Këto nuk janë mendimet e një euroskeptiku që mendon se demokracia evropiane është e pamundur, sepse një demos evropian është i pamundur. Është vajtimi i një evropiani që beson se një demos evropian është plotësisht i mundur, por se BE-ja ka lëvizur në drejtim të kundërt. Pavarësisht nga dyshimet e mia, është një vendim i lehtë për mua të kandidoj sërish në zgjedhjet evropiane – këtë herë në Greqi me MeRA25 – pikërisht sepse dyshimet e mia duhet të transmetohen gjatë fushatës. Paradoksi është se unë duhet ta bind veten se politika elektorale e BE-së ia vlen përpara se ta bind këdo tjetër
Ditët e qeta të gushtit ofrojnë momente të mira për të menduar për vitin e ardhshëm. Tek shoh kalendarin tim të vitit 2024, zgjedhjet e Parlamentit Evropian përvijohen si më të mëdhatë. Mjerisht, ato nuk arrijnë të më frymëzojnë ashtu siç bënë pesë vjet më parë.
Në vitin 2019, unë kandidoja në Parlamentin Evropian në Gjermani, ndërsa një koleg gjerman në atë në Greqi. DiEM25, lëvizja jonë pan-evropiane, donte të theksonte se demokracia evropiane do të mbetet një gjë e rreme nëse nuk bëhet plotësisht transnacionale. Në vitin 2024, gjeste të tilla nuk kanë as kuptim simbolik.
Tendosja ime, derisa përballem me zgjedhjet evropiane të qershorit të ardhshëm, nuk është për shkak të ndonjë humbjeje të interesit për politikën evropiane apo humbjeve të fundit politike, nga të cilat unë kam përfituar pjesën time. Ajo që më tendos mua është vështirësia për të imagjinuar që farat e demokracisë do të zënë rrënjë në Bashkimin Evropian, ndonjëherë gjatë jetës sime.
Besnikët evropianë do të më shajnë që e them këtë. Si guxoj ta përshkruaj BE-në si një zonë pa demokraci, kur ajo drejtohet nga një Këshill i përbërë nga kryeministra dhe presidentë të zgjedhur, një komision i emëruar nga qeveritë kombëtare të zgjedhura dhe një parlament i zgjedhur drejtpërdrejt nga popujt e Evropës dhe i ngarkuar me kompetencën për të shkarkuar komisionin e caktuar?
Shenja dalluese e çdo demokracie në shoqëritë thellësisht të pabarabarta janë institucionet e krijuara për të parandaluar reduktimin e të gjithë ndërveprimit njerëzor në marrëdhëniet e pushtetit. Për të mbajtur larg despotizmin (tiraninë), fuqia diskrecionale e ekzekutivit duhet të minimizohet nga një politikë sovrane me mjete për ta zvogëluar atë.
Shtetet anëtare të BE-së u ofrojnë këto mjete politikave të tyre. Sado të kufizuara të jenë zgjedhjet e tyre, qytetarët e një vendi ruajnë autoritetin për t'i mbajtur organet e zgjedhura, përgjegjëse për vendimet e tyre (brenda kufizimeve ekzogjene të vendit). Mjerisht, kjo është e pamundur në nivel të BE-së.
Kur liderët tanë kthehen në vend pas ndonjë takimi të Këshillit të BE-së, ata hedhin menjëherë përgjegjësinë për vendimet e pafavorshme, duke fajësuar kolegët e tyre të Këshillit në vend të kësaj: "Ishte më e mira që mund të negocioja", thonë ata duke ngritur supet.
Këtë e dinë funksionarët e BE-së, këshilltarët, lobistët dhe zyrtarët e Bankës Qendrore Evropiane. Ata janë mësuar që të presin që përfaqësuesit e shteteve anëtare të ndjekin rregullat dhe t'u thonë parlamenteve të tyre kombëtare se, megjithëse nuk ishin dakord me vendimet e Këshillit, ata ishin shumë "përgjegjës" dhe të përkushtuar ndaj "solidaritetit" evropian.
Dhe këtu qëndron deficiti demokratik i BE-së. Politikat kritike që shumica e anëtarëve të Këshillit i refuzojnë shpesh, kalojnë lehtësisht dhe nuk ka asnjë shtet që mund të gjykojë vetë Këshillin, ta mbajë atë përgjegjës dhe, në fund të fundit, ta shkarkojë atë si organ. Kur Këshilli arrin një marrëveshje gjysmë të mirë (si ajo midis kryeministrave spanjollë dhe holandez, Pedro Sánchez dhe Mark Rutte, për të reformuar kompaktin fiskal të BE-së), zgjedhjet kombëtare, të cilat nuk fokusohen kurrë në vendimet e nivelit të BE-së, mund të shkaktojnë zhdukjen e tyre.
Për më tepër, fuqia formale e Parlamentit Evropian (të cilit ende i mungon autoriteti për të inicuar legjislacionin) për të shkarkuar Komisionin in toto (plotësisht) është po aq e dobishme sa pajisja e marinës greke me një bombë bërthamore për të kundërshtuar kërcënimet e Turqisë për kapjen e një ishulli afër bregdetit të saj.
Asnjë nga këto nuk është e re. Por sot jam më i tendosur, sepse tri zhvillime e kanë shkatërruar plotësisht idenë e BE-së si një forcë efektive për të mirën brenda dhe jashtë Evropës.
Fillimisht ne humbëm çdo shpresë se borxhi i përbashkët mund të vepronte si ngjitësi Hamiltonian që do ta kthente konfederatën tonë evropiane në diçka më afër një federate demokratike kohezive. Po, pandemia e drejtoi Gjermaninë, më në fund, të pranonte emetimin e borxhit të përbashkët evropian. Por, siç paralajmërova në atë kohë, kushtet politike në të cilat rrodhën fondet ishin ëndrra e realizuar e një Euroskeptiku. E rezultati? Në vend të një hapi të parë drejt bashkimit të nevojshëm fiskal, NextGenerationEU (Fondi Evropian i Rimëkëmbjes së Pandemisë) përjashtoi një konvertim Hamiltonian.
Së dyti, lufta në Ukrainë ka mbytur aspiratat evropiane për autonomi strategjike nga SHBA-ja, e cila, megjithë të mirat zyrtare pas humbjes së Donald Trumpit në vitin 2020, vazhdon ta sheh BE-në si një kundërshtar që duhet frenuar. Çfarëdo qoftë ajo që dikush beson se duhet të përmbajë një marrëveshje paqeje Ukrainë-Rusi, ajo që është e padiskutueshme është parëndësia e BE-së gjatë procesit diplomatik që çon në të.
Së treti, nuk ka më asnjë pretendim se BE-ja është një furnizues i kozmopolitizmit parimor. Evropianët përçmuan tubimet e fushatës së Trumpit "Build the Wall", por BE-ja është dëshmuar të jetë më e aftë në ndërtimin e mureve sesa që ka qenë Trumpi ndonjëherë. Në kufirin e Greqisë me Turqinë, në enklavën marokene të Spanjës, në kufijtë lindorë të Hungarisë dhe Rumanisë, në shkretëtirën libiane dhe tani në Tunizi, BE-ja ka financuar gjëra të neveritshme që vetëm Trumpi mund t'i ketë zili. Dhe asnjë fjalë nuk po thuhet për sjelljen e paligjshme të rojeve tona bregdetare, që veprojnë nën mburojën e Frontex-it (agjencia e kontrollit kufitar të BE-së), e cila ka kontribuuar padiskutim në mijëra vdekje në Mesdhe.
Pas zgjedhjeve evropiane të vitit 2019, shtypi liberal shprehu lehtësimin që ultra e djathta e Evropës nuk doli aq mirë sa kishte frikë. Por ata harruan se, ndryshe nga fashistët e ndërluftës, ultra të djathtët e rinj nuk kanë nevojë të fitojnë zgjedhjet. Forca e tyre e madhe është se ata fitojnë pushtet, fitojnë ose humbasin, pasi partitë konvencionale bien mbi njëra-tjetrën për të përqafuar ksenofobinë, pastaj autoritarizmin, dhe përfundimisht, totalitarizmin. Për ta thënë ndryshe, liderët autokratikë evropianë si kryeministri hungarez, Viktor Orbán, nuk kanë nevojë të ngrenë gishtin për të përhapur besimin e tyre shovinist në të gjithë BE-në dhe Brukselin.
Këto nuk janë mendimet e një euroskeptiku që mendon se demokracia evropiane është e pamundur sepse një demos evropian është i pamundur. Është vajtimi i një evropiani që beson se një demos evropian është plotësisht i mundur, por se BE-ja ka lëvizur në drejtim të kundërt. Ne kemi parë rënien e shpejtë ekonomike të Evropës dhe deficitet e saj demokratike (dhe etike) të zhvillohen paralelisht.
Pavarësisht nga dyshimet e mia, është një vendim i lehtë për mua të kandidoj sërish në zgjedhjet evropiane – këtë herë në Greqi me MeRA25 – pikërisht sepse dyshimet e mia duhet të transmetohen gjatë fushatës. Paradoksi është se unë duhet ta bind veten se politika elektorale e BE-së ia vlen përpara se ta bind këdo tjetër.
(Yanis Varoufakis, ish-ministër i Financave i Greqisë, është lider i partisë MeRA25 dhe profesor i ekonomisë në Universitetin e Athinës. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)