Efekti i turmës
Hani m...t, miliona miza nuk mund të gabojnë, është publiciteti i njohur imagjinar i përdorur shpesh sa herë bëhet fjalë për efektin e turmës. Umberto Eco bën një dallim esencial mes dëshirës dhe nevojës në këtë rast. Nëse në vend të bajgave do të kishte qenë mjaltë, njësoj do t’i ishin vërsulur miliona miza. Ky dallim është esencial kur flitet për popujt nën diktaturë. Ka një dallim mes nevojës së njerëzve për të mbijetuar dhe dëshirës për të shijuar.
Argumenti i turmës i parë në nivelin e librave bëhet interesant dhe sfidues. Debati nëse bestsellerët janë letërsi apo jo tashmë është i konsumuar. Çfarë është një bestseller? Pse duhet lexuar? Eco ka një përgjigje të thjeshtë, bestseller janë autorët të cilët i ka filtruar koha për të mbërritur deri sot te ne. Që nga antikiteti e gjithë etapat e letërsisë botërore na kanë mbërritur vetëm çka ka mbetur në sitë. Kështu Eco na shpie drejt termit të ri longseller, i cili pastron qiellin konfuz të diskutimit në botën e letrave mbi këtë argument. Do të mbijetojnë më të mirët.
Në kërkim të reklamës
Në fakt janë pikërisht ata, longsellerët, që gjurmohen nga shtëpitë botuese. Ata nuk do të korrin fitime të menjëhershme, por fitime konstante e afatgjata. Çfarë e bën një libër longseller? Së pari të sqarojmë se po flasim për romane. Poezia na pëlqen të themi se mbetet elitare dhe qarkullon brenda një rrethi vazhdimisht në tkurrje, edhe pse rastet si Rupi Kaur kanë treguar se edhe poetët mund të bëhen influencer në Instagram. Por një longseller nuk shquhet vetëm për shifrat e shitjes, por edhe për vlerën letrare. Secili autor do të ëndërronte të shkruante një libër të tillë.
Cilat janë rregullat për të shkruar një bestseller? Janë disa të tilla, por ende nuk i dimë, përgjigjen njerëzit që librat i kanë mjet pune. Fati i një libri është i fshehtë, i panjohur për të gjithë e në këtë pikë duhet hequr dorë nga idealizimi i shtëpive të mëdha botuese. Qindra raste kanë dëshmuar të kundërtën. Normalisht që një shtëpi e madhe botuese i kushton më tepër publicitet librit, tek e fundit shumica e njerëzve nuk e dinë që edhe vendet e librave nëpër librari apo supermerkato kanë një çmim, të cilin shtëpitë e blejnë vetëm për pak autorë. Të tjerët duhet të mësojnë të shesin.
Edhe impakti i reklamës në televizion apo gazetë është parë se nuk është më produktiv, u ka kaluar koha. Vështirë që dikush do ta blinte një libër nëse për të ka lexuar një artikull në gazetë apo ka parë një storie në TV. Kur i pyet menaxherët pse vazhdojnë të investojnë gjithë ato para për një artikull a një storie, të përgjigjen: për t’ua bërë qejfin autorëve. Është si ta ftosh botën kulturore apo libraritë në një martesë: ju ftojmë të shikoni autorin që kemi përzgjedhur.
E njëjta gjë pak a shumë vlen për shumicën e çmimeve letrare apo listat e shitjeve. Çdo gjë është e prenotuar nga shtëpitë botuese, ndaj vlera e çmimeve sot më shpejt harrohet sesa promovohet. Nëse do t’i shtojmë kësaj pasqyre edhe kohën ku po jetojmë, efektin e rrjeteve sociale ku secili është autor e promotor i vetvetes, është e qartë se po jetojmë në një politeizëm të vërtetë, një konglomerat vlerash pa orientim.
Kritika e miqve
Të kthehemi te librat shqip. Këtu konfuzioni arrin kulmin. Ato pak revista letrare që vijnë si një trashëgimi nga periudha e komunizmit ballkanas apo tendenca për të rizgjuar një traditë të vjetër, që prej aeroplanit duket se qarku që i përgatit nuk bën gjë tjetër sesa të promovojë vetveten, miqtë e interesat e biznesit. Si të tilla bëhen të pabesueshme për lexuesin, që edhe ashtu e kanë shumë të reduktuar. Këtu do të doja të qëndroja pak më gjatë.
Kritika letrare shqiptare duket të ketë ngecur te periudha e letërsisë moderne shqiptare, me fjalë të thjeshta, deri tek autorët e vdekur. Nuk shkon më përpara. Me të gjallët merren vetëm miqtë apo ‘unë për ty, ti për mua’. Kritikët kanë mbetur të kapur pas Kadaresë, sepse dihet që aty ka ende mjaltë, duke injoruar apo snobuar pjesën tjetër të letërsisë. Personalisht e kam të vështirë të kuptoj shtrirjen e prirjet e saj me gjithë këmbënguljen për të lexuar çfarëdo libri të ri që më bie në dorë. Përveç kritikës ‘së miqve’ apo skajshmërisht pozitiviste, nuk ka një kritikë të vërtetë nga njerëz kompetentë që do të kishin mirësinë të paktën të jepnin opinionin e tyre të sinqertë. Aq e zbrazët është kjo hapësirë saqë të vjen natyrshëm pyetja, a lexojnë more këta njerëz?
Mjerimi i një politike të dështuar
Në këtë konfuzion e zbrazëti një politikë mbi librat do të ishte serumi kurues. Por sa herë flitet për politikën, dështimi të zë sytë. Para pak kohësh Ministria e Diasporës në Shqipëri organizoi një kongres për shkrimtarët e diasporës. Përveç formatit të 60 vjetëve të fundit të këtyre kongreseve në pallatin e njëjtë të kongreseve, këmbëngulja për të promovuar autorë të cilët jo vetëm që nuk shkruajnë në shqip, por kategorikisht refuzojnë të përkthehen në gjuhën e nënës, pasi shqipja për ta është gjuhë shumë e ngushtë dhe e varfër, është aq naive sa të vjen natyrale t’i injorosh për të mos vjellë. Kujt i duhen ato kongrese, përveç politikës ditore dhe egove të autorëve për pak dukshmëri? Çfarë iu duhet fama në Shqipëri atyre, ku aty as s’i lexon njeri e as s’duan të lexohen?
Zhvillimet kanë treguar se tregu i librit është i çuditshëm, ndërkohë që librat nuk janë aspak krijesa të tilla. Ato janë krijesa të thjeshta, formojnë natyrshëm ekosistemin e tyre, i cili ka një ndjeshmëri shumë të lartë. Librat janë si bletët, vuajnë nga ndotja e mjedisit, nga nxehja intelekto-kulturore, nga rozizmi e indiferentizmi i përgjithshëm. Një gjë është e qartë, do të mbijetojnë vetëm më të mirët, deri atëherë të gjithë autorët e dëshpëruar e gjithmonë të pakënaqur do të vazhdojnë të ëndërrojnë.