Nga viti 2016 procesi integrues i Kosovës është në moratorium. Mungesa e faktorit tërheqës, siç është rrugëtimi evropian, ka shkaktuar proliferim të polarizimeve politike, mungesë të vullnetit politik për reformat, degradim të institucioneve publike dhe ngadalësim të përgjithshëm të vendit tonë. Dorëzimi i kërkesës për anëtarësim në BE dhe marrja e statusit të vendit kandidat janë mundësi tonat për çlirim nga ky rreth vicioz dhe dalje nga moratoriumi evropian
Procesi integrues i Serbisë është rast kurioz. Prej marrjes së statusit të vendit kandidat në vitin 2012 e deri më sot cilësia e demokracisë dhe e sundimit të ligjit në Serbi ka njohur vetëm rënie. Pra, sipas “Freedom House”, “Transparency International” dhe “World Justice Project”, demokracia dhe sundimi i ligjit në Serbi janë më keq sot se para dhjetë vjetësh. Në fakt, edhe sipas BE-së, sundimi i ligjit në Serbi ka ngecur. Në vitin 2018, kur BE-ja filloi me aplikimin e metodologjisë së re të vlerësimit, ajo vlerësoi se Serbia ka “nivel të kufizuar të përgatitjes për anëtarësim në BE” brenda kapitujve të sundimit të ligjit, respektivisht kapitulli 23 dhe 24. Sot katër vjet më vonë Serbia është ende në po të njëjtin nivel. Por e gjithë kjo nuk e ka ndalur Serbinë që prej vitit 2012 të fitojë statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat e anëtarësimit në plot 22 kapitujt negociatorë nga gjithsej 35. Pra, Serbia ka avancuar në procesin integrues përkundër ngecjeve dhe regresit të vazhdueshëm në kuadër të atyre që BE-ja i quan themelet e procesit të zgjerimit. Pra, thënë ndryshe, procesi integrues i Serbisë është i dizajnuar në atë formë që të shpërblejë ngecjet dhe regresin.
Në anën tjetër, Kosova në këta dhjetë vjet të fundit ka qenë krejt e kundërta e Serbisë. Sot demokracia dhe sundimi i ligjit në Kosovë janë më mirë se kurdo në dhjetë vjetët e kaluar. Këtë e konfirmuan të gjitha raportet ndërkombëtare të këtij viti. Por, përkundër këtij progresi, procesi integrues i Kosovës nuk ka avancuar. Brenda këtyre dhjetë vjetëve të fundit Kosova ka fituar vetëm Marrëveshjen e Stabilizim- Asocimit dhe ende nuk ka arritur të avancojë drejt marrjes së statusit të vendit kandidat. Sa për krahasim, Maqedonia e Veriut ka fituar statusin e vendit kandidat para 17 vjetësh, Mali i Zi para 12 vjetësh, Serbia para 10 vjetësh dhe Shqipëria para 8 vjetësh. Bosnja pritet ta fitojë statusin e vendit kandidat këtë javë dhe kësisoj Kosova mbetet edhe zyrtarisht vendi i fundit në procesin e zgjerimit.
Ky hendek në mes nesh dhe vendeve të rajonit ka gjasa që të adresohet nëse dorëzimi i kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian pranohet nga ana e BE-së. Por kjo është një “nëse” e madhe. Pranimi i kërkesës së Kosovës do të ballafaqohet me së paku dy pengesa: ligjore dhe politike.
Në kuptimin ligjor, baza ligjore për aplikim për anëtarësim në BE është neni 49 i Traktatit të BE-së. Kjo bazë ligjore thotë se “çdo shtet” mund të aplikojë për anëtarësim në BE. Pra, pengesa e parë ligjore e Kosovës për të fituar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE është mosnjohja e të qenit “shtet” nga pesë vendet mosnjohëse të BE-së. Sidoqoftë, këtë pengesë nuk e shoh të paevitueshme. BE-ja është projekt më unikal në botë i akomodimit të qëndrimeve të kundërta të vendeve sovrane dhe kampion olimpik në kategorinë e akrobacioneve ligjore. Këtë e pamë në vitin 2012. Që nga shpallja e pavarësisë Kosova ka kërkuar nisjen e negociatave për MSA-në dhe çdo vit e njëjta përgjigje kokëfortë vinte nga kancelaritë evropiane: Nuk mund të kemi MSA me Kosovën pasi që Kosova nuk njihet nga pesë vendet e BE-së. Sidoqoftë, e gjithë kjo ndryshoi brenda nate në vitin 2011/2012, pasi që Kosova bëri progres të ndjeshëm në kuadër të dialogut me arritjen e marrëveshjeve të para të rëndësishme politike, siç ishin marrëveshja për letërnjoftime, IBM dhe përfaqësim dhe bashkëpunim rajonal. Ky progres në kuadër të dialogut i hapi rrugë Kosovës për lidhjen e MSA-së dhe dëshmoi se kur ka vullnet politik BE-ja do të gjejë zgjidhje inovative ligjore për të akomoduar mosnjohjen nga pesë vendet e BE-së. Dhe kjo më sjell tek pengesa e dytë. Çdo deklaratë e çdo lideri evropian dhe çdo dokument i BE-së lidhur me Kosovën përmbajnë atë fjalinë biblike se progresi i Kosovës në dialog është kyç për avancimin e rrugës tonë evropiane. Dhe kjo nuk është vetëm fakt politik, por është edhe fakt ligjor. Neni 5 i MSA-së është nen më “represiv” i MSA-së apo nen “bërthamor” i cili lejon BE-së që të pezullojë gjithë MSA-së apo pjesët e saj në rast të mungesës së konstruktivitetit të Kosovës në kuadër të dialogut. Dhe në këtë drejtim është tërësisht e pritshme se kërkesa e Kosovës për anëtarësim në BE do të kushtëzohet me avancim në kuadër të dialogut. Një ndërlidhje të tillë ne tashmë kemi parë edhe në kuadër të liberalizimit të vizave. Të njëjtën tani duhet pritur edhe në kuadër të ecurisë tonë drejt marrjes së statusit të vendit kandidat.
***
Procesi integrues i Kosovës kishte arritur zenitin e tij në vitin 2016 dhe prej asaj kohe ka qenë efektivisht në moratorium. Pas hyrjes në fuqi të MSA-së dhe rekomandimit të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave në vitin 2016, Kosova nuk ka lëvizur fare në rrugën e saj integruese deri më sot. Pra, këta gjashtë vjet kanë qenë vitet e moratoriumit evropian. Dhe kjo gjendje nuk ka qenë fare e shëndetshme për shoqërinë tonë. Mungesa e faktorit tërheqës siç është rrugëtimi evropian ka shkaktuar proliferim të polarizimeve politike, mungesën e vullnetit politik për reformat evropiane, degradim të institucioneve publike dhe ngadalësim të përgjithshëm të vendit tonë. Në këtë sens, aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE dhe marrjen e statusit të vendit kandidat ka potencialin e çlirimit nga ky rreth vicioz dhe dhënien fund të moratoriumit evropian. Kosova meriton statusin e vendit kandidat dhe bazuar në çfarëdo gjykimi objektiv ne i përmbushim kriteret kyç për marrjen e statusit të vendit kandidat. Dhënia e statusit të vendit kandidat do ta vendoste Kosovën në kategorinë e njëjtë politike sikur të gjitha vendet e rajonit dhe do të shërbente si udhërrëfyes dhe incentivë për ndërmarrjen e reformave të rëndësishme evropiane.
Sidoqoftë, në fund fare pikëpyetja kryesore mbetet se a e ndajnë këtë mendim edhe 27 vendet anëtare të BE-së, dhe në çfarë mase dialogu do të jetë pjesë kyç e procesit të tyre vendimmarrës. Kjo do të përcaktojë nëse aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE do të jetë sukses apo dështim. Sidoqoftë, duke shikuar përpara është e dobishme t’i vendosim vetes një kornizë të pritjeve lidhur me fatin e aplikimit tonë për statusin e vendit kandidat. Këtë kornizë të pritjeve mund ta formësojmë duke shikuar përvojën e vendeve fqinje. E para, nuk duhet pritur asgjë në një afat të shkurtër kohor. Edhe nëse do të ekzistojë vullneti politik, shqyrtimi i kërkesës së Kosovës do të marrë kohë dhe do të kalojë nëpër një zinxhir kompleks vendimmarrës brenda institucioneve të BE-së. Gjithë këtë zinxhir vendimmarrës duhet ta vendosë në lëvizje Këshilli i BE-së, i cili duhet fillimisht të pranojë kërkesën dhe të mandatojë Komisionin Evropian me verifikimin e plotësimit të kritereve të nevojshme nga ana e Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat. Kjo do ta obligojë Komisionin Evropian t’ia dorëzojë Kosovës pyetësorin për marrjen e statusit të vendit kandidat. Kosovës do t’i duhet kohë të përgjigjet në pyetësor, pasi që ai do të jetë një dokument jashtëzakonisht kompleks teknik. Numri i pyetjeve ka qenë i ndryshëm për vende të ndryshme: Kroacia ka pasur 4560 pyetje, Maqedonia e Veriut 4666, Mali i Zi 2178, Serbia 2486, Bosnja 3897 dhe Gjeorgjia afro 2600. Këto pyetje do të mbulojnë virtualisht çdo gjë në Kosovë: nga mënyra se si organizohen zgjedhjet e deri tek inspektimi i tregjeve të peshkut. Përveç pyetjeve do të realizohen misione të ekspertëve të cilët do të bëjnë “inspektimin” në terren të gjendjes reale. Dhe në fund të gjithë këtij procesi Komisioni Evropian do të formulojë vlerësimin e tij se në çfarë mase Kosova i përmbush kriteret e nevojshme për marrjen e statusit të vendit kandidat. Kjo do të jetë bazë për marrjen e vendimit politik nga Këshilli Evropian. Sa merr kohë e gjithë kjo? Varet. Në skenarin pesimist Bosnjës i janë dashur shtatë vjet të fitojë statusin e vendit kandidat. Në skenarin optimist Serbisë, Malit Zi dhe Maqedonisë së Veriut nga dy vjet. Se cilin fat do ta ndajë kërkesa jonë për statusin e vendit kandidat nuk e dimë, por e dimë një gjë: ajo do të jetë e ndërlidhur me dialogun me Serbinë. Prandaj është mirë të fillojmë të përgatitemi qysh tani.