OpEd

Çfarë janë Komisionet e së Vërtetës?

Shkrim i punuar në bazë të publikimit “Kërkimi i së vërtetës - Elementet e krijimit të një komisioni efektiv të së vërtetës” realizuar nga The International Center for Transitional Justice (1)

Komisionet e së vërtetës janë organizma zyrtare, jogjyqësore me një kohëzgjatje të kufizuar që themelohen për të gjetur faktet, shkaqet dhe pasojat e shkeljeve të të drejtave të njeriut në të kaluarën. Duke i dhënë vëmendje të veçantë dëshmive, ato u ofrojnë viktimave njohje, shpeshherë pas një periudhe kohore të stërzgjatur të stigmatizimit shoqëror dhe skepticizmit. Përmes gjetjeve dhe rekomandimeve të tyre, komisionet e së vërtetës mund të kontribuojnë në dhënien e dënimeve dhe reparacioneve, duke iu ndihmuar shoqërive të përçara për të tejkaluar kulturën e heshtjes dhe mosbesimit, si dhe ndihmojnë për të identifikuar reformat e nevojshme institucionale për parandalimin e shkeljeve të reja.

Komisionet e së vërtetës janë mëse efektive kur integrohen në një strategji gjithëpërfshirëse për një drejtësi tranzicionale ku përfshihen politikat e reparacioneve/dëmshpërblimeve, ndjekjet penale, dhe reformat institucionale. Duke ofruar gjetje të qarta dhe rekomandime te thukta, komisionet mund të ndikojnë në pasurimin e politikave duke krijuar momentum politik dhe moral për këto iniciativa.

Objektivat e Komisioneve të së Vërtetës

Objektivat e komisioneve të së vërtetës janë të definuara në instrumentin ligjor që i themelon ato, në të shumtën e rasteve në formën e ligjit apo të dekretit ekzekutiv. Kjo mund të jetë në forma të ndryshme, duke reflektuar prioritetet ose rrethanat e atij vendi. Tre objektivat thelbësore janë si vijon:

  1. Komisionet e së vërtetës duhet të përcaktojnë faktet lidhur me ngjarjet e dhunës që kanë mbetur të kontestuara apo të mohuara. Disa komisione e kanë përkufizuar punën e tyre në qartësimin e rrethanave faktike të abuzimit, por shumica analizojnë fakte për të përcaktuar kontekstin historik dhe shoqëror që mund t’i ketë nxitur ato, si dhe nëse hetimi i mëtutjeshëm apo hetimi penal është i duhur.
  2. Komisionet e së vërtetës duhet të mbrojnë, njohin, dhe fuqizojnë viktimat dhe të mbijetuarit. Komisionet themelojnë një raport me viktimat dhe të mbijetuarit jo vetëm si informues, por edhe si persona me të drejta, si partnerë dhe si persona përvojat e të cilëve meritojnë njohje.
  3. Komisionet e së vërtetës duhet të informojnë politika dhe të inkurajojnë ndryshime në sjelljen e grupeve dhe institucioneve, duke kontribuar kështu në transformimin shoqëror dhe politik. Rekomandimet finale të komisionit të së vërtetës kanë për synim të identifikojnë dhe adresojnë shkaqet e abuzimit dhe shkeljeve në mënyrë që të parandalohet përsëritja e tyre. Në ndërlidhje të ngushtë me këtë objektivë, disa komisione i japin rëndësi primare pajtimit mes komuniteteve, rivale në të kaluarën.

Kur dhe si janë themeluar Komisionet e së Vërtetës?

Komisionet e së vërtetës janë krijuar kryesisht gjatë periudhave të ndryshimeve politike, si p.sh., rënia e një regjimi autoritar apo fundi i një konflikti të armatosur. Zotimi për të themeluar një komision të së vërtetës shpesh është pjesë përbërëse e marrëveshjeve për konsolidimin e paqes, negociatave për tranzicion drejtë demokracisë, dhe në disa raste mund të përfshihet si klauzolë në kushtetutën e re. Komisioni i së vërtetës mund të shihet si një shkëputje nga e kaluara e dhunshme dhe rivënie e themeleve morale të një shoqërie, dhe meriton nivelin më të lartë të njohjes dhe përkrahjes.

Tradicionalisht, komisioni i së vërtetës themelohet nga dega ekzekutive ose ajo legjislative e qeverisë. Forma e përzgjedhur varet nga realiteti institucional dhe politik i një vendi, sidoqoftë, të dyja qasjet kanë avantazhet dhe disavantazhet e tyre:

• Në shumicën e kushtetutave, vendimet ekzekutive, njëjtë si dekretet presidenciale, kanë më pak fuqi se legjislacioni formal. Në të shumtën e rasteve, dekretet janë dokumente të thukta me qasje të kufizuar, të paafta të fuqizojnë komisionet me kompetenca hetimore që janë tipike për komisionet hetimore parlamentare. Varësisht nga konteksti i tranzicionit, ekzekutivi mund të ketë më pak përkrahje politike se legjislativi. Në disa shtete, dekretet ekzekutive mund të jenë po aq të fuqishme dhe legjitime sa edhe legjislacioni parlamentar, duke qenë më të shpejta dhe më pak të strukturuara sesa proceset legjislative. Shembuj të komisioneve të suksesshme të së vërtetës që janë themeluar nga veprimet ekzekutive janë shumica e komisioneve në Amerikën Latine, si dhe në Marok dhe Timor-Leste (nën administrimin e Kombeve të Bashkuara).

• Në raste kur themelohen nga legjislativi, ato mund të reflektojnë përkrahje më të gjerë politike dhe fuqi institucionale. Megjithatë, procesi legjislativ mund të jetë i ngadalshëm dhe shpeshherë i nënshtrohet negociatave të paparashikueshme që mund të afektojnë integritetin e mandatit të komisionit. Shumica e komisioneve afrikane, duke përfshirë këtu edhe Afrikën e Jugut, janë themeluar përmes vendimeve parlamentare.

Mënyra sesi një shtet e themelon komisionin e së vërtetës përcaktohet në masë të madhe nga klima institucionale dhe politike dhe nga karakteristikat e periudhës tranzitore. Vetëm akterët vendorë mund të marrin vendime të informuara rreth qasjes më të mirë në themelimin e një komisioni të fuqishëm. Më e rëndësishme në këtë rast është të sigurohet pavarësia, kredibiliteti dhe efikasiteti i komisionit.

Karakteristikat Themelore të Komisionit të së Vërtetës

Në plotësim të drejtësisë penale: Komisionet e së vërtetës nuk janë hetime gjyqësore. Ato nuk krijojnë përgjegjësi penale individuale për krime specifike, nuk shpallin dënime, dhe nuk përdorin standarde të proceseve të aplikueshme në gjykata. Nëse mbledhen dëshmi që e ndihmojnë hetimin penal, hetimet e tyre mund t’u paraprijnë ose të plotësojnë punën e gjykatave. Derisa gjykatat zakonisht fokusohen në fakte të rasteve individuale, të cilat janë të dëshmueshme përmes standardeve ekzakte për sigurimin e dëshmisë, komisionet e së vërtetës e plotësojnë këtë procedurë duke përcaktuar kontekstin shoqëror dhe historik të shkeljeve si dhe modelet e etabluara si rrjedhojë e numrit të madh të rasteve. Analizat e tyre mund të ndihmojnë në shpalosjen e logjikës dhe strategjisë prapa abuzimeve, duke ndihmuar në ngritjen e përgjegjësisë morale dhe politike.

Fokusi në shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut: Historikisht, komisionet e së vërtetës i kanë fokusuar hetimet e tyre në të drejtat lidhur me mbrojtjen e integritetit fizik dhe mental të personave dhe në krime tjera serioze, siç janë tortura, zhdukja me forcë, vrasjet jashtëgjyqësore, zhvendosja me forcë, dhe dhuna seksuale. Me kalimin e kohës, rolet e tyre janë zgjeruar. Komisionet e mëvonshme kanë hetuar më tepër abuzimet serioze, siç janë krimet e shkaktuara ndaj njerëzimit dhe krimet e luftës. Disa sosh kanë trajtuar po ashtu edhe krimet ekonomike dhe korrupsionin si pjesë e modeleve të zgjeruara të abuzimit dhe dhunës autoritare.

Periudha e hetimit: Ndryshe nga komisionet hetimore parlamentare, tipike për shumë vende, të cilat fokusohen në çështje të vetme apo në rrethanat e një ngjarjeje specifike, komisionet e së vërtetës zakonisht mbulojnë periudha më të gjata të rasteve të abuzimit, ndonjëherë edhe dekada. Kjo e bën të mundur që komisionet e së vërtetës të identifikojnë modele historike të dhunës dhe shkeljeve sistematike.

Vëllime të mëdha të dëshmive: Për shkak të fokusit të tyre të gjerë, si në aspektin e shkeljeve ashtu edhe atë të periudhës kohore, komisionet mund të mbledhin informata voluminoze drejtpërdrejtë nga dëshmitarët, arkivat, dhe tjera burime. Komisioni i së Vërtetës dhe Pajtimit në Peru mblodhi 17,000 dëshmi gjatë një periudhe dy vjeçare të funksionimit, ndërsa Komisioni i së Vërtetës dhe Pajtimit në Afrikën e Jugut mblodhi mbi 22,000 dëshmi brenda tre vitesh. Ky numër i madh i të dhënave iu mundëson komisioneve që gjatë punës së tyre të inkorporojnë qasje të ndryshme metodologjie, si p.sh., analiza statistikore.

Qasja e fokusuar në viktimën: Viktimat dhe të mbijetuarit janë burim kryesor i informatave për komisionet e së vërtetës, dhe shumë komisione e gëzojnë mandatin ligjor për të siguruar mirëqenien e viktimave ku shumë nga ato ofrojnë edhe shërbime për viktima, siç janë ndihma emergjente, përkrahja psikologjike, siguria dhe ndihma juridike. Komisioni i së Vërtetës, Pranimit dhe Pajtimit në Timorin Lindor ka punësuar kuadro të specializuara për të alokuar fonde emergjente dhe për të ndihmuar personat e zhvendosur për t’u kthyer në shtëpitë e tyre.

Si të Sigurohet Fuqia e Komisionit të së Vërtetës

  • Komisionet duhet të jenë kredibile: Komisioni i së Vërtetës mund të rris kredibilitetin:
  • Duke përzgjedhur anëtarë me reputacion të shkëlqyeshëm moral dhe profesional
  • Duke garantuar pavarësi të plotë nga ndërhyrjet politike
  • Duke themeluar procedura transparente për hulumtim
  • Duke inicuar dialog me shoqërinë civile, në veçanti organizatat e viktimave
  • Komisionet kanë nevojë për përkrahje nga palët me interes: Komisionit të së vërtetës i duhet përkrahje nga autoritetet politike të vendit dhe bashkëpunim me agjencitë qeveritare, përveç ofrimit adekuat të resurseve. Kur komisionet përballen me vështirësi gjatë mandatit të tyre, ato domosdo do të mbështeten në mirëbesimin dhe përkrahjen e lidershipit politik të vendit.
  • Komisionet duhet të fitojnë respektin e shoqërisë: Një komision efektiv i së vërtetës kërkon bashkëpunim të një spektri të gjerë të agjentëve shoqëror dhe politik. Në të gjitha fazat e punës së tij, duke filluar nga themelimi deri tek raportimi, komisioni duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë strategjisë së informimit publik në mënyrë që misioni dhe arritjet e tij të jenë të kuptueshme, dhe ku komunitetet kanë mundësi të reagojnë dhe të japin ide që mund t’a pasurojnë punën e komisionit. Pjesëmarrja e lehtësuar e publikut është indikator i respektit ndaj qytetarisë dhe i mundëson komisionit mbledhjen e informatave dhe përpilimin e rekomandimeve për politika.
  • Komisionet duhet të respektojnë vazhdimisht kodin e sjelljes: Veprimet e komisionit të së vërtetës duhet të jenë shembull i praktikave të reja dhe të drejta, të cilat qytetarët i presin nga qeveria e tyre.

Komisionet e së Vërtetës dhe Pajtimit

Shumë komisione të së vërtetës synojnë në mënyrë eksplicite inkurajimin e pajtimit kombëtar, dhe shumë nga ato e inkorporojnë fjalën “pajtim” në mandatin e tyre zyrtar dhe/ose emërtimin e tyre. Megjithatë, komisionet e ndryshme e kanë kuptuar këtë koncept ndryshe nga njëra tjetra. Disa kanë tentuar të shërojnë marrëdhëniet individuale ndërmjet autorëve të krimit dhe komunitetit të tyre; të tjerat kanë kontribuar në reformën shtetërore dhe institucionale duke rikthyer besimin qytetar, derisa, disa tjerë kanë patur për qëllim të trajtojnë shkaqet e konfliktit, duke ofruar kompensim apo duke siguruar drejtësi për viktimat. Prandaj, pajtimi duhet të kuptohet si një proces shoqëror afatgjatë që nuk mund të arrihet vetëm përmes komisionit të së vërtetës, aq më pak brenda një kohe të shkurtër. Në skenarin më të mirë, komisionet mund të ndihmojnë në krijimin e kushteve më të mira për pajtim duke inkurajuar reforma institucionale dhe ndryshime në kulturën politike të një vendi, si dhe duke rikthyer dinjitetin e personave të prekur më së shumti nga dhuna.

Fuqizuar nga Integra, CPT, PAX dhe RBF.

Ky projekt u financua përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.