Të dy liderët janë duke mbrojtur interesat e vendit përballë një fuqie më të madhe. Njëri me mjetet luftarake, tjetri me mjete politike. Ajo çfarë Ukraina po na mëson është se asgjë nuk duhet bërë për hir të perspektives evropiane, por për hir të synimit më sublim të ruajtjes së shtetit sovran dhe të pavarur. Zelenskyn ky qëllim e ka marshuar në luftë. Kurtin e dërgon në dialog
3.381. Kaq është numri i civilëve të pafajshëm të vrarë në Ukrainë sipas Kombeve të Bashkuara. 69 prej tyre fëmijë. Dhe siç pranojnë edhe vetë Kombet e Bashkuara, numri real është shumë më i madh se kaq. Vetëm në qytetin e Mariupolit janë vrarë 10,000 civilë sipas kryetarit të qytetit.
50 milionë. Kaq është numri i fishekëve që SHBA-ja ia ka ofruar Ukrainës për t’u mbrojtur nga Rusia. Përveç fishekëve, SHBA-ja ka furnizuar Ukrainën, në mes tjerash, me 1.400 sisteme Stinger kundërajrore, 20.000 sisteme të ndryshme antitank, 16 helikopterë dhe 700 dronë. Rëndësia e ndihmës së SHBA-së pasqyrohet më së miri në faktin se ajo është më e madhe se ndihma e të gjitha shteteve të tjera marrë së bashku. Dhe pavarësisht kësaj, presidenti Biden tha se ky furnizim do t’i mjaftojë Ukrainës vetëm për 10 ditë të tjera. Prandaj, në një hap të radhës mbështetjeje presidenti vendosi për një fond të ri prej 33 miliardë dollarësh për Ukrainën.
5.000 faqe. Kaq i janë dashur Ukrainës që të përgjigjet në pyetësorin e BE-së për marrjen e statusit të vendit kandidat. Pra, në kohën kur SHBA-ja ka furnizuar Ukrainën me sisteme kundërajrore, BE-ja ka furnizuar Ukrainën me pyetësor. Kjo sjellje e SHBA-së dhe BE-së karshi Ukrainës vendos në sipërfaqe dallimin oqeanik në politikën e jashtme dhe të sigurisë ndërmjet Amerikës dhe Evropës. Pra sot kur kërcënohet rendi botëror, BE-ja mendon se agresioni rus do të zmbrapset me ca letra, procedura dhe fjalime, ndërsa Amerika përsëri, sikur 80 vjet më parë, është e dënuar të jetë mbrojtësi i Evropës me antitanke, antiajror dhe helikopterë.
***
Kjo pranëvënie e mësipërme e imja nuk është tërësisht e drejtë. Patjetër se BE-ja është duke bërë më shumë se vetëm dërgimi i një pyetësori. Por sidoqoftë e vërteta nuk është edhe shumë e largët nga kjo analogji. BE-ja, si bllok më i fuqishëm ekonomik në botë, vazhdon të nënvlerësojë kapacitetin e saj politik për të projektuar fuqi në Ukrainë apo Ballkanin Perëndimor. Synimi i saj për ‘Evropë gjeopolitike’ vazhdon të jetë viktimë e mungesës së unitetit dhe guximit për të ndërhyrë me vendosmëri në konfliktet globale. Në doktrinën e politikës së jashtme BE-ja mendon se vizioni dhe strategjia mund të zëvendësohen me struktura multilaterale dhe procedura burokratike. Këtë e konfirmoi edhe presidenti francez Macron në fjalimin e tij të fundit me rastin e përmbylljes së Konferencës për të Ardhmen e Evropës, kur tha se Ukrainës do t’i duhen dekadat për të qenë gati për anëtarësim në BE. Rrjedhimisht, ai propozoi që Ukraina ndërkohë të jetë pjesë e strukturës së re politike, të cilën ai e quajti “Komuniteti Politik Evropian”. Pak a shumë një lloj bufer zone në mes BE-së dhe Rusisë. Pra, për të marrë statusin e vendit kandidat, apo për të nisur negociatat e anëtarësimit, për Macronin nuk është e mjaftueshme që 3.381 civilë të pafajshëm ukrainas kanë vdekur për të mbrojtur liritë themelore evropiane. Në vend të kësaj ai dëshiron të mbyllë Ukrainën në një ‘no man’s land’, e cila çdoherë do të shërbejë si gardian i BE-së, por asnjëherë nuk do të jetë pjesë e saj. Një tokë ku është mirë të vdesësh për hir të premtimit për perspektivë evropiane.
***
Ideja e komunitetit politik evropian nuk është e re. Ajo është shfaqur, varrosur dhe ringjallur së paku që nga koha e Miterandit. Arsyeja e dështimit të saj ka qenë dhe mbetet e thjeshtë. Zbatimi i saj nënkupton fragmentim politik të kontinentit evropian dhe ofrimi i mundësive të reja përfitimi gjeopolitik për Rusinë.
Që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore synimi i forcave progresive ka qenë bashkimi i kontinentit evropian dhe zvogëlimi i mundësive për veprim të Rusisë. Pra, krijimi i një Evrope të bashkuar dhe të lirë. Për të arritur këtë në 80 vjetët e fundit kontinenti evropian ka qenë fushëbetejë e dy forcave kundërshtuese: demokracisë liberale dhe autoritarizmit. Forcat liberale janë përbashkuar brenda projektit politik të NATO-s dhe BE-së, ndërsa në anën tjetër ka qëndruar Rusia, fillimisht brenda Paktit të Varshavës, dhe më pastaj e vetmuar. Çdo gjë që ka qenë në mes këtyre dy grupimeve është perceptuar si rrezik për destabilizim dhe rrjedhimisht është synuar integrimi brenda arkitekturës ekzistuese evropiane, respektivisht NATO-s dhe BE-së. Rrjedhimisht, çdo propozim i cili sfidon këtë arkitekturë përbën kërcënim për unitetin e kontinentit evropian. Prandaj, iniciativa sikur komuniteti politik evropian do të ishte fragmentim i unitetit politik evropian dhe krijimi i një zone mundësie malinje nga ana e Rusisë. Pikërisht kjo është edhe arsyeja pse SHBA-ja asnjëherë nuk i ka mirëpritur idetë e BE-së për “autonomi strategjike” dhe “sovranitet evropian”, jashtë kornizës së NATO-s.
***
Këtë javë drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, znj. Avril Haines, tha se Rusia po përgatitet për një konflikt të zgjatur në Ukrainë dhe se konflikti do të bëhet me i paparashikueshëm, por edhe më përshakllëzues. Pra, thënë ndryshe gjërat do të bëhen më keq, para se të bëhen më mirë.
Deri më sot BE-ja ka qenë instrumentale në zmbrapsjen e Rusisë nga Ukraina. Ajo ka qenë kyç në fasilitimin e ndihmës ushtarake, zbatimin e sanksioneve ekonomike dhe ofrimin e ndihmës humanitare. Sidoqoftë, me zgjatjen e konfliktit Rusia do të synojë lodhjen e BE-së nga pasojat e luftës dhe rrjedhimisht përçarjen e saj. Ky do të jetë testi i ardhshëm i BE-së.
Sidoqoftë kjo nuk është në kontrollin tonë. Ajo çfarë është në kontrollin tonë është të kontribuojmë në përpjekjet e aleatëve për zmbrapsjen e Rusisë. Dhe këtu kontributi ynë kryesor ka qenë, dhe mbetet, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Dhe kjo nuk është risi. Por risi është se këtë duhet të bëjmë pa pritur ndonjë shpërblim nga BE-ja. Pra duhet të harrojmë karotën. Duhet të bëjmë, sepse është qëllim në vetvete. Këtë na mëson Ukraina. Këtë na mëson Zelensky. Ukraina është duke luftuar Rusinë jo për shkak të perspektives evropiane, por për shkak të synimit më sublim për të ruajtur shtetin e vet sovran dhe të pavarur. Prandaj qytetarët janë edhe gati të japin jetën për këtë qëllim. Jo për BE-në. Përkthyer këtë mësim në rastin tonë, avancimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është i vetmi shteg i yni për faktorizim ndërkombëtar të shtetit tonë të pavarur dhe sovran. Dhe për këtë nuk duhet të presim as liberalizim të vizave, as statusin e vendit kandidat. Sikur në rastin e Ukrainës, ky është qëllim në vetvete.
Në fakt, unë kisha thënë se Ukraina na mëson se një shpresë e tillë për shpërblim evropian është edhe e kot. Nëse për BE-në nuk janë të mjaftueshme jetët e 3.381 civilëve të pafajshëm për të marrë Ukraina statusin e vendit kandidat apo për të nisur negociatat e anëtarësimit, atëherë patjetër se asgjë që ka bërë Kosova deri me sot nuk është e mjaftueshme për liberalizimin e vizave apo statusin e vendit kandidat. Por ky realitet nuk i bën as Ukrainën dhe as Kosovën më pak shtete të pavarura dhe sovrane. Humbja nga Rusia e bën. Dështimi në dialog na bën.