OpEd

Çmenduria ruse dhe rendi i ri botëror

Putini do të vazhdojë me lojën e përçarjeve të vendeve të Perëndimit dhe aspak nuk do të befasohesha që sateliti i tij në Ballkan, Serbia, të shkaktojë trazira të reja në Republikën Serbe të Bosnjës, në Kosovë e edhe në Mal të Zi

Sapo fillova ta shkruaja Ditarin tim dhe në të njëjtën kohë po dëgjoja lajmet e BBC-së në telefonin tjetër, gjatë lidhjes direkte të gazetarit nga Kievi, për herë të parë u dëgjuan sirenat alarmuese të kryeqytetit. Gazetari, gjithashtu, informoi se diku në largësi më herët u dëgjuan rreth pesë shpërthime, mirëpo ato ishin të largëta, e jo në qytet.

Edhe televizioni shtetëror rus, në mëngjes kishte transmetuar deklaratën e presidentit, Vladimir Putin, i cili kishte thënë se kishin filluar me “operacione speciale ushtarake” dhe se askush nuk duhej të ndërhynte në to, sepse pastaj i gjithë faji për gjakderdhjen e hatashme do të binte mbi Ukrainën.

Ja pra, ajo e cila i druhesha me muaj dhe disa herë e kisha potencuar në Ditarin tim, tashmë fatkeqësisht është edhe duke ndodhur. Rusia do të fillojë luftën e saj për invadimin e Ukrainës dhe fundi apo përfundimi i gjithë kësaj aventure vështirë është të dihet.

Putini ka eksploatuar në maksimum dobësitë e Perëndimit, të Amerikës dhe Evropës në veçanti. Sanksionet ekonomike ai sigurisht se do t’i ketë llogaritur, mirëpo kundrejt përfitimit të tij me këtë aksion në kalkulusin e tij, “ia vlen ta okuposh Ukrainën për çmim të sanksioneve të botës perëndimore”.

Në anën tjetër, të gjitha deklaratat e presidentit amerikan, Joe Biden, NATO-s, BE-së se Perëndimi assesi nuk do të hyjë në luftë direkte me Rusinë, veçse ia lehtësojnë kalkulimin e humbjeve maksimale të mundshme Putinit.

Ukraina deklaron se është e gatshme të vetëmbrohet dhe qasja e Qeverisë së saj kundrejt realitetit ndryshoi vetëm gjatë 36 orëve të fundit, sepse deri tash ajo ishte skeptike se do të kishte një sulm gjithëpërfshirës të Rusisë ndaj Ukrainës dhe se nuk kishte vend për panik.

Në 36 orët e fundit, Ukraina e shpalli gjendjen emergjente në vend, ftoi më se 30.000 rezervistë që t’i bashkoheshin ushtrisë së rregullt dhe së fundmi tash presidenti i Ukrainës, Vladimir Zelensky, ftoi për futjen e gjendjes ushtarake në vend.

Shtetet evropiane, si dhe Amerika futën disa sanksione të limituara ndaj Rusisë, por ta them të drejtën ato llogari Rusia veçse i ka bërë dhe aty aspak nuk mendoj se diçka e ka zënë në befasi.

Se sa kohë do të arrijë Ukraina që t’i rezistojë agresionit rus dhe sa e përgjakshme do të jetë ajo luftë (e që të gjitha indikacionet janë se do të kemi të bëjmë me një luftë shumë agresive dhe me shumë viktima) janë elemente përcaktuese që do ta vulosin fatin, si dhe ambiciet e mëtutjeshme të Rusisë.

Nëse bazohem në fjalimin e presidentit Putin, të cilin ai e bëri të hënën, e ku faktikisht as që e njohu shtetin e Ukrainës dhe e mohoi të gjithë historinë e ndërlidhur me të, për mua ishte sikur një “déjà vu”, fjalë të cilat i kisha dëgjuar para më shumë se tri dekadash nga ana e Slobodan Milosheviqit. Ishte e frikshme ngjashmëria e narrativit, të cilin tashmë po e përdor Putini. Pasojat e këtyre deklaratave i kam shumë të qarta dhe ato do të qartësohen gjatë ditëve dhe javëve në vijim. Tashmë Vladimir Putini ka hyrë në rrugën e pakthim.

Ne do të duhej të kuptojmë se këtu tashmë po rishkruhet rendi i ri botëror. Të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare, ligjërisht obliguese për të gjitha palët nënshkruese, sovraniteti, integriteti i një vendi, i cili është edhe pjesë e Kombeve të Bashkuara, tashmë nuk vlejnë asgjë.

Ekspansioni i të fortit po arsyetohet thjesht nga ushtrimi i forcës së tij ndaj më të dobëtit dhe të gjitha aspiratat përmbushen lehtë dhe kollaj, thjesht duke e nënshtruar më të dobëtin.

Kjo në fakt është edhe shkelje flagrante e Kartës dhe Artikujve të Kombeve të Bashkuara, e ku Rusia është anëtare e përhershme dhe me të drejtë vetoje. Komplikimet e shkaktuara në skenën globale gjeopolitike do të jenë të një përmase të paparashikuar dhe të paparë deri më tani.

Pyetja e radhës, e cila do të lindë në kokat e shumë politikanëve, qeverive, popullatave të tyre është: A do të ketë një Luftë të Tretë Botërore?

Sipas mendimit tim, kjo varet pikërisht vetëm nga apetitet e Putinit se deri ku dhe sa larg ai është i gatshëm që të shkojë me apetitet e tij të zgjerimit. Sa i përket Ukrainës, ai paraprakisht i kishte matur të gjitha pulset dhe kundër-reagimet e vendeve perëndimore dhe botës demokratike dhe tashmë jemi në pozitën ku veç gjendemi, porse a do të përfundojnë ambiciet e tij vetëm aty me Ukrainën, unë për vete mbetem shumë skeptik dhe deshëm a nuk deshëm, mendoj se do t’i shohim edhe shtetet e tjera, të cilat gradualisht do të futen në vorbullën e ekspansionit dhe ambicieve të një Rusie cariste të perënduar të shekullit XIX.

Më falni tingëlloj aq pesimist dhe që gjërat po i shoh jo të ngjyrosura me ngjyra të bukura në një të ardhme të afërt, por sipas logjikimit tim të këtij realiteti të hidhur, nuk po e shoh se si do të mund të ketë një përfundim tjetër. Putini do të vazhdojë me lojën e përçarjeve të vendeve të Perëndimit dhe aspak nuk do të befasohesha që sateliti i tij në Ballkan, Serbia, të shkaktojë trazira të reja në Republikën Serbe të Bosnjës, në Kosovë e edhe në Mal të Zi. Kështu Perëndimi do t’i kishte disa patate të nxehta në duar në të njëjtën kohë dhe duke e njohur tashmë shumë mënyrën e asaj se si shtetet perëndimore u përgjigjen situatave të tilla, Rusia do të shfrytëzojë në maksimum situatën në terren për destabilizimin e Perëndimit dhe vetë anëtarëve të NATO-s.

Në fundjavë pritet vizita e kryespiunit rus në Beograd, Petrushenko, ndërsa mbrëmë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kërkoi 48 orë para se Serbia zyrtarisht të prononcohet me qëndrimin e saj ndaj situatës në Ukrainë dhe Rusisë. Siç po e shihni, asgjë këtu nuk është e rastësishme dhe jo e inskenuar.

Është mirë që të gjithë ne të jemi psikikisht të përgatitur në më të keqen, pasi që këtu tashmë nuk kemi të bëjmë me njerëz racionalë, por me ëndërrimtarë të ëndrrave të errëta, e të cilat mund të jenë makth i njerëzimit.

Nuk dëshiroj të përhap panik, mirëpo në udhëkryqin në të cilin sot gjendet bota, dikush veçse ka hyrë në të kuqen. Përkundër të gjithë semaforëve dhe rregullave të trafikut edhe në rast të mosfunksionimit të semaforëve, dikush veçse i shkeli ato në mënyrë flagrante. Se a do të ndalet në semaforin e radhës ky shofer i papërgjegjshëm, unë mendoj se varet nga vrulli që ai veçse e ka marrë në semaforin e parë, të cilin tashmë e injoroi. Se sa aksidente do t’i shkaktojë ky shofer i papërgjegjshëm edhe kjo mbetet për t’u parë. Sikur të ishte vetëm jeta e tij në pyetje, askush edhe nuk ishte mërzitur aq shumë, por që ngasja e tij e papërgjegjshme do të mund të lëndojë edhe shumë pjesëmarrës të pafajshëm në komunikacion apo përreth tij. Pikërisht kjo gjë është shqetësuese.

Cilët do të jenë hapat e radhës të bashkësisë ndërkombëtare si kundërpërgjigje ndaj agresionit rus në Ukrainë? A do të mjaftojnë vetëm sanksionet ekonomike kundër Rusisë? Unë këtu mbetem një skeptik i madh dhe mendoj se Putini dhe Rusia i kanë bërë llogaritë e tyre edhe ndaj sanksioneve më të rrepta. Ato edhe ashtu në fund të ditës do të godasin shtresën më të varfër të popullatës, e cila nuk posedon më rezerva të pasurive të tyre, siç posedojnë oligarkët dhe politikanët e korruptuar.

Hartat e reja botërore janë në shkrim e sipër, ashtu siç do të jenë edhe vlerat, si dhe rendi i ri botëror. Një superfuqi botërore me arsenal të pasur bërthamor sulmon shtetin fqinj dhe planifikon invazionin e plotë. Si t’i kundërpërgjigjesh atij? Lufta e Ukrainës dhe mbrojtja e ukrainasve nga pushtimi rus sigurisht se do të shndërrohen në një luftë të përgjakshme, teksa të dyja palët do të paguajnë një kosto shumë të lartë në humbjen e jetëve njerëzore.

Tashmë jam duke shkruar nën presionin emocional dhe ai shpeshherë gjithashtu mund të sjellë deri te humbja e racionalitetit.

Lutjet e mia mbesin me popullin e pafajshëm ukrainas dhe që liderët perëndimorë të zgjohen nga kllapia e gjumit dhe ta kuptojnë se këtu kanë të bëjnë me një skizofren të humbur në kohë dhe në hapësirë.