Rrethanat e reja kërkojnë strategji të reja. Mbrojtja e demokracisë nuk është sport spektatorësh. Do të na duhet t’i bëjmë disa sakrifica, ngase alternativa është paimagjinueshëm e tmerrshme. Evropa e ka mundësinë që ta marrë petkun e liderit të botës së lirë. Pasardhësit tanë nuk do të na falin nëse nuk ia dalim ta rrëmbejmë këtë mundësi
Rendi global i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, siç dikur e kemi njohur, nuk është më. Teksa pllakat tektonike të gjeopolitikës vazhdojnë të ndryshojnë poshtë nesh, sfidë për Evropën është që t’i mbajë gjallë institucionet e saja dhe ta shmang kthimin e botës në një epokë të forcës – ku pushteti u rritet liderëve të fortë në Washington, Moskë dhe Pekin.
Ngritja karshi kësaj sfide e kërkon rishqyrtimin fundamental të supozimeve dhe të besimeve të kahershme. Qepja pas ortodokësive të vjetra nuk është opsion. Evropianët nuk mund ta ruajnë demokracinë dhe mënyrën tonë të jetesës vetëm me fuqinë e butë. Kjo është e vetmja mënyrë për t’i frenuar dhe për t’u mbrojtur karshi atyre që i kërcënojnë drejtpërsëdrejti vlerat dhe interesat tona.
Po, qëkur presidenti amerikan Donald Trump është rikthyer në pushtet, me qindra miliarda euro shpenzime të reja janë ndarë për mbrojtje. Por këto zotime nuk janë të mjaftueshme. Shpenzimi i 2 për qind të GDP-së për mbrojtje qe një ambicie e arsyeshme për NATO-n më 2014, kur Shtetet e Bashkuara ende e luanin, megjithëse me hezitim, rolin e policit global. Por këto ditë kanë marrë fund. Thjesht për të qenë në hap me zhvillimin ushtarak të Rusisë, Evropa duhet që të paktën ta dyfishojë investimin në mbrojtje.
Ç’është e vërteta, do të shkojë shumë përtej kësaj dhe do të them se Evropa duhet të synojë 4 për qind të GDP-së deri më 2028.
Ambiciet e kancelarit në ardhje të Gjermanisë, Friedrich Merz dhe e kryeministrit polak, Donald Tusk, për shtetet e tyre duhet të replikohen kudo përgjatë kontinentit.
Ushtritë më të mëdha dhe më mirë të pajisura do t’i zmbrapsin sulmet e drejtpërdrejta, por armët dhe tanket janë veç njëra pjesë e ekuacionit. Në rast se shpenzimet shtesë të Evropës kufizohen në prokurim ushtarak, atëherë do të përhumbet mundësia për t’i hapur rrugë revolucionit të teknologjisë së lartë. Inovacioni teknologjik është ai që e përforcon pushtetin e fortë të SHBA-së dhe të Kinës.
Nisur nga Inteligjenca Artificiale dhe kompjuterët kuantikë e deri te infrastruktura kritike dhe bioteknologjia, Evropa është në rrezik nga copëzimi teksa fuqitë e mëdha ngarendin për të ecur edhe më tej. Në këtë skenar, varësitë tona strategjike nga SHBA-ja dhe nga Kina vetëm sa do të rriten.
Për ta mbrojtur sistemin e bazuar në rregulla, ne duhet ta rimendojmë kompozimin e komunitetit tonë.
Teksa formatet e vjetra, si G7-a, mund ende të shërbejnë si një qëllim i rëndësishëm, neve do të na duhen shtigje të reja për të mbledhur demokraci të mendësisë së njëjtë.
Një koalicion i të këtilla demokracive – një D7 – mund të krijojë mjete të reja për promovimin e bashkëpunimit të hapur tregtar dhe ekonomik, të partneritetit për mbrojtje, të formësimit të inteligjencës dhe të qasjes në minerale kritike. Mund edhe të krijojë edhe aranazhime të reja të sigurisë që i mbulojnë sulmet kibernetiko-kinetike dhe shtrëngimin ekonomik të fuqive të mëdha, sikurse një version ekonomik i Nenit 5 të NATO-s për mbrojtje reciproke.
Në këtë synim, Bashkimi Evropian duhet të bashkëpunojë ngushtë me partnerët tradicionalë – si Mbretëria e Bashkuar – dhe të synojë marrëdhënie më të afërta me Kanadanë, Japoninë, Korenë Jugore, Zelandën e Re dhe Australinë. Duhet t’i eksplorojë njashtu edhe rrugët e reja për bashkëpunim me Indinë, demokraci kjo GDP-ja e së cilës është dyfishuar gjatë dekadës së shkuar, duke e vënë vendin në shtegun drejt së bëri ekonomia e tretë më e madhe në botë para fundit të kësaj dekade.
Esenca nuk është që të zëvendësohet Amerika, por të sigurohet që Evropa të mbetet e elastike me apo pa mbështetjen e SHBA-së.
Për një kohë goxha të gjatë, Evropa është varur nga energjia e lirë ruse, nga mallrat e lira kineze dhe nga siguria dhe teknologjia e lirë amerikane. Por kjo varësi naive nuk është më opsion. Përveç mobilizimit të burimeve fiskale për mbrojtje dhe për teknologji, Evropa njashtu duhet të krijojë kontrata të reja sociale.
Ndonëse nuk duhet të heqim dorë prej asaj që na bën evropianë, neve po që na nevojitet t’i rishikojmë disa parime të shtetit të vjetër të mirëqenies. Liria nuk është e lirë. Liderët evropianë duhet të jenë të sinqertë dhe të hapur karshi sfidës me të cilën përballemi, dhe për atë se çfarë ajo kërkon prej nesh. Jo krejt zgjidhjet do të jenë popullore, por duhet të kujtojmë se kemi hyrë në një epokë krizash. Evropianët duhet të jenë të pajisur me njohuri dhe me burime për ta mbrojtur vetën. Mund të mësojmë shumëçka nga ukrainasit dhe tajvanezët rreth ndërtimit të qëndrueshmërisë dhe rreth të paguarit të çmimit për liri.
Akëcilin vit, unë e mbledh Samitin e Kopenhagës për Demokraci në kuadër të Fondacionit tim të Aleancës së Demokracive. Kur e krijova këtë fondacion më 2017, ishte besim imi i kahershëm se SHBA-ja do të mbetet dhe duhet të mbetet në qendër të aleancës globale demokratike. Tani, ne duhet të përgatitemi për një botë në të cilën Amerika jo vetëm se është e pabesueshme por edhe kundërshtare dhe ekspansioniste.
Rrethanat e reja kërkojnë strategji të reja. Mbrojtja e demokracisë nuk është sport spektatorësh. Do të na duhet t’i bëjmë disa sakrifica, ngase alternativa është paimagjinueshëm e tmerrshme. Evropa e ka mundësinë që ta marrë petkun e liderit të botës së lirë. Pasardhësit tanë nuk do të na falin nëse nuk ia dalim ta rrëmbejmë këtë mundësi.
(Anders Fogh Rasmussen, ish-sekretar i Përgjithshëm i NATO-s (2009-14) dhe ish-kryeministër i Danimarkës, është themelues i Fondacionit të Aleancës së Demokracive. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe Koha Ditore”).