Diktaturat si Rusia nuk disponojnë me “soft power”, me fuqi të butë, andaj botën e jashtme e kërcënojnë edhe me armë bërthamore, ndërsa popullsinë vendore e paralajmërojnë vazhdimisht mbi rrezikun e sulmit nga jashtë. Diktatura nuk mund të jetojë pa tensione. Viteve të fundit, luftën kundër botës perëndimore Rusia e ka zgjeruar edhe me përdorimin e mjeteve hibride
Shtetet e fuqishme sigurojnë ndikim në botë përmes “soft power-it”, fuqisë së butë. Koreja e Jugut, për shembull, vitin e kaluar u bë e njohur sërish në mbarë botën përmes serisë “Squid Game”, e cila ishte hit në Netflix. Koreja e Jugut i ka 50 milionë banorë dhe ka një territor prej 100’210 kilometra katrorë, por sa i përket kreativitetit është superfuqi. Bruto prodhimi vendor i Koresë së Jugut është 1631 miliardë dollarë. Rusia është vendi gjeografikisht më i madh në botë (17,1 milionë kilometra katrorë) dhe ka 144 milionë banorë, por bruto prodhimi vendor i Rusisë nuk i kalon 1483 miliardë dollarë. Këtu s’po përmendim Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat janë prijëse me “soft power”.
Diktaturat si Rusia nuk disponojnë me “soft power”, andaj botën e jashtme e kërcënojnë edhe me armë bërthamore, ndërsa popullsinë vendore e paralajmërojnë vazhdimisht mbi rrezikun e sulmit nga jashtë. Diktatura nuk mund të jetojë pa tensione. Viteve të fundit luftën kundër botës perëndimore Rusia e ka zgjeruar edhe me përdorimin e mjeteve hibride.
Këtë e paralajmëroi Valeri Gerasimovi, shefi armatës ruse, në janar 2013. Në një fjalim para gjeneralëve rusë, ai tha se luftërat moderne nuk zhvillohen më përmes shablloneve të zakonshme, andaj Gerasimovi i këshilloi oficerët e lartë që “përhapin dezinformata” dhe të përdorin “masa politike, ekonomike, humanitare dhe joushtarake”. Një vit më vonë, në mars 2014, Gerasimovi e zbatoi “doktrinën” e tij në Krime: ushtarë rusë, të quajtur “njerëzit e blertë”, të armatosur deri në dhëmbë, por pa shenja identifikuese të shtetit rus, zbarkuan në qytete të Krimesë dhe kështu aneksuan siujdhesën ukrainase. Pastaj në Ukrainën lindore u mobilizuan grupe proruse, të cilat u armatosën nga Rusia dhe i shpallën luftë qeverisë në Kiev. Që nga atëherë rreth 14 mijë njerëz kanë humbur jetën. Lufta në Ukrainë nuk ka filluar më 24 shkurt 2022.
Paralelisht me terrorin në Ukrainë, Rusia zgjeroi aktivitetin e makinerisë së saj dezinformatave në Perëndim. Ekspertët dhe mediat perëndimore kanë arritur të dokumentojnë se në Shën Petërburg ekziston një fabrikë gënjeshtrash për të cilën punojnë 400 deri 500 veta (ndërkohë ndoshta edhe më shumë), të cilët për çdo ditë postojnë kudo nëpër webfaqe të mediave perëndimore dhe gjetiu komente me qëllim që të njollosin autorët e shkrimeve (kryesisht korrespondentë nga Moska të mediave perëndimore), të deformojnë të vërtetën dhe të shpërndajnë teori komploti. Gazetarja ruse, Ludmilla Savçuk, e cila dy muaj ka hulumtuar fshehurazi në një fabrikë gënjeshtrash, ka raportuar se si “trollët” (propagandistët me pagesë të Kremlinit) ndërhyjnë në forume dhe dhoma chati duke shpërndarë gënjeshtra e histori të shpifura.
Financues i fabrikës së rrenave nga Shën Petërburg është gastronomi Jevgeni Prigoshin, i njohur si “kuzhinieri i Kremlinit”, i cili ka në pronësi një restorant në “Shtëpinë e Bardhë”, siç quhet selia e qeverisë ruse. Prigoshin ka qenë aktiv në biznesin e lojërave me fat në Shën Petërburg dhe njihet me Vlladimir Putinin nga vitet e 90-a, i cili atëbotë ishte zëvendëskryetar i metropolit rus.
Gazetarja finlandeze, Jessikka Aro, u gjend në shënjestër të “trollëve” rusë pasi nisi të hulumtojë mbi rolin e tyre në Finlandë. Një ditë një “zë” anonim i bëri asaj një ofertë: fushata urrejtëse ndaj saj do të ndalej nëse ajo kërkon falje dhe premton se nuk do të shkruajë më për Rusinë.
Olga Wieber, një ukrainase që jeton në Gjermani, postoi në Facebook në shenjë solidariteti një portret të saj të stolisur me ngjyrat nacionale të Ukrainës. Çfarë ndodhi pastaj ishte e paimagjinueshme. Televizioni rus emitoi një kronikë në të cilën Wieber përshkruhej si mjeke ruse nga Gjermania e cila bën biznes me organe të ushtarëve të vrarë ukrainas. Pas raportit të televizionit rus, Wieber u atakua nga trollët me komente kërcënuese dhe me fyerje të rënda (“kurvë fashiste”).
Në vitin 2016 propaganda ruse alarmoi opinionin me këtë përrallë: në Gjermani një vajzë 13-vjeçare ruso-gjermane me emrin Liza, ndërsa po kthehej në shtëpi, ishte kidnapuar nga refugjatët dhe pastaj ishte përdhunuar. Për “rastin Liza” foli madje edhe ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov. Pas hetimeve të shërbimeve sekrete gjermane rezultoi se gjithçka ishte gënjeshtër. Qëllimi i propagandës ruse ishte dëmtimi i qeverisë së Angela Merkelit, e cila pasi kishte pranuar rreth 1 milion refugjatë nga Siria në vitin 2015, më 2016 ballafaqohej me protesta e kritika të qarqeve djathtiste.
Këta janë vetëm tre nga mijëra shembuj që ilustrojnë se si funksionon propaganda ruse. Krahas historive të shpifura, pandërprerë funksiononte prej vitesh propaganda shtetërore ruse përmes Sputnikut dhe televizionit RT. Pas agresionit rus ndaj Ukrainës, Bashkimi Evropian i ka ndaluar këto instrumente mediale të luftës hibride ruse.