushteti ashtu si në vitin 2022, edhe në vitin 2023, me vendime për kohë të caktuara kufizoi marzhën e fitimit për tregtarët me shumicë e pakicë.

Por me legjislacionin në fuqi këtë mund ta bënte vetëm për derivatet e naftës. Për t’iu kundërvënë rritjes së paarsyeshme të çmimeve të produkteve të tjera, pushteti pak para se të hynim në vitin 2023 miratoi Ligj për vendosje të çmimeve tavan për produktet bazike. Por këtë e bëri duke shkelur Kushtetutën, konstatim ky që në fund të vitit 2023 e dha Gjykata Kushtetuese, e cila ligjin në fjalë e shpalli kundërkushtetues e të pavlefshëm.

eci mirë me ketë ligj, por nuk iu desh ligj për subvencionim e shpërndarje të parave të gatshme.

E nisi vitin me vendimin për subvencionim të tarifave të energjisë për familjet e bizneset, që shpenzonin deri në 800 kilovatë energji elektrike në muaj. Pra, pa i parë të dhënat lidhur me të hyrat financiare të këtyre familjeve. Krejt kjo u arsyetua me simulim të kursimit të energjisë, çmimi i së cilës u rrit për mbi 15 për qind në fillim të vitit.

Njësoj u subvencionua, ta zëmë, një familje që kishte të hyra mbi 1.000 euro e shpenzonte deri në 800 kilovatë, e njësoj edhe një familje me të hyra nën 500 euro e që shpenzonte po aq.

Për të përfituar nga ky subvencionim nuk ishte i nevojshëm aplikimi e s’kishte as mundësi kthimi të atyre parave që shteti i ndau për secilën familje e biznes automatikisht, pavarësisht të hyrave, pa kurrfarë përzgjedhjeje bazuar në standardin e jetesës që kishin. Ishte një “dhuratë” për fillimvit që përfshiu të gjitha ata që nuk shpenzonin shumë energji.

Ngjashëm me atë se si filloi viti, me një “dhuratë” nga shteti për të gjithë fëmijët e të gjithë pensionistët, edhe ketë herë pa dallim, u bë përmbyllja e vitit.

Qeveria vendosi që mbi 385 mijë fëmijëve nën moshën 16- vjeçare dhe mbi 193 mijë pensionistëve sa numëron shteti t’iu dhurojë nga 100 euro. U ndanë afër 69 milionë euro para të gatshme.

“Unë s’do t’i marr, ma mirë me i marrë dikush që nuk ka”, tha një koleg i zyrës kur dëgjoi për vendimin.

Por çështja është se nuk është zgjidhje e tij kjo. Mjetet u ekzekutuan automatikisht, pa vlerësim paraprak.

Para këtij vendimi nuk u bë një analizë se kush kishte më shumë nevojë për këto para. Pra njësoj përfitoi një fëmijë i një qytetari që është në prag të varfërisë, me një fëmijë të dikujt që mund të ketë të hyra mujore që tejkalojnë 1000-shen.

Me 100 euro shtesë të njëhershme prindërit do të mund të paguajnë për një muaj kopshtin për fëmijë ose do të mund të blejnë pak më shumë ushqim për një muaj. Dhe pas një muaji gjendja do të jetë sërish e njëjtë.

Me 100 euro shtesë pensionistët do t’i blejnë pa ngurrim barnat, por pas një muaji edhe për ta sërish gjendja do të jetë e njëjtë.

Shpërndarja e afër 69 milionë eurove nga kuleta e shtetit, përfundimisht do të krijojë qarkullim më të madh tregtar, por ato mjete do të shkojnë kryesisht në konsum. Dhe pas kësaj situata ekonomike nuk do të përmirësohet, sidomos për qytetarët që jetojnë në varfëri ekstreme ose janë në prag të saj.

Skandalizimi i përjetuar gjatë tërë vitit nga inflacioni enorm edhe mund të harrohet për një moment nga ata që do t’i marrin këto mjete, por shteti duhet ta dijë që “dhurata e Babadimrit” për fundvit nuk do t’i zgjidhë problemet që qytetarëve, sidomos atyre në varfëri ekstreme, ua krijoi rritja e çmimeve.

Nëse asgjë tjetër s’do të mund të bënte, Qeveria do të duhej të fokusohej te grupet e cenueshme të shoqërisë duke ofruar më shumë ndihma për ta dhe zgjidhje të problemeve të tyre për një kohë më të gjatë.