OpEd

Cjapi

Cjapi, Lekaj e Molliqaj janë vetëm disa nga pjesëzat e një mozaiku më të madh që e ilustron se sa i çrregulluar është sistemi gjyqësor i Kosovës dhe sa, në fakt, vuan ky shtet për drejtësi dhe për sundimin e ligjit. Shteti i cili toleron që njerëzit e lëndët të zvarriten nëpër gjykata me vite e vite pa e pasur as shpresën minimale se do të arrihet drejtësia, nuk ka pse të befasohet se në dy muajt e fundit rreth 100 mijë veta kanë aplikuar për viza vetëm në Ambasadën Gjermane në Prishtinë

Në mesin e gjithë hallakamës së shkaktuar javën e shkuar për punë të rrymës, protestës, COVID-it dhe temës bajate të deputetëve, megjithatë, për mua lajmi i javës erdhi prej raportimit të “Betimi në Drejtësi” nga Gjilani.

“Prokuroria Themelore në Gjilan më 30 dhjetor 2020 ka ngritur aktakuzë ndaj Vesel Abdullahut me arsyetimin se ai në dhjetor të 2020-s, në fshatin Rogoçicë të Kamenicës, është zënë nga Policia Kufitare duke drejtuar automjetin “Golf II”, në të cilin ka transportuar një cjap në vlerë prej 80 eurosh, të cilin ai e ka siguruar në Republikën e Serbisë, duke iu shmangur kontrollit doganor dhe për këtë nuk ka pasur dokumentacion mbi origjinën e mallit.

Me këtë Vesel Abdullahu po akuzohet se ka kryer veprën penale “Kontrabandimi i mallrave”, nga neni 311, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”.

Komenti im i parë me ta lexuar lajmin qe: “E paska fikur shtetin!”, sepse ndryshe zor se do të arsyetohej shpejtësia me të cilën ka vepruar Prokuroria e Gjilanit. I akuzuari e kishte përdorur një veturë “Golf II”, pra veturë që nuk prodhohet që nga viti 1992, për ta sjellë, thuhet nga Serbia, një cjap. E kishte bërë këtë pa letra doganore dhe pa dokumente për origjinën e mallit. Ajo që nuk dihet nga aktakuza është nëse cjapi është bartës i ndonjë sëmundjeje ngjitëse që do të mund të rrezikonte shëndetin publik. Nuk dihet po ashtu nëse nga i akuzuari kërkohet të paguajë doganë për cjapin. Ajo që dihet është se për këtë punë mund të dënohet me gjobë apo edhe me burgim deri në tre vjet.

Pra, duke pasur parasysh se kontrabanda mund të jetë e një malli për t’i ikur doganës, atëherë dëmi i supozuar që i është shkaktuar shtetit është taksa prej 26%, për një cjap me vlerë 80 eurosh, që i bie 20,80 euro. Aktakuza mori një vit për t’u ngritur.

* * *

Java u përmbyll me ngritjen e aktakuzës kundër Pal Lekajt, ish-ministrit të Infrastrukturës dhe aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së. Raporti i KOHËS, që edhe kishte zbuluar ekzistencën e një raporti që doli të jetë inkriminues për Lekajn dhe ish-shefin e kabinetit të tij, Berisha, thotë: “Afera e pagesës së 53 milionë eurove shtesë në emër të vonesave, për konsorciumin “Bechtel-Enka”, që ka ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”, ka shkuar në gjykatë.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj ish-ministrit Pal Lekaj e shefit të kabinetit të tij, Eset Berisha, një ditë para se të skadonte afati i përcaktuar me ligj.

Siç ka mësuar KOHA, Lekaj e Berisha po akuzohen që kanë fshehur raportin e kompanisë “Hill” e që kishte arsyetuar se borxhi prej 53 milionë eurosh ishte joreal dhe se Qeveria do të duhej të paguante 39 milionë euro më pak sesa i kërkoheshin”.

Deputeti Lekaj më 2015 kishte deklaruar se i kishte në pronësi 13 vetura ( 2 “Mercedesa” 4 “BMW”; 5 “GOLF 5-sha” dhe 2 vetura që nuk i kishte specifikuar me vlerë prej 292 mijë eurosh). Më 2021 i ka deklaruar vetëm tri vetura (1 “Audi”, 1 “Mercedes” dhe 1 “Audi” me vlerë 47 mijë euro gjithsej, dhe vetura më e vjetër është e 2012-s e më e reja e 2014-s). Për dy muajt e fundit të vitit 2021, Lekaj nga Kuvendi i Kosovës, pos rrogës, i ka marrë gjithsej 870 euro shtesë për karburante dhe pjesëmarrje në seanca dhe komisione.

Dëmi eventual që i ka shkaktuar shtetit kap shumën prej 40 milionë eurosh. Aktakuza ka marrë më shumë se dy vjet për t’u ngritur.

* * *

Të shtunën u mbajt protesta e thirrur nga PSD-ja. Tema ishte rryma. Por në fakt, tema ishte fesati me policinë dhe faktorizimi i Dardan Molliqajt si udhëheqës i një opozite që është e nuk është.

Me qasje shumë agresive, protestuesit iu afruan objektit të Qeverisë. Nuk e di sa protestues do të ketë pasur, por nuk kanë qenë pak. Pra, masë jo bash e shpërfillshme që është çuar të protestojë kundër shtrenjtimit të rrymës, ani pse për rrymën aty me gjasë më së paku edhe u fol.

Sidoqoftë, përshtypja e krijuar pas rishikimit të ngjarjeve një javë pas është se Molliqaj qëllimisht e goditi me shuplakë policin, për të shkaktuar kundërreagim nga policia, i cili, nga ana tjetër, do të nxiste masën që t’i sulmonte policët në mbrojtje të Molliqajt.

Po supozoj se ky ka qenë qëllimi i Molliqajt e gjithashtu po supozoj se Policia ka pasur urdhër të përdorte dhunën minimale sa për t’i mbrojtur veten dhe objektin. Nuk pasoi arrestimi i menjëhershëm i Molliqajt për sulm ndaj personit zyrtar para kamerave dhe para shumë dëshmitarëve okularë. U la i lirë që të ftohej në polici për t’u qartësuar.

Dy ditë u iku policëve që ia sillnin ftesën në selinë e partisë dhe me pompozitet paralajmëroi pjesëmarrjen në një emision debati. U arrestua nga “specialët” para se të hynte në objektin televiziv dhe u dërgua në paraburgim për 48 orë.

Për një pjesë të opinionit, përfshirë edhe shefin e LDK-së, Molliqaj u bë viktima e pushtetit për hakmarrje politike të kryeministrit. Nuk mbaj mend që Abdixhiku ta ketë shkruar një status më absurd se ky ndonjëherë. Sepse edhe Abdixhiku e dinte se sulmi ndaj personit zyrtar kishte ndodhur; e dinte se Molliqaj nuk u arrestua në vend të ngjarjes, që është gabim i policisë, besoj; e dinte se ky nuk paraqitej vullnetarisht në polici për ta pranuar fajin dhe e dinte se qëllimisht sillej nëpër qytet që në cilindo rast të kapej në formë spektakolare. E krijoi një spektakël, e nxiti të dytin dhe në fund e mori spektaklin që e ziu vetë.

Se çfarë do të ndodhë tutje, e presim. Për këto raste dënimi i paraparë është 6 muaj deri në 5 vjet burgim efektiv. Duke pasur parasysh se kjo vepër penale nuk e ka peshën e cjapit, mbase aktakuza eventuale do të mund të ngrihej pas nja dy vjetësh. Ndërkohë cirku vazhdon.

* * *

Cjapi, Lekaj e Molliqaj janë vetëm disa nga pjesëzat e një mozaiku më të madh që e ilustron se sa i çrregulluar është sistemi gjyqësor i Kosovës dhe sa, në fakt, vuan ky shtet për drejtësi dhe për sundimin e ligjit.

Shteti i cili toleron që njerëzit e lëndët të zvarriten nëpër gjykata me vite e vite pa e pasur as shpresën minimale se do të arrihet drejtësia, nuk ka pse të befasohet se në dy muajt e fundit rreth 100 mijë veta kanë aplikuar për viza vetëm në Ambasadën Gjermane në Prishtinë.

Aty ku nuk mund të llogarisësh as në mbrojtje minimale juridike e ku duhet të presësh që lëndët përmbarimore të përmbyllen vetëm pas një viti apo një viti e gjysmë, mund të llogarisësh vetëm në humbje dhe në pashpresë. Për shkak se një sistem jofunksional i drejtësisë detyrimisht të shtyn ose ta shkelësh ligjin, sikurse bëjnë shumë të tjerë, ose të dorëzohesh e të ikësh nga këtu. Pak do të jenë ata mohikanët e fundit që bëjnë luftë të pastër për të sjellë një grimë shpresë se gjërat mund të jenë më ndryshe dhe më të drejta.

Pas shtatë vjetësh amullie e gjumi të thellë në të cilën e ka futur krejt sistemin prokurorial një kryeprokuror i dështuar dhe i padobishëm për Kosovën, tash i ka ardhur radha zgjedhjes së një të riu. Porse kur e shikon listën e kandidatëve, thuajse e humb shpresën që në fillim: thuajse të gjithë në atë listë, hiq një a dy, janë eksponentët e kryeprokurorit në ikje. Pra, zgjedhja e cilitdo nga ta do të jetë vazhdimësi e kësaj që kemi sot: vepër shumë më serioze penale është kontrabanda e një cjapi sesa zhdukja nëpër xhepa e 40 milionë eurove.

[email protected]