Më duket shpjegim i varfër që Rama është tradhtar, aleat i Vuçiqit apo dashakeqës i Albinit. Shpjegimi më elegant është se Rama është ngarkuar nga komuniteti euroatlantik që t’i ndihmojë Albinin dhe qytetarët e Kosovës të kuptojnë pozitën e vështirë në të cilën gjenden. Në këtë sens Rama mund të jetë rrëfyesi i këtij mesazhi, por mesazhin nuk e ka shkruar ai. Siç thotë ajo thënia e vjetër: “Don’t shoot the messenger”
Edi Rama mund të akuzohet për shumë gjëra: arrogant, manipulues, ditëzi dhe shumë çfarë tjetër, por një gjë nuk mund t’i mohohet: është komunikues i shkëlqyer. Apo thënë ndryshe është rrëfimtar i shkëlqyer. Si çdo artist i cili përmes veprës së tij synon të rrëfejë një mesazh, Rama ka përdorur me shkathtësi kapacitetin e tij rrëfyes në jetën politike.
Në fillimet e tij si kryebashkiak i Tiranës ai e transformoi kryeqytetin me ngjyrat ekspresive dhe rilindjen urbane e cila i rrëfeu botës një kryeqytet mistik dhe premtues që i solli Ramës njohje ndërkombëtare dhe staturë kombëtare. Nga aty kapaciteti i tij për të kanalizuar sentimentin e publikut në propagandë të shkëlqyer politike ka njohur vetëm ngritje. Nga “Hap kutitë” në Tiranë, “What the fuck” në Pejë dhe deri tek “Sex of the angels” në Bruksel, Rama ka lëvizur kufijtë e rrëfimit të suksesshëm publik. Çdo herë provokues dhe tërheqës, asnjëherë ofendues apo i mërzitshëm. Rrëfimin e tij për rilindjen e Shqipërisë vazhdojnë ta besojnë shumica e qytetarëve të Shqipërisë. Siç qëndrojnë gjërat tani, Rama është në kurs të sigurt për të fituar mandatin e katërt dhe të paprecedentë në historinë e Shqipërisë. Ky rrëfim i suksesshëm politik brenda Shqipërisë u shndërrua edhe në rrëfim të suksesshëm jashtë saj. Liderët evropianë jo rrallë zgjedhin Ramën në krah të tyre për ta përfaqësuar gjithë Ballkanin. Në panelet elitare ndërkombëtare Rama është aset më i kërkuar për shkak të shkathtësisë së tij kuintesenciale (dhe zbavitëse) të rrëfimit artistik për politiken, Ballkanin dhe botën. Tirana është bërë nikoqire e samiteve politike evropiane dhe finaleve globale të futbollit, ndërsa bregdeti shqiptar është tani më tradicionalisht i ranguar në top destinacionet e reja evropiane.
I gjithë ky sukses ka shtuar vetëbesimin e Ramës, por edhe të aleatëve perëndimorë në të. Përderisa pushtetet në Shkup, Podgoricë dhe Prishtinë ndërroheshin, Rama u shndërrua në shtyllën e rajonit në të cilën perëndimorët mund çdo herë të mbështeteshin. Kështu Shqipëria hapi negociatat e anëtarësimit me BE-në, kryesoi OSBE-në dhe u bë nikoqire e Procesit të Berlinit. SHBA-ja ia besoi Ramës barrën e “Ballkanit të Hapur”, ndërsa Shqipëria mirëpriti për të dytin vit radhazi inaugurimin e ushtrimit më të madh ushtarak të NATO-së në Evropë “Defender Europe,” por edhe bazën rajonale të forcave speciale të SHBA-së. Rama hapi Shqipërinë për strehimin e refugjatëve afganë dhe e gjeti veten në luftë kibernetike me Gardën Revolucionare të Iranit. Ai mbajti interes të afërt për luftën në Ukrainë duke zhvilluar telefonata me Zelenskyn dhe duke vizituar Kievin. Të gjitha këto janë shenjat e një Shqipërie e cila çdo ditë e më shumë zë diellin e saj të merituar në skenën ndërkombëtare.
Në këtë sfond duhet parë intervenimin e fundit të Ramës në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi. Janë katër dinamikat të cilat janë duke përcaktuar sjelljen e Ramës karshi dialogut. E para, është rrëfimi që Rama është faktor stabiliteti në rajon. Pra, Rama dëshiron të cementojë faktorizimin e tij rajonal dhe kriza e fundit në mes të Kosovës dhe Serbisë është mundësi e shkëlqyer për këtë. E dyta, Rama po lexon drejt hierarkinë e prioriteteve euroatlantike për Evropën. Prioriteti numër një dhe i vetmi është mposhtja dhe gjunjëzimi i Rusisë në Ukrainë. Çdo gjë tjetër që shpërqendron vëmendjen euroatlantike nga ky prioritet duhet neutralizuar. Dhe në këtë drejtim veriu është shpërqendrim që duhet neutralizuar. Zhvillimet e fundit në veri nuk shikohen nga kancelaritë evropiane si problem demokratik apo i sundimit të ligjit, por thjesht si krizë dhe bezdisje e kotë që duhet pushuar sa më parë. Në vijë me këtë nuk duhet befasuar që as Rama nuk ka shumë tolerancë për sjelljen e Kosovës në veri. Rruga qorre e Kurtit e shtrirjes së sovranitetit në çdo cep të vendit përmes administrimit të ndërtesave të zbrazëta është vrapim me sprint drejt humnerës – sprint në të cilin Rama nuk ka mend të bashkohet. E treta, derisa Rusia është duke humbur luftën ushtarake në Ukrainë, komuniteti perëndimor dëshiron të sigurohet se ajo e humb edhe luftën diplomatike në botë, dhe në veçanti në Ballkan. Pjesë e rëndësishme e kësaj pikture është Serbia, të cilën komuniteti perëndimor dëshiron ta ankorojë përfundimisht brenda strukturave euroatlantike. Për të arritur këtë duhet bërë ca koncesione për të akomoduar interesat e Serbisë. Këto koncesione natyrshëm na dërgojnë tek Asociacioni. E katërta, Rama kupton se ka zero agjenci në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi. Prandaj ai e ka të pamundur të mbajë qëndrim të kundërt nga komuniteti euroatlantik. Dhe unë mendoj se kjo është rruga e duhur pasi që veprimi ndryshe vetëm do t’i ekspozonte dobësitë strukturore të Shqipërisë për të ndryshuar rendin e forcave në rajon, por edhe do të dëmtonte reputacionin e Shqipërisë si anëtare e përgjegjshme e komunitetit euroatlantik. Në këtë drejtim ideja se Rama mund të formulojë dhe të avancojë një qëndrim të ndryshëm nga komuniteti euroatlantik është iluzion. Rama e kupton drejt se nuk ka asnjë forcë dhe mjet real në dispozicion për një gjë të tillë. Maksimumi që mund të bëjë është simulimi i qëndrimeve euroatlantike duke shpresuar për një pranim më të hapur të mesazhit nga një rrëfyes i përkryer shqipfolës.
Në gjithë këtë mes më duket shpjegim i varfër që Rama është tradhtar, aleat i Vuçiqit apo dashakeqës i Albinit. Shpjegimi më elegant është se Rama është ngarkuar nga komuniteti euroatlantik që t’i ndihmojë Albinin dhe qytetarët e Kosovës të kuptojnë pozitën e vështirë në të cilën gjenden. Në këtë sens Rama mund të jetë rrëfyesi i këtij mesazhi, por mesazhin nuk e ka shkruar ai. Siç thotë ajo thënia angleze: “Don’t shoot the messenger”.