Tani e tutje, një marrëveshje për të mbajtur Ukrainën jashtë Aleancës është minimumi, jo maksimumi, që Rusia do të kërkojë. Mund të funksionojë. Në fund të fundit, ndërkohë që pranimi i një vendi në NATO duhet të shpallet zyrtarisht, jo edhe vendimi për ta mbajtur jashtë përgjithmonë
Rezultati i bisedimeve të fundit tetë-orëshe ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë në Gjenevë nuk u raportua në edicionin qendror të lajmeve të Channel One, në pronësi shtetërore të Rusisë, mediumi kryesor propagandistik i Kremlinit, deri në minutën e 11-të. Dy storiet e para u fokusuan në zhvillimet në Kazakistan, veçanërisht në konsultimin virtual të presidentit Vladimir Putin me drejtuesit e Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive(CSTO). Duket se Putini donte t'u linte përshtypje rusëve ndryshe, pos nëpërmjet dhënies së ultimatumit Perëndimit si pretekst për të pushtuar Ukrainën.
Vendosja e trupave ruse për të ndihmuar shuarjen e trazirave në Kazakistan është pjesë e përpjekjeve të Putinit për të rindërtuar perandorinë ruse nëpërmjet frikësimit dhe forcës ushtarake. Putini synon të shlyejë 25 vjet të politikës perëndimore të sigurisë, duke kufizuar sovranitetin e Ukrainës, Gjeorgjisë, Moldavisë, madje edhe ish-republikave sovjetike – Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë – që tashmë janë anëtare në NATO. Për të forcuar pozicionin e tij negociues, Putini dëshiron të tregojë se Rusia ka diçka, njëfarë NATO të sajën.
Edhe pse CSTO-ja, njëfarë “Pakti i Varshavës”, u themelua në vitet 1990, Kremlini nuk e ka përdorur kurrë për të justifikuar ndërhyrje të huaj para rastit të Kazakistanit. CSTO-ja nuk ndërhyri kur Kirgizia kërkoi ndihmën e Rusisë në vitin 2010, as kur Armenia e bëri këtë gjatë konfliktit të saj të fundit me Azerbajxhanin për Nagorno-Karabahun.
Por, Kremlini tani duket se ka nxjerrë mësimet e kryengritjeve popullore në Bjellorusi dhe Ukrainë në dekadën e fundit. Për të nisur misione të përbashkëta me forcat e diktatorit bjellorus, Aleksandr Lukashenko, Putini thjesht mund të fshihet pas CSTO-së. Me sa duket, “misioni ushtarak paqeruajtës” i CSTO-së në Kazakistan drejtohet nga gjenerallejtnanti rus, Andrei Serdyukov, i njëjti njeri që udhëhoqi operacionet ushtarake për pushtimin e Krimesë në vitin 2014 dhe që më pas komandoi forcat ruse në Siri.
Futja e Rusisë në Kazakistan sigurisht se ka tërhequr vëmendjen e Perëndimit. Asetet e tij më të rëndësishme janë lëndët e para (nafta, gazi dhe uraniumi) dhe shtrirja qendrore në Iniciativën e Kinës, “Rripi dhe Rruga”, e cila degëzon me Iranin, Turqinë dhe Rusinë. Nën Nursultan Nazarbayevin, i cili sundoi për tri dekada deri në dorëheqjen nga presidenca në 2019, Kazakistani mbajti një politikë të pavarësisë relative ndaj Rusisë, Kinës dhe Shteteve të Bashkuara; tani, megjithatë, ekuilibri ka ndryshuar papritur.
Por është e paqartë saktësisht se çfarë shpreson të arrijë Kremlini në Kazakistan. Nëse përpiqet të marrë kontrollin e burimeve të vendit, do të përfundojë në një konfrontim me Kinën, të cilën nuk mund ta përballojë. As nuk mund ta kontrollojë situatën politike në vend. Protestuesit, në fund të fundit, tashmë i kanë arritur qëllimet e tyre për të detyruar dorëheqjen e qeverisë dhe për të rivendosur kufijtë e çmimit të karburantit (një dyfishim i çmimeve shkaktoi trazira).
Megjithatë, pas vitesh që Kremlini qëndroi afër dhe shikonte derisa SHBA-ja dhe Kina kolonizojnë ekonomikisht Kazakistanin, këto vende tani duhet të shikojnë sesi ushtarët rusë ndihmojnë për të patrulluar qytetet kazake. Chevron, ExxonMobil dhe kompanitë evropiane të naftës kanë fusha dhe instalime në të gjithë Kazakistanin, kështu që gjëja e fundit që ata duan është një konflikt më i thellë.
Si gjithmonë me Putinin, audienca e brendshme është një konsideratë kryesore. Shumica e rusëve – duke përfshirë shumë analistë të pavarur dhe figura të opozitës – e konsiderojnë Kazakistanin pjesë të “Russkiy mir” (“Botës ruse”). Ashtu si rusishtfolësit në Ukrainë, supozohet se të gjithë rusofonët në Kazakistan janë në fakt rusë që nuk ëndërrojnë asgjë më shumë se aneksimin nga atdheu. Në vitet 1990, nacionalistët ekstremë, duke përfshirë kreun e Partisë Liberal-Demokratike, Vladimir Zhirinovsky, dhe shkrimtarin Aleksander Solzhenitsyn, kërkuan haptazi që Kazakistani verior të përfshihej në Rusi.
Megjithatë, shumë kazakë që flasin rusisht nuk janë pro-rusë dhe as nuk duan ta përfshijnë vendin e tyre pjesërisht ose tërësisht në Rusi. Ka ukrainas dhe kazakë që flasin vetëm rusisht dhe nuk duan që kjo gjuhë të jetë gjuha zyrtare e vendit të tyre. Por asnjë nga këto nuk ka rëndësi për Putinin. Ai e sheh ekzistencën e thjeshtë të një pakice ruse – madhësinë e të cilit ai zakonisht e mbivlerëson disa herë – si justifikim të mjaftueshëm për të përfshirë një vend fqinj në sferën e ndikimit të Rusisë.
Por, Kremlini gjithashtu ka shumë për të humbur në Kazakistan. Vendosja e 2.500 trupave mund të forcojë ndikimin e Rusisë, por mbajtja e një pranie ushtarake do t’i antagonizojë kazakët, ashtu siç ndërhyrjet e mëparshme antagonizuan ukrainasit dhe bjellorusët, të cilët e konsideronin veten pro-rusë.
Ky antagonizëm do të ketë vetëm rëndësi margjinale gjeopolitike në planin afatshkurtër dhe afatmesëm; por në terma afatgjatë, kjo mund të çojë në pavarësi më të madhe. Pas Gjeorgjisë më 2008, Ukrainës më 2014 dhe Bjellorusisë më 2020, Kazakistani është një kapitull tjetër në narrativën neo-perandorake të Putinit. Por kjo gjithashtu e bën atë një shoqëri tjetër tradicionalisht pro-ruse që Putini rrezikon ta humbasë. Megjithëse ndërhyrja supozohet t’i trembë protestuesit për t’u nënshtruar, ajo mund të ketë efektin e kundërt, duke i kthyer kazakët me vendosmëri kundër Rusisë.
Prania ushtarake e Rusisë në Kazakistan është një burim shtesë levash pasi Putini ndjek qëllimin e tij të dytë: një marrëveshje të pashkruar për të ndalur integrimin e Ukrainës dhe Gjeorgjisë në Perëndim. Po të mos ishte ultimatumi i Rusisë në lidhje me anëtarësimin në NATO, kërkesa e thjeshtë për ta tërhequr mbështetjen perëndimore për Ukrainën do të ishte radikale. Por, në këtë sfond, objektivi i Putinit duket të jetë një plan minimal – pothuajse një kompromis. Dhe gjithë rrjedha e ngjarjeve në Kazakistan dhe përgjatë kufirit ukrainas i shërben këtij qëllimi.
Nëse, pas tetë orësh bisedimesh, mediat e kontrolluara nga Kremlini nuk gjëmojnë se Rusia u ofendua dhe provokoi një reagim të duhur, atëherë duket se rezultati nuk ishte pretekst për pushtimin e Ukrainës. Perëndimi duhej të mësonte nga vendosja e CSTO-së në Kazakistan se Rusia është e barabartë me SHBA-në, ka NATO-n e saj dhe ka aftësinë për të zgjeruar ndikimin e saj në vendet e mëdha fqinje. Siç tha zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov: Rusia duhet të marrë diçka nga NATO-ja
Tani e tutje, një marrëveshje për të mbajtur Ukrainën jashtë Aleancës është minimumi, jo maksimumi, që Rusia do të kërkojë. Mund të funksionojë. Në fund të fundit, ndërkohë që pranimi i një vendi në NATO duhet të shpallet zyrtarisht, jo edhe vendimi për ta mbajtur jashtë përgjithmonë.
(Autori, themelues i lëvizjes “Krytyka Polityczna”, është anëtar i lartë i Këshillit Gjerman për Marrëdhënie të Jashtme. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”. Përktheu: Rexhep Maloku)