Në dialog nuk ka vendime të lehta dhe të mira. Ka vendime të vështira dhe më pak të këqija. Në veçanti kur mbi supet e tua mban trashëgiminë dhjetëvjeçare të dialogut. Në këtë sfond, mendoj se ka ardhur koha që z. Kurti të flijojë Kurtin opozitar për të fituar Kurtin burrështetas. Jam dakord qind për qind me kryeministrin Kurti kur thotë që Evropa është kontinenti ynë e BE-ja fati ynë. Rrjedhimisht, në duar të tij është fati ynë. Mund të jetë fat ose fatkeqësi
Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është procesi më i rëndësishëm politik për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Ndërsa për Kosovën konkretisht është faktor më i rëndësishëm për konsolidimin tonë ndërkombëtar. Sidoqoftë, përkundër kësaj rëndësie të tij, është e jashtëzakonshme nëpër çfarë periudhe kaotike dhe joserioze ka kaluar dialogu me Serbinë viteve të fundit.
Të gjithë neve na kujtohen skenat qesharake me gjashtë burra që përfaqësonin Kosovën në Bruksel, dhe ai momenti epik “hajde, bac”, ku gjashtë burra rrethuan znj. Mogherini për foton zyrtare. Pak muaj më vonë u njoftuam se dy persona, pa pothuaj asnjë legjitimitet publik, do të jenë tani e tutje “bashkëkryesues” të dialogut me Serbinë. Njëri ishte kryetar komune në shkuarje, tjetri ishte lider i një partie politike në shkuarje. Sidoqoftë, duhet të jemi të drejtë dhe të pranojmë që ata së paku, në atë kohë, ishin zotues të një posti publik të vetëmerituar politik. Pra, kishin një lloj legjitimiteti, sado të kontestueshëm. Fundin e vërtetë e prekëm gjatë vitit 2020 kur një person pa asnjë legjitimitet publik u ngarkua me mbylljen e të gjitha çështjeve të hapura me Serbinë dhe arritjen e marrëveshjes historike. Ishte një komedi e paparë.
Nuk ishin vetëm këto karaktere që shpërfaqnin joseriozitetin e Kosovës karshi dialogut. Joserioziteti ishte edhe i natyrës thelbësore. Përkundër mungesës së konsensusit të brendshëm, Kosova pranoi ngritjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe – gjë që edhe sot, pas gati 10 vjetësh shkakton polarizim të skajshëm politik në vend. Në këtë frymë, Kosova pranoi në kuadër të dialogut të negociojë edhe territorin e saj, duke thelluar kështu edhe më tutje skizmin politik në vend. Një klasë serioze politike nuk sillet në këtë mënyrë. Por ndoshta duhet të tregohemi zemërgjerë me degradimin e brendshëm politik karshi dialogut që ndodhi në Kosovë viteve të fundit, pasi që ai ishte thjesht reflektim i degradimit të jashtëm politik karshi dialogut, në veçanti gjatë presidencës së z. Trump dhe të deleguarit të tij, z. Grenell.
Sidoqoftë, qëllimi i kësaj kolumne nuk është historia, por arsyeja përse fillova shkrimin me këto zhvillime historike të dialogut është për t’i vendosur ato në kontrast të thellë me zhvillimet e sotme.
Sot në Kosovë dialogu udhëhiqet nga karakteret politike që gëzojnë legjitimitet të paprecedentë politik. Sot nuk kemi vetëm një mazhorancë të përgjegjshme që po mundohet të instalojë një dialog të bazuar mbi parime dhe vlera, por kemi edhe një opozitë konstruktive, e cila është shumë e arsyeshme në qasjen e saj karshi dialogut.
Dhe jo vetëm kaq. Në aspektin e jashtëm, dialogu është në momentin e tij më serioz politik ndërkombëtar që nga fillimi i tij. Sot, si asnjëherë më parë, në Zyrën Ovale është ulur një president më angazhim të dëshmuar pro Pavarësisë së Kosovës. Sot, si asnjëherë më parë, SHBA-ja ka dërguar diplomatë më të lartë të tyre në Beograd dhe Prishtinë. Sot, si asnjëherë më parë, në dialog janë të angazhuar tre përfaqësues të lartë ndërkombëtarë nga SHBA-ja, BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar. Sot, si asnjëherë më parë, të tre përfaqësues ndërkombëtarë janë të përbashkuar rreth një qëndrimi dhe një qasjeje serioze për avancimin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë kuptim është vështirë të mbivlerësosh rëndësinë e momentumit politik në të cilin gjendet dialogu për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë; dhe në këtë sens është me rëndësi që mazhoranca e re të lexojë drejt dritaren e re politike që i është vënë në dispozicion për avancimin e dialogut me Serbinë.
Dhe këtu fillon brenga ime. Vizita e fundit e emisarëve nga BE-ja dhe SHBA-ja vendosi në pah një hendek në mes të qëndrimeve të Kosovës dhe aleatëve tanë perëndimorë karshi dialogut. Konferenca për media në mes të z. Kurtit, z. Lajçakut dhe z. Escobarit ishte shembull i këtij hendeku. U duk sikur palët kishin dalë nga dy takime të ndryshme.
Z. Kurti foli për rritjen ekonomike, sundimin e ligjit, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, prokurori efektive, gjyqësor efikas, pandeminë COVID-19, të hyrat doganore, të hyrat tatimore, buxhetin, investimet e huaja, bashkëpunimin rajonal, dhe në fund: për dialogun. Nga ana tjetër, z. Lajçak dhe z. Escobar folën vetëm për dialogun. Kjo nuk ishte rastësi sipërfaqësore. Ishte pasojë e një hendeku të madh thelbësor.
Vizita e dy emisarëve sqaroi se për ta dialogu është prioritet më i rëndësishëm për Kosovën. Në fakt, në kuadër këtij mesazhi, z. Escobar shkoi aq larg saqë tha se ikja e qytetarëve nga vendi po ndodh për shkak mungesës së progresit në kuadër të dialogut. Në këtë drejtim, rruga përpara, sipas tyre, është avancimi i dialogut përmes respektimit të marrëveshjeve të arritura deri më sot dhe ne veçanti ngritja e asociacionit. Dhe këtu ata ofruan garanci se nuk bëhet fjalë për Republika Srpska dhe se në asnjë formë nuk cenohen pavarësia, sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës.
Nga ana tjetër, z. Kurti tani e gati një vit po mundohet të instalojë një dialog të ri për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë kuadër ai edhe ka bërë propozimin e katër ideve të reja për dialogun: SEFTA, marrëveshja e paqes, reciprocitet në çështje të pakicave, dhe largimi i Odaloviqit. Sidoqoftë, deri më sot, këto përpjekjet e tij për ndryshimin e dialogut nuk kanë arritur të kalojnë nga stadi i ideve në ndërmarrje serioze politike që përkrahen nga fasilituesit ndërkombëtarë.
Në këtë kontekst, sot jemi në një catch-22. Kurti nuk i pranon idetë e vjetra, ndërsa të tjerë nuk i pranojnë idetë e reja. Jemi në një status-quo. Por çështja është se Qeveria është votuar për të zgjidhur probleme, jo për të ruajtur status-quon.
Në dialog nuk ka vendime të lehta dhe të mira. Ka vendime të vështira dhe më pak të këqija. Në veçanti kur mbi supet e tua mban trashëgiminë dhjetëvjeçare të dialogut. Në këtë sfond, mendoj se ka ardhur koha që z. Kurti të flijojë Kurtin opozitar për të fituar Kurtin burrështetas. Jam dakord qind për qind me Kryeministrin Kurti kur thotë që Evropa është kontinenti ynë e BE-ja fati ynë. Rrjedhimisht, në duar të tij është fati ynë. Mund të jetë fat ose fatkeqësi.