Kush e ideoi shfaqjen absurde në KPM dje: pushteti, urithi apo konflikti i interesit?
Mandati i skadon të hënën, por dy-tre anëtarëve me mandat më të gjatë, iu kujtua se do të bënte të mbahej një mbledhje që me ia hëngër ditën e fundit të mandatit dhe për ta emëruar njërin nga ta kryetar të ri të KPM-së.
Me një fizkulturë të paparë, me një rend dite të shpifur, me një interpretim të shkurtër dhe stupid (tingëllon më fuqishëm anglisht 😊), katër anëtarë të KPM-së votuan për ndryshimin e rregullores që do të duhej ta udhëzonte punën e Komisionit të Pavarur të Mediave, në kundërshtim me Ligjin (ende në fuqi) të KPM-së.
“Rrezikonte të mbetej pa kryetar”, qe arsyetimi.
Punë e madhe!
Çka të duhet kryetari, kur nuk ke kuorum për të vendosur çfarëdo qoftë? Në vend se të lobohej te partitë politike dhe Kuvendi për t’i zgjedhur anëtarët e munguar të KPM-së, u prit dita e fundit për ta bërë një puç absolutisht të pakuptimtë. E është i pakuptimtë për shkak se nuk e sjell asnjë ndryshim kualitativ për askënd tjetër, pos për kryetarin jolegjitim, që tash mund të flasë publikisht në emër të KPM-së. Me kusht që nuk “i kërcet” një masë e përkohshme gjyqësore.
Opsioni i parë
Se e kujt ka qenë ideja për këtë veprim bash në mes të fushatës zgjedhore, është vështirë të dihet, edhe pse teoritë e ndryshme, e edhe ato të konspiracionit, mund të japin së paku tri opsione për të zgjedhur.
Teoria e parë është se urdhri të ketë rrjedhur nga VV-ja, e cila prej të gjithë kandidatëve që kishin garuar (përfshirë edhe ish-nënkryetaren e KPM-së, gazetare me përvojë dhe me njohuri për botën e mediumeve në Kosovë), e zgjodhi një grua, militante të VV-së. Kjo doli të ishte nismëtarja e mbajtjes së mbledhjes dhe organizimit të puçit nën pikën “nën të ndryshme”.
Nuk kishte qenë e pranishme në mbledhjet kur u diskutua rregullorja e sjelljes së mediumeve gjatë fushatës zgjedhore. Por dje u gjet aty – për ta votuar kryetarin e ri, “që do ta zëvendësojë aktualin të martën e radhës”.
Nëse ka vepruar sipas urdhrit të partisë, Vetëvendosja nuk ka mundur t’ia fusë vetes një autogol më të madh sesa ky. Sepse kështu bëhet objekt i akuzave se do që ta kapë KPM-në – ashtu siç ia kanë bërë krejt partitë politike të pushtetit në të kaluarën, kush më shumë e kush më pak.
Por, kapja e KPM-së me këtë rast, nis në një fazë kur KPM-ja nuk ka kuorum, dhe nuk mund të marrë asnjë vendim meritor. Dhe kështu do të vazhdojë derisa nuk të konstituohet Kuvendi dhe derisa nuk të zgjidhen anëtarët e tjerë të KPM-së, sipas ligjit në fuqi (ai që është miratuar vjet, është në pushim vjetor në Kushtetuese).
Opsioni i dytë
Teoria tjetër e konspiracionit, për mua vështirë e besueshme, është që këtë puç ta ketë ideuar opozita dhe që ka gjetur mënyrën se si të depërtojë në KPM, me një ide absolutisht të marrë, absurde dhe të palogjikshme – për ta bërë zgjedhjen e kryetarit/es dhe nënkryetarit/es, “se mos po mbetet KPM-ja pa kryetar”. Sërish, punë e madhe që mbetet pa kryetar!
Pra, nëse opozita e ka gjetur urithin e vet, në formën e militantes së VV-së në KPM, dhe ka nisur ta gërryejë KPM-në prej brenda për ta krijuar efektin e mësymjes së pushtetit ndaj institucioneve të pavarura – spektakli i djeshëm ka qenë goditje në metë.
Emërimi i kundërligjshëm i një kryetari pa pushtet, e të tillë deri në një masë shumë të mundshme gjyqësore, e ka arritur efektin e dëshiruar: kritikë e gjithëpërhapur për ndërhyrjen (me tendenca autoritare dhe diktatoriale) e pushtetit në punët e rregullatorit të mediumeve, për të imponuar censurën, për mbylljen e mediumeve, për terrin informativ, e plot të tjera.
Sabotazh?
Ndoshta.
Por edhe porosi shumë e fuqishme për deputetët e Kuvendit të Kosovës: se përgjegjësit kryesorë për zgjedhjen (e edhe moszgjedhjen, besa) të anëtarëve të KPM-së, janë pikërisht ata. Sepse veprojnë sipas diktatit të partisë dhe i votojnë njerëzit që nuk do të duhej ta kishin vendin aty.
Opsioni i tretë
Mundësia e tretë është që të gjithë veprimin ta kenë planifikuar së paku dy anëtarë të KPM-së që kanë dashur të bëheshin kryetar/e dhe nënkryetar/e të KPM-së, mu në kohën e zgjedhjeve, kur krejt vëmendja është e kthyer tjetërkah.
Pra, me një rend dite me pikën nën të ndryshme, që edhe më herët u ka shërbyer për ta shkarkuar një u. d. kryeshef, për ta emëruar një tjetër, e kanë planifikuar ndryshimin e rregullores në kundërshtim me ligjin dhe më pas edhe zgjedhjen e kryetarit.
Pse jo – në kohën kur KPM-ja nuk është funksionale, në mungesë të kuorumit, kush do t’i ndalte nga dalja publike për të dhënë interpretime të shumëllojshme për çështje të ndryshme. Kush do t’i ndalte nga udhëtimet eventuale jashtë vendit, apo edhe kush do t’ua ndalte kontaktet me këdo, pavarësisht se nuk e kanë legjitimitetin e vendimeve të një trupi kolektiv?
Pra, ka mundur të ishte realizim i një ëndrre, përmbushje e një sedre, apo thjesht dëshira për të dalë në sipërfaqe si “kingmakers”, demek si njerëz pa të cilët KPM-ja nuk bën dhe nga të cilët do të bëhej e varur.
Nëse është kështu, ky veprim është (afat)shkurtër dhe stupid. Pikë.
KPM pa kuorum
Jeton Mehmeti, kryetari i cili nuk e përfundoi mandatin për një ditë, ka qenë, me gjithë lëshimet eventuale, një nga më të mirët që i ka pasur KPM-ja në 20 vjetët e fundit.
Megjithatë e ka ruajtur kohezionin e trupit kolektiv; i ka vizituar mediumet; i ka dëgjuar ankesat dhe propozimet; ka vepruar te rasti i dokumentacionit të pronësisë së mediumeve; te rasti i abuzimeve të operatorëve kabllorë; te taksa e licencës. Se a ka mundur të bënte hala? Me siguri se po, porse tash po del se paskësh bashkëpunuar me njerëz që të gjithë synimin e paskan pasur te titulli që e ka mbajtur deri në ditën e djeshme.
Që nga e marta, KPM-ja mbetet me tre anëtarë. Ligji kërkon që kuorumin ta formojnë katër nga shtatë anëtarët. E ky formacion i KPM-së nuk i pati kurrë shtatë anëtarë, se nuk zgjidheshin dot nga Kuvendi.
Veç po e paramendoj se çfarë do të ndodhë nëse kalon ligji i ri, e duhet të zgjidhen 11 anëtarë me mandat identik katërvjeçar: një kaos që do të përfundojë me ndryshimin e ligjit sërish. Sepse e kemi adet me bâ ligje të pazbatueshme.
Pra, KPM-ja me kryetar të ri, i cili gjasat janë se do të mbarojë me masë të përkohshme, nuk do të mund ta marrë asnjë vendim për asnjë shkelje eventuale që do të mund ta bëjnë mediumet gjatë fushatës. Zyra Ekzekutive do t’i monitorojë ato, do të mund të çojë vërejtje, por nuk do ta ketë fuqinë e dënimit. E nuk jam fort e sigurt se edhe KPM-ja e re, që kushedi se kur do të konstituohet, do ta ketë fuqinë për të sanksionuar retroaktivisht këdo në bazë të këtyre vërejtjeve.
Dhe pikërisht kjo punë, me gjasë, do t’i ketë shtyrë puçistët që të përpiqeshin dje që t’i jepnin fuqi ekzekutive jashtëligjore u. d. të kryeshefit ekzekutiv – pra që ai, nën mbikëqyrjen e kryetarit të ri dhe dy anëtarëve të mbetur, t’i shqiptonte sanksionet ndaj mediumeve, ngase e dinin se nuk do të kishin më kuorum.
* * *
Para më shumë se një dekade, tre anëtarë të KPM-së ishin shkarkuar nga Kuvendi (i cili i kishte zgjedhur) për shkak se njëri ishte zgjedhur në kundërshtim me ligjin, kurse dy të tjerë kishin marrë pjesë aktivisht në fushatë zgjedhore.
Pas rastit të djeshëm, nuk ka asnjë arsye që të mos iniciohet procedura për shkarkimin e tre anëtarëve të mbetur të KPM-së, për shkak të konfliktit potencial të interesit në çastin kur kundërligjshëm e kanë ndërruar një rregullore kyç për funksionimin e këtij trupi kolektiv.
Edhe ashtu KPM-ja nuk ka kuorum.