OpEd

Çka po e pret Poloninë?

Rivendosja e shtetit të së drejtës pritet me padurim jo vetëm nga publiku polak, por edhe nga Bashkimi Evropian, i cili ende nuk ka vendosur nëse do t’i lirojë fondet e rimëkëmbjes së BE-së që iu ofruan Polonisë gjatë pandemisë. Nëse qeveria e re mund të prezantojë reforma të besueshme dhe të rivendosë gjyqtarët e pastër në gjykatë, kjo mund të jetë e mjaftueshme për ta kënaqur Komisionin Evropian për momentin.

Kjo nuk është dashur të ndodhte. Me kontroll gjithëpërfshirës mbi burimet financiare shtetërore dhe mediat publike dhe lokale, partia populiste në pushtet e Polonisë, Ligj dhe Drejtësi (Pis), pati avantazh të madh strukturor në zgjedhjet parlamentare të këtij muaji. Ajo duhet të kishte fituar me lehtësi dhe të vazhdonte konsolidimin e sundimit të saj joliberal dhe antidemokratik.

Në vend të kësaj, Pis u përball me kryengritje kombëtare, duke fituar pak më shumë se 35% të votave, teksa partitë opozitare fituan më shumë se 54%. Institucionet demokratike të Polonisë mund të jenë dobësuar gjatë viteve të keqqeverisjes së PiS, por njerëzit e saj kanë dëshmuar më shumë se janë të aftë të mobilizohen kundër kërcënimit nga autoritarizmi i rrënjosur.

Duke arritur pothuajse 75%, dalja në zgjedhje ishte më e larta që ka qenë ndonjëherë në Poloni që nga rënia e komunizmit. Ashtu si në vitin 1989, ishte përhapur ndjenja se këto zgjedhje do të ishin historike. Megjithatë, fitorja e madhe e opozitës duket se ka befasuar liderët e saj po aq edhe PiS-in, lideri i së cilës, Jaroslaw Kaczynski, tani duhet të konsiderohet i rrezikshëm dhe i armatosur politikisht. PiS ruan kontrollin e instrumenteve të pushtetit, përfshirë organin që certifikon rezultatet e zgjedhjeve.

Kjo është shumë e ngjashme me vitin 1989. Autoritetet kanë në dispozicion aparatin shtetëror, mirëpo jo mandat demokratik, teksa opozita ka mandat, por jo pushtet real. Duke pasur parasysh sjelljen e kaluar të PiS-it, mbetet të shihet nëse Polonisë do t’i duhen protestat e saj masive të stilit ukrainas për ta rrëzuar qeverinë – të ketë Maidanin e saj. Tek e fundit, shumë elita të PiS-it dyshohen për korrupsion dhe krime të tjera, kurse liderët e opozitës janë nën presion të jashtëzakonshëm publik për t’u siguruar që ato të mbahen përgjegjëse.

Thënë kështu, skenarë të tjerë janë po ashtu të mundshëm. Kaczynski thuhet se ka marrë fajin për humbjen e PiS-it dhe tani është i zënë duke u përpjekur të bindë partitë më të vogla që t’i bashkohen PiS-it në formimin e qeverisë. Krejt partitë refuzuan menjëherë. Presidenti polak, Andrzej Duda anëtar i PiS-it, ka 30 ditë nga dita e zgjedhjeve përpara se të mbledhë “Sejmin” (dhomën e ulët të parlamentit) dhe ka të ngjarë t’i përdorë të gjitha mundësitë. Më pas, do t’i japë PiS-it 14 ditë përpjekje për ta formuar qeverinë.

Opozita do të ketë shansin ta marrë pushtetin vetëm nëse nuk e bën këtë. Ndërkohë, dosjet në zyrat me staf të PiS-it do të digjen, hard disqet do të pastrohen dhe çdo dëshmi tjetër do të shkatërrohet.

Duke e ditur se Duda është besnik ndaj tij dhe se vendi mund të jetë duke shkuar drejt krizës ekonomike, Kaczynski mund të shpresojë që partitë opozitare do të përfshihen në mosmarrëveshje të brendshme. PiS mbetet partia më e fortë e Polonisë dhe Duda do të ushtrojë veton që kërkon një shumicë parlamentare prej tri të pestave për ta rrëzuar. Për më tepër, Polonia do të ketë zgjedhje lokale në shtatë muaj, të pasuara nga zgjedhjet e Parlamentit Evropian qershorin e ardhshëm dhe më pas zgjedhjet presidenciale në vitin 2025. Kjo i jep koalicionit të ri qeverisës shumë mundësi për të ngecur ose dështuar.

Për më tepër, marrja e makinerisë gjyqësore të Polonisë nga Kaczynski gjatë tetë viteve në pushtet të PiS-it e ka lënë vendin me dy rende ligjore: një që është ende i përkushtuar për ta respektuar Kushtetutën, traktatet dhe vendimet e gjykatave ndërkombëtare, dhe tjetrës që i është besnike vetëm Kaczynskit. Për shembull, rreth 2 mijë gjykatës të emëruar jashtëligjshëm dhe që janë besnik ndaj PiS-it, kanë nxjerrë vendime prej vitesh. Çfarë mund të bëhet për ta dhe gjykimet e tyre disa milionëshe?

Pyetje të ngjashme vlejnë edhe për Gjykatën Kushtetuese, e cila aktualisht është e mbushur me miq të PiS-it, të cilët janë instaluar në mënyrë jokushtetuese. Edhe nëse një qeveri e re gjen një mënyrë për t’i hequr të gjithë këta gjyqtarë, të rinjtë do të duhet të emërohen nga presidenti.

Teksa kjo detyrë presidenciale supozohet të jetë thjesht ceremoniale, Duda ka abuzuar me këtë pozitë në të kaluarën dhe me siguri do ta bëjë sërish. Në fakt, një ditë pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve, ai emëroi me nxitim 72 gjyqtarë të tjerë në shenjë besnikërie ndaj Kaczynskit.

Për momentin, partitë e opozitës janë të përkushtuara për t’i trajtuar këto çështje së bashku, dhe disa tashmë kanë bërë thirrje për “Komision të Ligjit dhe Drejtësi” të pavarur për t’i mbikëqyrur hetimet për keqbërjet. Ndryshe nga viti 1989, shoqëria civile polake sot është e fortë. Organizatat që kanë mbrojtur gjyqtarët e shkarkuar dhe promovuar sundimin e ligjit për tetë vitet e fundit janë gati ta drejtojnë procesin.

Rivendosja e shtetit të së drejtës pritet me padurim jo vetëm nga publiku polak, por edhe nga Bashkimi Evropian, i cili ende nuk ka vendosur nëse do t’i lirojë fondet e rimëkëmbjes së BE-së që iu ofruan Polonisë gjatë pandemisë. Nëse qeveria e re mund të prezantojë reforma të besueshme dhe të rivendosë gjyqtarët e pastër në gjykatë, kjo mund të jetë e mjaftueshme për ta kënaqur Komisionin Evropian për momentin. Por zbatimi i këtyre reformave kërkon tejkalimin e vetos presidenciale dhe mbetet për t'u parë se si do ta menaxhojë qeveria e re këtë, për të mos përmendur sfidën e përmbushjes së pjesës tjetër të premtimeve të fushatës së saj.

Meqenëse PiS është përfshirë në rritje të mëdha të shpenzimeve, qeveritë e ardhshme do të kenë vetëm fushëveprim të kufizuar fiskal. Deficiti buxhetor i Polonisë tashmë mund të jetë cak i zbatimit të rregullave fiskale të BE-së në vitin 2024. Nëse kjo ndodh, do të jetë praktikisht e pamundur të rriten shpenzimet ose të ndiqet ndonjë masë që mund t’i reduktojë të ardhurat.

Politika e jashtme duhet të jetë më e drejtpërdrejtë. Ish-presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, zgjedhja e dukshme për të shërbyer si kryeministër, duhet të udhëtojë fillimisht në Kiev dhe Bruksel, pasi detyra imediate është forcimi dhe rindërtimi i marrëdhënieve përkatësisht me Ukrainën dhe BE-në. Vendndodhja strategjike e Polonisë, potenciali ekonomik dhe masa demografike sugjerojnë se ajo është e pajisur mirë për të ndihmuar në udhëheqjen e Evropës, dhe me Italinë nën kontrollin populist dhe Spanjën të preokupuar me veten, Polonia mund të përfundojë një trekëndësh pushteti me Gjermaninë dhe Francën. Kjo marrëveshje mund të jetë gjithashtu e dobishme kur francezët dhe gjermanët janë në mosmarrëveshje.

Së pari, opozita duhet ta mbrojë fitoren e saj në zgjedhje. Kjo do të thotë të emërosh në mënyrë efikase qeverinë e re, të mbrohesh kundër lojës së keqe nga PiS-i dhe të ofrosh një plan për të adresuar çështjet e menjëhershme ligjore dhe ekonomike. Të gjithë evropianët kanë interes për suksesin e qeverisë së re.

(Sławomir Sierakowski, themelues i lëvizjes Krytyka Polityczna, është anëtar i lartë i Mercatorit. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)