Nëse Qeveria e re e Kosovës mund të korrë sukses, ndikimi indirekt në rajon, në fakt, mund të jetë shumë i vlefshëm. Nëse qytetarët e Kosovës mund ta shkundin bandën e plaçkitësve nga shpina, në saje të një sfere përnjëmend të hapur publike dhe mobilizimit bazik, pse nuk mund ta bëjnë të njëjtën edhe popujt e tjerë të rajonit? Dhe nëse e shohin vendin të rritet, se jeta faktikisht po përmirësohet, a nuk do të josheshin edhe qytetarët e vendeve fqinje për ta provuar të njëjtën gjë? Nëse Qeveria e re e Kosovës korr sukses, me pak fat ndryshimi mund të nisë së përhapuri gjetkë në rajon
Më në fund, dy dekada pas ndarjes nga Serbia, dhe një dekadë pas pavarësimit, Kosova është bërë me një Qeveri që brengoset për të mirën e përbashkët. Natyrisht, të gjitha Qeveritë e thonë një gjë të tillë, por për dallim prej paraprakeve, mendoj se fjalëve të kësaj Qeverie mund t’u zihet besë.
Megjithëkëtë, detyra me të cilën ajo përballet është e frikshme. Është në pandemi dhe vaksina ende nuk ka. Dhe ekziston edhe pesha e rëndë e dy dekadave të keqqeverisjes, grabitjes, ngatërrimit, gënjeshtrave. Ajo që do të doja ta diskutoja është se si miqtë e huaj të Kosovës mund ta ndihmojnë vendin.
Miqtë më të mirë të Kosovës janë fuqitë që rëndom njihen si QUINT-i: Franca, Gjermania, Italia ime e gjorë, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto janë vendet që patën zgjedhur të intervenonin ushtarakisht më 1999-n dhe që e kanë bërë të mundur pavarësinë më 2008-n.
Sidoqoftë, nga këndvështrimi i qenieve njerëzore që jetojnë përbrenda kufijve të Kosovës, të pasurit të një shteti të pavarur është mënyrë për të pasur të mira themelore, si liri politike, shëndet, arsimim dhe jetë të dinjitetshme. Në këtë aspekt, mjerisht, QUINT-i nuk është sjellë si miku më i mirë i Kosovës: ngase këto vende ishin ato që e përkrahën elitën, e cila e plaçkiti vendin për dy dekada, duke e penguar pjekjen e demokracisë së saj. Dhe nuk e bënë këtë aksidentalisht: e bënë për interesat e tyre politike (ngase nuk mund të pranonin përpara gjithë botës se elita e Kosovës nuk qe e përbërë prej Ghandive, si dhe ngase ekzistonte një lloj pakti i nënkuptuar me këtë elitë: një shkëmbim midis bindjes dhe tolerancës).
Dikush mund të kundërshtojë, ngase QUINT-i dhe gjithë Perëndimi i dërguan shumë para Kosovës. Kjo është e vërtetë: midis vitit 1999 dhe 2014, për shembull, ndihmat e huaja numëruan 10-përqindëshin e GDP-së vjetore. Por a e ndihmuan Kosovën këto para?
Në një pjesë, nuk ka dilemë se e ndihmuan. Por një pjesë shumë e madhe e këtyre parave është vjedhur nga elita, duke e betonuar kontrollin e saj mbi shoqërinë dhe duke e prolonguar mbijetesën e saj për kohë shumë më të gjatë sesa që do ta lejonte këtë vetë performanca e saj.
Në një pjesë, këto para janë shpenzuar në projekte të parëndësishme të donatorëve apo u janë kthyer atyre në formë të tarifave për konsulencë dhe ngjashëm. Paga që unë e merrja sa punoja në Kosovë është një shembull i kësaj. Dhe kushdo mund të nxjerrë shembuj të shumtë të këtyre projekteve të parëndësishme.
Që më kujtohet më së qarti është një projekt për etiketimin e ripërtypësve, financiar nga Komisioni Evropian rreth vitit 2010, ashtu që secila kafshë të mund të identifikohet nëpërmjet një numri unik të gdhendur në një tiketë të vogël plastike, vendosur në veshët e saj. Nuk ka kushtuar shumë para, më duhet të pranoj, dhe as nuk e mohoj rëndësinë e identifikimit se cila dele është “Giacometta” dhe cila “Filippetta”, por përderisa të gjithë bujqit nuk kishin qasje në një sistem digjital dosjesh, të cilën nuk e kishin, tiketat në veshë shërbenin më shumë në funksion të zbukurimit.
Ç’është më e rëndësishmja, po atë vit, pasi t’i jetë ndarë dhuratë me qindra miliona euro nëpërmjet një konference donatorësh, elita e vjetër vendosi ta ndërtonte një autostradë për të cilën Kosova në të vërtetë nuk kishte nevojë apo kishte më pak nevojë se për cilëndo gjë tjetër (arsimim, shëndetësi, rrugë lokale, transport publik), dhe që ishte kontraktuar nëpërmjet një procesi të ndyrë prokurimi dhe i kushtoi (me 10- përqindëshin e GDP-së) mbase trefish më shumë sesa që do të duhej. Pra, dy e treta e kostos ishte ose për shkak të korrupsionit ose të paaftësisë, apo që të dyja. Dhe, për më tepër, e gjithë kjo ndodhi teksa QUINT-i nuk bëri më shumë se të ngrinte gishtin i ndrojtur.
Fajtori kryesor është, natyrisht, elita e vjetër. Por dikush mund të mëkatojë edhe duke bërë lëshime: Unë i shoh këta ambasadorët dhe qeveritë e QUINT-it, që mbesin faktikisht të heshtur, si barabar përgjegjës.
Qeveritë evropiane e kishin veçanërisht gabim në ndjekjen e këtij shtegu, mendoj unë, ngase, në aspektin afatgjatë, interesat e qytetarëve të Bashkimit Evropian janë në përputhje me interesat e qytetarëve të Kosovës: që të dy duan që ky vend të maturojë në një demokraci të hapur dhe prosperuese, ngase kjo është një e mirë për të gjithë rajonin.
Andaj, si mund Perëndimi, QUINT-i dhe veçmas evropianët t’ia kompensojnë Kosovës gabimet e së shkuarës? Përgjigjja duket e qartë: duke i përkrahur politikat e Qeverisë së re, po qe se kanë kuptim (dhe unë besoj se do të kenë).
Dhe mënyra më e mirë dhe më e qartë për ta mbështetur është zgjerimi i mbështetjes buxhetore për këtë Qeveri. Mbështetja buxhetore është një formë e ndihmës që i beson kapacitetit të Qeverisë pranuese për përdorimin e saj në mënyrë të mençur dhe kompetente: janë këto para të shpërndara në arkat e shtetit, ashtu që shteti t’i shpenzojë për prioritetet e tij.
Kjo është më e pakta që Perëndimi dhe BE-ja mund të bëjnë. Dhe kjo do ta ndihmonte me të madhe një Qeveri që tani ballafaqohet me detyrën e nisjes nga e para, pas dy dekadave të errëta.
Asnjëra prej këtyre nuk do të thotë se kësaj Qeverie të re duhet t’i jepet një çek i hapur. Ngase askush nuk është i thirrur për një çek të hapur, por edhe ngase po qe se dështon, elita e vjetër mund të rikthehet, mbase e maskuar, dhe Kosova mund të fundoset. Andej, në vetë interesin e saj, Qeveria e re duhet të vëzhgohet me rigorozitet, nga publiku dhe nga partnerët e saj të jashtëm; dhe, kur ta meritojë, duhet të kritikohet ashpër. Paradoksalisht, edhe më shumë sesa elita e vjetër: për shkak se nëse, siç unë besoj, i ka përnjëmend përzemër interesat e qytetarëve të saj, atëherë do të dëgjojë.
Si përfundim, format dhe shuma e ndihmës që do t’i dërgohet Kosovës nuk janë aspak çështje teknike: janë jashtëzakonisht politike dhe e ngrenë pyetjen nëse këto qeveri të huaja duan apo jo që Kosova dhe rajoni të qeverisen në interes të qytetarëve të tyre. Nëse Qeveria e re e Kosovës mund të korrë sukses, ndikimi indirekt në rajon, në fakt, mund të jetë shumë i vlefshëm. Nëse qytetarët e Kosovës mund ta shkundin bandën e plaçkitësve nga shpina, në saje të një sfere përnjëmend të hapur publike dhe mobilizimit bazik, pse nuk mund ta bëjnë të njëjtën edhe popujt e tjerë të rajonit? Dhe nëse e shohin vendin të rritet, se jeta faktikisht po përmirësohet, a nuk do të josheshin edhe qytetarët e vendeve fqinje për ta provuar të njëjtën gjë?
Nëse Qeveria e re e Kosovës korr sukses, me pak fat ndryshimi mund të nisë së përhapuri gjetkë në rajon.
(Autori ka qenë shef i Njësitit Ekonomik në Zyrën Ndërkombëtare Civile)