Lajmi se në Leposaviq, në veri të Kosovës, në një koncert të organizuar nga pushteti komunal, ka kënduar një rock-grup nga Serbia, do të duhej të ishte prej atyre lajmeve irelevante që mund edhe të mos publikohen – tek e fundit, nuk është Leposaviqi ndonjë vend i njohur për rock-spektakle, e Beogradi ka vite, dekada madje, që nuk është vend prej nga mund të vijë diç e re (dhe e mirë) kur flitet për rock.
Por, ja që lajmi nuk është thjesht për një rock-koncert në një qytezë periferike me mysafirë periferikë nga shteti fqinj, që vijnë të këndojnë rock&roll dhe të kalojnë çaste të bukura me publik të etshëm për muzikë.
Nuk është lajm i tillë, për shumë arsye.
I
Grupi që doli në skenën e Leposaviqit mbrëmë është “Riblja Çorba” (“Çorba e Peshkut”), të cilin e udhëheq këngëtari dhe tekstshkruesi Bora Gjorgjeviq, ndryshe një urrejtës i hapur i popujve joserbë të rajonit (shqiptarëve, boshnjakëve, kroatëve), racist i deklaruar, çetnik i vetëpromovuar (dhe i shpallur nga Kisha zyrtarisht si vojvodë çetnike), autor i këngëve që promovojnë dhunën nacionaliste serbe ndaj të tjerëve. Veç kësaj, Gjorgjeviqi është edhe një personalitet publik në Serbi prej atyre që në vazhdimësi kanë përkrahur edhe regjimin kriminal të Milosheviqit, edhe luftërat e serbëve dhe Serbisë, prej Sllovenisë e Kroacisë deri te Bosnja dhe Kosova. Është prej atyre që artin e kanë zhytur në llumin e shovinizmit serb, i dalluar në veçanti për urrejtjen e shtetit të Kosovës dhe shqiptarëve.
II
Krahasuar me Goran Bregoviqin - për të cilin u çua aq shumë pluhur ndër shqiptarë në rrjetet sociale - Bora Gjorgjeviqi është me qindra e mija herë më nacionalist e urrejtës. Te Bregoviqi (i cili, para së gjithash, është një kalkulant, që në muzikë ka arritur sukses falë aftësisë së plagjiaturës, dhe sensit të përshtatjes në çdo regjim) gjen 2-3 deklarime urrejtëse dhe aty-këtu ndonjë këngë që ka mundur të shërbejë si motivacion apo “inspirim” për njësitë e kriminelëve të Arkanit, Frenkit, Shkorpionëve, policisë, ushtrisë e paramilitarëve serbë. Te Gjorgjeviqi dhe Çorba e tij (të cilët prej fillimit në këngë kanë promovuar idetë dhe ikonografinë çetnike dhe kanë ndërtuar modelin e rock-rollit me opinga, raki kumbulle e duhmë hudhre) gjenden me qindra deklarime direkte antishqiptare, me dhjetëra këngë që nxisin urrejtjen dhe dhunën ndaj shqiptarëve, promovim të serbizmit si fuqi për të shtypur e nënshtruar të tjerët, glorifikim të kriminelëve serbë të luftës të së tashmes dhe të së kaluarës.
III
Këta e kanë përdhosur idenë e rock muzikës si art dhe platformë që kalon kufijtë nacionalë, etnikë, racorë e gjeografikë, duke i keqpërdorur rifat e kitarave dhe goditjet e daulleve për të lartësuar serbizmin “hyjnor” në atë që është vërtet një farsë shoviniste e cila zgjat prej dekadash.
Për ne që mbajmë në mend mirë vitet e urrejtjes, dhunës dhe krimit (1981-1999), Bora Gjorgjeviqi dhe Çorba e tij janë soundtracku, janë kolona zanore e së keqes që e ka pllakosur gjithë rajonin në katër dekadat e fundit, e posaçërisht të asaj së keqes më të ligë të imagjinueshme që në realitetin tonë të viteve ’90-të u manifestua me vrasjen e dhjetëra mijëra fëmijëve e grave shqiptare, me masakra të qindra familjeve, lagjeve, fshatrave e qyteteve plot me civilë të pafajshëm, dhunimin e mijëra grave, dëbimin e gjysmës së popullatës së Kosovës, e shumë akte të tjera çnjerëzore, që janë të zorshme të kujtohen e përshkruhen.
* * *
Ky, pra, erdhi këndoi në Leposaviq. Leposaviqi, që në letër është pjesë e Kosovës. Këndoi për serbët e Leposaviqit. Serbët e Leposaviqit, që në letër janë qytetarë të Kosovës. Serbët me të cilët duhet të bashkëjetojmë, dhe të cilët duhet të bashkëjetojnë me ne në Republikën e Kosovës.
Ky, me referencat përbuzëse ndaj shqiptarëve, me këngët nxitëse kundër Kosovës shtet, kundër NATO-s dhe Amerikës, kundër Evropës e në përkrahje të Rusisë dhe ortodoksisë – në Leposaviq vjen për të çimentuar ndarjen e veriut të Kosovës, ashtu siç duan ta çimentojnë edhe agjentët e Vuçiqit me vendosjen e gurthemelit të Universitetit të ri Serb në Mitrovicën Veriore, dhe ata që me kërcënime e frikë dekurajojnë aktivizmin e secilit serb në Kosovë që nuk mendon si Vuçiqi… dhe që nuk këndon si Çorba e Gjorgjeviqit.
Thënë ndryshe: Kjo çorbë e yndyrshme shoviniste në Leposaviq s’ka asnjë lidhje me rock&roll…