OpEd

Çështja serbe

Rajoni ynë ende nuk ka arritur të akomodojë madhësinë dhe interesat politike, ekonomike dhe ushtarake të Serbisë. Mungesa e përgjigjes në “çështjen serbe” ka shkaktuar katër luftëra në rajonin tonë dhe Serbia ende nuk ka gjetur paqe. Në këtë drejtim, Procesi i Berlinit mund të jetë arkitekturë e re institucionale që do të akomodojë rolin e Serbisë në rajonin tonë. Natyrisht, nëse këtë e dëshiron Serbia

Këtë muaj “Ballkani i Hapur” shënoi përvjetorin e tretë të tij. Munguan ceremonitë zyrtare, qilimat e kuq dhe fjalimet pompoze. Mungesa e shënimit të përvjetorit ishte në sinkron të plotë me mungesën e rezultateve të tij. Këtë siç duket e kanë kuptuar edhe promovuesit e saj. Pas tre vjetësh mbështetësit e “Ballkanit të Hapur” nuk mund të lavdërohen as edhe me një arritje të vetme të tyre.

Sidoqoftë, festa ishte në krahun tjetër. Në kuadër të procesit të Berlinit, gjashtë qeveritë u dakorduan për avancimin e katër lirive të BE-së në rajonin tonë. Me fjalë të tjera ata praktikisht i dhanë fund propagandës së “Ballkanit të Hapur”. Në korrik të vitit të kaluar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, thoshte: “Kjo nismë sjell në rajon një shembull kuptimplotë të BE-së duke jetësuar katër liritë themelore të BE-së”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte përsëritur pothuaj të njëjtin mesazh: “Ballkani i Hapur do të përshpejtojë zbatimin e katër lirive themelore të BE-së”. Por “Ballkani i Hapur” nuk arriti gjë. Ai nuk arriti gjë për shkak gjashtë arsyeve kryesore.

E para, që nga lansimi i iniciativës ishte e qartë se bëhet fjalë për një “proces Berlini minus”. Pra, iniciativa ishte duplifikim i plotë me Procesin e Berlinit, vetëm pa vizionin për integrim në Bashkimin Evropian. Kësisoj, ajo binte ndesh me konsensusin 20-vjeçar të vendeve të rajonit për integrim në BE.

E dyta, iniciativa ishte ripaketim i vrazhdë i synimeve të Procesit të Berlinit. Pra, ajo çfarë liderët e “Ballkanit të Hapur” proklamonin pa elegancë ishte përsëritje e synimeve të Procesit të Berlinit. Kjo ngriti pikëpyetje për nevojën e duplifikimit. Shtoja kësaj se në Ballkanin Perëndimor tashmë ekzistojnë 30+ struktura rajonale dhe arsyeshmëria e krijimit të një strukture të re ishte qartësisht e diskutueshme.

E treta, iniciativa shkeli parimin e shenjtë të gjithëpërfshirjes në kuadër të bashkëpunimit rajonal. Historia e rajonit tonë karakterizohet me mosmarrëveshjet e shumta në mes të palëve. Kjo histori bën bashkëpunimin rajonal tejet delikat. Kjo është arsyeja përse çdo herë palët kanë pasur shumë kujdes sa herë është bërë fjalë për bashkëpunimin rajonal. Çdo herë para krijimit të strukturave rajonale aleatët tanë kanë zhvilluar muaj të tërë negociata, diskutime dhe koordinim në mes palëve për t’u siguruar se interesat dhe synimet e të gjitha palëve do të akomodohen. E gjithë kjo vetëm për të ruajtur unitetin e rajonit tonë. “Ballkani i Hapur” theu këtë parim. Një mbrëmje në Novi-Sad, Vuçiqi, Rama dhe Zaev u mblodhën dhe lansuan një iniciativë pa pasur dakordim as në mes tyre për emrin e saj, e lëre më për thelbin e saj. Shumë shpejt emri i saj ndryshoi nga Mini-Shengen në “Ballkani i Hapur”, por derisa në emër ajo u bë e hapur, në thelb ajo mbeti e mbyllur.

E katërta, në krahasim me Procesin e Berlinit ajo përjashtoi nga dialogu aleatët tonë evropianë. Pra, për dallim ku në Procesin e Berlinit janë 16 vende pjesëmarrëse (6 vende të Ballkanit + 10 vende të BE-së), “Ballkani i Hapur” përjashtoi aleatët evropianë dhe krijoi mjedis politik ku vendet e Ballkanit dëshirojnë të kenë strukturat e tyre, në konkurrencë me ata, me të cilët nesër do të jenë pjesë e të njëjtit klub.

E pesta: fondet. Me qëllim të mbështetjes së Procesit të Berlinit, BE-ja ka ndarë 9 miliardë euro grante që kanë mundësinë e tërheqjes së 20 miliardë euro të tjera investimesh në rajonin tonë përmes Planit Investiv dhe Ekonomik të Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër, “Ballkani i Hapur” ka zero euro në dispozicion. Mungesa e resurseve ishte pikërisht arsyeja përse kur zjarret kërcënuan Shqipërinë këtë verë në ndihmë nuk erdhi Serbia apo Maqedonia e Veriut, por BE-ja. Dhe është pikërisht kjo arsyeja përse sot kur rajoni përgatitet për dimër të vështirë askush nuk kthen kokën nga “Ballkani i Hapur”, por të gjithë sytë janë të drejtuar nga BE-ja.

E gjashta është mungesa e “referit objektiv”. Në kuadër të Procesit të Berlinit refer neutral dhe objektiv është BE-ja. Ajo sigurohet se mendimet e të gjitha palëve merren parasysh dhe kjo u jap siguri vendeve të mëdha dhe të vogla se interesat e tyre do të mbrohen. Në “Ballkanin e Hapur” nuk ka refer neutral. Aty sundon ligji i të fortit. Pra, natyrshëm vendi më i madh – Serbia – përcakton me inerci rregullat e lojës.

Të gjitha këto arsye së bashku kontribuuan në dështimin e “Ballkanit të Hapur”. Dhe përderisa iniciativa si e tillë dështoi, ajo la pas vetes një pasojë: ajo thelloi përçarjet në rajonin tonë. Iniciativa e “Ballkanit të Hapur” futi kamë politike në mes të Ballkanit, duke e ndarë kështu rajonin në dysh. Se “cui bono” Ballkani i përçarë nuk është vështirë të kuptohet. Dhe kjo më sjell tek “çështja serbe”.

Në diskursin publik evropian ekziston diçka që quhet “çështja gjermane” (German question). Pra, me pak fjalë ka të bëjë me përpjekjen e kontinentit evropian për të akomoduar madhësinë dhe interesat politike, ekonomike dhe ushtarake të Gjermanisë. Mungesa e përgjigjes në “çështjen gjermane” ka shkaktuar dy luftëra botërore. Sidoqoftë, pas Luftë së Dytë Botërore me krijimin e NATO-s dhe BE-së “çështja gjermane” u adresua. Gjermania gjeti paqe në kuadër të arkitekturës së re kontinentale. Arsyeja e kësaj analogjie është se konsideroj se sot rajoni ynë ballafaqohet me “çështjen serbe”. Pra, rajoni ynë ende nuk ka arritur të akomodojë madhësinë dhe interesat politike, ekonomike dhe ushtarake të Serbisë. Mungesa e përgjigjes në “çështjen serbe” ka shkaktuar katër luftëra në rajonin tonë dhe Serbia ende nuk ka gjetur paqe. Në këtë drejtim, Procesi i Berlinit mund të jetë arkitekturë e re institucionale që do të akomodojë rolin e Serbisë në rajonin tonë. Natyrisht, nëse këtë e dëshiron Serbia. Përgjigjen do ta kuptojmë së shpejti.