OpEd

Deputetë të mëditjeve

Deputetët refuzojnë të ndëshkohen financiarisht, ashtu siç parashihet me Ligjin për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit. Por në anën tjetër, deputetët i gëzojnë të drejtat që dalin nga i njëjti ligj

Gara për një ulëse në Parlamentin e Kosovës është shumë e ashpër. Në dy palë zgjedhjet e fundit për postin e deputetit/es kanë garuar mbi një mijë persona apo 9 kandidatë për një ulëse. Garë më e ashpër mund të jetë vetëm kur hapen vende të lira të punës për doganierë në doganat e Kosovës.

Gjatë tërë fushatës zgjedhore, këta një mijë kandidatë garojnë me platforma partiake dhe individuale, duke premtuar përfaqësimin e qytetarëve. Por 120 fatlumët dhe fatlumet që arrijnë të fitojnë ulëse në Kuvendin e Kosovës interes primar kanë pagat dhe mëditjet.

Edhe në këtë legjislaturë të Kuvendit të dalë pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit 2021 shumë seanca, mbledhje të Kryesisë e të komisioneve parlamentare dështojnë për mungesë të kuorumit. Ata deputetë që marrin pjesë rregullisht në secilën seancë plenare janë pakicë. Sipas monitorimit të KDI-së, në sesionin pranveror të Kuvendit ishin 29 deputetë që morën pjesë në secilën plenare, 27 nga këta deputetë janë nga radhët e Vetëvendosjes, njëri nga PDK dhe një nga VAKAT. Mbi 75% e deputetëve kanë munguar së paku një herë në seanca.

Po sipas KDI-së, gjatë muajve mars-korrik 2021 janë shënuar plot 414 mungesa të deputetëve, apo mesatarisht kanë munguar 15 deputetë për çdo seancë. Në fillim të kësaj jave sërish dështoi mbledhja e Kryesisë së Kuvendit. Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, z.Abelard Tahiri, kërkoi që pushteti të dorëhiqet dhe ta kthejë mandatin qeverisës. Por janë pikërisht deputetët e PDK-së që gjatë kësaj periudhe kanë shënuar numrin më të madh të mungesave, apo 121 nga 414 mungesat deri në fund të muajit korrik. Apo krahasuar me madhësinë e grupit parlamentar i bie shtatë mungesa për deputet. Deputetët e LDK-së kanë munguar 96 herë, apo mesatarisht gjashtë mungesa për deputet të grupit parlamentar; deputetët e Vetëvendosjes kanë 79 mungesa (apo pesë mungesa për deputet).

Por, ajo çfarë është më shqetësuese sesa mungesat është kompensimi që deputetët marrin, përkundër mungesave. Sipas raportit të monitorimit të KDI-së, në listat e pjesëmarrjes së deputetëve shihet se në secilën seancë numri i deputetëve të nënshkruar në lista është mbi 80, por njëkohësisht shumë seanca dështojnë ngase nuk ka së paku 61 deputetë që marrin pjesë në votime. Kjo i bie që deputetët udhëtojnë deri në ndërtesën e Kuvendit (70 prej të cilëve janë me vendbanim jashtë Prishtinës) vetëm e vetëm për t’u nënshkruar në listën e pjesëmarrësve për të marrë mëditjet. Pastaj largohen nga seanca, apo qëndrojnë fizikisht, por refuzojnë të marrin pjesë aktive në votime dhe diskutime.

Përveç pagës bazë prej rreth 1.500 eurove në muaj, deputetët marrin edhe 240 euro mëditje për pjesëmarrje në seanca, si dhe deri 140 euro për pjesëmarrje në së paku dy takime të komisioneve parlamentare brenda muajit.

Nëse deputetët marrin mëditjet për seanca e në anën tjetër figurojnë se kanë munguar në total 414 herë, atëherë i bie se rreth 50 mijë euro janë shpenzuar për deputetët e papërgjegjshëm. Por dëmi financiar është edhe më i madh, ngase mungesat e këtyre deputetëve e pamundësojnë edhe punën e deputetëve të tjerë, duke bërë që i tërë institucioni të dështojë.

Kësisoj, në vazhdimësi shtyhet aprovimi i ligjeve, strategjive, raporteve e marrëveshjeve ndërkombëtare. Shumë agjenci të pavarura mbesin jofunksionale në mungesë të anëtarësisë në borde, zgjedhja e të cilave zvarritet nga Kuvendi. Ndër vite me dhjetëra miliona euro para të donatorëve kanë humbur për faktin se Kuvendi nuk ka aprovuar marrëveshjet ndërkombëtare apo ka dështuar të mbërrijë objektivat e vendosura.

Deputetët refuzojnë të ndëshkohen financiarisht ashtu siç parashihet me Ligjin për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit. Por në anën tjetër të njëjtët deputetë i gëzojnë të drejtat që dalin nga i njëjti ligj, siç është paga për një vit të plotë pas përfundimit të mandatit, pensioni jubilar dhe përfitime të tjera materiale e jomateriale.

Një sjellje e tillë e përfaqësuesve të drejtpërdrejtë të qytetarëve dërgon sinjale shqetësuese te pjesa tjetër e popullsisë: si munden deputetët të aprovojnë ligje të drejta e të luftojnë korrupsionin, kur janë vetë ata që i keqpërdorin mëditjet dhe nuk i respektojnë ligjet që vetë i aprovojnë?