Pas një lëndimi që kishe pësuar në dorë, një fermer 75-vjeçar shkon në kontroll te mjeku. Gjatë kontrollit ata edhe bisedojnë. Dikur u hap edhe tema rreth politikanëve dhe rolit të tyre si udhëheqës të shoqërisë. Fermeri i moshuar tha: “Paj, qysh unë i shoh, shumica e politikanëve janë “breshka n'maje t’kunxhit t’gardhit”
Fillimisht një sqarim. Pranova pyetje të shumta që më arritën e të cilat kryesisht ishin se a nuk po frikësohem se do më shkarkojë “shefi im” Hashim Thaçi nga posti i ambasadorit? Unë jam i vetëdijshëm se Hashim Thaçi do të kishte dëshirë të ishte shef i imi, por ja që unë ia kam shkurtuar atë kënaqësi dhe jam vetëshpallur ambasador, siç e shpjegova në Ditarin e javës së kaluar. Mirëpo unë nuk e shkel Kushtetutën e Kosovës. Fotografinë e tij e kam të varur diku në muret e AMAZON-it, aty ku shiten librat online, ndër të tjera edhe libri me fotografinë e tij në ballinë dhe përmbledhjen e përrallëzave me “një yll” të dhuruar nga lexuesit e ““New State Modern Statesman”.
Vazhdimin e Ditarit tim do ta filloj me huazimin e një anekdote në gjuhën angleze, dhe duke i shfrytëzuar aftësitë gjuhësore dhe diplomatike të ekselencës sime, atë do të provoj ta ndaj me ju në mënyrë sa më autoktone.
Pas një lëndimi të cilin e kishte pësuar në dorë një fermer 75-vjeçar shkon në kontroll te mjeku.
Gjatë kontrollit ata bisedojnë. Dikur u hap edhe tema rreth politikanëve dhe rolit të tyre si udhëheqës të shoqërisë.
Fermeri i moshuar tha: Paj, qysh unë i shoh shumica e politikanëve janë “breshka n'maje t’kunxhit t’gardhit”.
Duke mos qenë i njoftuar me analogjinë, mjeku e pyet atë se çfarë është “breshka n'maje t’kunxhit t’gardhit”?
Fermeri i përgjigjet: “Kur je duke u kthyer rrugës së fshatit dhe kalon pranë një gardhi ku në maje të kunxhit të gardhit e sheh një breshkë”, ja kjo është ajo.
Fermeri i vjetër mund ta vërente habinë në fytyrën e mjekut dhe vazhdoi me shpjegimin. “Ti e di se aty lart ajo breshkë nuk ka arritur vetë, nuk e ka vendin aty, ajo nuk di se çfarë të bëjë derisa është aty lart, ajo është ngritur përtej pikës ku ajo mund të funksionojë, e vetmja brengë e saj mbetet si të qëndrojë e balancuar aty, që të mos bjerë poshtë dhe ti vazhdon ta pyesësh veten se cili idiot e vendosi breshkën aty fillimisht”.
Çfarëdo ngjashmërie me realitetin kosovar është e qëllimshme.
E premte, 27.7.2018
Erdogan thotë se miqësia e tij me Putinin po “i bën xhelozë disa”
Me të lexuar të këtij kabllogrami e duke u marrë me diplomaci nuk kishte se si të mos më zinte kureshtja se kush mund ta xhelozonte Erdoganin për miqësinë e tij me Putinin. Të më shkonte mendja tek Hashim Thaçi nuk kishte bazë për xhelozi, sepse e ka vëlla. Të mendoja Edi Ramën, edhe ai e ka vëlla Erdoganin por s’e di a e ka vëlla Thaçin. Po s’ka lidhje, nga serialet latino-amerikane jemi mësuar me fëmijë të martesave të përziera. Me rëndësi ata nuk xhelozohen. Vazhdova me metodën e eliminimit të xhelozëve të mundshëm. Vuçiqi jo, se edhe ai e ka vëlla Erdoganin. Heu për dreq, sa shumë vëllezërit kishte pasur në rajon e kurrqysh me ia gjetë atë që po e xhelozon. Më shkoi mendja edhe te Daçiqi, por jo, edhe ai i kishte kënduar Erdoganit në turqisht “Osman Aga”, ndërsa Putinin e ka idol. Ramushi është shumë i zënë me dinamikën e punës për të pasur kohë për ta e xhelozuar dikë, përveç aty-këtu ndokënd që do t’ia kishte mësyrë karriges së tij. I vetmi kandidat i mbetur xheloz më mbeti ministri i Punëve të Jashtme apo zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli. Xheloz, sepse si ministër i Punëve të Jashtme Erdogani nuk ia pyeti letrat me rastin e kidnapimit të 6 shtetasve turq në Kosovë (një njollë e cila do të na përcjellë një kohë të gjatë si shtet i ri në ndërtimin e shtetësisë sonë dhe demokracisë), edhe sa u përket bizneseve potenciale në Kosovë s’po mund të vijë në rend nga dhëndri i Erdoganit, ndërsa Putini ia hoqi Yelcinin para shumë vjetësh e Baci mbeti pa i ndërtuar stadiumet futbollistike për Kampionatin e sapombaruar botëror të futbollit në Rusi, a qebesa edhe objektet e një olimpiade të përfunduar dimërore. Xheloz është Baci vesh më vesh e në diplomaci xhelozia fshihet në detaje.
E hënë, 30.7.2018
Haradinaj: Me mujt shkojmë deri në Nish, por s’mundemi
Ishte kjo deklarata e deputetit Daut Haradinaj në foltoren e Kuvendit. Sikur mos të tingëllonte qesharake do të ishte tragjike. Po çfarë Nishi o i nderuari deputet? Po qe plot 19 vjet banorët e pjesës së veriut të Mitrovicës janë refugjatë në qytet të vetin. Është krijuar sistemi paralel qe plot 19 vjet para hundëve tuaja, e sa për një rifreskim të kujtesës suaj të shkurtër, javëve që lamë pas u ndërtua edhe muri për zbukurimin estetik (lexo ndarës) pak përtej urës mbi lumin Ibër. Ndoshta në takimin me kriminelin e pjesës përtej murit në Mitrovicë, Radojçiqin, të cilin e ka pasur vëllai i juaj kryeministër i Kosovës i janë dhënë edhe garanci për atë mur se do ta “zbukurojë qytetin për jetë e mot” se ne me Nish jemi përshëndetur qysh në fillimvitet ’90, kur të rinjtë shqiptarë më nuk u përgjigjeshin ftesave për rekrutimin ushtarak të Armatës Popullore të Jugosllavisë e që bëhej në qendrën rekrutuese të Nishit.
Përleshje ndërmjet turqve dhe serbëve, janë hedhur edhe koktej molotovi
Nga kabllogramet diplomatike të fqinjëve tanë veriorë lexova këtë lajm bombastik. Jo, nuk bëhet fjale për “Betejën e Kosovës”. Ngjarja kishte ndodhur në vendin turistik Kushadasi. Mediat turke kishin shkruar se kishte pasur përleshje midis vendësve turq dhe serbëve të rinj të cilët ishin në ekskursion, ndërsa mediat serbe nuk thonë se ka pasur ndonjë përleshjeje, vetëm një tip i cili është sjellë rreth këtyre të rinjve 3 ditë rresht dhe është shoqëruar me ta. Në fund, para nisjes së autobusit për t’u kthyer për në Serbi tipi hedh koktej të molotovit mbi autobusin e të rinjve. Nuk ka pasur të lënduar. Më pas policia e gjen se ky kryesi i veprës kishte pasaportë ruse! ,., nga ajo që më kanë mësuar historia dhe diplomacia e kohëve moderne, sa herë kruhen rusi, serbi dhe turku ndërmjet vete ne shqiptarët e pësojmë, prandaj mendtë në kokë.
E martë, 31.7.2018
Hashim Thaçi: S’do të ketë ndarje të Kosovës, do të ketë korrigjim kufijsh me Serbinë
Kjo është vazhdimësia e test balonave të presidentit për të matur shumë pulse në të njëjtën kohë. Pulsin e popullit i cili është në hibernim prej gati dy dekadash, pulsin e Qeverisë së brishtë të cilën ai mund ta rrëzojë kurdo që t’i teket, pulsin e opozitës që veçse në makina për mbajtje në jetë nuk është e lidhur, pulsin e OJQ-ve të cilat ashtu-kështu i ka në inkubator të vetin, edhe pulsin tim, që momentalisht është duke rrahur 180 bpm.
Si ta qetësoj veten? Më duhet të meditoj. E dua orientin. Për një moment ashtu duke medituar se ç’më kapi një mallëngjim. Si nuk qëlluam japonezë. Ata janë aq të disiplinuar, aq punëtorë, aq parimorë. Po të ishim japonezë deri më tani për humbjet që ia ka shkaktuar shtetit e shoqërisë, presidenti Hashimotto së paku 18 herë do të bënte hara-kiri. Por ja që ai ka qëlluar me ndërgjegje kosovrarë dhe vetëm një ndërrim-shpëtim i lëkurës së vet të gjarprit është i vetmi proces që ndodh me kalimin e secilit vit.
E mërkurë, 1.8.2018
Një iniciativë e imja diplomatike
Duke mbetur i përkushtuar ndaj punës, promovimit të shtetit tim, vlerave tona kulturore, si dhe njerëzve tanë të dëshmuar, unë para ca ditësh e nisa një letër me një projekt-propozim për kryebashkiakun e Londrës, z. Sadiq Khan. Nga z. Khan kërkova që ta ketë parasysh kontributin e presidentit Thaçi për taksapaguesin britanik me pagesën e autorëve për shkrimin e librit për veprimtarinë e tij. Pastaj pagesat e ndryshme të avokatëve (nga kabllogramet diplomatike nuk arrita të kuptoja se a ia ka kthyer borxhin gjykatësit Geoffrey Nice). Duke i marrë parasysh të gjitha këto rrethana kërkova nga z. Sadiq Khan që rrethrrotullimi në Trafalgar Square të riemërtohet në “Hashim Thaçi Circus” dhe mbetem i mendimit se ky emërtim do të ishte shumë i merituar dhe kuptimplotë, po ashtu do t’i komplimentonte dy pikat e tjera atraktive të Londrës: Picadilly Circus dhe Oxford Circus. Jam në pritje të përgjigjes nga z. Khan.
Post mortem Adem Demaçi, Bekim Lumi, Ragip Sylaj
Java që po e lëmë pas ishte një javë e trishtë. Humbëm tre veprimtarë të shquar të shoqërisë sonë. Adem Demaçin, Bekim Lumin dhe Ragip Sylajn. Ndarja e tyre nga ne do të lërë një zbrazëti të madhe. Kohërat e pseudovlerave kulturore-politike të cilat na kanë mbërthyer veçse janë në rritje dhe ne sapo humbëm tre luftëtarë që përfaqësonin vlerat e mirëfillta. U qoftë i lehtë dheu i Kosovës dhe u prehshin në paqe!
E derisa vlerat tona kulturo-politike vazhdojnë të degradojnë, neve na mbetet të gjejmë përgjigjen në pyetjen: “po breshkat kush na i vendosi në maje t’kunxhave t’gardhit”?