OpEd

Deputetët shqiptarë të bashkuar do të mundë ta kthejnë kufirin aty ku duan

Kur dy persona ndodhen në gropë më e keqja që mund të ndodhë është që të fillojnë të rrihen ndërmjet vete duke akuzuar njëri-tjetrin se i ka futur aty. Në atë mënyrë vetëm sa sfiliten dhe nuk do të kenë më fuqi të dalin nga gropa.

Por, nëse të dytë bëhen bashkë, krijojnë fuqi, e si të fuqishëm shumë më të mëdha i kanë gjasat për të dalë nga gropa. Njëherë të ndodhur jashtë gropës, ka kohë të pafundme për t’ia dhënë dënimin e merituar fajtorit për futjen në gropë.

Çka po dua të them?

Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, e mirë apo e keqe, siç po shihet, s’ka qare pa u ratifikuar në Kuvend. Është vënë si kusht nga BE-ja, po mbështetet nga SHBA-ja dhe nuk po kontekstohet si veprim nga shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Tash, edhe për ata deputetë që nuk janë të bindur – a është më mirë që të bëhen bashkë me deputetët e tjerë shqiptarë dhe ta votojnë një “të keqe”, apo që duke mos e votuar rrisin gjasat që nga një “e keqe” të na vijnë dhe nja dy-tri të tjera?!

Nëse deputetët shqiptarë nuk e bëjnë shumicën për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit, atë shumicë do ta bëjnë deputetët serbë. Mirëpo, ata nuk do ta bëjnë këtë pse ia duan të mirën Kosovës. Deputetet serbë, të mbështetur nga Vuçiqi, do ta shfrytëzojnë këtë “favor” si mundësi për të kërkuar diçka si këmbim, e cila sigurisht nuk do t’i pëlqejë shumicës shqiptare.

Në këtë mënyrë “e keqja” e Demarkacionit, duke synuar të pengohet, vetëm sa do të zmadhohet, se do të bëhet vetëm njëra nga “të këqijat” në paketë. E nëse deputetët shqiptarë, të bindur ose dyshues, bashkohen dhe e votojnë, kështu të bashkuar do të mund ta kthejnë kufirin aty ku duan shqiptarët. Nëse vazhdojnë të përçarë dhe i japin bonbone shkëmbimi atyre që nuk e duan Kosovën, atëherë do të rrezikojnë që edhe ta ndajnë Kosovën një ditë.

Kjo është logjika pse deputetët shqiptarët të Kuvendit, të bashkuar, duhet ta marrin mbi supe autorësinë dhe ta çojnë përpara këtë proces. Çdo ditë e humbur është humbje për Kosovën!