Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit është jetike që mediat të orientohen nga politikat publike, analizimi i programeve, llogaridhënia dhe faktet, e jo të shndërrohen në një arenë sharjesh mes analistëve që nuk sjell më shumë sesa klikime
Viteve të fundit hapësira kryesore në televizionet kosovare u jepet debateve politike. Në kohën me shikueshmërinë më të lartë, në së paku gjashtë televizione, për gati dy orë, diskutues kryesisht burra, fusin në përdorim tërë arsenalin e fjalëve më banale duke fyer bashkëbiseduesit apo ata që nuk mendojnë njëjtë. Sa më shumë që bërtasin, sa më shumë që fyejnë, aq më viral bëhen.
Është bërë rregull që debatuesit të shahen me nënë, t’i drejtohen njëri-tjetrit me sharlatan e idiot, si agjent të huaj, t’u tregojnë shikuesve se cilit nga pjesëmarrësit në studio po i vjen era ndër sqetulla, apo edhe të përleshen fizikisht.
Pas refuzimeve të vazhdueshme për të marrë pjesë në këso debatesh televizive, një nga moderatorët i cili më takoi në rrugë u arsyetua se ky format i debateve tashmë është bërë standard gjithandej. Madje, sipas tij, për këtë lloj debatesh është shpikur edhe termi “infotainment”, një përzierje mes informimit dhe argëtimit. Më shumë argëtim sesa informim. Argëtim i cili jo rrallëherë kalon në degradim, në sulmet më të ulëta.
Sa më banal që jeni, sa më fyes që shfaqeni, aq më të shumta ftesat për të marrë pjesë në studio televizive. Pas fyerjeve ndaj diasporës nga njëri prej drejtuesve të një media-portali që kulmoi me sulm fizik ndaj tij, prezenca e tij në debate televizive u rrit dukshëm. Një ish-deputet i Parlamentit të Kosovës është pjesëmarrës konstant në debatet televizive, më së shumti në televizionin publik, jo për shkak të aftësisë së tij analitike, por për shkak të fjalorit të pasur banal. Paraqitjet e tij televizive u shtuan edhe më shumë kur ai u përlesh fizikisht gjatë një debati televiziv.
Para se të arrestohej nga Gjykata Speciale në Hagë, Nasim Haradinaj nga Shoqata e Veteranëve të Luftës ishte thuajse çdo natë pjesë e debateve televizive, e zakonisht diskutimi i tij shndërrohej me bërtima, fyerje e deri edhe tek thyerja e tryezave në studiot televizive.
Kësisoj, debatet politike janë shndërruar në programe humoristike. Por, pasojat e këtij formati të debateve do të vërehen edhe në politikë dhe në jetën publike në përgjithësi. Në kohën kur vendi po kalon në një ndër krizat më të mëdha të shëndetit publik, fokusi kryesor i televizioneve është në konfliktet partiake dhe fyerjet mes politikanëve dhe “analistëve”. Sipas një raporti monitorues të Sbunker, gjatë 2020-s në emisionin “Debat” të televizionin publik janë transmetuar vetëm pesë debate rreth COVID-19, asnjë debat rreth shoqërisë dhe kulturës, shëndetit mendor, të drejtave të njeriut, dhunës ndaj grave apo tema të tjera me interes publik. Nga kjo analizë del se nga 115 debate të organizuara, 382 burra kanë qenë pjesëmarrës ndërkohë qe vetëm 22 gra e që është tregues i një pabarazie të madhe gjinore e dominimi mashkullor në një institucion publik.
Në këtë format të debateve politike e vërteta nuk ka fare rëndësi. Programet politike, diskutimet konkrete për politikat publike, faktet, statistikat, nuk janë argëtuese. Vetëm fyerjet, sulmet fizike, bulizmi, rrisin shikueshmërinë. Mjafton të vizitoni faqet zyrtare në Facebook të televizioneve apo portalet e mediave dhe të kuptoni se çfarë vlerësojnë mediat gjatë debateve: “shpërthejnë ofendimet mes analistëve”, “çka po folë pa lidhje”, “nxehet debati në studio”.
Duke parë këtë, edhe partitë politike dhe politikanët kanë filluar t’i përshtaten kësaj forme të debatit. Tashmë partitë nuk i delegojnë në debate televizive ekspertët më të mirë të tyre, por ata anëtarë të partisë të cilët janë të aftë të shtyhen me fjalorin banalizues që mbizotëron në këto debate. Nuk është e rëndësishme që një parti apo politikan të paraqitet me program apo fakte, por sa është i aftë t’i sulmojë e anatemojë kundërshtarët politikë dhe bashkëbiseduesit. Nëse partitë nuk kanë në radhët e tyre kësi “debutues” të zjarrtë, atëherë ata i rekrutojnë nga pellgu i analistëve kur të hapet dritarja e transferimeve në prag të fushatës zgjedhore.
Shikueshmëria e debateve të tilla televizive është rritur, por informimi ka rënë. Ngase në epokën e “fakteve alternative” informimi i drejtë nuk është me rëndësi, argëtimi, shikueshmëria, klikimet dhe tifozllëku janë më të rëndësishme. Shikuesit e këtyre debateve nuk janë më të informuar, por më të hutuar dhe më sipërfaqësorë. Pak media dhe emisione televizive ende i përkushtohen gazetarisë hulumtuese. Kjo, ngase, siç e ka thënë edhe C.P. Scott, ish-redaktori i “The Guardian”, “faktet janë të kushtueshme, kurse opinionet janë falas”.
Sipas Bill Kovach dhe Tom Rosenstiel, autorë të librit “Blur – How to Know What’s True in the Age of Information Overload”, intervistat dhe debatet e drejtpërdrejta më shumë janë rituale ceremoniale sesa shpalosje e informacionit dhe llogaridhënies.
Tani në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare, më shumë se argëtimi, është i rëndësishëm informimi i drejtë i qytetarëve. Në kohë të pandemisë, papunësisë së lartë, varfërisë, izolimit, kërcënimeve të jashtme, është jetike që debati publik të orientohet nga zgjidhjet konkrete, në llogaridhënien dhe faktet. Në vend se të ftohen analistë të cilët japin vetëm opinione në të gjitha fushat, të organizohen debate të specializuara me ekspertë të fushave, kurse argëtimi dhe humori t’u lihen artistëve dhe humoristëve.