Kemi çdo arsye për të qenë optimistë për liberalizimin e vizave. Sidoqoftë, janë së paku katër kompleksitetet që na duhet t’i kemi parasysh gjatë javëve në vijim
Javën e kaluar i gjithë vendi është ngrirë në suspancë pas lajmit për kushtëzimet e mëtutjeshëm të liberalizimit të vizave. Të gjithë vrapuam për shpjegime të arsyeshme dhe të paarsyeshme, por përgjigje që do të qetësonte diskursin publik nuk kishte. Përgjigjja më sensibile më erdhi në mendje duke huazuar nga Churchilli: Liberalizimi i vizave është gjëegjëzë e mbështjellë me mister brenda një enigme. Dhe këtu ndoshta gjendet përgjigjja më e saktë se çfarë po ndodh me liberalizimin e vizave: në kompleksitetin e tij. Prandaj në këtë kolumne vendosa të përshkruaj së paku katër kompleksitete të cilat e rrethojnë procesin e liberalizimit të vizave.
1. Kompleksiteti i BE-së
Nëse një vend me një qeveri, një kuvend dhe disa parti politike e ka të vështirë të marrë vendime të shpejta dhe cilësore, imagjinoni sa vështirë është që këtë ta bëjnë njëzet e shtatë vende me njëzet e shtatë qeveri, njëzet e shtatë kuvende dhe qindra parti politike?
Eh, pra, Bashkimi Evropian është organizëm kompleks. Ndoshta organizmi më kompleks në botë. Përbëhet nga njëzet e shtatë vende që përfaqësohen nga njëzet e shtatë qeveri, të cilat janë të zgjedhura nga njëzet e shtatë parlamente nacionale. Pjesë e tij është edhe një qeveri supranacionale që është në teori e pavarur nga vendet anëtare, por emërimi dhe shkarkimi i saj varet nga po këto njëzet e shtatë vendet anëtare. Pjesë e tij është edhe një Parlament Evropian i përbërë nga 705 deputetë evropianë. Pjesë e këtij kaleidoskopi institucional janë edhe qindra parti nacionale politike dhe dhjetëra grupe panevropiane politike që votohen nga 500 milionë qytetarë në njëzet e shtatë zgjedhje nacionale dhe një palë zgjedhje evropiane. Balancimi i të gjitha këtyre vlerave qytetare, këndvështrimeve politike dhe interesave shtetërore është ndërmarrje herkuliane. Nevoja për balancimin e tyre ka krijuar një kompleksitet të jashtëzakonshëm ligjor dhe institucional. Që nga fillet e tij, ky kompleksitet është reflektuar edhe në procesin e zgjerimit. Merrni shembull Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Edhe pse Maqedonia e Veriut ka nënshkruar MSA-në në vitin 2001, BE-ja ka qenë e paaftë të dakordohet për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut deri në vitin 2022. Kjo, përkundër faktit se që nga viti 2009 Komisioni Evropian ka rekomanduar nisjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut. Shqipëria ka nënshkruar MSA-në në vitin 2006, ndërsa ka nisur negociatat e anëtarësimit më 2022. Sipas përvojës së Shkupit, Kosova i bie të hapë negociatat e anëtarësimit në vitin 2036, ndërsa sipas përvojës së Tiranës në vitin 2031. Dhe kjo ngathtësi nuk ka të bëjë vetëm me procesin e zgjerimit. BE-ja ka vështirësi edhe në funksionimin e saj të brendshëm. Këtë e kemi parë gjatë sfidave në miratimin e buxhetit shtatëvjeçar të BE-së, por edhe në zhvillimet e fundit përkitazi me sanksionet ndaj Rusisë apo vendosjen e çmimit tavan për gazin rus. Kjo është edhe arsyeja përse presidenti Macron dhe kancelari Sholc kanë bërë thirrje për reformimin e BE-së. Dhe kjo është e kuptueshme. Nëse 27 miq e kanë jashtëzakonisht të vështirë të dakordohen se çfarë filmi do të shikojnë në kinema sonte, imagjinoni sa vështirë është për 27 shtete sovrane të dakordohen për çështje të interesit vital në ekonomi, punë të jashtme, drejtësi, siguri, etj. – dhe ku secili vend ka të drejtë vetoje. Në këtë sfond liberalizimi i vizave është një mikrokozmos i kompleksitetit të BE-së. Ne nuk kemi çfarë të bëjmë lidhur me këtë, përveç të kuptuarit kokëftohtë këtë kompleksitetit të BE-së dhe të pasurit durim për procedurat institucionale dhe ligjore të saj. Dhe kjo më sjell të kompleksiteti i radhës.
2. Kompleksiteti i procedurës vendimmarrëse
Ngathtësia e BE-së është veti e mishëruar brenda traktateve dhe institucioneve të BE-së si kosto e paevitueshme e bashkimit të 27 vendeve sovrane rreth një unioni. Çdo gjë që diskutohet brenda BE-së kërkon respektimin e procedurave rigoroze të BE-së, të cilat sigurojnë që mendimi i çdo vendi - sado i madh ose i vogël - do të respektohet. Kështu është edhe me procesin e liberalizimit të vizave. Është një keqkuptim në Kosovë për liberalizimin e vizave, ku mendohet se thjesht duhet një “vendim” për liberalizimin e vizave. Pra, thjesht një ditë Sholci dhe Macroni mblidhen, marrin një vendim dhe kryhet kjo punë. Nuk është kështu.
Procesi i liberalizimit të vizave është proces që kërkon ezaurimin e një procedure komplekse legjislative e cila është pjesë e këtij kompleksiteti të BE-së. Pra, po flasim për zbatimin e asaj që quhet “procedurë e zakonshme legjislative”, sipas nenit 77 të Traktatit për Funksionimin e BE-së. E gjithë kjo me qëllim të ndryshimit të një ligji evropian (rregullore sipas gjuhës teknike të BE-së) i cili u jep të drejt qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në zonën Shengen. Kjo procedurë e ndryshimit të këtij ligji duhet të kalojë për miratim në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin e BE-së. Në këtë drejtim, të dyja palët – Parlamenti dhe Këshilli – duhet të zhvillojnë negociata, të dakordohen dhe të miratojnë plotësim-ndryshimin e ligjit respektiv. E gjithë kjo ka afate dhe procedura rigoroze që janë vendosur për të mbrojtur interesat dhe këndvështrimet e të dyja palëve të përfshira në procesin legjislativ. Në këtë sfond ajo që pamë javën e kaluar është hapi i parë drejt zbatimit të kësaj procedure. Tani do të këtë hap të dytë, të tretë e kështu me radhë. Dhe në fund të kësaj procedure, ky ligji evropian i ndryshuar duhet të miratohet në seancën plenare të Parlamentit Evropian dhe në mbledhjen formale të Këshillit të BE-së.
Tani shtrohet pyetja sa zgjat e gjithë kjo? Në gjykimin tim, janë dy skenarë për liberalizimin e vizave: skenari optimist dhe ai realist. Në skenarin optimist, e gjithë kjo procedurë do të përfundojë deri në fund të këtij viti dhe më 1 janar 2023 qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen. Në mendimin tim, ky skenar është pothuaj i pamundur. Në rastin e Ukrainës dhe Gjeorgjisë u janë dashur 7-9 muaj për kompletimin e së njëjtës procedurë. Katari dhe Kuvajti kanë filluar këtë procedurë në qershor të këtij viti dhe ende nuk janë afër përmbylljes. Dhe kjo na dërgon tek skenari më realist. Në skenarin më realist gjithë procedura vendimmarrëse për liberalizimin e vizave do të përfundojë në pranverën e vitit tjetër. Kësisoj, qytetarët e Kosovës do të mund të lëviznin lirshëm në zonën Shengen nga mesi i vitit 2023. Tani duke hequr nga rendi i ditës kompleksitetin procedural, kalojmë tek kompleksiteti i faktorëve të jashtëm.
3. Kompleksiteti i faktorëve të jashtëm
Janë së paku dy faktorë të jashtëm që janë duke ndikuar në procesin e liberalizimit të vizave. E para janë Katari dhe Kuvajti. Këtë vit BE-ja ka iniciuar liberalizimin e vizave për këto dy vende. Dhe që nga ky vit - dhe që nga këto dy vende – BE-ja ka krijuar një precedent në liberalizimin e vizave me vendet e treta. Ky precedent insiston se çdo liberalizimi i ardhshëm i vizave, për arsye sigurie, duhet të ndërlidhet me hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS. Pra, në këtë sens mund të përdoret ky zhvillim i fundit në rastin e liberalizimit të vizave për Katarin dhe Kuvajtin, si precedent edhe në rastin e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe të kërkohet e njëjta qasje edhe për Kosovën, respektivisht që qytetarët e Kosovës të fillojnë lëvizjen e lirshëm në zonën Shengen vetëm pas funksionalizimit të ETIAS-it. Pra, ky zhvillim i fundit ka krijuar një mjedis politik ku trajtimi ndryshe i Kosovës nga Katari dhe Kuvajti mund të nxisë pakënaqësi te këto dy vende që kanë rëndësi të veçantë gjeopolitike në Lindjen e Mesme. Pra, thënë ndryshe, ato mund të konsiderojnë veten të diskriminuar nëse atyre u është vendosur një kusht që nuk po iu vendoset vendeve të tjera, respektivisht Kosovës. Dhe e gjithë kjo e vendos BE-në në një pozitë të palakmueshme, në veçanti në një sfond gjeopolitik kur ajo është duke tentuar t’i avancojë marrëdhëniet me Katarin, i cili e furnizon BE-në me gjysmën e gazit likuid natyror dhe është furnizuesi i pesë më i madh i gazit natyror të BE-së. Tani në sfondin e mungesës së gazit në Evropë, të shkaktuar nga pushtimi i paprovokuar rus, e kuptoni se si kjo marrëdhënie është jashtëzakonisht e rëndësishme për BE-në dhe e shihni se si bëhet fjalë për një situatë që kërkon trajtim delikat diplomatik – jo për fajin tonë, por për fajin e rrethanave që janë jashtë kontrollit tonë. Tani ne kemi plot argumente përse vendosja e shenjës së barazisë në mes të liberalizimit të vizave me Kosovën dhe Katarin e Kuvajtin është e gabueshme, por nuk po lëshohem tani në këtë.
Faktori i dytë i jashtëm që ndikon në procesin e liberalizimit të vizave është rritja e vazhdueshme e hyrjeve ilegale në BE nga Ballkani Perëndimor. Të dhënat e fundit nga FRONTEX-i konfirmojnë se numri i hyrjeve ilegale në BE në nëntë muajt e parë të vitit 2022 ka shënuar rritje prej 70 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Ky është rekordi i hyrjeve ilegale në BE për nëntë muaj të parë që nga viti 2016; dhe gjysma e këtyre kalimeve ilegale kanë hyrë në BE përmes Ballkanit Perëndimor. Krahasuar me vitin e kaluar, kjo është rritje prej 170 për qind të hyrjeve ilegale përmes rajonit tonë. Sirianët dhe afganët kanë qenë shtetësitë kryesore migruese. Vëni tash këto në sfond të Analizës së Riskut Strategjik 2022 të FRONTEX-it, ku në skenarët e krizave të mëdha në fqinjësinë e BE-së do të kërkohet “shtrëngimi i kontrolleve kufitare në Ballkanin Perëndimor”. Prandaj javën e kaluar komisionerja evropiane përgjegjëse për Punë të Brendshme, znj. Ylva Johansson, tha se nuk e përjashton pezullimin e liberalizimit të vizave për Serbinë. E gjithë kjo nuk ka të bëjë ekskluzivisht me Kosovën. Ky është problem i gjithë rajonit, por besoj e kuptoni pse diskutimi për rritjen 170 për qind të hyrjeve ilegale në BE nga vendet e Ballkanit nuk i ndihmon heqjes së kufijve të një vendi nga Ballkani.
4. Kompleksiteti i dialogut
Gjëja e parë që secili prej nesh do ta nënvizojë është se është totalisht e padrejtë që dialogu të ndërlidhet me liberalizimin e vizave. Por njëkohësisht ne duhet të pranojmë se procesi integrues i Kosovës që nga fillimet e tij ka qenë i ndërlidhur me dialogun. Kur është lansuar negocimi i MSA-së? Kur është lansuar liberalizimi i vizave? Të dy këto në vitin 2012, menjëherë pas arritjes së marrëveshjeve të para të rëndësishme në kuadër të dialogut në vitin 2011. Prandaj edhe sot, përkundër se dialogu nuk është kusht formal në kuadër të liberalizimit të vizave, ai patjetër është faktor joformal që ndikon në kalkulusin politik të vendeve anëtarë të BE-së. A do t’u shkojë mendja Sholcit dhe Makronit që të kushtëzojnë Qeverinë e Kosovës apo Qeverinë e Serbisë me incentiva negative në rast të mungesës së konstruktivitetit në kuadër të dialogut? Nuk shoh asnjë arsye pse jo. Çfarë leve tjetër kanë në dorë?
Në fillim të këtij viti kam qenë pesimist se liberalizimi i vizave do të ndodhë këtë vit. Sot jam optimist. Prandaj dua ta përmbyll me optimizëm. Konsideroj se është lajm shumë i mirë që ka filluar javën e kaluar diskutimi i liberalizimit të vizave brenda Këshillit të BE-së. Ky është indikacion se ka vullnet politik për liberalizimin e vizave për Kosovën. Asnjëherë më parë nuk kemi mbërritur kaq larg brenda procesit vendimmarrës të BE-së. Është lajm edhe më i mirë që dje vendet anëtare kanë “mbështetur” dhe “mirëpritur” gjerësisht liberalizimin e vizave për Kosovën. Pra, asnjë vend nuk ka qenë kundër. Në këtë sfond, kemi çdo arsye për të qenë optimistë.