Vizita e presidentes në Tallinin e Estonisë dhe në Vjenën e Austrisë, vizita e kryeministrit në Vjenë dhe në Paris, pritjet madhështore të cilat këtyre iu bënë, si dhe vetë prezantimi i tyre atje, e vendosën Kosovën në hartat e respektit të diplomacisë ndërkombëtare tek të cilat kishte kohë ku kishte munguar. "Nuk mund ta marosh një violinë nga druri, i cili është rritë për t’u bërë bisht sakice. E njëjta vlen edhe për njerëzit"
Përderisa në Kosovë po mbretëron një klimë tropikale, ne në Angli jemi duke u mjaftuar me një lloj freskie pranverore. Assesi që vera ta marrë veten në këmbët e veta këtu. E njëjtë disi edhe situata me Covidin. Sapo menduam dhe u përgatitëm se me vaksinimin e një pjese më të madhe të popullatës do të fillonim që ta tejkalonim dhe ta harronim këtë pandemi, ajo na e rikujtoi se ende gjendet këtu midis nesh dhe se as e ardhmja nuk po duket që do të jetë aq e sigurt në horizont. Varianti i ashtuquajtur Delta i këtij virusi tashmë sheh shtimin e dukshëm ditor të numrit të të infektuarve, si dhe rritjen e vdekjes së njerëzve si pasojë e saj. Personalisht e shoh edhe një dimër të gjatë dhe të rëndë përpara nesh.
Por para se ta sjell veten në një gjendje të një depresioni të ri dimëror, do të dëshiroja që t'ia përkujtoja vetes disa pamje të bukura, të cilat i pashë unë, e besoj shumë se i patë edhe ju dhe të cilat po të shikojmë thellë në veten tonë, ashtu në mënyrë të sinqertë, pa ndonjë ngarkesë partiake politike, do të na bëjnë që të mburremi pak në këto kohëra pa kohë.
Ishin angazhimet dhe vizitat e fundit të presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti në vende të ndryshme evropiane gjatë javës së fundit.
Vizita e presidentes në Tallinin e Estonisë dhe në Vjenën e Austrisë, vizita e kryeministrit në Vjenë dhe në Paris, pritjet madhështore të cilat këtyre iu bënë, si dhe vetë prezantimi i tyre atje e vendosën Kosovën në hartat e respektit të diplomacisë ndërkombëtare tek të cilat kishte kohë ku kishte munguar. "Nuk mund ta marosh një violinë nga druri, i cili është rritë për t’u bërë bisht sakice. E njëjta vlen edhe për njerëzit".
Sado që neve na duken të çuditshme trumpetimi dhe rreshtimi i opozitës, si dhe një pjese më të madhe gazetarësh, opinionbërësish e analistësh politikë kundër çdo veprimi të Qeverisë apo presidentes, të bën ta kuptosh se ky i tëri inskenim është duke u bërë me hile dhe asnjë pikë sinqeriteti. Jo se ata nuk do të duhej të kritikoheshin sa herë për ato kritika ka vend, edhe janë të justifikueshme, por të shikosh nga pleshti të nxjerrësh dhjamë apo të kërkosh qime në vezë është shumë e padrejtë dhe jokorrekte, e sidomos kur në fund të ditës ke të bësh me institucionet e shtetit tënd, të cilat në dekadat e fundit ishin nëpërkëmbur në të shumtën e rasteve në mënyrën më brutale të mundshme nga vetë protagonistët e atyre institucioneve. Si të tillë, edhe rrallëherë ftoheshin në takime bilaterale diplomatike, përveç në rastet kur në tavolina kishte ndonjë "marrëveshje" për t’u nënshkruar.
Në të njëjtën vazhdë të kërkimit të gjërave pozitive në shoqërinë kosovare, ajo e cila më ra në sy gjatë javës së kaluar ishte paraqitja e deputetes Doarsa Kica-Xhelili në emisionin “Interaktiv” të KTV-së. Një zonjë aq e re, aq e artikuluar dhe aq e qartë në shpalosjen e qëndrimeve dhe mendimeve të saja. E njëjta gjë u përsërit edhe në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, ku u miratua propozimi për shkarkimin e Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës. Ky propozim për shkarkim do t’i përcillet Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës për seancat plenare të radhës.
Kur shoh individë të rinj të këtij kalibri, nuk kam se si të mos i kujtoj vargjet e Asdrenit "Qeshu rini, qeshu, bota është e jotja" …
E në atë se në çka ishte shndërruar dhe në çfarë nivelesh ishte katandisur transmetuesi publik RTK kam shkruar edhe herëve të tjera. Ishte koha e fundit që Kuvendi i Kosovës të fillojë që të vërë rend në këtë institucion publik, me të cilin është abuzuar pa mëshirë poshtë e përpjetë me paratë e taksapaguesve kosovarë, me informatën, me programet dhe kualitetin e tyre, si dhe kontrollin e nënshtruar nga ish-qeveritë e kaluara. Nga ajo se çfarë është bërë brenda këtij institucioni, vlen ta ndaj vetëm rastin e publikuar në raportin mbi RTK-në për rastin e marrjes së veturave me qira, ku del se çmimi i blerjes së veturave të reja të njëjta del të jetë shumë herë më i lirë sesa çmimi i paguar për qiranë e tyre, me vite. E sa e sa shkelje e abuzime të tjera të bëra aty.
Ka vite që unë nuk e shikoj asnjë emision ose program të realizuar nga RTK-ja. Por ndonjëherë pa dashje e edhe pa dëshirën time hapen linqet e ndryshme të videove të RTK-së të afishuara në Facebook, e të cilat tek unë hapen me automatizëm.
Katandisja e gazetarisë në Kosovë ka kohë që ka ndodhur, ku gazetarët mercenarë janë edhe biznesmenë e këto të dyja së bashku nuk shkojnë, përveç nëse zhytesh në ujërat e turbullta politike. E këtu te ne, përveçse ekipe zhytësish të mercenarëve gazetareskë e mediatikë, vështirë se kemi prodhuar diçka tjetër si shoqëri dhe në të shumtën e rasteve edhe jemi pajtuar me këtë gjë dhe reagimet kanë qenë të mangëta në shoqëri. Dhunimet psikike me analiza të diarresë cerebrale të analistëve dhe opinionistëve çdo natë të mundshme ndodh vetëm në Kosovë dhe askund tjetër në botë!
Unë për vete kam filluar që ta rralloj përcjelljen e tyre, edhe pse po më nevojitet që t’i përcjell ngjarjet. Por aq toksicitet nuk ia kam për borxh askujt dhe kam aq respekt për veten time sa me dëshirë ta pranoj një dhunim psikik të tillë!
Një lajm tjetër i cili më bëri të mburrem, të cilin po ashtu e pashë, ishte një artikull në mediat britanike. “Royal Opera House” e famshme në “Covent Garden” të Londrës ishte rihapur për herë të parë qysh prej shpërthimit të pandemisë vitin e kaluar. Njëra nga veprat operistike që po luan aty është “La Bohème” nga Giacomo Puccini, ku në rolin e Rodolfos na paraqitet edhe artisti ynë, tenori me famë botërore, Ramë Lahaj.
Po ashtu edhe lajmi i një jave më parë nga BBC për garat të cilat i organizon vetë kanali BBC për “Singer of the World 2021”, ku Elbenita Kajtazi thjesht ka shkëlqyer, nuk ka se si të mos t’i zgjojë mornicat në trup.
Lajme si këto të japin atë ndjesinë e veçantë të papërshkrueshme se jo gjithçka është e humbur për ne si komb, se jemi një popull i ri dhe vital dhe kemi shumëçka për t’i ofruar kësaj bote. E lajmet e ngjashme si kjo e të cilat po shtohen nga viti në vit vetëm sa e vërtetojnë këtë që po e them.
Për fund do të dëshiroja që ta komentoja vendimin e Qeverisë për mbulimin e pagesës së policës së sigurimit për mërgimtarët, të cilët në Kosovë vijnë me veturat e tyre. E kuptoj qëllimin e mirë, mirëpo unë mendoj se asnjë mërgimtar, i cili e merr mundin që të vijë me veturë deri në Kosovë, nuk heziton që të bëjë atë pagesë, përderisa nuk abuzohet me ato para nga ana e Byrosë Kosovare të Sigurimit. Më parë, mërgimtarët ishin të indinjuar se ajo fillimisht udhëhiqej nga vëllai i ish-presidentit Thaçi dhe se përbrenda saj ndodhnin skandale të shumta.
E përderisa abuzimeve të tilla iu vjen fundi dhe rritet transparenca se çka saktësisht ndodh dhe si menaxhohen paratë e Byrosë Kosovare të Sigurimeve, mërgimtarët nuk do të hezitonin që ta paguanin atë ashtu siç kanë vepruar qe shumë vite me radhë.
Ato 5-6 milionë, sa do të mund të kushtonin mbulesat e këtyre policave të sigurimeve, jam i sigurt se Qeveria ka zgjedhje të shumta se ku do të mund t’i investonte dhe kanalizonte si të tilla. Ndoshta ndërtimi i një spitali modern pediatrik në emër të investimit të diasporës do të ishte adekuat. Jam më se i sigurt se e mbarë diaspora do të përqafonte një iniciativë të tillë dhe do t’i paguante vetë policat e sigurimit, ashtu siç ka bërë edhe deri më tani.