OpEd

Cirku në Bruksel

Historikisht Orbani ka dëshmuar të jetë më shumë një zhurmë e bezdisshme se sa një rrezik real për BE-në. Siç paralajmëron slogani i presidencës së tij “Make Europe Great Again” ajo do të jetë një cirk gjashtëmujor

Slogani “Make Europe Great Again” ishte paralajmërim i bukur i asaj që mund të presim nga gjashtë muajt e ardhshëm të presidencës hungareze të Këshillit të Bashkimit Evropian. Prej kohësh Orbani ka ngritur në Hungari atë që ai quan me krenari “demokraci iliberale”. Një demokraci ku Orban ka shkatërruar çdo balanc të pushteteve duke futur nën diktat gjithë sistemin gjyqësor, ku pushteti ka asgjësuar mediat e lira dhe shoqërinë civile dhe ku rrjedhimisht gjasat e opozitës për të marrë pushtetin janë minimale. Orbani ka ndërtuar në Hungari një version të demokracisë “së fortë” hungareze, i cili duhet të shërbejë si model alternativ ndaj demokracive të “dobëta” perëndimore”. Kësisoj Orbani është bazuar në vlerat tradicionale familjare, fenë, krijimin e një shteti efektiv dhe një ekonomie bujare sociale. Me kapjen e papenguar të resurseve shtetërore, propagandë paskajshme shtetërore dhe ngritjen e një oligarkie masive Orban ka krijuar kushtet financiare për t’i mbajtur të kënaqur qytetarët hungarezë. 

Në gjitha këto përpjekje për minim të demokracive perëndimore nga brenda ai ka hasur në mbështetje nga aleatët sikur presidenti rus, Vladimir Putin dhe presidenti Kinez, Xi Jinping. Me këtë aleancë Orbani ka arritur të sjellë kokëçarje të vazhdueshme Bashkimit Evropian. Nga shkeljet e rënda te parimeve të sundimit të ligjit, e deri te pengimi i unitetit të BE-së për Ukrainën Orban është shndërruar në kalin trojan rus brenda BE-së. 

Pasojat e këtij rreshtimi antiperëndimor të Orbanit edhe Kosova përjetoi në lëkuren e vet. Pas Banjskës, Orbani ishte mbrojtës më i zjarrtë i Vuçiqit brenda BE-së duke cilësuar thirrjet për sanksionim të Serbisë si “qesharake”. Përkundër që Kosova ishte viktimë e një sulmi terrorist Orbani bëri thirrje lidershipit të Kosovës që të ndalojë “provokimet” ndaj Serbisë. 

E gjithë kjo është edhe arsyeja përse shumë njerëz janë të merakosur për mënyrën se si Orbani do ta përdorë presidencën gjashtëmujore të Këshillit të BE-së në funksion të agjendës së tij iliberale. Sidoqoftë konsideroj se nuk duhet të jemi edhe shumë të brengosur pasi që jam i bindur se edhe vetë Orbani kupton limitet e pushtetit të tij. Historikisht Orbani ka dëshmuar të jetë më shumë një zhurmë e bezdisshme sesa një rrezik real për BE-në. Për shembull në krizën e fundit në kuadër të votimit të pakos 50 miliardëshe për Ukrainën përkundër zhurmës dhe cirkut të krijuar Orbani në fund luajti rol konstruktiv në mundësimin e aprovimit të ndihmës për Ukrainën. 

Në këtë përfundim arrijmë edhe nëse lexojmë me kujdes programin politik të Hungarisë për presidencën e Këshillit të BE-së. Aty nuk do të gjeni asgjë kontroverse. Programi është një deklaratë pedante politike për prioritetet konsensuale evropiane. Programi është i ndërtuar mbi shtatë prioritetet kyçe. 

Në kuadër të prioritetit të parë Hungaria dëshiron të fokusohet tek ekonomia. Në një kohë kur Evropa po ballafaqohet me konkurrencë të ashpër ekonomike dhe kur qytetarët janë të brengosur nga çmimet e larta Hungaria dëshiron të përgatisë një plan të ri për Konkurrueshmerinë Evropiane. Si prioritet të dytë Hungaria njeh rëndësinë e një sistemi më efektiv të mbrojtjes evropiane në sfondin e luftës në Ukrainë. Hungaria i ka bërë nder edhe procesit të zgjerimit duke e vendosur lart në prioritetin numër tre. Hungaria dëshiron të organizojë dy samite në këto gjashtë muaj për të ndihmuar procesin e zgjerimit: atë të Komunitetit Politik Evropian dhe Samitin BE-Ballkani Perëndimor. Menaxhimi më efektiv i migrimit është prioriteti numër katër ku Hungaria prej kohësh ka qenë avokat më i zëshëm për një politikë më të ashpër evropiane të migrimit. Tre prioritetet e fundit kanë të bëjnë me sfidat demografike, fondet bujqësore dhe fondet për zhvillim rajonal. 

Po ashtu duhet cekur që janë edhe së paku dy faktorë strukturorë të cilët nuk do të lejojnë Orbanin të ushtrojë pushtet efektiv mbi Këshillin e BE-së në gjashtë muajt e ardhshëm. E para është që BE-ja ka marrë masa paraprake për të kufizuar çfarëdo pengese nga Orbani. Kësisoj, gjatë presidencës së kaluar belge, Brukseli është kujdesur që të gjitha punët e ndjeshme të përfundojnë dhe të mos ngelin peng i Orbanit. Prandaj nën presidencën belge u hapën negociatat me Ukrainën dhe Moldavinë, u miratua pakoja e fundit e sanksioneve ruse dhe u miratua ndihma për Ukrainën. Së dyti, në gjashtë muajt e ardhshëm të presidencës hungareze Këshilli i BE-së nuk do të këtë shumë punë sepse e gjithë vëmendja e BE-së do të jetë te konstituimi i institucioneve të reja evropiane gjë që do të konsumojë gjithë energjinë politike të BE-së. Ky proces është jashtë duar të Orbanit. Por e gjithë kjo nuk do të thotë se Orbani nuk do të sjellë kokëçarje për komunitetin euroatlantik. Cirku i tij do të vazhdojë. Deri më sot ministri i tij i Jashtëm është i vetmi zyrtar i lartë evropian që ka shkuar pesë herë në Moskë qëkur Rusia ka pushtuar Ukrainën, përkundër sanksioneve ruse nga ana e BE-së.

Marrëdhëniet e afërta me ish-presidentin Trump do të jenë një pikë kritike e komunikimit publik. Dhe ndonëse e gjithë kjo patjetër se do të shërbejë si cirk publik për të dëmtuar unitetin evropian, dëmi ndoshta më i madh që Orbani ka bërë dhe vazhdon të bëjë është se ai ka sforcuar skepticizmin e BE-së për zgjerimin. Në vend që të shërbejë si storie suksesi dhe model zgjerimi për BE-në, Hungaria nën Orbanin shërben si paralajmërim për të keqen e zgjerimit. Dhe këtë faturë nuk e paguan Hungaria, e paguajmë ne.