OpEd

Cari dhe këshilltari

Një udhëtim në zemrën e errësirës: romani “Magu i Kremlinit” i Giuliano da Empolit rrëfen, përmes figurës së një këshilltari të Vlladimir Putinit, si funksionon pushteti në Kremlin

Në frëngjisht romani titullohet: “Le mage du Kremlin”. Në gjermanisht: “Der Magier im Kreml”. Në anglisht: “The Wizard of the Kremlin”. Në shqip i bie: “Magjistari i Kremlinit”. Nuk e di arsyen pse në shqip titulli i romanit është përkthyer kështu: “Magu i Kremlinit”. Çka është magu? Në fjalorin e gjuhës shqipe kjo fjalë nuk gjendet. Kjo është edhe kritika e vetme ndaj përkthimit në shqip. Romani i Giuliano da Empoli është botuar në vitin 2022 nga shtëpia e njohur botuese “Buzuku” dhe përkthyer me kujdes nga Urim Nerguti.

Giuliano da Empoli është politolog italo-zviceran, profesor në Paris dhe ka qenë këshilltar i kryeministrit të dikurshëm italian Matteo Renzi. Ndoshta në këtë funksion Giuliano da Empoli ka pasur rastin të njihet edhe me rrethin e këshilltarëve të Vlladimir Putinit. Personazhi kryesor i romanit të tij quhet Vadim Baranov dhe pas tij supozohet se qëndron një figurë e vërtetë: këshilltari shumëvjeçar i Putinit, Vlladisllav Surkov.

Një shkencëtar francez, i cili shkon për hulumtime letrare në Moskë, përmes një dialogu me Baranovin dhe duke u bazuar në shpjegimet e Baranovit e merr lexuesin me vete në një udhëtim dramatik mbi putinizmin, dinamikën brutale të pushtetit në Kremlin, fushatat antiperëndimore dhe luftën kundër Ukrainës (ndonëse romani është shkruar pak para se Putin të sulmojë rishtas Ukrainën në shkurt të vitit 2022).

Baranov ishte një producent televiziv para se të bëhej shërbëtor i Putinit, të cilin e takon në zyrën e tij në FSB, shërbimi sekret rus. Baranov shkon aty bashkë me Boris Berezovskin, një oligark sa të paskrupullt, aq edhe argëtues, për ta bindur Putinin të bëhet kryeministër i vendit. Putin fillimisht ngurron, ndërsa Baranov dhe edhe më shumë Berezovski besojnë se nëse Putin merr postin, atëherë ky do të jetë një kukull në duart e tyre.

Nuk është vetëmashtrimi i vetëm i tyre në vlerësimin e Putinit. Ai fillimisht u bë kryeministër, pastaj president me qëllim që t’i japë fund epokës së Boris Jelcinit, me të cilin qeshte bota. Në një skenë të romanit përshkruhet një dalje para mediave e Boris Jelcinit dhe Bill Clintonit. Jelcin flet diçka pa kuptim, Clinton qesh dhe nuk mund të ndalet, ndërsa në Rusi njerëzit shikojnë televizionin dhe turpërohen. Këso poshtërimi në arenën ndërkombëtare Rusia s’do të lejonte më, ky ishte mendimi i kastës që erdhi në pushtet me Putinin.

Ndër punët e para që bëri Putini për të forcuar autoritetin ishte lufta brutale kundër “terroristëve çeçenë” pas disa sulmeve misterioze ndaj disa godinave në Moskë. Ka shumë supozime se këto sulme i kishte inskenuar vetë shërbimi sekret rus për t’ia bërë të mundshme Putinit që si pushtetmbajtës i ri të tregojë vendosmërinë e tij kundër “terroristëve çeçenë”. Pastaj radha u erdhi oligarkëve. Berezovski u detyrua të largohet nga Rusia, Mihail Kodorkovski u arrestua dhe firmat e tij u nacionalizuan, lexo: ranë në duart e njerëzve të Putinit.

Baranov vazhdon të mbajë kontakte me Berezovskin dhe e viziton atë në Londër. Takimi i tyre i fundit ka një rrjedhë tragjikomike. Berezovski ankohet mbi sjelljet e një punëtori të një banke në Londër, i cili i kërkon letërnjoftimin një sheiku. Ky pa një pa dy nxjerr një kartëmonedhë dhe ia tregon bankierit burokrat: “Këqyre mirë kartëmonedhën”, thotë sheiku. “Në këtë kartëmonedhë është i shtypur portreti im. Shpresoj se kjo ju mjafton si letërnjoftim”. Krahas biznesit Berezovski ka një preokupim tjetër: gjendjen në Rusi. Putinin e krahason me një prijës të fiseve afrikane dhe e paralajmëron Baranovin se në politikë nuk ka “Happy End”. Përherë kam qenë i mendimit se ajo çka i bashkon politikën dhe mafien, është se nuk dalin në pension, thotë Berezovski. Por ai pastaj kishte mësuar për historinë e Johnny Torrios, kreut të mafies së Chicagos. Një ditë ai u qëllua me armë; në spital i tha policisë se e dinte kush e kishte plagosur, por nuk do ta denonconte. Pasi e mori veten, i telefonoi Al Capones dhe ia dha çelësin e biznesit. Jetoi i qetë dhe vdiq pas 15 vitesh në shtëpinë e tij në Brooklyn. Gjatë takimit të fundit në Londër Berezovski i dha një letër Baranovit me porosinë që t’ia dorëzonte Putinit. Aty Berezovski e luste carin që ta amnistonte, ta falte siç e fali Al Capone mentorin e tij të dikurshëm Johnny Torrio. Dy ditë pas takimit në Londër, Berezovski u gjet i vdekur në shtëpinë e tij. E kishte varur veten me shallin e tij të dashur të kashmirit. Pas lajmit se Berezovski kishte vdekur, Putin pyeti këshilltarin e tij Baranov nëse besonte se në vrasje mund të ketë gisht Rusia. Përgjigjen e jep vetë Putini: “Ti e di mirë, Vadja, se nuk ishim ne. Ne nuk bëjmë asgjë: ne vetëm i krijojmë rrethanat për një mundësi”.

Pasi i hoqi qafe oligarkët, Putin iu vërsul opozitarëve. Pastaj mobilizoi nacionalistët, neonazistët, konservatorët, fanatikët ortodoksë me rrëfimin se Perëndimi dëshiron të përmbysë Rusinë sipas modelit të “revolucioneve të orkestruara” në Ukrainë e Gjeorgji.

Kundërgoditja ruse ishte kjo: në botën perëndimore duhej përkrahur ata që janë tashmë të tërbuar kundër demokracisë, kundër vaksinimit, kundër mbrojtjes së ambientit, kundër gjahtarëve. Nuk duhet patjetër t’i konvertojmë, porosiste Putin, mjafton të zbulojmë në çka besojnë dhe t’i mbështesim në bindjen e tyre. Mbrojtësit e kafshëve dhe gjahtarët. Aktivistët për të drejtat e zezakëve dhe supermacistët e bardhë. Aktivistët homoseksualë dhe neonazistët.

Giuliano da Empoli ka shkruar një roman që ishte menduar të jetë sinjal ndaj Perëndimit se çfarë rreziku kanosej nga Putini. Por pak pa u botuar romani në Francë, cari rus goditi Ukrainën. Në Francë janë shitur mbi 400 mijë ekzemplarë të këtij romani. Ka pasur edhe zëra kritikë. Ata thonë se romani i jep tepër hapësirë ideologjisë së Kremlinit. Giuliano da Empoli kundërpërgjigjet: “Bret Easton Ellis e ka shkruar ‘American Psycho’ nga pikëpamja e një vrasësi serik. A duhet tani ta akuzojmë se ai është vrasës serik? Kjo është qesharake”. Në jetën reale Vlladisllav Surkov u lirua nga posti në shkurt të vitit 2020. Arsyet nuk dihen. Siç thotë oligarku Berezovski në roman: në politikë nuk ka “Happy End”. Ndoshta një ditë kjo do të bëhet e vërtetë edhe në rastin e Vlladimir Putinit.