OpEd

Bravo, Kryeministër!

Nga politika ndoshta s’marr vesh shumë, nuk pretendoj se i njoh mirë qokat dhe dredhitë e saj, por e di, e shoh me sy dhe e preki me dorë realitetin në të cilin jetoj; gjendjen katastrofike ekonomike, sociale, morale dhe politike nëpër të cilën po kalojmë si shoqëri. Për këta muaj prejse je bërë kryeministër, ashtu siç u bëre, me qykë të zorit, ke bërë gabime pa numër, disa prej të cilave mund të quhen lirisht skandale

U takuam në Panairin e Librit. Unë hyja, ti dilje. Unë vetëm, i shoqëruar nga një ish-student imi, ti i rrethuar nga shpura jote prej këshilltarësh e bodigardësh.

Nuk isha zatetur me ty kështu ballë për ballë nga koha kur u bëre kryeministër. Kur u ndale, mendova se dëshiron të më përshëndesësh, por isha mashtruar.

“Agim - më the; as ‘profesor’, as ‘zoti Vinca’, por Agim, me emër, si t’i kishim ruajtur lopët bashkë - ti je mendje e ndritur, por kur të shkruajsh për politikë thellohu pak se nuk i merr vesh punët e politikës!”.

Më erdhën gand këto fjalë, më goditën si rrufe nga qielli i kaltër, si thuhet.

Shihej se ishe zemëruar me mua dhe se mezi kishe pritur rastin të ma shfaqje zemërimin, madje pa e zgjedhur kohën as vendin.

A thua cili shkrim imi e paska hidhëruar kaq shumë Kryeministrin? - mendova shpejt e shpejt në hapësirën e ngushtë mes stendave me libra, ku vazhdimisht kalonin njerëz, vizitorë të Panairit.

Duhet të jetë intervista në KosovaPress, sepse nuk di ndonjë shkrim tjetër të kohëve të fundit, ku të kem folur për qeverinë Haradinaj.

Më luti disa ditë një ish-student imi, i punësuar rishtas në këtë agjenci lajmesh për një intervistë. Më erdhi keq ta refuzoja dhe pranova.

Më pyeti për shumë çështje: për gjendjen e arsimit, për pozitën e librit, për qëndrimin tonë ndaj gjuhës, për krijuesit tanë të rinj dhe Akademinë tonë plakë dhe, natyrisht, edhe për Qeverinë.

Pyetjes së gazetarit të KosovaPress-it se a do të ketë zgjedhje të parakohshme, iu përgjigja afërsisht kësisoj: “Nuk besoj se kjo qeveri do ta çojë mandatin deri në fund. Për mua kjo qeveri e ka humbur besueshmërinë ditën që ia rriti rrogën vetes 100% e më shumë”.

Idenë time redaksia e kishte përmbledhur me fjalët e vëna si moto në krye të intervistës. “Për profesorin universitar dhe studiuesin e letërsisë, Agim Vinca, Qeveria e Kosovës është jetëshkurtër dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme për ta ndryshuar gjendjen në të cilën aktualisht është Kosova”.

Këto janë duket fjalët që të paskan zemëruar aq shumë, zoti Kryeministër, sa të shtynë të më sulesh me fjalët: “Je mendje e ndritur, por nuk merr vesh nga politika!”.

(Politikë e madhe kjo e Ramushit! E madhe dhe vizionare! Si e Çerçillit, e Dë Golit, e Adenauerit gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, apo e Klintonit dhe Toni Blerit në kohën tonë, ndonëse këta të fundit ishin “të majtë”, ndërsa Ramushi e Hashimi janë “të djathtë”!)

Nga politika ndoshta s’marr vesh shumë, nuk pretendoj se i njoh mirë qokat dhe dredhitë e saj, por e di, e shoh me sy dhe e preki me dorë realitetin në të cilin jetoj; gjendjen katastrofike ekonomike, sociale, morale dhe politike nëpër të cilën po kalojmë si shoqëri.

Nuk jam njeri që merrem me politikë për të përfituar prej saj si ju politikanët tanë, me ndonjë përjashtim të rrallë, por si intelektual nuk mund të jem indiferent ndaj zhvillimeve politike në vendin ku jetoj dhe në mbarë hapësirën shqiptare.

Ajo që thashë për ty dhe qeverinë tënde në intervistën e KosovaPress-it nuk është as maja e ajsbergut.

Ka aq shumë për të thënë për ty dhe qeverisjen tënde, sa njeriu nuk di nga të fillojë.

Për këta muaj prejse je bërë kryeministër, ashtu siç u bëre, me qykë të zorit, ke bërë gabime pa numër, disa prej të cilave mund të quhen lirisht skandale.

Puna e parë që bëre me të ardhur në krye të ekzekutivit ishte t’ia rrisje rrogën vetes. Vetes dhe të tjerëve rreth teje, me arsyetimin qesharak: “duhet me ble këmisha e kravata” dhe “për mos me vjedhë!”.

Kam pritur prej teje si njeri popullor që ta ulësh pak rrogën, qoftë edhe simbolikisht, e jo ta bësh krejt të kundërtën!

Kosova është vendi më i varfër dhe me papunësi më të lartë në rajon, me rrogë minimale prej 150-170 eurosh (çdo i dyti kosovar, sipas statistikës, jeton me më pak se 1 euro e 40 centë në ditë), kurse kryeministri i Kosovës së shpejti do të marrë pagë mujore prej tre mijë eurosh (fiks 2950)! Kryeministri i Shqipërisë ka pagë mujore 1700 euro, ai i Maqedonisë 1300, i Malit të Zi 1130, i Bosnjë e Hercegovinës 1070, ndërsa kryeministri i Serbisë, me traditë shtetërore dyqindvjeçare dhe me resurse shumë më të mëdha se Kosova e Shqipëria bashkë, merr rrogë mujore prej vetëm 1000 eurosh!

Paga e kryeministrit të Kosovës tash e tutje, pas vendimit absurd të Gjykatës Kushtetuese, do të jetë më e lartë edhe se ajo e kryeministrit të Kroacisë, paga mujore e të cilit është 2600 €.

Ke ardhur në krye të shtetit për t’i shërbyer popullit apo për të mbushur xhepat e tu? Po e zhvatni buxhetin e Kosovës dhe pasuritë e saj si ujqit prenë!

Nuk të vjen pak keq për ne pensionistët e shkretë, profesorë, mjekë, juristë, ekonomistë, që po e ngrysim jetën me një pension prej 230 eurosh në muaj (nga 80 sa ishte në fillim!) pas dyzet vjet pune në Universitet dhe pas gjithë atij kontributi në arsim, shkencë, art, kulturë, ekonomi e edhe në politikë?

Po për hallexhinjtë e shumtë anembanë Kosovës, që mund të mos kenë as bukë në sofër dhe që s’kanë me se t’i blejnë ilaçet në barnatore?

Po e mbysni solidaritetin, virtytin, moralin, po e vrisni shpresën... Nuk kam thënë më kot në atë intervistë, me dhembje të madhe, natyrisht, se Kosova po vdes moralisht!

Derisa ishe në opozitë, ti ishe kundërshtari më i madh i demarkacionit me Malin e Zi sipas komisionit Meha. Me t’u bërë kryeministër, formove komisionin Bulliqi, por në fund, pas disa manovrash politike në relacionin Prishtinë-Podgoricë dhe pas blerjes së votave të disa deputetëve në Kuvend, demarkacioni u ratifikua sipas gjetjeve të komisionit të parë. Jo vetëm që i sakrifikove 8200 hektarë territor, por s’e pe të udhës t’i kërkoje falje Murat Mehës si burrë. Ndoshta nuk ke harruar se ia pate gjuajtur hartat në fytyrë dhe e pate quajtur publikisht “peder”?!

Je në krye të një qeverie, që ka pesë zëvendëskryeministra, 21 ministri e po aq ministra dhe hiç më pak se 80 zëvendësministra, gjë që nuk ndodh askund në botë. (Kjo puna e zëvendës-ministrave të qeverisë sate është bërë proverbiale, aq sa po më dhimbsen disa nga ata djem, që, pa fajin e tyre, kanë rënë në pozitë të palakmueshme).

Të gjithë paguhen nga buxheti i Kosovës, që mezi arrin dy miliardë euro në vit!

Mbi çfarë baze ligjore i ndave 300 mijë euro për Grupin e Kumanovës dhe a mendove ndopak për pasojat politike që mund të ketë ky akt?

Ua fale borxhin kompanive të ujit dhe pyetjes së gazetares së RTK-së se si dhe përse ndodhi kjo gjë, iu përgjigje: ”M’u ka tek!”, si të ishin ato paratë e tua e jo të taksapaguesve të Kosovës. Pastaj, pas një kohe, t’u tek ndryshe dhe e tërhoqe vendimin, duke treguar kështu mungesë totale serioziteti në drejtimin e punëve të shtetit.

Po e keqpërdor pozitën e kryeministrit, duke marrë vendime arbitrare dhe duke u sjellë në mënyrë të papërgjegjshme, aq sa mund të thuhet se sjellja jote si kryeministër u ngjan, herë-herë, personazheve të vodvileve, pra është qesharake.

Deportohen nga Kosova gjashtë shtetas turq, të ashtuquajtur “gylenistë” dhe ti, kryeministri i vendit, del në televizor dhe thua: “Unë nuk di gjë!”. Dhe vazhdon ta ushtrosh detyrën si të mos kishte ndodhur asgjë.

Si intelektual kam qenë kritik, madje shumë më kritik se ndaj teje, edhe ndaj Ibrahim Rugovës e Sali Berishës, edhe ndaj Fatos Nanos e Hashim Thaçit, edhe ndaj Ali Ahmetit e Menduh Thaçit, e edhe ndaj paraardhësit tënd, Isa Mustafës, por asnjëri nga ata nuk ka ndodhur të më ndalë në rrugë e të më thotë: “Nuk merr vesh nga punët e politikës!”, siç veprove ti në mbrëmjen e 5 qershorit.

Si ta marr këtë: si një “qortim miqësor” apo si kërcënim për të mbyllur gojën, sepse je njeri i veshur me pushtet, hiç më pak se Kryeministër?

Uroj që të jetë e para, qoftë edhe si non sens, sepse e dyta përbën një precedent të rrezikshëm.

Nuk e kam ditur se je kaq i ndjeshëm ndaj kritikës; kam kujtuar se je tolerant e zemërgjerë, edhe pse e di se nuk le gur pa luajtur për t’u bërë kryeministër.

Je i rrethuar, jeni të rrethuar, si ti, ashtu edhe Hashimi, me këshilltarë servilë, që i kanë ndërruar padronët njëqind herë në këta njëzet vjet. (Nesër, kur të bini nga froni, ata do t’jua kthejnë shpinën të parët).

Ti, i dashur Ramush, gati për çdo ditë e bën nga një skandal.

Edhe në manifestimin që u mbajt në Prizren më 10 qershor, u solle jo si kryeministër, por si bodigard, duke e larguar me dhunë nga tribuna mbesën e Mehmet pashë Derrallës, pjesëmarrës i Kuvendit të Prizrenit dhe Ministër i Luftës në Qeverinë e Vlorës të kryesuar nga Ismail Qemali.

140-vjetori i Lidhjes së Prizrenit do të mbahet mend për karriget e zbrazëta, për programin e dështuar dhe posaçërisht për përleshjen tënde me një grua të moshuar.

Të nesërmen, në konferencë shtypi, në vend që të shprehje keqardhje e të kërkoje falje për këtë veprim skandaloz, deklarove me mburrje para gazetarëve: “Me pas’ qenë burrë edhe ma ndrysh’ e kisha kry’!”.

Bravo, Kryeministër! Të lumtë, he burrë!

Uroj që ky të jetë skandali yt i fundit, por si ia ke nisur kam frikë se skandalet e tua s’do të kenë të ndalur.

A je i vetëdijshëm se me sjelljet dhe veprimet e tua e komprometon rëndë institucionin e kryeministrit dhe vetë shtetin që përfaqëson?

Ti dhe këshilltarët e tu mund të mendoni se unë flas kështu për hir të “Vetëvendosjes”. Jo. Për hir të Kosovës. Nesër kur të vijë në pushtet VV-ja, nëse vjen, do të jem kritik edhe ndaj Albinit me shokë, ashtu siç jam sot ndaj jush.

Nuk jam anëtar i asnjë partie politike, as nuk kam qenë, kam refuzuar të jem, i bindur se detyrë e intelektualit është të jetë opozitar i përhershëm, sepse çdo pushtet, qoftë edhe më i miri (o Zot, ç’ëndërr e largët!), kurrë s’është i përsosur.

Kam folur dhe kam shkruar për meritat e tua në luftë. Ato s’t’i mohon kush. Unë aq më pak. Kam bërë diçka për ty edhe kur të morën në Hagë; të kam mbrojtur në media e tubime, brenda e jashtë dhe, madje, kam pasë shkruar edhe një poezi, në të cilën hasen edhe këto vargje: “Ave, Evropë, Zonjë hijerëndë,/ me Muze Armësh e Sheshe Invalidësh,/ përse kërkon nga unë t’i fshij nga memorja shkronjat UÇK?!/ E përse djemtë m’i degdis në Hagë e m’i mbyll në Dubravë,/ në atë hapsanë larë me gjak e lot?!/ Përse, madhëri, nënë luftërash e shtetesh e lirish;/ Më thuaj përse,/ pash Shën Bartolometë dhe Bonapartët e tu të shumtë/ e funeralet e tua madhështore në natën e gjatë të historisë?!”.

Besoj se e kupton se fjala është për ty dhe shokët e tu; për ju që patët guximin t’i kundërviheshit pushtuesit shekullor në një luftë tmerrësisht të pabarabartë, e cila, falë rrethanave të krijuara, përfundoi me çlirimin e Kosovës. E kam shkruar në vitin 2005, kur ti dhe dy bashkëluftëtarë të tutë gjykoheshit në Hagë me akuzën për krime lufte dhe mund ta lexoni të plotë, nëse doni, në librin tim Nostalgji për kohërat e rrezikshme (2017).

Me gjithë respektin që kam për ty si luftëtar dhe për familjen Haradinaj, që i ka dhënë shumë Kosovës, lirisë së saj, nuk mund të heshti për gafat që po bën si kryeministër, duke e qeverisur keq vendin dhe duke promovuar një kulturë sjelljeje që nuk përkon aspak me postin që mban.

U bënë 19 vjet nga mbarimi i luftës dhe çlirimi i Kosovës dhe 10 vjet nga shpallja e saj shtet i pavarur. Por a është kjo Kosova për të cilën kemi luftuar, ju me pushkë e ne me penë dhe për të cilën dhanë jetën djemtë e vajzat e Kosovës, dëshmorët tanë, përfshirë edhe vëllezërit e tu, Luan e Shkëlzen Haradinaj?

A është kjo Kosova për të cilën u derdh gjak dhe u bënë aq shumë sakrifica? Jo, mjerisht jo, njëqind herë, një mijë herë!

Korrupsion, nepotizëm, zhvatje parash publike, gënjeshtra, mashtrime, hipokrizi, premtime boshe, shpenzime pa mbulesë, mungesë transparence, pasurim marramendës i një grupi njerëzish, oligarkësh, në njërën anë dhe varfërim i pandalshëm i shumicës së popullit, në anën tjetër; luftë për pushtet, dallavere, imoralitet, brutalitet, reket, krime e dhunë në çdo hap. Dhe zhgënjim e dëshpërim pa fund!

Situata në të cilën gjendet Kosova sot do të mund të karakterizohej me fjalët e dy shkrimtarëve të mëdhenj francezë të shekullit të 19-të, Stendalit dhe Merimesë. “Jemi zhytur në baltë deri në fyt…” , i shkruante i pari të dytit, Stendali Merimesë, në kohën e Restaurimit, kurse ky i fundit ia kthente: “Ke të drejtë dhe po të mos më vinte turp nga vetja do të thosha se jemi zhytur në m…”.

Prishtinë, 11 qershor 2018

P. S. Dërgimi në botim i këtij shkrimi u shty për shkak të vdekjes së babait të Kryeministrit, z. Hilmi Haradinaj