OpEd

Dhunuesit e së ardhmes

Fenomeni i dhunës seksuale dhe jo vetëm ai më së shumti terren gjen në mjediset ku mungojnë të drejtat njerëzore. Dhe shifrat me nga 100 e më shumë viktima të dhunës seksuale, të raportuara në vit, e nxjerrin Kosovën pikërisht në këtë hartë. Pra, aty ku mungon minimumi i përkujdesjes ndaj qytetarëve e sidomos gjeneratës që e përcakton të ardhmen e shtetit

Disa vjet më parë “u përballa” me statistika zyrtare për numrin e viktimave në trafik për periudhën janar-qershor të viteve 2008 - 2009, të parat dhe të fundit me të dhëna specifike, përfshirë përqindjet e 17 shkaktarëve të aksidenteve. Shqetësuese ishin të gjitha shifrat, e sidomos të dhënat për personat e vdekur dhe ata me dëmtime trupore, nga 0 deri 18 vjeç.

Ndërmjet këtyre dy vjetëve, kur numri i aksidenteve ka qenë dukshëm më i vogël se tash, për 12 muaj janë goditur për vdekje 20 këmbësorë të kësaj grupmoshe. Për 20 vjet i bie që Kosova nga pakujdesia e shoferëve, infrastruktura e dobët rrugore dhe nga mungesa e sinjalistikës ka humbur mbi 400 fëmijë (këtu nuk janë përllogaritur fëmijët viktima që kanë qenë pasagjerë në makina private apo në mjete të transportit publik). Në vit janë mesatarisht mbi 300 fëmijë të lënduar të moshës nga 0-12 vjeç dhe afro 120 të lënduar nga mosha 12-18 vjeç, që i bie se gjatë 20 vjetëve të fundit kemi afro 9 000 të lënduar të këtyre moshave, të gjithë si këmbësorë. Nuk ka shënime zyrtare se cila është shkalla e dëmtimeve të tyre, por, sipas të dhënave shkencore, deri në 5 për qind e të aksidentuarve mbeten me invaliditet të përhershëm.

Të rinjtë dhe të rejat në Kosovë nuk janë viktima vetëm të komunikacionit, e ku faktori njeri si shkaktar prin me mbi 90 për qind, e as të drogave me afro 35 mijë përdorues. Ata janë viktima të krizës së përgjithshme politike e ekonomike, të arsimit të dobët, të mungesës së investimeve në rekreacion e sport, e të shkatërrimit të vlerave morale e qytetare. Ata po ashtu janë viktima të diskursit publik plot dhunë, që për rrjedhojë frymëzojnë të fortit të nënshtrojnë të dobëtit, madje edhe për të përmbushur epshet e tyre seksuale. Duke marrë shkas nga kjo e fundit, duhet përmendur raportet zyrtare, sipas të cilave numri i të miturve që kanë pësuar nga dhuna seksuale në Kosovë arrin në mbi 100 persona në vit. Pra bëhet fjalë për 100 raste, kryesisht vajza që kanë kërkuar ndihmë në institucionet shëndetësore. Duke marrë parasysh njohur kontekstin socio-kulturor të shoqërisë në Kosovë dhe mosdenoncimin nga frika e stigmatizimit e “çnderimit”, ka të ngjarë që ky numër është shumëfishtë më i madh.

Studimet kanë treguar se është përrallë të thuhet se dhunën seksuale dhe dhunën mbi baza gjinore e kryejnë “të panjohurit”. Kërcënimi, sipas tyre, vjen nga çdo anë. Madje shumica e akteve të dhunës shkaktohet nga persona më parë të njohur nga viktima dhe më parë të planifikuara.

Dhunën seksuale dhe dhunën e bazuar mbi përkatësinë gjinore, po ashtu, mund ta kryejnë edhe anëtarët e familjes dhe të bashkësisë. Shtetet dhe institucionet heshtazi miratojnë dhunën në rastet kur veprimtaritë diskriminuese nuk ndalohen dhe ngadalësohen përmes instrumenteve juridike e shtetërore, thuhet në një dokument të Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë.

Fëmijët, të cilët më së tepërmi i ekspozohen keqpërdorimit të të drejtave njerëzore, janë ata të cilët edhe më së shumti pësojnë nga dhuna seksuale. Viktimat nuk denoncojnë dhunën që vjen nga familjarë, punëtorët arsimorë, menaxherë e politikanë. Kanë frikën se ata mund të keqpërdorin ndikimin. Dhuna ndaj tyre nuk lë vetëm pasoja fizike. Ajo prek në shpirtin dhe integritetin e personit, në marrëdhënien sociale, por sidomos në vizionin që ndërton pas momentit kritik për njeriun – nëse ai është mbështetës apo përbën kërcënim për të.

Prandaj abuzimi me të mitur nuk duhet të përkufizohet vetëm në raportin kriminel-viktimë, apo në shkak-pasojë. Dhuna duhet trajtuar në kontekst më të gjerë, meqë ashtu si pasojat që janë shumëdimensionale, të shumëfishtë janë edhe shkaktarët.

Nëse jo çrrënjosja, të paktën parandalimi që çon në uljen e rasteve imponon përfshirje të shumë aktorëve dhe institucioneve, me prioritet të institucioneve qeveritare dhe atyre të specializuara, të organizatave që monitorojnë dhe mbështesin aktivitetet kundër dhunës, të mediave... dhe të gjitha këto në marrëdhënie të përhershme me familjet dhe me fëmijët/të rinjtë.

Po i përmend disa nga këta bartës të përgjegjësisë, jo pse kështu janë të strukturuara në strategjitë që udhëzojnë si mund të luftohet dhe parandalohet kjo e keqe, porse disa nga këto shtylla të shoqërisë janë përgjegjëse për mënyrën se si dhe sa mbrohen fëmijët nga dhuna seksuale dhe llojet e tjera të abuzimit fizik e psikik.

Dhe, në kontekst të Kosovës ky fakt rrit shqetësimin po aq sa edhe shifrat alarmante.

Institucionet qendrore dhe ato lokale për vite janë kapur nga grupe të organizuara, që i njohim si parti politike, qeverisja e të cilave funksionon mbi logjikën dhe instrumentet e dhunës e të shantazhit. Në Qeveri, Kuvend dhe institucione të tjera publike, përfshirë disa media, kanë defiluar dhe shfaqen ende persona me të kaluar kriminale – vrasës, abuzues, zhvatës, mashtrues, falsifikues,...

Kriminelë dhe dhunues të fëmijëve dhe të rinjve, pra nuk janë vetëm “pedofilët”, por edhe ata që vjedhin të mirat publike e private. Kriminelë e dhunues të së tashmes e së ardhmes së fëmijëve dhe të rinjve janë edhe ata që abuzojnë me arsimin, shëndetësinë, drejtësinë dhe komunikimin publik.

Në të gjitha studimet ka një përkufizim - dhuna seksuale dhe jo vetëm ajo, më së shumti terren gjen në mjediset ku mungojnë të drejtat njerëzore. Dhe shifrat me nga 100 e më shumë viktima të dhunës seksuale të raportuara në vit e nxjerrin Kosovën pikërisht në këtë hartë. Pra, aty ku mungon minimumi i përkujdesjes ndaj qytetarëve e sidomos gjeneratës që e përcakton të ardhmen e shtetit.