Libani, shtet fqinj i Sirisë, që nga pavarësia e përbashkët (1946), vuajti nga dominimi ekonomik, ushtarak e policor i “vëllait të madh”, veçmas gjatë dinastisë 50-vjeçare të Klanit Asad.
Një ditë para se të hynin në Damask, kryengritësit sirianë publikuan një kumtesë për opinion, ku premtuan se me ”Libanin do të zhvillojnë raporte të barabarta shtetërore dhe miqësore”.
Prapa kësaj komunikate fshihet një kërkimfalje e sirianëve të përndjekur deri dje, e tani pushtetarë të vrarë 13 vjet nga ushtria dhe policia siriane e Klanit Asad, Gardës Republikane iraniane të ndihmuara nga Hezbollahu dhe ushtarët e Putinit.
Këtë nuk e dëgjoi libanezi Suhel Hamavi, i burgosur në Bejrut që para 33 vjetësh u burgos nga forcat siriane. Ai kaloi pesëmbëdhjetë vjet, i vetëm në qelinë e burgut famëkeq të Sirisë, Sednaja, ndërsa pjesën tjetër në një dhomë me të tjerët, pa e parë diellin me sy. Atë e burgosën sirianët, sikundër edhe mbi 700 libanezë të tjerë, sepse kundërshtonin dhunën siriane në Liban që nga viti 1976 e gjer më 2005, kur u tërhoq armata siriane, por mbetën shërbimet sekrete ‘Mukhaberati’ famëkeq dhe ai ushtarak. Ky burg u hap për kundërshtarët e Asadit në Siri dhe në Liban. Pra, nga viti 2011, kur shpërtheu “Pranvera arabe”. Para tij burgu më i rreptë sirian ishte në Al Meze, vepër e babait të Basharit, Hafezit. I biri e kaloi babanë me burgun e tij më të sofistikuar të torturave dhe dyer të mbyllura me kode.
I gjori Suhel, si shumë sirianë e libanezë të burgosur, e kuptuan se çka po ndodhte vetëm në çastin kur kryengritësit sirianë i thyen dyert e burgjeve në të gjitha qytetet, duke filluar nga Alepi, Homsi e Hama e gjerë në Damask e Dera. Një pjesë e të burgosurve gjatë viteve vdiqën nga torturat ose nga litari. Atyre nuk u dihen as varret. Këta njerëz, ”hije” nuk kanë pasur të drejtë as të komunikonin me shkrim me familjarët e tyre, e lëre më të pranonin vizita.
Njëri nga ata të burgosur ka qenë edhe vëllai i mikut tim, Nasrit, profesorit të frëngjishtes në Universitetin Arab të Bejrutit, me të cilin banonim në një ndërtesë në lagjen “Sakiet el Zhanzir” të Bejrutit dhe shoqëroheshim. Nasri ishte i dhënë pas veprave të Kadaresë, andaj në Universitetin e tij krijoi Shoqatën e Miqve të Kadaresë. E vëllai i tij, një patriot i pathyeshëm libanez, ishte sociolog dhe anëtar i një partie që kundërshtonte pushtimin e Libanit nga Siria, duke filluar nga 1976. Nuk di a ka dalë i gjallë nga burgu. Armata me 40 mijë ushtarë, duke përfshirë edhe shërbimet sekrete siriane, por edhe njësiti ”Saika” / quhej njësit palestinez, ndërsa ishte i krijuar nga forcat e sigurimit sirian / depërtuan në Liban në kuadrin e “forcave të përbashkëta arabe” për ta ndalur gjoja luftën civile. Ata jo vetëm që nuk e ndalën atë luftë, por e kallën edhe më shumë, sepse u bënë palë në konflikt, kundër palestinezëve dhe forcave progresiste të vendit. Veçmas ishin të motivuar kundër palestinezëve. Kur forcat falangiste rrethuan kampin palestinez Tal al Zatar /76/, armata siriane u ndihmonte atyre duke e krijuar rrethin e dytë për të mos lejuar asnjë palestinez të largohej nga kampi e as të mos arrinte një gastare uji brenda, kur falangistët kishin ndërprerë ujësjellësin. Shumë fëmijë, burra e gra palestinezë vdiqën nga uria dhe etja.
Gjatë asaj kohe shpesh e vizitoja spitalin e vetëm palestinez në Bejrut, të cilin e udhëhiqte mjeku boshnjak Mujo Ustavxhiq, që dikur kishte shërbyer edhe në Spitalin e Prishtinës. Aty dërgoheshin palestinezët e plagosur. Shpesh sulmohej nga falangistët, por edhe nga mercenarët sirianë dhe “Saika” e famshme për të keq. Ato forca vranë shumë libanezë, me qindra i burgosën dhe i internuan në Siri.
Armata dhe sigurimi sirian në Liban e zbrazën vendin nga çdo pasuri private dhe publike. Për çdo ditë me qindra kamionë e vetura mbusheshin me gjëra të grabitura në mbarë Libanin dhe dërgoheshin në Siri. Krimi dhe korrupsioni ishin boshti i çdo veprimtarie të atyre forcave. Këtë ”shkollë” prej tyre e huazuan edhe forcat serbe në Kosovë dhe në viset e tjera të ish-Jugosllavisë ku shkelën gjatë luftërave të fundit.
Kur për herë të parë shkova në Liban (1974), vërejta se punëtorët sirianë ishin me shumicë në kantieret e ndërtimit, pastrimit etj. Gratë siriane punonin kryesisht si ndihmëse, amvise në shtëpitë e libanezëve. Të gjithë ata u dërgonin para familjeve të tyre. Ishte kjo kohë kur të gjithë ishin të kënaqur, ndonëse lidershipi i atëhershëm libanez kishte halle që nuk dilnin në media. Raportet e tendosura politike me Sirinë ishin disi “tabu temë”. Ndonëse Libani dhe Siria fituan së bashku pavarësinë nga mandati francez /1920-46), Damasku asnjëherë nuk e njohu atë pavarësi të fqinjit më të vogël. Nga trysnitë ndërkombëtare dhe ato arabe, Siria shtirej se po e njihte shtetin e Libanit, por nuk hapte ambasadën e saj në Bejrut, as nuk pranonte ambasadë libaneze në Damask. Arsyetoheshin se “jemi vëllezër, e njohim njëri-tjetrin edhe pa raporte diplomatike”.
Por, kur hynë armata dhe sigurimi sirian në Liban, me vendim të Ligës Arabe (shtetet e tjera arabe dërguan vetëm simbolikisht nga një tog që u tërhoqën pas një kohe të shkurtër, kurse sirianët mezi u larguan më 2005) filluan edhe vrasjet serike të udhëheqësve të shquar si Kemaj Xhumblatin, intelektualin e shquar libanez, një kohë ministër i Brendshëm. Sirianët e vranë me dinamit, sepse i mbronte palestinezët. Kryeministrin Rashid Karame sirianët e vranë duke i futur lëndë shpërthyese në aeroplanin e tij, pasi ai kërkonte ndërprerjen e krimeve siriane në Liban dhe tërheqjen e ushtrisë së Asadit. Nga shpërthimi i disa qindra kilogramëve të lëndëve shpërthyese përfundoi edhe kryeministri libanez Refik Hariri dhe shumë zyrtarë rreth tij (2005) në qendër të Bejrutit. Lista e krimeve siriane në Liban nuk ka fund.
Një pjesë e pushtetarëve si ish-presidenti Sulejman Franzhije, presidenti - gjeneral Auni etj. për çdo vendimmarrje në Liban ‘merrnin dorë’ në Pallatin e Asadëve në Damask. Sirianet përziheshin në përzgjedhjen e pushtetarëve, të komandantëve të ushtrisë e policisë libaneze dhe për shumë çështje vitale të fqinjit të vogël. Ata që nuk donin vasalitete, i gjente fundi me lëndë shpërthyese ose në burgjet e Sirisë.
Andaj edhe libanezët iu gëzuan çlirimit të Sirisë, sepse u çlirua edhe Libani nga një dhunë e gjatë shtetërore e ‘vëllait të madh’ në krye me Asadët, që i detyronin punonjësit e shtresës së mesme të punonin në shkolla, administratë e gjetiu me rrogë mujore sa për tre kilogramë mish, ndërsa për vete, siç u pa, mbanin miliarda dollarë. Pikërisht ky mjerim i masave të gjëra bëri që kryengritësit të priteshin me lule dhe gëzim të madh në çdo cep të Sirisë dhe të depërtonin pa asnjë rezistencë nga ushtria e Asadit.
Në këtë vazhdë mund të shpjegohet edhe çështja, pse Siria e Libani nuk e njohën Kosovën. Bashar al Asadi, sikurse të gjithë satelitët e Moskës ishte i dëgjueshëm për të mos e njohur Kosovën, kurse Libani kishte frikë nga Damasku e Teherani që ta përmendte këtë punë. Aq më parë, kur dihej se Kosova është aleate amerikane.
Pas ndryshimeve historike në Damask dhe Bejrut, pres të ketë ndryshime edhe në këtë rrafsh.
Njëra ndër paradigmat e fitores së kryengritësve sirianë është Faruk al Sharaa, ish-ministër i Punëve të Jashtme gjatë 22 vjetëve në pushtetin e Asadëve e gjer në postin e zëvendëspresidentit të shtetit, gjer më 2012, kur u ngrit publikisht për ta kundërshtuar luftën e Basharit kundër opozitës, pas “Pranverës arabe” që këtu u shndërrua në dimër të ngrirë. Ky profesor i dikurshëm i anglishtes, drejtor i përfaqësisë së Kompanisë ajrore siriane në Londër, anëtar i kryesisë së Partisë së vetme Al BAAS , që nga viti 1963, kur në Siri, me grusht shtet erdhi Hafez el Asadi, mblodhi kurajën dhe kërkoi që të fillojnë negociatat pushtet-opozitë, të ndalen operacionet ushtarake të Basharit dhe të njihet rendi shumëpartiak.
Bashari e shkarkoi nga të gjitha postet, bashkëpunëtorët e tij i hodhi në burgje, kurse Faruk al Sharën e mbyllën në burgun shtëpiak, i rrethuar me forca të sigurimit. Ndonëse tërësisht i ndarë nga bota, ai gjeti mundësi për të krijuar raporte me opozitën. Nuk doli nga burgu shtëpiak, ku nuk i lejonin të hynin as familjarët, gjer në ditën e ardhjes së kryengritëseve në Damask. Nuk është rastësi që edhe lideri i ri i Sirisë, edhe ai nga qyteti jugor Deraa dhe që të dytë mbajnë mbiemrin e përbashkët fisnor - Sharaa, të krijojnë shembullin e frymëzimit për të ardhmen e Sirisë.
Lideri i ri, Ahmet Sharaa, e vizitoi Farukun në shtëpinë e tij dhe e ftoi të merrte pjesë në Tubin e Pajtimit Kombëtar që së shpejti mbahet në Damask. Aty pritet të kthjellohen horizontet e Sirisë së re.
Po e quaj paradigmë, sepse paralajmëron vullnetin e pushtetit të ri të bashkëpunojë edhe me pushtetarët e dikurshëm, që patën kurajë t’i thoshin Asadit “mjaft”.
Të tillë gjenden edhe në radhët e ushtrisë dhe të sigurimit që dezertuan.
Edhe në këtë katrahurë siriane nuk ka qenë gjithçka bardhezi.
Sipas asaj që po ecën hap pas hapi, udhëheqja e re siriane këtë realitet ka filluar ta kuptojë qëkur në radhët e tyre kryengritëse kishin profile të ndryshme trimash të armës, por edhe intelektualë dhe ish- pushtetarë.