OpEd

Deja vu

Në fund të këtij viti është shumë më e zorshme të ngrihet një dolli e rëndomtë e shoqëruar me dëshirat më të mira e të sinqerta për mirëqenie dhe prosperitet shoqëror. Urimet e tilla, sado qëllimmira, nuk janë veçse një mashtrim festiv, sikur ai me Babadimrin që sjell dhurata natën e Vitit të Ri duke hyrë në shtëpi përmes oxhakut.

I.

2017-a nuk doli siç shpresonim dhe uronim një vit më parë.

Nuk pati zgjidhje të problemeve kryesore të vendit, qytetarët mbetën të izoluar, ekonomia vazhdoi të stagnojë. Nuk pati përmirësime as në arsim, shëndetësi e shërbime publike, ndërsa fundi i vitit na gjen sërish me fatin e pasqaruar të të pagjeturve, me mungesë të energjisë elektrike dhe barnave nga lista esenciale, 18 vjet pas fundit të luftës.

Kosovarët vazhduan të ëndërrojnë largimin nga vendlindja si rrugëdalje e vetme nga situata që çdo herë e më shumë duket e pashpresë, derisa politikanët vazhduan me vetëlavdërime dhe fushata elektorale, të cilat për shumicën synim të vetmin e kanë ruajtjen e pozicioneve të pushtetit dhe privilegjeve materiale në një shoqëri ku edhe të punësuarit nga shtresa e mesme mezi arrijnë të mbajnë familjet.

Bllokimi politiko-ekonomik e shtoi zhgënjimin qytetar, ndërsa shpresa e imët se zgjedhjet do të mundë të ndryshojnë bile pak mënyrën e qeverisjes shpejt u zhbë – Qeveria që rezultoi nga vota e 11 qershorit e ngriti në një nivel edhe më të lartë shpërfilljen e qytetarëve dhe përqendrimin në përfitime personale.

Tani, kur viti 2017 numëron ditët e fundit, Qeveria ka arritur numër rekord ministrash e zëvendësministrash, ndërsa secili prej tyre ka arritur edhe rekordin e pagës për pozitën që mban. Ndërsa kryeministri, i cili e nisi vitin në arrest dhe me kërcënimin e ekstradimit në Serbi, e përmbyll atë jo vetëm në krye të kabinetit më të madh, por edhe me pagën më të lartë në rajon.

Edhe udhëheqësit e tjerë të institucioneve kanë shprehur të njëjtën uri për ndërtimin e kultit personal dhe statusit politik, derisa institucionet që udhëheqin – prej atyre politike e kombëtare e deri te ato të pavarura e lokale – janë shndërruar në qarqe lokalistësh e të punësuarish familjarë dhe partiakë.

Të pushtetshmit e vitit 2017 nuk e durojnë kritikën publike, e aq më pak kundërshtimin. Në debatet publike përveç fyerjeve dhe etiketimeve nga më të ndryshmet, tashmë po përdoret edhe dhuna e grushteve.

Sigurisht kishte dhe të arritura për t’u krenuar, por ato ishin kryesisht falë talenteve të individëve më së shumti në arte dhe sporte, dhe rëndom janë lënë në hijen e të bëmave të politikës.

Qytetarët, natyrisht, u aktivizuan për të detyruar ndryshimin demokratik me zgjedhje, por rezultati, me gjithë shpresat, prodhoi institucione edhe më jollogaridhënëse, dhe situatë më të rëndë se më parë.

Gjatë vitit qytetarët u kërcënuan me kriza të sajuara dhe përplasje me përkrahësit perëndimorë, prej demarkacionit tashmë famëkeq dhe transformimit të Forcave të Sigurisë në ushtri, e deri te përpjekja tash për tash e dështuar për të shfuqizuar Gjykatën Speciale para se të ngrihen aktakuzat e para.

Në prapavijën e përleshjeve politike vendi po jeton me sisteme të rrënuara institucionale, prej të cilave problemi më i madh është ai me sistemin e drejtësisë, i cili jo vetëm që nuk po arrin të garantojë sundimin e ligjit, por edhe vetë po del të jetë i zhytur në krim e korrupsion.

Në një botë që e tëra edhe vetë është në rrëmujë, kaosi kosovar, të cilin duket qartë se politikanët e kanë planifikuar deri në detaje, përveçse e redukton synimin e secilit kosovar të rëndomtë në minimumin e mbijetesës, ngre edhe tensionin e brendshëm deri në masën që edhe një debat periferik në rrjete sociale ka kapacitetin të shndërrohet në luftë publike mes klanesh, partish, rajonesh e mëhallësh.

II.

2018-a nuk duket se do të jetë shumë më ndryshe. As më e mirë. Përkundrazi.

Duket qartë se viti i ri do të nisë ashtu si nisi edhe ky që po merr fund: me një Qeveri jopopullore, me paralajmërime për kriza politike, izolim për qytetarët, pa shpresë për rimëkëmbje ekonomike, me nivel të njëjtë të papunësisë dhe varfërisë.

Por treguesit janë se në të ardhmen e afërt gjërat do të mundë të përkeqësohen edhe më shumë. Keqqeverisja duket se do të ngrihet në nivel edhe më të lartë, atë të shpërfilljes së plotë dhe të hapur të ligjeve dhe mandateve, derisa edhe konteksti që na rrethon po bëhet gjithnjë e më negativ: SHBA-ja e dobësuar me kapacitete të reduktuara dhe një BE edhe vetë e radikalizuar dhe çdoherë e më pak e ndjeshme për problemet kosovare, përveçse nuk e kanë atë fuqinë që kishin më 1999 dhe 2008, sot janë edhe të irrituara nga shtimi i politikave dhe i vendimeve kosovare që kërkojnë konfrontim me Perëndimin.

Thënë më ndryshe, lodhja dhe zhgënjimi që qytetarët kosovarë ndiejnë për institucionet e tyre vetëm mund të jenë më të mëdha te vendimmarrësit në Uashington, Berlin e Londër, derisa Brukseli edhe ashtu gjithnjë ka kërkuar një mes neutral në të cilin mungesa e përkushtimit kosovar ofron argumente edhe më të mëdha për mospërfshirje domethënëse evropiane.

Fatkeqësisht, e gjithë kjo na jep përgjigje negative në pyetjet nëse viti do të na sjellë përparim në proceset evropiane, prej lëvizjes së lirë në Schengen e deri tek afrimi politiko-ekonomik me BE-në.

Me kaq nuk mbaron. Gjërat mund të komplikohen edhe më shumë nga procesi i dialogut, në të cilin Kosova ka kohë që më shumë ka rolin e patericës për aspiratat e Serbisë për anëtarësim në BE, sesa të një shteti që kërkon të gjejë zgjidhje për çështjet e hapura me një fqinj të pozicionuar armiqësisht. Për më tepër, vendi ka gjasa të vazhdojë edhe kursin e distancimit edhe nga fqinjë të tjerë, miqësorë, duke mos zgjidhur problemet si demarkacioni me Malin e Zi, apo duke vazhduar politikën e lojërave të dyfishta, sikur që ndodhi me Maqedoninë pas aktgjykimit për rastin e Kumanovës.

Të gjitha këto do të jenë pengesa shtesë të prodhuara nga qasja e Qeverisë dhe e politikës sonë. Këto do të mundë të përkeqësohen edhe më shumë, nëse, siç është krejt e mundur, vazhdon rënia e demokracive perëndimore dhe ngritja e autokratëve botërorë që Ballkanin e kanë brenda sferës së interesit, siç janë krerët në Moskë dhe Ankara.

III.

Kjo edhe është arsyeja pse në fund të këtij viti është shumë më e zorshme të ngrihet një dolli e rëndomtë e shoqëruar me dëshirat më të mira e të sinqerta për mirëqenie dhe prosperitet shoqëror. Urimet e tilla, sado qëllimmira, nuk janë veçse një mashtrim festiv, sikur ai me Babadimrin që sjell dhurata natën e Vitit të Ri duke hyrë në shtëpi përmes oxhakut.

Ka ardhur koha që festa të jetë moment reflektimi për atë që mund të bëjmë, jo për atë që shpresojmë të na ndodhë. Koha që fillimi i një viti të merret si mundësi për të ndërruar veten, jo si moment për të rinisur të njëjtin cikël jete edhe një herë.

Ndryshe, na pret edhe një festë tjetër si kjo, në fund të vitit 2018. Dhe një tjetër më pas, në fund të vitit 2019. Dhe një tjetër e njëjtë më 2020... me të njëjtat reflektime e evidenca, me të njëjtat arsyetime e ankesa, me të njëjtat urime e shpresa, për një vit më të mirë, që dikush disi do të na e sjellë, natën e Vitit të Ri, si Babadimër, përmes oxhakut të shtëpisë.

IV.

Megjithatë, jo gjithçka që mbetet njëjtë është keq.

Secili prej nesh, në jetët tona, kemi gjëra që i duam ashtu siç janë, dhe uroj që ato të mbesin të tilla.

Që urrejtja politike të mos na depërtojë në shtëpi.

Që të mos na braktisë ndjenja e parehatisë dhe trishtimit kur dëgjojmë lajme të këqija.

Që zemrat të mos na ftohen sa të kthejmë kokën larg vuajtjeve të të tjerëve.

Që suksesin të duam ta ndajmë me tjetrin, dhe të mos ligështohemi para dështimit.

E si gazetar, dhe kryeredaktor i kësaj gazete, kam vetëm një premtim për vitin 2018: Puna jonë do të mbetet e njëjtë. Të vërtetën do ta kërkojmë dhe do ta gjejmë me çdo kusht. Dhe, duke marrë frymëzim nga lexuesit tanë, kurrë nuk do të frikësohemi ta shikojmë të vërtetën në sy, dhe t’ia tregojmë botës, sado e pakëndshme të ketë qenë ajo.