OpEd

Dhuna në familje dhe trajtimi i saj

Si kundërreagim ndaj këtyre problemeve strukturore, shumë studime rekomandojnë krijimin e njësive të specializuara në polici, prokurori dhe gjyqësor që merren ekskluzivisht me dhunën në familje. Ky trekëndësh institucional kërkon njerëz profesionalisht kompetentë të specializuar për adresimin e dhunës në familje. Krijimi i mekanizmave te tillë të specializuar është treguar i suksesshëm në shumë vende

Sot Kosova është në ditë zie, sepse dje, për të qindtën herë me radhë, u vra një grua vetëm për shkak se është grua.

Dhuna në familje dhe femicidi janë fenomene të njohura në çdo shoqëri. Diku më të theksuara e diku më pak. Kosova, si vend që ka problem të thellë me barazi gjinore dhe dhunë në familje, duhet të shikojë praktikat më të mira për trajtimin e saj.

Për të zgjidhur një problem së pari duhet ta identifikosh atë. Për të identifikuar atë, ne si shoqëri duhet të reflektojmë në mënyrë të sinqertë për një realitet të pakëndshëm shoqëror. Ky realitet është se shumica dërrmuese e popullsisë ka parë ose të paktën ka dëgjuar për dhunë në rrethin e tyre të ngushtë ose të gjerë familjar. Rrjedhimisht problemi i dhunës në familje në Kosovë nuk paraqet raste të izoluara, por formë të tolerimit të saj shoqëror të kultivuar me vite të tëra. Përtej kësaj, misogjinizmi dhe “rolet gjinore” kanë shkuar deri në formalizimin e saj në tekstet akademike dhe edukative duke pasur efekt të rëndë shoqëror.  

Sa për ilustrim, deri vonë në tekstet e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës studentët kanë “mësuar” se gratë e dhunuara, të paktën një pjesë e tyre, janë “mendjelehta” e të “përdala”. Avokatët, “njohës të ligjit”, kanë kërkuar masa lehtësuese në gjykatë kur dhuna në familje është “shkaktuar si pasojë e mosdëgjimit të burrit nga gruaja”.

Në një ambient të tillë shqetësues ku profesorë dhe avokatë të ligjit promovojnë këtë perceptim për gruan, të shtyn të mendosh se si reagojnë mekanizmat e mandatuar për hetimin dhe vendosjen e rasteve të dhunës në familje. Më saktësisht, si reagojnë polici, prokurori dhe gjyqtari në rastet kur gruaja raporton burrin për dhunë në familje.

Studimet tregojnë se në rastet e dhunës në familje jo çdoherë policia reagon duke u bazuar në ligj, por edhe në bindjen e tyre se si duhet trajtuar një rast i tillë. Sipas udhëzuesit të OKB-se për dhunën në familje, në disa vende “zyrtarët policorë e kanë konsideruar dhunën në familje si ‘çështje private’ që më së miri mund të trajtohet në dyer të mbyllura”. Ndërkaq “zyrtarët që kanë ndërmarrë veprime në rastet e dhunës në familje shpeshherë janë ballafaquar me armiqësi dhe izolim shoqëror duke i denigruar kështu për mundin e tyre”.

Si kundërreagim ndaj këtyre problemeve strukturore, shumë studime rekomandojnë krijimin e njësive të specializuara në polici, prokurori dhe gjyqësor që merren ekskluzivisht me dhunën në familje. Ky trekëndësh institucional kërkon njerëz profesionalisht kompetentë të specializuar për adresimin e dhunës në familje. Krijimi i mekanizmave te tillë të specializuar është treguar i suksesshëm në shumë vende.

Për të realizuar një reformë të tillë institucionet shtetërore duhet të krijojnë me urgjencë (i) një linjë telefonike të specializuar për raportim të dhunës në familje, (ii) një ekip të specializuar policor që ka mandat ekskluziv për trajtimin e dhunës në familje, (iii) një grup të specializuar prokurorësh që trajton rastet e raportimit të dhunës në familje dhe (iv) gjyqtarë të specializuar për vendosjen e rasteve të dhunës në familje. Ky hark institucional mundëson që i gjithë procesi i komunikimit, raportimit dhe trajtimit të rastit të viktimës të realizohet nga zyrtarë shtetërorë që kanë trajnim profesional për identifikimin e rasteve të dhunës dhe trajtimin e shpejtë dhe adekuat të tyre.

Kësisoj mund të pritet që sistemi gjyqësor të ofrojë fryte konkrete të zvogëlimit të femicidit dhe të dekurajojë e sanksionojë dhunën në familje. Institucionet duhet të ofrojnë dënime të rrepta dhe të ofrojnë shpjegime plotësuese që ndikojnë në emancipim të kryerësit të veprës penale, por dhe shoqërisë në përgjithësi. Në këtë pikë duhet rikujtuar se gjyqtarët e EULEX-it kanë lënë një trashëgimi të mirë në adresimin e këtyre fenomeneve. Për ilustrim, në rastin AP-KA Nr. 192/2010, ku burri kishe vrarë gruan e tij pasi që gruaja “ka guxuar me dalë pa e pyetur burrin”, gjyqtarët e EULEX-it e dënuan kryerësin e veprës penale me 15 vjet burg dhe sqaruan se:

“Vrasja për këtë arsye tregon se për bindjen e burrit ai ka të drejtë të vendosë për të drejtën e gruas për të ekzistuar. Ky koncept i pamëshirshëm dhe vetjak i të qenit sovran ndaj të drejtës së gruas për të ekzistuar tregon mosrespektin më të thellë për të drejtën natyrore të një qenie tjetër njerëzore të jetojë”.

Duke ndjekur praktikat ndërkombëtare, institucionet tona duhet urgjentisht të krijojnë mekanizma dhe ekipe kompetente për adresimin e këtij fenomeni famëkeq. Ky në fakt është edhe obligim që del nga praktika e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Sipas kësaj të fundit, të vendosur në rastin Kurt k. Austrisë, është esenciale që autoritetet e përfshira në trajtimin e dhunës në familje në vazhdimësi të kalojnë në trajnime për identifikimin e rreziqeve të dhunës në familje dhe femicidit. Kjo kërkohet të bëhet duke bërë punë proaktive në pajtim me praktikat ndërkombëtare për trajtimin e dhunës në familje.

Sigurisht që krijimi i një hallke të tillë institucionale nuk nënkupton fundin e dhunës në familje dhe të femicidit, por vetëm fillimin serioz të adresimit të tij me mekanizma profesionalë. Paralelisht duhet bërë punë të prekshme në edukim të gjerë, sepse dhuna gjinore është simptomë e pabarazisë dhe misogjinizmit dhe vetëm një edukim i mirëfilltë shoqëror mund të ndihmojë në adresimin real të saj.

(Autori është asistent profesor i Ligjit për të Drejta të Njeriut dhe i Ligjit Publik Ndërkombëtar në Universitetin e Utrechtit dhe anëtar zëvendësues në Komisionin e Venecies)