Çështjes së të zhdukurve me dhunë është dashur t’i qaset vetëm si një çështje humanitare dhe penale e jo të politizohet. Kështu, duke e përfshirë në dialog mes Kosovës dhe Serbisë, i cili është krejtësisht politik, kjo çështje është politizuar. Është bërë “vetëm një prej temave të dialogut” dhe është barazuar, apo ndoshta edhe më pak e rëndësishme, me temat si çështja e targave të veturave apo fati i ndërtesave të komunave. Në mendjen e zyrtarëve ndërkombëtarë, kjo çështje nuk është prioritet, e përmendet vetëm kur ka përvjetor apo ditë ndërkombëtare kushtuar të zhdukurve.
U shënua edhe një ditë ndërkombëtare kushtuar të zhdukurve me dhunë. Familjarët e personave të zhdukur gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, fati i të cilëve nuk është zbardhur akoma, shprehën pritjet e tyre, shpresën, por edhe mllefin. Duan të dinë se çfarë u ndodhi të afërmve të tyre, ku janë eshtrat e tyre dhe shprehin mllefin se nuk është bërë sa duhet për këtë çështje.
Nga shumë zyrtarë ndërkombëtarë dëgjuam ftesa, inkurajime për të rritur bashkëpunimin në rajon, në mënyrë që të ketë përparim në këtë çështje. Çështja e të pagjeturve ka mbetur si më e dhimbshme, si pasojë e luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë. Dhe me kalimin e kohës është bërë gjithnjë e më e vështirë që të zbulohet e vërteta. Por problemi qëndron në mungesën e vullnetit të sinqertë politik dhe politizimin e skajshëm të kësaj çështje. Ka ndodhur kjo edhe në rastin e Kosovës me përfshirjen e kësaj teme në dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë që pa sukses po zhvillohet në Bruksel për më shumë se 11 vjet.
Çështjes së të zhdukurve me dhunë është dashur t’i qaset vetëm si një çështje humanitare dhe penale e jo të politizohet. Kështu duke e përfshirë në dialog mes Kosovës dhe Serbisë, i cili është krejtësisht politik, kjo çështje është politizuar. Është bërë “vetëm një prej temave të dialogut” dhe është barazuar, apo ndoshta edhe më pak e rëndësishme, me temat si çështja e targave të veturave apo fatit të ndërtesave të komunave. Në mendjen e zyrtarëve ndërkombëtarë kjo çështje nuk është prioritet, e përmendet vetëm kur ka përvjetorë apo ditë ndërkombëtare kushtuar të zhdukurve.
Nga Evropa, sidomos nga zyrtarët e Bashkimit Evropian, tash e sa vjet dëgjohet thirrja se “duhet shikuar nga e ardhmja e jo nga e kaluara”. Kështu thonë edhe kur përmendim çështjen e të zhdukurve si pengesë për normalizim të raporteve. Edhe mes Kroacisë e Serbisë, edhe mes boshnjakëve në Bosnjë-Hercegovinë me serbët dhe Serbinë, edhe mes Kosovës e Serbisë. Dhe shpesh nga zyrtarë evropianë përmenden krahasime se si janë pajtuar Franca dhe Gjermania, si i ka bashkuar interesi i përbashkët, krijimi i asaj që sot është Bashkimi Evropian. Dhe si shembull këtë do të duhej ndjekur popujt e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Injorohet fakti, se për shembull, pajtimi franko-gjerman nuk u bazua në harresë, por në pranimin e përgjegjësisë për krime dhe vullnet të qartë për dënimin e tyre.
Në aspektin e pajtimit, Ballkani Perëndimor ka një problem serioz nga luftërat e fundit. Ai është tentimi i pajtimit në bazë të harresës, ose në bazë të “pajtimit se nuk mund të pajtohemi rreth së kaluarës”. Nuk është e mundur të ketë pajtim për të ardhmen pa pajtimin rreth së kaluarës. Së paku rreth fakteve të pakontestuara nga e kaluara. E faktet janë se në të tri konfliktet, në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë, krimet më të mëdha të luftës u bënë nga forcat nën kontrollin e Beogradit, çka dëshmojnë edhe vendimet fuqiplote të Gjykatës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi. Ndonëse ka dëshmi se ka pasur krime edhe nga radhët e atyre që bënë luftë çlirimtare, përgjegjësia primare e Beogradit nuk mund të mohohet. Në Serbi u gjetën shumë varreza masive me eshtrat e shumë njerëzve që ishin vrarë qindra kilometra larg. Aty ku u gjetën, si në poligonin ushtarak në Batajnicë afër Beogradit, nuk ka ndonjë pllakë përkujtimore, që flet qartë se sa është e gatshme Serbia të përballet me të kaluarën e saj.
Pra akoma rreth 10.000 të pagjetur mbeten si një pasojë e rëndë nga konfliktet në ish-Jugosllavi. Familjet e tyre po kërkojnë të vërtetën. Disa nuk e kanë humbur atë shpresën e fundit që mund të jetë dikush diku ende gjallë. Por shumë nuk kanë shpresa të tilla. Dëshirat e tyre modeste janë të gjejnë një copë asht që ta varrosin diku dhe të kenë një varr ku mund të vendosin lule mbi të. Janë akoma afro 10 mijë të pagjetur. Numri më i madh, mbi 6000 nga konflikti në Bosnjë-Hercegovinë, afro 1900 nga Kroacia dhe pak më shumë se 1600 nga Kosova.
Dihet se kush i mori civilët apo edhe robërit e luftës nga Spitali i Vukovarit. Dihet për shumë prej tyre se ku i dërguan në Serbi. Dihet saktësisht se kush ishte përgjegjës gjatë fushatave ushtarake në Kosovë, kush urdhëroi dhe kush zbatoi vrasjet, rrëmbimin dhe dëbimin e qytetarëve, por edhe fshehjen e kufomave dhe dërgimin e tyre nëpër varreza masive në Serbi. Shumë informacione mund të gjenden edhe në dëshmitë e vetë serbëve në proceset në Gjykatën për krimet e luftës në Hagë. Vrasjet, kidnapimi, zhvarrosja dhe bartja e kufomave në Serbi për të fshehur gjurmët e krimeve nuk kanë qenë vepra individuale siç duan të besojnë edhe disa zyrtarë ndërkombëtarë. Ato kanë qenë sistematike, të planifikuara, të urdhëruara dhe të zbatuara nga zinxhiri komandues i forcave policore dhe ushtarake të Serbisë. Nuk kanë mundur vetëm “disa individë” të bëjnë një organizim të tillë të sofistikuar që kërkon një logjistikë të përsosur. Pra ka shumë njerëz që me siguri dinë, ose e dinë se kush di, ose është dashur ta dinë dhe e të dinë se kush i di hollësitë për bartjen e kufomave dhe rivarrosjen e tyre në Serbi. Sikur ata të flasin, apo të stimulohen të flasin, apo të gjykohen se nuk duan të flasin, gjasat për të zbardhur fatin e të pagjeturve do të ishin shumë më të mëdha.
Heshtja e atyre që dinë, është pengesa më e madhe për të zbuluar fatin e të pagjeturve. E heshtja jo vetëm se stimulohet nga qeveria në Serbi, por haptas edhe janë kërcënuar ata të cilët kanë folur apo duan të flasin. Rasti më skandaloz ka qenë kërcënimi i ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, vetë një prej personave aktivë në regjimin e Millosheviqit. Ai në një emision televiziv kishte kërcënuar, duke thënë se “çfarë të bëjmë ne me ata serbë që u thonë shqiptarëve dhe kroatëve marrëzira, u tregojnë se ku janë varrezat e shqiptarëve në Serbi!”. Nuk duhet ta dish tepër mirë gjuhen serbe për ta kuptuar se ky ishte një kërcënim i çartë. Dhe ndaj kësaj, pos disa reagimeve të buta në rajon, nuk pati reagime fare në Serbi e reagimet në BE ishin të përgjithësuara në stilin “ftojmë liderët në tërë rajonin që të përmbahen nga deklaratat që shkojnë kundër pajtimit”.
Nuk mund të thuhet se nuk u intereson përfaqësuesve ndërkombëtarë fati i të pagjeturve. Por për ta më të rëndësishme janë proceset politike. Prandaj ka munguar edhe presion i madh politik për të siguruar informata nga ata që i dinë për ta zbuluar fatin e të pagjeturve.