OpEd

Bukuria që s’vret

Sot gjërat janë më ndryshe, në pamje po. Ta theksojmë, vetëm në pamje. Asgjë tjetër nuk ka ndryshuar...

Çfarë është bukuria? Mund të përgjigjemi me shumë epitete, por sërish nuk do të jenë të mjaftueshme. Koncepti i bukurisë është abstrakt, nuk ka një përkufizim të qëndrueshëm. Bukuria ndryshon në kohë e kjo vlen edhe për Zotin a për shenjtorët, shkruan Umberto Eco në librin Historia e bukurisë .

Bukuria mishërohet te gruaja. Helena e Trojës, Kleopatra etj., kanë qenë njëherë gra të bukura, pastaj gra të rëndësishme, por kjo nuk na duhet. Nuk kemi shumë të dhëna për bukurinë e Teutës, por me rëndësi është që ka qenë aq arrogante, sa t’i përzinte ambasadorët e Romës që mundoheshin ta zbusnin, për ndonjërin edhe të urdhëronte ta vrisnin pak para se të hipte në anije. Personalisht më pëlqen piratja e Adriatikut, jo pse zotëronte edhe detin në kohën kur burrat zotëronin tokën, por pse hyri në histori si gruashtetase që nuk u gjunjëzua.

Bukuria merr forma të ndryshme në etapa të ndryshme të historisë. Në Greqinë e lashtë gruaja e bukur ishte e plotë. Në mishin e saj të bardhë prej mermeri ende shkëlqen jeta, energjia, dashuria. Nëse kalojmë kontinentin drejt Kinës së lashtë, gruaja ideale ishte e hollë, me lëkurë të zbehtë, sy të mëdhenj, këmbë të vogla, pak më të mëdha se të një zogu. Ndoshta imazh i një gruaje fluturake, së cilës më shumë i duhen sytë sesa këmbët.

Koncepti i bukurisë nuk materializohet si objekt, por jeton te subjekti. Bukuria nuk është veçse një perceptim dhe e vetmja mënyrë për ta kapur është të kesh mundësi ta fiksosh për ta lënë të pandryshueshme. Ta pikturosh, ta fotografosh. Ndaj njeriu jo vetëm që është subjekt i bukurisë, por edhe krijues i saj.

Kështu Botticelli iu vu punës e krijoi një model të ri bukurie të gruas me linjat e tij elegante e të buta. Gratë e tij ishin të gjata e të holla, me shikim të ëmbël e të butë, flokë të gjatë e të verdhë, për të cilët përdorte penelata të ngjyera në ar. Është i njohur fiksimi i tij për të pikturuar flokët e gruas. Te Lindja e Venerës, me flokët e gjatë të lënë të lirë, Venera mbulon vetëm pjesët intime, për t’i lënë botës një imazh sensual unik.

Më 1538 edhe Tiziano pikturon Venerën e tij, e cila u bë simbol i bukurisë së gruas nudo. Perëndesha e shtrirë në shtrat, mbi një dyshek vishnje, që thekson më shumë trupin e saj të bardhë me forma të buta, barkun lehtësisht të ngritur për të cilin sot do të kishim masakruar çdo grua të bukur, me dorën e majtë mbulon pjesën intime, ndërsa në tjetrën mban një trëndafil të kuq, simbol i kohës që kalon. Mund të jesh e bukur si Venera, por rinia kalon, pra është më mirë të përqendrohesh te virtyte të tjera. Si thua nëse fillojmë me vetveten?

Në kohën që jetojmë jemi të bombarduar nga gra e vajza të reja që konkurrojnë njëra-tjetrën me përmasat sa më të mëdha të buzëve, gjokseve e të pasmeve. Në fakt, rendi është i kundërt, nisim nga të pasmet. Modeli kardashian mbizotëron globin. Nuk ke ç’të bësh, zor ka grua që i shpëton. Fillojmë nga vajzat adoleshente, që sapo kanë kuptuar që janë qenie sensuale, deri te figurat publike, artiste, gazetare, politikane e më gjerë. Shikimi: shiko çfarë sexy jam, buzët në pozicion gatishmërie dhe të pasmet të spostuara një hap më mbrapa, janë emëruesi i përbashkët i mazhit të gruas së bukur në botë.

Ok, e kuptuam. Jemi të gjitha sexy, kush më shumë e kush më pak. Nuk jam e sigurt nëse sexy është njësi matëse e bukurisë, por me siguri është njësia me të cilën vlerësojmë gratë. Ajo është shumë sexy, tjetra jo aq sexy e ajo tjetra hiç fare sexy, kot që lodhet. Po e vërtetë, se të jesh sexy është lodhje e madhe. Duhen shumë orë në palestër e djersa çurkë derisa të formësohen apo sexizohen pjesët e caktuara të trupit.

Nuk po minimizojmë raportin e njeriut me sexy-n, por çështja nuk shtrohet këtu. Zygmunt Bauman thotë se objektivi i trupit postmodern është të eksperimentojë ndjesi. Nëse trupi kërkon kënaqësi, është i shëndoshë. Trupi i sëmurë shfaq mungesë dëshirash e indiferencë ndaj tentimeve. Dihet se imazhet provokojnë emocione, aktivizojnë ndjesi, evokojnë përvoja. Njerëzit që kanë perceptimin e një imazhi negativ të trupit të tyre ndihen keq, të deprimuar, të lodhur, kalojnë shumë orë në palestër e në pasqyrë për t’u korrigjuar. Shumë i nënshtrohen kirurgjisë plastike, ku mund të futesh edhe i bukur, por pas pak vjetësh të përfundosh si një monstër.

Me imazhin që kemi për vetveten lidhet vetëbesimi thonë, e këtu dua të ndalem, seriozisht të ndalem. Nuk njoh asnjë grua që të shkruajë, të kodojë, të pikturojë, të projektojë, të llogarisë, të hekurosë apo të gatuajë etj. me prapanicë. Në fakt, kur një punë bëhet keq ne nga Jugu i themi e ke bërë me b… Nuk di nëse do të vazhdojmë ta përdorim më këtë shprehje, pasi tani b… u bë punë e madhe dhe e kushtueshme.

Dihet se mbi kanunet e bukurisë qëndron një industri e madhe, e jashtëzakonshme, shpesh mizore. Kjo industri ka vazhdimisht nevojë për modele të reja. Ndaj është mirë t’i sqarojmë gjërat, industria ka nevojë për modele të reja e ne kemi nevojë për industri.

Por kjo nuk ka aspak të bëjë me konceptin e bukurisë. Secila grua është e bukur për sytë e dikujt, por fitorja e madhe është kur së pari të ishte e bukur për sytë e vet. E këtu është beteja që humbëm, na rrëshqiti nga dora, nuk e kuptuam, e snobuam.

Çdo gjë paguhet në jetë, e sot na duhet të luftojmë për t’i çliruar njerëzit nga simbolet e bukurisë që u shpikën në tavolinë, nga kanunet e rrepta të modës gjithmonë kalimtare. Ta mësojmë njeriun të dojë veten, aq më tepër adoleshencën, që është mosha më kritike dhe më e abuzuar. Ende i mbaj në kokë si ëndërr të keqe shikimet e çuditshme që na hidhnin burrat në trup kur kalonim rrugës. Atëbotë nuk e kuptoja që ishin shikime perverse, më vinte turp nga trupi im që rritej, merrte formën e gruas, dhe kërrusja shpinën.

Sot gjërat janë më ndryshe, në pamje po. Ta theksojmë, vetëm në pamje. Asgjë tjetër nuk ka ndryshuar. Adoleshenca është gjithmonë prehu më i lehtë, ajo që pozon trupin për like, ajo që deprimohet për moslike, ndërkohë që kemi gra “të fuqishme” si na pëlqen t’i quajmë, që luftojnë për të drejtat e grave “te dobëta” me hundët e tyre të reja, buzët e sapofryra e gushat e tërhequra mirë pas qafe. Këtu diçka nuk shkon, rendi na është përmbysur. Trupi postmodern zhytet në botën e ndjesive, por mendja duhet ta kontrollojë, vazhdon Bauman, por atë nuk e lexuan shumë nga ne.