Amerika është duke kaluar nëpër tri të mërkurat e saja historike. E mërkura e 6 janarit dhe e trazirave të papara në Kongresin dhe Senatin Amerikan në Capitol Hill, e mërkura e 13 janarit, kur për herë të parë në historinë amerikane ngrihet akuza (impeachment) e dytë për një president amerikan gjatë mandatit të tij presidencial. E mërkura e tretë do të jetë ajo e javës së ardhshme e 20 janarit, kur do të bëhet betimi i presidentit të ri të zgjedhur, Joe Biden
Atje diku në vitet ‘80 ishte një serial televiziv me artistin Richard Chamberlain "Thorn birds" (Zogjtë vdesin duke cicëruar). Ngjarja zhvillohej në Australi dhe kishte të bënte me një prift, i cili shkoi që të punonte në misionin e vet kishtar atje.
Nuk dëshiroj që të merrem me narrativin e atij seriali, mirëpo ishte titulli i tij ai që më ngacmoi për ta titulluar ditarin tim Cicërima e fundit e Trumpcakut.
Tashmë të gjithë jemi në dijeni mbi ngjarjet në Washington dhe Capitol Hill të datës 6 janar 2021. Ishte e pabesueshme të shihje skena të tilla në ekranin televiziv dhe të bindeshe se kjo ngjarje po ndodhte në çerdhen e demokracisë amerikane, si dhe të asaj botërore. Akuzat për nxitjen e kësaj kryengritjeje i atribuohen presidentit Trump në bazë të fjalimit të tij të mbajtur para turmës së protestuesve të grumbulluar në Washington DC.
Amerika është duke kaluar nëpër tri të mërkurat e saja historike. E mërkura e 6 janarit dhe e trazirave të papara në Kongresin dhe Senatin Amerikan në Capitol Hill, e mërkura e 13 janarit, kur për herë të parë në historinë amerikane ngrihet akuza (impeachment) e dytë për një president amerikan gjatë mandatit të tij presidencial. E mërkura e tretë do të jetë ajo e javës së ardhshme e 20 janarit, kur do të bëhet betimi i presidentit të ri të zgjedhur, Joe Biden.
Ajo e cila e bën këtë akuzë të re unike të ngritur nga kongresistët amerikanë është fakti se ajo u votua nga të gjithë kongresistët demokratë, si dhe nga 10 kongresistë republikanë. Duke i ditur procedurat e tejzgjatura ligjore për t’u marrë me këtë proces, dikush mund të thotë se kjo është pak dhe është vonë pasi që presidenti Trump do të përfundojë mandatin e vet edhe një javë. Mirëpo porosia të cilën ligjvënësit amerikanë dëshirojnë që ta dërgojnë është se askush nuk është mbi ligjin, qoftë ai edhe një kryetar në përfundimin e mandatit të vet, e sidomos një kryetar i cili nuk e pranon rezultatin e dalë nga zgjedhjet demokratike dhe vazhdon të shërbehet me gënjeshtra duke trilluar se ato i janë vjedhur atij padrejtësisht dhe në fund edhe duke e nxitur masën e protestuesve që të çoheshin në kryengritje kundër vetë institucioneve demokratike, pjesë e së cilave është edhe presidenca e tij.
Shumica e protestuesve të 6 janarit, të cilët hynë në Kongresin Amerikan duke shkaktuar qoftë dëme materiale apo duke rrezikuar edhe jetën e kongresistëve, kanë filluar që të identifikohen, të burgosen dhe të paditen për krime të ndryshme federale e që dënimi i të cilave mund të rezultojë që të dalë mjaft i lartë. FBI-ja njofton se kanë informacione se mund të ketë trazira të tjera të armatosura në ditën e inaugurimit të presidentit Biden. Si masë preventive janë zbarkuar dhe pritet të zbarkohen 20.000 pjesëtarë të gardës nacionale.
Ngjarjet e tjera të cilat e shënuan javën e ngjeshur të kabllogrameve diplomatike në lidhje me ngjarjet në Amerikë ishin veprimet e platformave sociale ndaj presidentit Trump. Atij iu mbyll në mënyrë permanente llogaria në platformën e preferuar për t’i përhapur qëndrimet e tij nëpërmjet cicërimave të veta të lëshuara në Twitter. I njëjti vendim u pasua edhe nga gjigandi tjetër Facebook e më pas edhe nga platforma e tretë sociale Toutube, e cila është në pronësi të Google.
Mund të dëgjosh edhe vërejtjen e shumë njerëzve se kjo është një censurë kundër fjalës së lirë, mirëpo ata e harrojnë se pikësëpari të gjitha këto kompani i kanë të caktuara rregullat e përdorimit të shërbimeve të tyre, të cilat në esencë janë pa pagesë për përdoruesin, mirëpo ka sanksionime në lidhje me postimet me përmbajtje të urrejtjes dhe sidomos të atyre, të cilat ftojnë për protesta dhe kryengritje qoftë edhe nëse vijnë nga një president amerikan. Fjala e lirë në vete e ngërthen edhe përgjegjësinë mbi atë se çfarë thuash apo propagandon. Këtë gjë bazike po dështojnë që ta kuptojnë qoftë edhe juristët e kualifikuar. Fjala e lirë nuk të lejon nxitje të dhunës, urrejtjes, mostolerancës ndërnjerëzore. Kështu e përjetuam edhe cicërimën e fundit të Trumpcakut. Tashmë edhe shumë kompani të mëdha të asocuara me biznesin e tij privat të perandorisë Trump po i shkëpusin kontratat e tyre me të dhe kjo do të ketë pasoja të mëdha ekonomike për të me të përfunduar të mandatit të vet presidencial.
Ky do të mund të aplikojë për bankrotim, gjë të cilën e ka bërë edhe disa herë të tjera në të kaluarën, mirëpo e kaluara e tij politike si president i SHBA-së tashmë në vete i ka dy njolla të pashlyeshme dhe duart e tij janë të ndyra edhe me gjak. Pasojat e mëtutjeshme juridike mbeten për t’u parë, por unë besoj që njëra nga to do të jetë mosmundësia e aplikimit për punësim në çfarëdo organizate federale të shtetit amerikan, si fillim.
Gjithsesi për mua mbetet brengë numri i kongresistëve republikanë, të cilët ende janë në mbrojtjen e tij, 197 nga ta dje u panë me rastin e votimit të akuzave ndaj tij në Dhomën e Kongresit. Në bisedat private e disa prej tyre me gazetarët ata theksojnë se ende ia kanë frikën Donald Trumpit, si dhe kërcënimeve të cilat u bëhen atyre nga ana e votuesve të tyre, simpatizantë të Donald Trumpit. Largimi i tij nga Presidenca fatkeqësisht nuk do të jetë edhe fundi i një ideologjie të instaluar në mendësinë e votuesit republikan. Më se 70 milionë votues amerikanë votuan për Donald Trumpin president të SHBA-së. Trumpizmin do ta kemi prezent edhe për një kohë më të gjatë edhe mbas ikjes së tij. Shoqërisë amerikane do t’i nevojiten vite të tëra për ta restauruar dëmin e shkaktuar ndaj demokracisë së saj.
Në skenën politike kosovare fillohen të zgjohen zërat e trimave të fjetur të zgjedhjeve të parakohshme. Disa nga ta as që kandidojnë dhe as që e kanë atë guxim për ta bërë atë gjë. Për shembull kryetari i LDK-së, z.Isa Mustafa, deklaron se nga marrëveshja e nënshkruar në Washington DC, në shtatorin e 2020-s, duhet të hiqet pjesa e Mini-Shengenit. Saora marrëveshjes "historike" filluan me ia çnukë pjesët që nuk u pëlqejnë, mirëpo deri dje ajo ishte një marrëveshje historike. Kandidati i tij bartës i listës për kryeministër, në tentativë, z. Avdullah Hoti, deklaron se do t’i kthejë masat e reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë, masa të cilat i hoqi vetë si kryeministër i Qeverisë tashmë edhe ashtu të shpallur jolegjitime, duke i shkelur premtimet elektorale të partisë së vet në koalicion me Vetëvendosjen. Këtu njeriu edhe mos me qenë i trentë do të trenohej nga këta politikanë të paskrupullt. Në anën tjetër, me një botë paralele në garat e parakohshme qendrore, kryetari i AAK-së, z.Ramush Haradinaj, kandidon vetëm për president! Këta ta luajnë tepen e kresë. AKR-në dhe Begjet Pacollin kësaj radhe do të vazhdojë ta mbajë në jetë politike artificiale LDK-ja, duke e marrë si rimorkio pas vetes në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit.
NISMA në këto zgjedhje vazhdon e vetme dhe do ta ketë problematike që ta kalojë pragun e mjaltit.
Aderimi i analistëve nëpër partitë politike vazhdon. Nuk jam pajtuar asnjëherë dhe as që do të pajtohem ndonjëherë se kjo e shton vlerën e cilësdo parti. Për mendimin tim, kjo vetëm e zhvesh individin nga integriteti i vet, i cili tashmë edhe mbetet diskutabil, edhe e vesh në petkun partiak, asgjë më shumë.
PDK-ja na doli me sloganin "Rimëkëmbje". Se çka do të rimëkëmbin ata përveç partisë së tyre, (nëse edhe atë), pas gjithë atyre viteve në të cilat qeverisën apo bashkëqeverisën vetë, vështirë për t’u kuptuar.
Sidoqoftë, do të jetë interesant. Nga ajo që po mund të vërej, partitë politike sikur e kanë keqkuptuar datën e zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit dhe e kanë përvetësuar atë me zemra e slogane dashurie. Aq shumë dashuri i kanë dhënë atij vendi, që funksioni i zemrës më është ndërruar, ajo tash prodhon vetëm vakum dhe sa më shumë vakum, mjegull e status quo, aq më mirë për partitë politike.
Përndryshe, Britania e Madhe u rendit në vendin e parë në botë për vdekshmëritë nga Covid-19 në 100.000 banorë. Situata me të vërtetë është e rëndë. Prejse i kemi bërë brekët sitë* viti 2021 nuk na ka filluar bash aq mbarë për ne të cilët jetojmë në këtë ishull.
Nuk e di se çfarë do të na sjellë e ardhmja, mirëpo ne vazhdojmë të mbetemi udhëtarët e udhëtimit me sfida të ndryshme të quajtura jetë.
*BREXIT