Zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vunë në pah një seri të problemeve, të cilat unë jam skeptik se do të zgjidhen në mandatin e presidentit tashmë të zgjedhur Joe Biden. Në fakt, është vetë fitorja e Bidenit ndaj Trumpit ajo që ngre një problematikë të caktuar në raport me sistemin politik amerikan.
Dy palë zgjedhjet e fundit dëshmojnë domosdoshmërinë urgjente të reformimit të sistemit politik e zgjedhor amerikan. Me fjalë të tjera, Amerika ka nevojë për demokratizim të menjëhershëm. Sistemi zgjedhor, ai i votës popullore dhe asaj elektorale është proces thellësisht e esencialisht anti-demokratik. Nëse definicioni elementar i demokracisë parlamentare është ai sipas të cilit kandidati/partia e cila fiton më së shumti vota fiton të drejtën e qeverisjes, atëherë në Amerikë kjo më shpesh nuk ndodh sesa që ndodh. Vetëm në këtë shekull të ri, kjo ndodhi dy herë: me presidentin Bush (në vitin 2000) dhe me presidentin Trump më 2016. Diskrepanca ndërmjet votës popullore dhe asaj elektorale ua mundësoi dy kandidatëve me më pak vota popullore të zgjidhen president. Andaj, urgjenca e parë e menjëhershme konsiston në shfuqizimin e sistemit të votave elektorale, si parakusht elementar për fillimin e demokratizimit të vendit.
Katër vjetët e presidencës së Trumpit dëshmuan për pamundësinë e sistemit amerikan. Ajo që dua të them është që të gjithë ne kemi shpresuar në efikasitetin e parimit të “check and balances” (kontrollit dhe balancës) ndërmjet pushteteve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fakt, kemi besuar në efikasitetin e sistemit burokratik të shtetit. Pas fitores së Trumpit katër vjet më parë, është shpresuar e besuar që pikërisht falë këtij efikasiteti burokratik presidenti Trump do t’i ketë duart më të lidhura dhe nuk do të arrijë të prishë edhe aq shumë balancën e pushteteve. Por në fund të mandatit, rezultati ishte që presidenti Trump akumuloi pushtet të jashtëzakonshëm në duart e tij, duke anashkaluar, margjinalizuar e bërë të parëndësishme agjencitë shtetërore, të inteligjencës, madje edhe Departamentin e Shtetit e të tjera. Kjo është arsyeja e dytë, po aq e rëndësishme sa e para, që e bën të domosdoshme fazën tjetër të demokratizimit të sistemit politik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është thellësisht antidemokratike dhe antisistemike që fati i sistemit politik të një superfuqie të lihet në vullnetin, teket apo predispozitat psikologjike të një individi, siç ishte presidenti Trump.
Trumpizmi
Një gjë që duhet theksuar është që presidenti Trump nuk ishte anomali e sistemit politik e ideologjik amerikan. Përkundrazi! Ai ishte produkt i drejtpërdrejtë i po këtij sistemi ideologjik, politik e ekonomik, që filloi pak më herët se presidenca e Reaganit. Thënë ndryshe, neoliberalizimi i ekonomisë e politikës, jetës shoqërore e kulturore, për dekada të tëra krijoi terrenin për shfaqjen e një figure, e cila do të bëhej Master-shënjuesi i pakënaqësisë popullore e shoqërore ndaj rezultateve të politikave neoliberale. Shikuar retroaktivisht, Trumpi ishte domosdoshmëri.
Partia Demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka shumë vite që është duke përjetuar një transformim thelbësor. Ideologjikisht e programatikisht, çdoherë ajo shkon më djathtas. Së pari u shndërrua në parti liberale, e tani më veçse është bërë instrument i borgjezisë amerikane. Për të hequr dilemat rreth kësaj, mjafton të kujtohet një fakt: në fushatën e fundit presidenciale, “Wall Street”, korporatat dhe kapitali i madh, u vunë në përkrahje të tashmë presidentit të zgjedhur Biden. Absurditeti nuk ndalet këtu. Partia Republikane, tradicionalisht e historikisht parti e djathtë, përfaqësuese e mbrojtëse e interesave të kapitalit, borgjezisë e korporatave, është shndërruar (vetëm!) deklarativisht, në zërin e klasës së shtypur, klasës punëtore, klasës së mesme, etj.
Rasti i Bernie Sanders është shembulli më i mirë për të ilustruar këtë. Ndonëse i vetëdeklaruar si socialist-demokratik, programi i tij politik nuk ka se si të kualifikohet ndryshe përveçse si socialdemokratik shumë i moderuar. Madje, ishte shumë më i djathtë sesa ajo çka Olof Palme ka bërë në Suedi gjatë qeverisjes së tij. Establishmenti i partisë demokratike, në krye me Nancy Pelosin, haptazi deklaronin se për të evituar dhe anashkaluar Bernien, ishin në rregull edhe me një mandat të presidentit Trump. Në konfiguracionin politik amerikan, vetëm Bernie ishte dhe është alternativa e vërtetë e gjenuine ndaj politikave të demokratëve e republikanëve. Nuk është aspak ekzagjerim po të thuhet se sikur Bernie të lihej të bënte fushatën për kandidim në partinë demokratike në vitin 2016, Trump nuk do të ishte president. Secili sondazh kredibil dhe secila analizë sociologjike e raporteve ekonomike e sociale është dëshmi për këtë hipotezë.
Fitorja e Bidenit
Presidenti Trump humbi. Ky është një lajm jashtëzakonisht i mirë. Kjo është një goditje shumë e fuqishme për të djathtën (ekstreme) gjithandej globit. Spektakli i poshtërimit të Trumpit dhe demoralizimi dhe kolapsimi i bazës së të djathtës ekstreme në SHBA nuk ka se si të mos jetë lajm i gëzueshëm dhe i këndshëm për t’u parë. Për më tepër, qysh tani, shumë republikanët kanë filluar të distancohen nga Trumpi, që e bëjnë situatën edhe më qesharake. Skenat janë disi të ngjashme me partitë e koalicionit qeverisës dhe PDK-në, “ekspertët” e analistët në Kosovë, të cilët gjatë gjithë kohës u vunë në shërbim të presidencës së Trumpit dhe të deleguarit të tij Grenell, dhe në momentin e fitores së Bidenit shpërthyen në rrjetet sociale me urime. Tek e fundit, dinjiteti e parimet nuk janë diçka që importohen nga figura të padinjitetshme e joparimore si puna e Grenellit. Paturpësia e tyre duket se nuk ka fund.
Por, edhe në partinë demokratike situata është e tensionuar. Beteja ndërmjet establishmentit në njërën anë, dhe lëvizjes së Bernie e Alexandria Ocasia-Cortez është bërë shumë e ashpër.
Presidenca e Bidenit, unë mendoj se do të jetë relativisht e dobët. Dobësia nuk do të jetë vetëm si pasojë e margjinës së ulët të fitores, apo senatit, ku demokratët kanë vetëm një senator më shumë sesa republikanët. Të mos harrojmë se Mitch McConnell do të jetë instancë përcaktuese në shumë gjëra e politika gjatë katër vjetëve të ardhshëm. Por, dobësia kryesore e administratës së Biden do të jetë si pasojë e aspektit programatik dhe ideologjik. Realisht, për çka qëndron, në nivelin programatik, Biden? Pyetje të cilën vështirë se dikush mund t’i përgjigjet. Natyrisht, nëse përgjigjja nuk është me frazën boshe të “rikthimit në normalitet” – që e bën situatën edhe më qesharake, sepse rikthimi në normalitetin para-Trumpian është materialisht i pamundur. Trumpi humbi, por Trumpizmi do të vazhdojë të jetë instancë përcaktuese ideologjike edhe në administratën e Bidenit. Fitorja e Bidenit nuk është moment kthese historike, e as rikthim në traditën e politikës në Amerikë, të cilën Trumpi gjoja se e devijoi. Ajo është tashmë përherë e humbur.
Por, ekziston një hapësirë shprese për administratën Biden. Katër vjetët e ardhshëm mund të krijojnë një hapësirë për “frymëmarrje.” Beteja ideologjike brenda demokratëve do të vazhdojë e do të intensifikohet. Mirëpo, nëse krahu i AOC/Bernie-t nuk e marrin nën kontroll partinë demokratike gjatë këtyre katër vjetëve, në krye të Shtëpisë së Bardhë do të vijë një Trump i ri, dhe me shumë mundësi, ai/ajo do të jetë edhe më i djathtë së Trumpi aktual. Është mirë të kujtohet se Trumpi ishte ekskluzivisht produkt i politikës e ideologjisë amerikane të dekadave të fundit, e sidomos asaj të presidencës së Obamas.
Ndërsa në Kosovë efekti edhe mund të jetë pozitiv. Jo aq shumë në lëvizjen e gjërave përpara sa në ndaljen e këtij trendi negativ, të cilin e filloi Grenell me shegertët e tij politikë, medialë, dhe cicëruesit e tjerë. Këta të fundit ndoshta fillojnë ta kuptojnë, për fatin e tyre të keq, që legjitimiteti politik e intelektual nuk ndërtohet nga jashtë e as duke u shërbyer të tjerëve.
(Autori është PhD në filozofi dhe profesor i filozofisë)