OpEd

Deklarimi i pasurisë - një hap drejt integritetit institucional

Muaji mars sjell ndryshimin e stinëve, por për zyrtarët publikë, si çdo vit tjetër, risjell detyrimin për deklarimin e pasurisë. Ky mekanizëm që në Kosovë u prezantua në vitin 2010, ishte një hap më se i domosdoshëm për luftën kundër korrupsionit, për ta parandaluar këtë fenomen si dhe mundësi për ndërtimin e besimit në institucionet tona publike.

Ligji për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe Dhuratat obligon zyrtarët publikë të raportojnë pasuritë e tyre, duke përfshirë të ardhurat, pronat dhe asetet e tjera me vlerë. Krahasuar me kornizën e mëparshme ligjore, gjatë dy vjetëve të fundit numri i zyrtarëve të obliguar për deklarim është rritur në rreth 12,000, duke përfshirë edhe kategori të reja që më parë nuk ishin pjesë e këtij procesi. Përveç zyrtarëve të lartë që tashmë ishin të përfshirë, si një ndryshim pozitiv, tani deklarimin e pasurisë e bëjnë edhe mjekët dhe profesorët e universiteteve publike, zyrtarët policorë e doganorë e shumë zyrtarë të tjerë. Zyrtarët duhet të raportojnë në disa raste, me marrjen e funksionit, deklarimin e rregullt vjetor si dhe në momentin që përfundojnë mandatin apo edhe shkarkohen. Të gjitha këto deklarime duhen bërë në mënyrë elektronike, si mundësia e vetme.

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (tutje: Agjencia) është përgjegjëse për menaxhimin e këtij procesi, kontrollin/verifikimin por edhe përcakton dhe përditëson rregullisht listën e pozitave të cilave u kërkohet deklarimi i pasurisë duke u siguruar që lista të jetë publike dhe e qasshme dhe bartësit e pozitave të njoftohen lidhur me këtë detyrim. Sa i përket efektivitetit të Agjencisë në ushtrimin e këtij obligimi, raporti i SIGMA/OECD për vitin 2024, ka vlerësuar që Agjencia, bazuar në mandatin e saj në mënyrë efektive menaxhon sistemin për deklarimin e pasurisë.

Megjithatë, pavarësisht progresit dhe arritjeve të deritanishme, sfidat mbesin evidente sa i përket verifikimit të pasurisë. Duke filluar nga mungesa e ndërlidhjes me sistemet e tjera qeveritare, siç është për shembull sistemi kadastral i Kosovës e kjo për shkak që të dhënat në këtë sistem mbeten të pa përditësuara nga subjektet. Kjo gjë e vështirëson verifikimin e pronave të deklaruara. Pos kësaj, ndërlidhje duhet bërë edhe me sisteme siç janë ai i thesarit, regjistrimit të bizneseve.

Në anën tjetër, verifikimi i pronave jashtë vendit si dhe i kriptovalutave mbetet një sfidë tjetër në këtë aspekt. Të gjitha këto kërkojnë një infrastrukturë më të avancuar dhe bashkëpunim më të ngushtë, jo vetëm ndërinstitucional, por edhe ndërkombëtar, për të siguruar një kontroll të plotë.

Sa i përket kontrollit, Agjencia autorizohet nga ligji që të bëjë kontrollin e plotë të deklarimeve duke bërë edhe verifikimin e origjinës. Sidoqoftë, sipas ligjit, kontrollit të plotë mund të i nënshtrohen jo më shumë se 500 zyrtarë në vit, e që përzgjedhja bëhet përmes shortit. Kjo mund edhe të vërë në dyshim efektivitetin e këtij mekanizmi të kontrollit për të identifikuar raste të deklarimit të rremë ose pasurisë së pajustifikuar.

Por në anën tjetër, prapë sipas ligjit, Agjencia mund të bëjë kontroll të plotë ex-officio në rast të dyshimit. Në të njëjtën kohë, në vitin 2024, Agjencia ka lansuar edhe sistemin e raportimit online ku mund të raportohet edhe lidhur me deklarimin e pasurisë së një zyrtari. Sa u përket masave ndëshkimore, me masat ndëshkimore, në vitin 2024, Agjencia ka shqiptuar 98 gjoba për subjektet deklaruese.

Mirëpo pavarësisht kësaj, mbetet e domosdoshme që ky proces të shoqërohet me një mbikëqyrje më të fortë për të minimizuar çdo rrezik të mundshëm. Përveç përmirësimit të infrastrukturës teknologjike, bashkëpunimit institucional dhe ndërkombëtar, kyçe mbeten edhe organet e drejtësisë. Të njëjtat duhet të forcojnë kapacitetet dhe fuqizojnë rolin e tyre për të hetuar rastet dhe ngritjen e aktakuzave për kallëzimet penale të Agjencisë por edhe për t’i ndëshkuar të njëjtat bazuar në Kodin Penal.

(Ky shkrim synon të rrisë informimin e qytetarëve/eve me rolin, rëndësinë dhe punën e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit. Ky shkrim është pjesë e aktiviteteve të projektit „ACT NOW“, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga GLPS. Përmbajtja e saj është përgjegjësi e vetme e GLPS-së dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian)