Dhuna e pabarazisë ekonomike e sociale do të na përcjellë për aq sa ne nuk e projektojmë si shoqëri, atë që raportet e identifikojnë si synimin tonë individual: nevojën e kalimit nga privatja tek publikja.
Walter Scheidel, profesor i historisë në Universitetin Stanford, në librin e tij të botuar në vitin 2017 “The Great Leveler” (Barazuesi i Madh), trajton raportin e pabarazisë ekonomike dhe dhunës, që nga epoka e gurit e deri në ditët tona.
Teza e tij në këtë libër, e mbështetur nga faktet historike, të cilat ai i trajton, është se përgjatë historisë së njerëzimit pabarazia ekonomike ka rënë në mënyrë të dukshme përgjatë periudhave të dhunshme, si p.sh. gjatë kohës së luftërave ku ka pasur mobilizime të mëdha; revolucioneve; kolapseve të shteteve të ndryshme; dhe përgjatë periudhës së murtajës. Arsyet e uljes së pabarazisë gjatë këtyre periudhave kanë qenë të ndryshme.
Përgjatë luftërave me mobilizime të mëdha, shtetet kanë taksuar më shumë të pasurit (për t’i mbuluar shpenzimet e mëdha të cilat i shkaktonte lufta) dhe është shkatërruar një pjesë e konsiderueshme e kapitalit të akumuluar deri në atë periudhë. Revolucionet kanë rezultuar me konfiskim të pasurisë të të pasurve dhe rishpërndarjen e saj, gjë që ka ulur pabarazinë.
Kolapset shtetërore kanë pamundësuar ushtrimin e dhunës shtetërore (nëpërmjet policisë dhe ushtrisë) për të mirëmbajtur rendin e klasës sunduese dhe kjo ka bërë që pasuria të rishpërndahet. Dhe në fund, murtaja ka bërë që numri i fuqisë punëtore të bjerë ndjeshëm dhe si rezultat i rritjes së kërkesës për fuqi punëtore në raport me ofertën e ulur nga murtaja, të rritet çmimi i fuqisë punëtore dhe kështu të ulet pabarazia. Siç thotë profesor Scheidel në këtë libër, në ditët tona nuk jemi dëshmitarë të ngjarjeve të dhunshme, në një shkallë aq të madhe siç u përmendën më lart, dhe kjo është një gjë e mirë.
Por, në anën tjetër, pabarazia po rritet çdo ditë e më shumë. Pjesë e këtij fenomeni nuk mund të mos jemi edhe ne në Kosovë. Atë që neoliberalizmi e shkaktoi që prej fundviteve ’70 në vendet e perëndimit, tek ne e shkaktoi që nga fillimi i shekullit 21. Këtu dhuna kishte funksion tjetër nga ai që e përmend profesori Scheidel: realizimin e privatizimit dhe si rezultat i saj rritjen e pabarazisë. Kalimi i mjeteve të prodhimit, hapësirave prodhuese e magazinuese, mjeteve të transportit, lëndës së parë, burimeve natyrore, tokave, punëtorëve e profitit nga pronësia shtetërore e publike tek pronësia private pati efekt të madh në rritjen e pabarazisë.
Së pari, një numër i madh i punëtorëve (mbi 46.000) u larguan nga puna dhe mbetën pa të ardhura. Përfitimet e tjera të cilat i kishin punëtorët, si sigurimet shëndetësore, kontributet pensionale, etj. u zhdukën brenda natës. Në nivel më të përgjithshëm, profiti i krijuar nga këto kompani u privatizua. Tanimë, në vend se të shkonte në buxhetin publik, nga ku do të investohej në mirëqenien e qytetarëve, ai profit shkon në xhirollogaritë e një grupi të vogël, i cili rrit sasinë e shpenzimeve të luksit në vend. Kjo pabarazi së fundi u konstatua edhe nga një raport i Institutit Friedrich Ebert Stiftung në Sarajevë.
Nga ky raport kuptojmë se, përgjithësisht në vendet të cilat ishin pjesë e Federatës Socialiste të Jugosllavisë, pabarazia nuk është ulur që nga transformimi i ekonomisë socialiste në atë kapitaliste-neoliberale. Mesatarisht pabarazia, e matur sipas koeficientit Gini me bazë të hyrat, ka qenë mes 30-32 në regjimin socialist të Jugosllavisë (teorikisht 0 është barazia absolute, ku të gjithë kanë njësoj, ndërsa 100 është pabarazia absolute, ku një person i posedon të gjitha). Kjo situatë në disa entitete ish-jugosllave është e njëjtë edhe sot, e në disa të tjera situata është edhe më e keqe se në kohën e Jugosllavisë. Kjo është shenjë e dështimit të kapitalizmit neoliberal.
Premtimi i prosperitetit shoqëror e ekonomik, nga kapitalizmi neoliberal, rezultoi me pabarazi edhe më të madhe ekonomike në shoqëritë tona. Një shenjë tjetër e këtij dështimi është edhe fakti që sektori publik/shtetëror është shndërruar në sinonim të të ardhurave stabile e mirëqenies më të mirë në ekonomitë tona. Të punësuarit në sektorin publik/shtetëror kanë paga më të larta, të rregullta, kanë sigurime shëndetësore e kontribute pensionale. Ndërsa, sektori privat ka dështuar. Pronarët privatë kanë privatizuar prosperitetin ekonomik e social, i cili do të duhej të ishte i të gjithëve.
Punëtorët në këtë sektor paguhen me paga të ulëta, të parregullta, punojnë me orare të stërzgjatura e nuk kompensohen, nuk kanë sigurime shëndetësore dhe pjesa më e madhe as kontribute pensionale. Sipas këtij raporti, në rastet kur një punëtor/e kalon nga sektori privat në atë publik, mirëqenia e tij/saj ngrihet në masë të madhe. Pra, në shoqëritë tona punëtorët si individ synojnë ikjen nga privatja tek publikja. Por si shoqëri mbetemi ende nën dominimin e sektorit privat.
Matja e pabarazisë ekonomike në Kosovë sjell dy rezultate, varësisht se çfarë faktori marrim për bazë: të hyrat apo konsumin. Këtu i shohim dy Kosova: atë të zhveshur nga ndihma që diaspora jonë dërgon nëpërmjet remitencave dhe Kosovën me remitencat e diasporës. Kosova pa remitencat e diasporës ka pabarazi më të lartë, 39.5 pikë të koeficientit Gini. Ndërsa, në anën tjetër, nëse pabarazinë duam ta shohim nëpërmjet shpenzimeve që bëjnë qytetarët tonë, shohim se ajo është pak më e ulët, 33.25 pikë të koeficientit Gini, gjë që tregon se remitencat e diasporës sonë zbusin pasojat e politikave të dëmshme ekonomike e sociale të qeverive të pasluftës dhe ulin hendekun mes shtresave ekonomike në vend. Por remitencat e diasporës nuk shfrytëzohen për zhvillim të mëtutjeshëm të ekonomisë së vendit.
Deficiti i lartë tregtar, e veçanërisht raporti tregtar me Serbinë dhe Maqedoninë, bën që remitencat e diasporës sonë të mbajnë gjallë qytetarët e Kosovës e të zhvillojnë ekonomitë e Serbisë dhe Maqedonisë. Mungesa e një fondi për akumulimin e kapitalit nga diaspora dhe shfrytëzimit të tij për investime të cilat do të gjeneronin vlerë të re në ekonominë e vendit është humbje e cila do të ketë pasoja afatgjata në ekonominë tonë. Por nuk janë vetëm remitencat ato të cilat kanë zbutur pabarazinë ekonomike në Evropën Juglindore. Sipas raportit të FES, në Maqedoni është vërejtur një rënie e konsiderueshme e pabarazisë për shkak të rritjes së punësimeve, si rezultat i programeve të punësimit dhe shpenzimeve qeveritare në projekte të ndërtimit.
Por efektet e këtyre politikave nuk mund të jenë afatgjata, për shkak se shpenzimet qeveritare, me theks në infrastrukturë rrugore, nuk sjellin zgjidhje për papunësinë dhe pabarazinë. Ato që qeveritë e vendeve tona i quajnë “investime infrastrukturore - rrugore” nuk janë investime, ato janë thjesht shpenzime qeveritare. Infrastruktura rrugore nuk gjeneron vlerë të shtuar në ekonomi, prandaj ajo nuk mund të krijojë mundësi më të mëdha ekonomike e sociale për shoqërinë.
Efekti i shpenzimeve të tilla zgjat aq sa zgjasin realizimet e këtyre projekteve infrastrukturore. Pra, këto janë vetëm zgjidhje të përkohshme, për aq sa mund të jenë zgjidhje edhe përbrenda asaj periudhe. Një faktor tjetër, pak më“i dhunshëm” i zbutjes së pabarazisë ka qenë edhe kriza ekonomike e viteve 2007- 09. Në disa vende të rajonit kjo krizë ka rezultuar me ulje të shpenzimeve nga 10%-shi më i pasur i këtyre ekonomive, gjë që ka ulur pabarazinë. P.sh., sipas një raporti të Bankës Botërore, mes viteve 2008 dhe 2012 është shënuar një ulje e lehtë e pabarazisë në Shqipëri, për shkak të shpenzimeve më të vogla të 10%-shit më të pasur, për shkak të krizës ekonomike të asaj kohe.
Por as kjo nuk është zgjidhje. Ideja e luftimit të pabarazisë sigurisht se është kalimi i kapitalit nga më të pasurit tek shumica e varfër, por assesi nuk është thjesht zhdukja apo devalvimi i një pjese të kapitalit të të pasurve, duke e mirëmbajtur strukturën ekonomike të pandryshuar. Edhe pse profesori Scheidel tregon se, përgjatë historisë së njerëzimit, dhuna ka qenë ajo e cila ka luftuar pabarazinë, dhuna është edhe ajo e cila e shkakton dhe e mirëmban atë.
Dhuna e orareve të stërzgjatura; dhuna e kërcënimit me vend të punës; dhuna e mungesës së kontributeve për kohën e pensionimit; dhuna e privatizimit të publikes; dhuna e pamundësimit të aksionit sindikal; dhuna e largimit nga puna; dhuna e largimit nga fuqia punëtorë; dhuna e largimit nga vendi; këto janë karakteristikat e realitetit tonë ekonomik. Me neoliberalizmin na njoftuan me dhunë dhe atë po e mirëmbajnë në të njëjtën mënyrë. Nuk mund të ishte ndryshe, sepse “natyra” e këtij sistemi nuk është ndryshe.
Dhuna e pabarazisë ekonomike e sociale do të na përcjellë për aq sa ne nuk e projektojmë si shoqëri, atë që raportet e identifikojnë si synimin tonë individual: nevojën e kalimit nga privatja tek publikja. Kalimin nga një strukturë shtetërore që menaxhon buxhetin publik për përfitime të sektorit privat, në një Republikë e cila investon buxhetin publik për rritjen e mëtutjeshme të ekonomisë së përbashkët. Investime publike për ndërtimin e një ekonomie e shoqërie që pikënisje ka barazinë, si barazi në rezultate.
Vetëm një kalim i tillë kolektiv do të pamundësonte dhunën e kapitalizmit neoliberal dhe do të hapte rrugën për zhvillim. Prandaj, barazia dhe çlirimi i potencialit tonë ekonomik e shoqëror si parakusht kanë çlirimin e ekonomisë sonë nga kapitalizmi neoliberal.