Adem Demaçi, i lindur 82 vjet më parë, bëri një jetë për Kosovën. Ai është një ikonë kombëtare, trashëgimia e tij do të ketë ndikimin e përjetshëm tek shqiptarët. Demaçi mbetet arkitekt i rezistencës kundër okupimit serb të Kosovës
Në prill të vitit 1990 qindra e mijëra njerëz nga gjithë hapësirat shqiptare dhe nga diaspora, për disa muaj radhazi, e vizitonin Adem Demaçin, në shtëpinë e motrës së tij, në Prishtinë. Takimi me Demaçin nuk ishte vetëm takim me heroin që personifikonte brenda vetes qëndresën, luftën dhe fatin e shqiptarit jashtë Shqipërisë, por edhe takim me njeriun e shpresës në kohën kur Kosova dhe shqiptarët ndodheshin në një nga periudhat më të vështira që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Në deklarimin e tij të parë publik Demaçi deklaronte:
“Që nga 21 prilli i vitit 1990 ndodhem në më të madhin burg në botë që njeh historia e njerëzimit, në burgun e quajtur Kosovë, ku regjimi hegjemonist-shovinist –terrorist i ka zhveshur më se dy milionë shqiptarë nga të gjitha të drejtat dhe të drejtat themelore njerëzore e kombëtare“.
Simboli i rezistencës shqiptare, i njohur edhe si Mendela i Ballkanit, vetëm katërmbëdhjetë vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, gjatë gjykimit të tij në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, më 1959, kishte paralajmëruar se politika okupuese serbe në Kosovë do të ketë një fund tragjik për vetë shtetin jugosllav: "Nëse Serbia do të vazhdojë me këtë politikë ndaj shqiptarëve, një ditë Serbia ka për t’u bërë shkaktare e shpartallimit të Jugosllavisë dhe në fund do të mbetet edhe pa Kosovën."
Me kalimin e viteve ai ishte bërë njeriu më i rëndësishëm në atdheun e tij. Me veprimtarinë e tij të dalluar politike, ai ishte bërë përfaqësues më i zëshëm dhe më i njohur i lëvizjes politike shtetformuese. Ai hyri në skenë si shkrimtar me romanin “Gjarpinjtë e gjakut”, ndërsa botën e pushtoi si kryengritës, si një luftëtar i rezistencës, që asnjëherë nuk hoqi dorë nga aksioni i tij politik përballë ideologjisë komuniste jugosllave. Edhe pse, që nga viti 1958 e deri më 1990, u burgos e u dënua tri herë me radhë me burg të gjatë e të rëndë, ai u bë model i aksionit dhe sakrificës për atdheun. Ai do të mbetet në histori si arkitekt i rezistencës kundër okupimit serb të Kosovës. Kjo trashëgimi është kryevepra e tij, e cila do të ketë jehonë dhe ndikim brez pas brezi.
Zëri i tij dëgjohej edhe jashtë burgjeve, ndërsa emri i tij ishte shndërruar në një forcë kohezioni dhe inspirimi për brezin e ri shqiptar në rrugën e lirisë. Në publikun shqiptar emri tij nderohej me devotshmëri dhe shpesh krijohej përshtypja se, sa më shumë vjet që kalonte në burgjet jugosllave, aq më shumë rritej ndikimi i tij. Me shembullin personal ai jo vetëm që kishte arritur që ta mposhtte frikën, por edhe t’i shtynte kufijtë e mundësive të sakrificës për atdheun.
Ai ishte optimist se populli i tij në një të afërme jo shumë të largët do ta gëzonte lirinë. Ai ishte i bindur se rezistenca shqiptare do ta lodhte kundërshtarin. Ai ishte i bindur se koha ishte në anën e tij, në anën e shqiptarëve, meqë “shqiptarët nuk po kërkojnë asgjë më shumë se atë që e gëzojnë të gjitha kombet e Evropës”. Pa marrë parasysh pasojat, ai përherë mbeti një kryengritës i veçantë dhe shqiptar i madh. Në këtë kuptim, krahas Hasan Prishtinës, ai mbetet figura më emblematike në lëvizjen shtetformuese të Kosovës.
Adem Demaçi, edhe pse angazhohej për vetëvendosjen e shqiptarëve, ai ishte një kundërshtar i heshtur i regjimit komunist të Enver Hoxhës. Në rrethanat kur lufta e tij dhe e bashkëmendimtarëve të tij ishte e orientuar kundër Beogradit, ai nuk dëshironte që të hapte edhe një front të ri brendashqiptar, front të cilin e dinte se do ta keqpërdorte politika zyrtare në Beograd. Sipas regjisorit të njohur shqiptar Kujtim Çashku, veprimtari i njohur politik i çështjes kombëtare nga Kosova, që në pranverën e vitit 1991, kur e kishte vizituar Shqipërinë e tij të dashur, kishte mbetur i zhgënjyer me dijet e pakta të nxënësve shqiptarë për Kosovën dhe kauzën e popullit shqiptar atje.
I vetëdijshëm se për të ardhur deri te e drejta e shqiptarëve për vetëvendosje, e priste një rrugë e gjatë, një rrugë që kërkonte punë, aksion dhe sakrifica të shumta, Adem Demaçi ishte përgatitur që në fillim të angazhimit të tij politik. Prandaj, nga burgosja në burgosje ai jo vetëm që nuk dobësohej, përkundrazi, bëhej më i fortë e më i vendosur.
Për sakrificën e tij nëpër burgjet jugosllave (serbe) Parlamenti Evropian e nderoi me çmimin “Saharov”. Këtë çmim ai e shihte si nderim për popullin shqiptar të Kosovës. “Më vjen keq që nuk kam fatin t’jua them asnjë fjalë të gëzuar e të ëmbël nga hapësirat e asaj që ende i thonë Jugosllavi. Në Kosovë pushtuesit serbomëdhenj, hegjemonistë e militaristë, përmes dhunës më të egër, po i presin një nga një arteriet jetëdhënëse të popullit shqiptar duke rrënuar pa mëshirë e plotësisht sistemin informativ, arsimor, shëndetësor, kulturor, sistemin bankar-financiar, sistemin ekonomik, juridik dhe përfundimisht u gjet i rrënuar e i shkallmuar i tërë sistemi politik. E tërë Kosova është shndërruar në një megaburg ku shqiptarët nuk gëzojnë as sigurinë më të vogël fizike, as juridike” - deklaroi Demaçi në fjalimin e tij para deputetëve të Parlamentit Evropian.
Pragmatizmi i Demaçit
Në vitet e pasçlirimit nga burgu të Demaçit, në Kosovë, edhe pse në dukje të parë krijohej përshtypja se mbretëronte qetësia, për çka dikush në Perëndim dhe në Beograd mendonte se shqiptarët tashmë ishin mundur përfundimisht apo se ata do të pranonin ndonjë status dytësor për Kosovën, rreziku i luftës nuk ishte tejkaluar.
I vetëdijshëm për limitet e rezistencës paqësore, Adem Demaçi çlirimin e Kosovës e kishte parë të mundur vetëm me luftë. Sa herë e përsëriste refrenin: “Lirinë nuk na e sjell askush në pjatë”.
Përplasjet e para të armatosura të shqiptarëve dhe autoriteteve policore serbe në gjysmën e parë të vitit 1996 konfirmuan pohimet e Adem Demaçit se mungesa e një zgjidhjeje politike do ta radikalizonte situatën në Kosovë.
Më në fund Demaçi, deri atëherë drejtues i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (1991-1996), në verë të vitit 1996, vendos të braktisë KMLDNJ-në dhe të përfshihet në politikë, në radhët e Partisë Parlamentare të Kosovës (PPK). Vazhdimisht deklaronte se hyrja në politikë kishte për qëllim të evitonte radikalizmin e politikës shqiptare në Kosovë, pasi ishte i bindur se në Kosovë vit pas viti po etablohej një shtresë njerëzish të pakënaqur me politikën e rezistencës paqësore dhe e cila kërkonte zgjidhje alternative, madje edhe me mjete ushtarake.
Vendimi i Demaçit për të hyrë në politikë përkon me aktivizimin e presidentit Sali Berisha lidhur me situatën e shqiptarëve jashtë Shqipërisë, ndërkohë që në horizont po shfaqej kriza e skemave piramidale brenda Shqipërisë. Brenda pak ditëve në dhjetor të vitit 1996 kryeqytetin shqiptar e kishin vizituar tri figurat më të larta shqiptare nga Kosova, Rugova, Demaçi dhe Bukoshi.
Në publikun shqiptar u krijua përshtypja se në Kosovë po ndodhte ndryshimi dhe dinamizmi i zhvillimeve politike, veçanërisht për shkak të qasjes së re të presidentit të atëhershëm shqiptar, Sali Berisha. Tirana zyrtare po radikalizonte diskursin e saj si asnjëherë më parë dhe po bënte thirrje për mbledhjen e Parlamentit të Kosovës.
Kjo qasje përforcohej akoma më shumë edhe nga deklaratat bukur të ashpra që lëshonte Qeveria shqiptare në Tiranë dhe ministri i saj i Jashtëm, Tritan Shehu, lidhur me zhvillimet në Kosovë. Në të njëjtën linjë edhe TVSH-ja kishte nisur një qasje më kritike ndaj Ibrahim Rugovës, ndërsa përmes protagonistëve oponentë bënte thirrje për një strategji më aktive në Kosovë.
“Duhet të bëjmë rezistencë aktive me mënyra që të bëjmë sa më shumë miq... të kemi sa më shumë mirëkuptim në botën e jashtme...t’i tregojmë botës se nuk jemi për dhunë, por edhe se nuk pajtohemi me robëri”- deklaronte Demaçi në një intervistë për TVSH-në në Tiranë, në dhjetor të vitit 1996. Këtë qasje të Berishës oponentët e shikonin si orvatje të tij për zhvendosje të krizës shqiptare drejt Kosovës. Sidoqoftë, qasjen e Berishës për ta zhvendosur krizën e Shqipërisë në Kosovë, Demaçi largpamës në një formë e pranoi.
Në të njëjtën kohë ai provonte t’i bindte edhe fuqitë ndërkombëtare që të ndërhynin për të penguar dhe shmangur përshkallëzimin e gjendjes në Kosovë. Madje edhe pas daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në nëntor të vitit 1997, Demaçi kërkoi nga UÇK-ja që të përmbahej nga aksionet e armatosura me qëllim që t’i jepej shansi politikës për të gjetur një zgjidhje paqësore.
Por, pas masivizimit të luftës së UÇK-së faktori ndërkombëtar ushtroi trysni mbi faktorin politik shqiptar që të fillonte negociata me palën serbe. Për këtë qëllim, në Prishtinë ishte formuar grupi negociues nën drejtimin e presidentit Rugova.
Ashtu siç pritej, Demaçi nuk pranoi të bëhej pjesë e atij grupi negociues, pasi besonte se tashmë nuk mund të negociohej pa praninë edhe të faktorit UÇK. Prandaj vetëm pak muaj më vonë, më 13 gusht të vitit 1998, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Adem Demaçin e emëroi përfaqësues të përgjithshëm politik të UÇK-së në Prishtinë.
Po ashtu, Demaçi mori edhe detyrën për të krijuar një Asamble Kombëtare, e cila parashihej të përbëhej jo vetëm nga deputetët e Kuvendit të Kosovës të zgjedhur në zgjedhjet e 22 marsit 1998, por edhe nga përfaqësues të partive të tjera shqiptare që kishin kundërshtuar zgjedhjet e 22 marsit 1998. Demaçi ishte ngarkuar të formonte edhe një qeveri të përkohshme, të përbërë nga i gjithë spektri politik shqiptar në Kosovë.
Shumë shpejt, Zyra e UÇK-së në Prishtinë u bë adresë e diplomatëve dhe e gazetarëve ndërkombëtarë. Për më tepër, me emërimin e Demaçit si krah politik i UÇK-së dhe me fillimin e ristrukturimit të brendshëm të UÇK-së, e bashkë me të edhe me ndërtimin e një qasjeje më fleksibile dhe më pragmatike, imazhi i UÇK-së u bë më i pranueshëm dhe më i njohur për diplomatët dhe qendrat ndërkombëtare të vendosjes.
Në të njëjtën kohë, u evidentua një qasje më pozitive edhe nga faktori i brendshëm politik dhe medial shqiptar.
Megjithatë, për shkak të zhvillimeve të brendshme, që ishin mjaft dinamike dhe për shkak të dallimeve të patejkalueshme, Demaçi nuk ia doli të unifikonte faktorin politik dhe ushtarak. Si rrjedhojë nuk u krijua as Asambleja dhe as qeveria e përkohshme.
Mosmarrëveshja për Rambouilletin
Ndërsa kthesa dramatike për Demaçin ndodhi në Shkup, në janar të vitit 1999, kur ai, pas një takimi me ministrin e Jashtëm britanik, Robin Cook, bëri të qartë se kundërshtonte dokumentin për marrëveshje kalimtare dhe pjesëmarrjen në Konferencën Ndërkombëtare e Rambouilletit.
Më 2 shkurt 1999, si përfaqësues politik i UÇK-së, Demaçi i sugjeroi edhe SHP të UÇK-së se “faza kalimtare mund të jetë edhe zgjidhje e përhershme”. Por, sugjerimin e Demaçit SHP i UÇK-së e injoroi. Përfaqësuesit e saj shkuan në Rambouillet, duke e vlerësuar si një shans të madh për të ardhmen e Kosovës.
Me kundërshtimin e tij ai synonte të rriste pikënisjen e negociatave për statusin e Kosovës, pasi druante se një pranim eventual i marrëveshjes nga pala serbe do ta vështirësonte rrugëtimin e Kosovës drejt pavarësisë.
Në një intervistë për gazetën gjermane “Frankfurter Rundschau”, Demaçi deklaronte se “regjimi serb kërkon që me fatin e të arratisurve të bëjë shantazh ndaj nesh. ...Këto vuajtje, kjo tragjedi është çmim që populli ynë është i gatshëm të paguajë për dinjitetin e vet”.
Në anën tjetër, sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, dhe përfaqësues të tjerë të Grupit të Kontaktit, me përjashtim të Rusisë, kishin identifikuar qartë strategjinë e ardhshme për Kosovën. Nëse shqiptarët nuk do të pranonin të nënshkruanin marrëveshjen e paqes, atëherë nuk do të ndodhnin sulmet ajrore kundër caqeve ushtarake të Jugosllavisë së mbetur dhe Perëndimi do të tërhiqte mbështetjen për kauzën e Kosovës.
Tani Demaçi, sikur, ndodhej kundër të gjithëve. Më në fund, më 2 mars 1999, Adem Demaçi bëri publike dorëheqjen si përfaqësues i përgjithshëm politik i UÇK-së dhe në konferencën e fundit me gazetarë, tha: “Do të isha njeriu më i lumtur sikur parashikimet e mia të dilnin të pasakta.”
Ky qëndrim i Demaçit shpërfaq urtësinë e tij politike dhe gatishmërinë për të pranuar se mbi fatin e tij personal qëndronte kauza e Kosovës.
Ndërkohë pala serbe u alarmua dhe reagoi me nervozizëm me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambouilletit nga përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës, Marrëveshje kjo e negociuar nga Grupi i Kontaktit, si dhe nga tre përfaqësuesit e SHBA-së, BE-së dhe Rusisë.
Sipas delegacionit kosovar, qëllimi i parë i kësaj marrëveshjeje ishte të pengohej përçarja e faktorit politik dhe ushtarak në Kosovë, si dhe krijimi i mundësisë për Perëndimin për ta ndëshkuar ushtarakisht regjimin e Milosheviqit. Ndërsa qëllimi i dytë ishte që përmes kësaj marrëveshjeje në proces të arrihej opsioni i pavarësisë.
Megjithëse asnjëherë nuk u rikthye në politikë, angazhimi i tij ishte gjithmonë një aksion politik në favor të kauzës së Kosovës, së cilës ia dedikoi të gjitha energjitë dhe sakrificat. Deri në fund të jetës së tij ai rrugëtoi pa pyetur asnjëherë për pasojat. Ai gjithmonë diti të ruante drejtpeshimin dhe ishte i bindur se perspektiva e përbashkët ndihmon në kapërcimin e së kaluarës.
Adem Demaçi mbetet një njeri i jashtëzakonshëm, një kryengritës i pathyeshëm dhe një stuhi pambarim, një vullkan i pashuar, i cili, me energjinë e tij të jashtëzakonshme, për më shumë se gjysmë shekulli u dha shpresë dhe vrull lëvizjes shtetformuese dhe rrugëtimit tonë drejt lirisë. Demaçi, ky burrë i Kosovës, kjo ikonë kombëtare, gjithmonë do të mbetet fytyra e lirisë kosovare.