OpEd

Busulla strategjike për Evropën

Në lundrimin në këtë mjedis strategjik gjithnjë e më konkurrues, BE-ja duhet të bëhet një ofrues i sigurisë për qytetarët e saj, duke mbrojtur vlerat dhe interesat tona. Por për ta bërë këtë, do të duhet të veprojë më shpejt dhe me vendosmëri kur i menaxhon krizat

Busulla e ndihmon njeriun ta gjejë rrugën e vet dhe “Busulla Strategjike”, që kam hartuar nën komandën e Këshillit të Evropës, do të shërbejë si udhërrëfyes operacional për zhvillimin dhe vendimmarrjen e Bashkimit Evropian për sigurinë dhe mbrojtjen. Tani ajo po shkon drejt ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes së BE-së për diskutime javën e ardhshme.

Busulla është krijuar për t’iu përgjigjur tri pyetjeve: Me cilat sfida dhe kërcënime përballemi? Si mund t’i bashkojmë më mirë asetet tona dhe t’i menaxhojmë ato në mënyrë efektive? Dhe cila është mënyra më e mirë për të projektuar ndikimin e Evropës si aktore rajonale dhe globale?

Analiza jonë e përgjithshme e kërcënimit tregon qartë se Evropa është në rrezik. BE-ja rrezikon atë që unë e kam quajtur “tkurrje strategjike”. Kjo mund të perceptohet nga tre këndvështrime. Së pari, shtrirja jonë ekonomike po bëhet gjithnjë e më e kufizuar. Tridhjetë vjet më parë, BE-ja përfaqësonte një të katërtën e pasurisë botërore; në 20 vjet do të jetë pak më shumë se 10 për qind. Tkurrja jonë demografike zhvillohet ngjashëm: Deri në fund të këtij shekulli, Evropa do të përbëjë më pak se 5 për qind të popullsisë së botës.

Më në thelb, disa nga konkurrentët tanë ekonomikë mbajnë vlera që janë shumë të ndryshme nga tonat, duke paraqitur kështu një kërcënim për fuqinë tonë normative. BE-ja duhet ta integrojë këtë fakt në politikëbërjen e saj, duke pranuar se konkurrenca për standardet globale tashmë po luhet në garën për zotërim mbi inteligjencën artificiale, kompjuterizimin cloud, gjysmëpërçuesit dhe bioteknologjinë.

Së dyti, teatri strategjik i BE-së po kontestohet gjithnjë e më shumë, për shkak të sfidave të aktorëve të rinj ambiciozë, demonstrimeve të forcës ushtarake dhe strategjive të destabilizimit, që e përbëjnë luftën kibernetike dhe dezinformimin. Kanë ikur kohët kur paqja dhe lufta përbënin dy gjendje qartësisht të dallueshme. Ne jemi dhe do të përballemi gjithnjë e më shumë me situata hibride, që kërkojnë një gamë të gjerë mjetesh mbrojtëse.

Në fund, sfera politike e BE-së po shtrydhet dhe vlerat tona liberale po kontestohen gjithnjë e më shumë. Në “betejën e narrativëve”, ideja se vlerat universale janë në të vërtetë vetëm konstruksione perëndimore ka fituar tërheqje. Supozimi i vjetër se prosperiteti ekonomik do të çonte gjithmonë në zhvillim demokratik është hedhur poshtë.

Në lundrimin në këtë mjedis strategjik gjithnjë e më konkurrues, BE-ja duhet të bëhet një ofrues i sigurisë për qytetarët e saj, duke mbrojtur vlerat dhe interesat tona. Por për ta bërë këtë, do të duhet të veprojë më shpejt dhe me vendosmëri kur i menaxhon krizat. Kjo do të thotë të parashikosh kërcënime që ndryshojnë shpejt dhe të mbrosh qytetarët kundër tyre; investimi në aftësitë dhe teknologjitë e nevojshme; dhe bashkëpunimi me partnerët për të arritur qëllimet e përbashkëta.

Masa të tilla do të rrisin kapacitetin tonë për të penguar sulmet dhe për të reaguar ndaj të tillave në rast se ndodhin. Vlera kryesore e forcës ushtarake nuk është se na lejon të zgjidhim problemet, por se mund të ndihmojë në parandalimin e zgjidhjes së problemeve në dëmin tonë. Kjo është arsyeja pse “Compass Strategic” propozon një kapacitet të BE-së për vendosjen e shpejtë të forcës në të gjithë spektrin e veprimeve të parashikuara nga traktatet e BE-së.

Përpjekjet e kaluara për të krijuar forcat e BE-së me shpejtësi kanë hasur vetëm me sukses të kufizuar. Mirëpo “Compass Strategic” synon t’i bëjë dislokimet e tilla më lehtësisht operacionale dhe efektive në tri mënyra. Së pari, ajo do të ndiqte një qasje modulare, me përbërjen e saj të përcaktuar nga skenarë konkretë dhe të përforcuar nga trajnimi i përbashkët, në vend që të parapozicionohej si forcë e përhershme.

Së dyti, do të kishte udhëzime të qarta që do të deklaronin se është misioni ai që përcakton llojin dhe madhësinë e forcës dhe jo anasjelltas. Dhe, së treti, ne mund t’i shtojmë përpjekjet tona për të kapërcyer mangësi të ndryshme që kanë penguar prej kohësh aftësitë tona operacionale, me veprime të qarta që duhet të kenë përparësi.

E gjithë kjo do të kërkojë legjitimitet dhe fleksibilitet. Kush vendos dhe si duhet të zbatohen vendimet?

Pa vënë në pikëpyetje parimin e unanimitetit, është e mundur të veprohet në mënyrë krijuese duke aktivizuar disa dispozita si abstenimi konstruktiv ose neni 44, i cili e lejon krijimin e koalicioneve të miratuara nga Këshilli Evropian. Mbi të gjitha, kemi nevojë për vullnet politik (pa të cilin asgjë nuk është e mundur) dhe efikasitet operacional (pa të cilin gjithçka është e kotë).

Mirëpo BE-ja natyrisht nuk duhet t’i kufizojë veprimet e saj në vendosjen e forcave ushtarake. “Strategic Compass” fokusohet gjithashtu në sigurinë kibernetike, detare dhe hapësinore. Për të parashikuar kërcënimet, propozon rritjen e kapaciteteve të inteligjencës dhe zgjerimin e grupit të mjeteve për të luftuar sulmet hibride dhe kibernetike, si dhe dezinformimin dhe ndërhyrjen e huaj. Ai gjithashtu vendos objektiva për investime për të pajisur forcat tona të armatosura me aftësitë e nevojshme dhe teknologjitë inovative, për të mbushur boshllëqet strategjike dhe për t’i reduktuar varësitë teknologjike dhe industriale.

Së fundi, më lejoni të theksoj se kjo përpjekje në asnjë mënyrë nuk kundërshton angazhimin e Evropës ndaj NATO-s, e cila mbetet në qendër të mbrojtjes sonë territoriale. Ky angazhim nuk duhet të na pengojë të zhvillojmë aftësitë tona dhe të kryejmë operacione të pavarura në lagjen tonë dhe më gjerë, veçanërisht në një kohë kur vëmendja e politikëbërësve amerikanë mund të përqendrohet diku tjetër (jo më pak në Indo-Paqësor). Përgjegjësia strategjike evropiane është mënyra më e mirë për ta përforcuar solidaritetin transatlantik. Ky koncept është në qendër të dialogut të ri për sigurinë dhe mbrojtjen midis Shteteve të Bashkuara dhe BE-së.

Por të gjithë evropianët duhet ta kuptojnë se “Strategic Compass” nuk është një shkop magjik. U takon shteteve anëtare të BE-së që të përcaktojnë nëse ndryshimet e sotme gjeopolitike do të jenë tjetër thirrje zgjimi e padëgjuar dhe një debat i rinovuar mbi mbrojtjen evropiane, një fillim tjetër i rremë. “Strategic Compass” është një mundësi për t’i përmbushur përgjegjësitë e sigurisë së Evropës drejtpërdrejt, përpara qytetarëve tanë dhe pjesës tjetër të botës.

(Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Siguri, është zëvendëspresident i Komisionit Evropian për një Evropë më të fortë në botë. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”. Përktheu: Gent Mehmeti)