Sikur në çdo 3 dhjetor, Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara synon të promovojë mirëqenien dhe të drejtat që këta persona i kërkojnë kurdo që jepet mundësia. Me gjithë vëmendjen e shtuar që e marrin nga publiku i gjerë në këtë ditë, krijon bindjen se mirëqenia dhe të drejtat që kërkohen fillojnë herët në këtë ditë, dhe rregullohen dikur kah përfundimi i ditës, duke mos e paraqitur gjendjen reale me të cilën këta persona ballafaqohen edhe gjatë 364 ditëve të tjera të vitit. Kjo për shkak të vëmendjes vetëm tek problemet e prekshme me të cilat përballen edhe të tjerët që nuk janë pjesë e kësaj kategorie.
Thënë ndryshe, papunësia, mungesa e shërbimeve adekuate, barrierat në infrastrukturë dhe thirrja për përkrahje ma të madhe institucionale nuk përbëjnë ndonjë të re për askënd, sepse është vetëm përsëritje e një gjendjeje me të cilën njerëzit që jetojnë këtu janë familjarizuar tashmë. Mirëpo, pa e përmendur se kjo gjendje rëndon më së shumti te personat me aftësi të kufizuara.
Nëse këta persona do të paraqiteshin në hapësirën publike më shpesh dhe i ofrojnë publikut një perspektivë shtesë që i zbulon gjërat jo të prekshme, konstatimi i asaj që u tha më lart do të dokumentohej me lehtësi. Për më tepër, e njëjta gjë do të thuhej po të pyeteshin kujdestarët që përkujdesen për këta persona, të cilëve pothuajse energjitë u kanë mbaruar përfundimisht - pikërisht për shkak të gjërave që tashmë janë bërë të ditura dhe atyre që nuk përmenden shpesh në publik, e që jetojnë të mishëruara për të dyja palët.
Në kampin e skeptikëve, pa dyshim se do të argumentohej se problemet e paraqitura nuk janë ashtu siç thuhen, sepse në mesin e këtyre personave ka që punojnë, ka të tillë që udhëheqin organizatat e tyre, të tjerë që mblidhen në qendrat e pakta të disponueshme, përfitojnë pension, madje edhe paraqiten në hapësirën publike përmes ndonjë artikulli apo aktiviteti kur jepet mundësia. E vështirë të mohohet nga kjo perspektivë, por relevante vetëm sikur V. Finkelstein të mos tregonte se artikulimi i këtyre problemeve mbështetet kryesisht në atë që autori e quan si “outside approach” - që kur përkthehet në shqip do të thotë “qasje e jashtme”. (lexo: aktivist i shquar për çështjet që lidhen me personat me aftësi të kufizuara).
Pra, besoj se e keni vërejtur, dhe mbetët në të njëjtën vijë me këtë që Finkelstein thotë, kurdo që personat me aftësi të kufizuar paraqesin vështirësitë që i kanë - përgjithësisht artikulimi i tyre bazohet në qasje të jashtme. Dhe, natyrisht se do të flitet për mungesë të fondeve në përkrahje të projekteve dhe shërbimeve, për barriera në infrastrukturë, për përmirësim të qasjes në transportin publik dhe për shtim të mbështetjes nga institucionet përgjegjëse në përgjithësi. Me fjalë tjera, ajo çfarë personat me aftësi të kufizuara, apo personat që autorizohen të flasin në emrin e tyre, artikulojnë janë kryesisht gjërat e prekshme që kufizojnë një pamje reale të gjendjes aktuale.
Në këtë kuadër, me gjithë këto paraqitje publike të këtyre personave, rrallë herë flitet për gjërat jo - të prekshme që autori i paraqet përmes perspektivës “inside approach”, apo ”qasjes së brendshme” që është shumë e rëndësishme për tu konsideruar kurdo që flitet për këtë kategori pasi që mundëson që gjendja të paraqitet ashtu siç duhet dhe të kuptohet në plotëni. Në të kundërtën, skeptikët do të dilnin fitues përsëri dhe, në këtë mënyrë, gjendja edhe ashtu e paraqitur jo në tërësi do të relativizohej dhe, me shumë gjasë, do të krijonte ndjesi rehatie. Domosdoshmërisht, është e nevojshme pra që të dyja qasjet të kombinoheshin dhe të fillohej të flitej për gjërat jo të prekshme, siç janëꓽ shëndeti mendor, dhimbjet fizike, lodhja kronike, deri tek depresioni.
Një analizë e bazuar në të dhëna të detajuara do ta mbështeste atë që Finkelstein propozon të konsiderohet, gjithmonë në shërbim të paraqitjes të një gjendjeje reale që tregon se çështjet e artikuluara janë të ndërlidhura, dhe nuk përjashtojnë njëra – tjetrën. Si për shembull, për shkak të kufizimeve fizike apo edhe kognitive, këta persona jo rrallë herë e kanë të pamundur t’i menaxhojnë aktivitetet e tyre në mënyrë autonome dhe, si rrjedhojë, qoftë nga vonesa për të intervenuar dhe marrë shërbimet e nevojshme ose komunikuar kërkesat e tyre, janë të predispozuar ndaj lëvizjeve të shpeshta të gjendjes emocionale që jo vetëm e rrezikon shëndetin e tyre mendor por, njëkohësisht, mund të reflektohet në aspekte tjera siç mund të jetë mësimnxënja. Në raste të tjera, si pasojë e vonesës në marrjen e shërbimeve shëndetësore, kanë mundësi të preken nga varrët dekubitare (lexo: varrët në pjesë të ndryshme të trupit), që përveç se përbëjnë rrezikshmëri të lartë po ashtu rëndojnë mbi gjendjen ekonomike të të prekurve.
Së fundmi, kurdo që personat me aftësi të kufizuara komunikojnë me publikun është e rëndësishme të konsiderohet mënyra e artikulimit të gjendjes që rëndon mbi ta. Kjo, ngaqë duke mos e përqafuar kombinimin e të dyja qasjeve të ofruara nga Finkelstein, rrezikohet që gjendja aktuale të shihet e përgjysmuar dhe kështu të krijohet bindje e gabuar - vetëm se është bërë zakon të përmendën më shumë gjërat e prekshme.